Miqësia/armiqësia sezonale me Prokurorinë

Nga Mustafa Nano

Në pikun e debatit mbi çështjen “Tahiri”, thellë-thellë kam pasur dyshimin se mazhoranca, duke mos lejuar prokurorët të arrestojnë Saimir Tahirin, e mori në mbrojtje këtë të fundit. Dhe ndoshta ka qenë vërtet kështu, ndonëse kam qenë i bindur (edhe e kam shprehur këtë bindje) se “të të dalë emri në përgjimet që u janë bërë bisedave të disa trafikantëve apo delinkuentëve” nuk është provë e mjaftueshme, mbi bazën e së cilës dikush duhet të arrestohet. Unë kam qenë gjithashtu i bindur se Tahiri e kishte bërë baltë, megjithatë, por kjo bindje e imja nuk i lipset askujt. As bindja ime, as bindja e të gjithëve së bashku, mbi fajësinë e dikujt, nuk është provë, mbi bazën e së cilës mund të dënohet ky dikush. Provat, për të cilat kanë nevojë gjyqtarët për të dënuar dikë, janë të një natyre tjetër. Dhe ne duhet të mësohemi me këtë. Nuk kemi pse presim që çdo njeri që është fajtor në kokën tonë të dalë fajtor edhe në sallën e gjyqit.

Por nuk është ky diskutimi që më intereson. Është diçka tjetër. Është qëndrimi i Tahirit, dhe i të tjerëve në krah të tij, ndaj akuzës që iu bë. Tre prokurorët që kërkuan arrestimin e Tahirit mund të shiheshin fare mirë si zyrtarë me kredenciale të dyshimta besueshmërie e objektiviteti, por Tahiri, për çudinë time, nuk i shndërroi ata në target. Ai, me sa mbaj mend unë, nuk u mor fare me ta, nuk zhbiriloi në biografinë e tyre, nuk kërkoi lidhje të tyret politike. Nuk eci fare kësaj ane. Përkundrazi, u përpoq të mbronte veten, e të bënte të besueshëm versionin se ai ishte i pafajshëm dhe se akuza që i bëhej ishte e pabazë. Shkoi në komisionin parlamentar, dhe qëndroi në krah të prokurorëve, pa demonstruar ndonjë mllef ndaj këtyre të fundit. Dhe gjatë gjithë kësaj kohe, deri më sot, nuk ka dalë as një herë të vetme për të zbrazur vrer kundër prokurorëve as nëpër studio televizive, as nga facebook-u apo rrjetet sociale në përgjithësi. Të njëjtin qëndrim mbajti edhe Edi Rama, i cili në asnjë rast nuk u dëgjua të bënte insinuata në adresë të prokurorëve, ndonëse kishte hapësirë për t’i bërë këto insinuata e spekulime. Nuk ngriti në këtë rrethanë akuza mbi prokurorët e mbi Prokurorin e Përgjithshëm, ndonëse ky i fundit ishte i bërë njësh me partitë e politikanët e opozitës (dhe i mbrojtur prej këtyre deri në momentin e fundit). Prokurorët në çështjen “Tahiri” ishin jashtë presionit politik. Dhe ishte një ngjarje e rrallë, duhet thënë. Ishte hera e parë që disa prokurorë shqiptarë, ndonëse po përpiqeshin të bënin një arrestim të bujshëm (më të bujshmin e 20 viteve të fundit), u ndodhën në kushte normale pune. Të vetmit politikanë që u dëgjuan ato ditë, ishin Berisha e Co., që nuk linin gjë pa thënë kundër Tahirit, e kundër mazhorancës që nuk pranoi që Tahirit t’i viheshin prangat.

Sjelle normale, apo jo? Mirëpo jo të gjithë sillen kështu. Dhe kjo diferencë është fare e kollajtë për t’u vënë re. Ca kohë më vonë, po nga prokurorët thirret Shkëlzen Berisha të dëshmojë mbi çështjen CEZ. Dhe mendja ta thoshte se “të prekurit” prej kësaj nisme të prokurorëve nuk do kishin se ç’të thoshin. Por nuk kaluan as pak minuta prej thirrjes, dhe i biri i Berishës bëri reagimin e parë në Facebook: “Me këtë flluske-thirrje Rama shpreson të mbuloje 650 milionë euro që sipas KLSH-së ka vjedhur nga paratë e shqiptarëve gjatë divorcit të mjaltit me CEZ-in…. Është e qartë që prokurori de fakto i rilindjes Edi Rama, po e përdor drejtësinë jo thjesht si pushkë ndaj kundërshtarëve politikë, por më shumë si bombë tymuese për të shpërndarë vëmendjen ndaj krimeve të narkoshtetit dhe ndaj pakënaqësisë popullore që po i afrohet çdo ditë e më shumë derës së Kryeministrisë. Por nuk ka prokuror, gjykatës apo flluskë-thirrje, që do ta shpëtojë nga drejtësia kryegjykatësin dhe kryeprokurorin e narkoshtetit për vjedhjen e 650 milionë eurove. Për pallatet pa faturë dhe bankat e kthyera në lavatriçe parash të pista nga nusja e tij. Si dhe për milionat dhe diamantet e përfituara nga trafiku i drogës të drejtuar përmes ministrit dhe vëllait te tij”. Vini re! Bëhet fjalë për një thirrje në prokurori, e jo për ndonjë kërkesë për arrestim, dhe reagimi ishte ky që pamë. Do thotë ndonjëri, që i biri përfaqëson vetveten, dhe nuk është personazh politik, e prandaj reagimi i tij nuk ka pse të merret për një linjë sjelljeje. Por në fakt, nuk reagoi vetëm ky. Pas ca ditësh, ishte radha e të atit për të komentuar këtë fletëthirrje. Ja se çfarë tha ai në programin “Zonë e Lirë”: “Beteja politike nuk më intimidon kurrë. Fletëthirrja ishte politike. Shqiptarët e panë në të gjitha seancat e komisionit se ajo ishte një përpjekje e turpshme e Ramës për të mbuluar vjedhjen e vendit. Im bir do të bëjë betejën me narkoshtetin. Çfarë rruge ka tjetër në luftën kundër tij? Të dorëzohesh, do të ishte mëkati më i madh. Ai do ta demaskojë dhe diskreditojë Ramën në çdo gjë. Kjo fletëthirrje është nga Rama”.

Ka edhe më. Këto ditë ka dalë lajmi se prokurorët kanë arrestuar dy zyrtarë të administratës publike, dy ish-drejtorë, që quhen Dashamir Xhika dhe Andi Toma, të cilët shtypi i kualifikoi qysh në krye të herës respektivisht si drejtori i LSI-së dhe i PD-së. Reagimi i PD-së nuk vonoi. Dje, një deputet i PD-së doli e bëri një denoncim të Prokurores së Përgjithshme, duke e cilësuar atë si “një zgjatim të kryeministrit”, por në të njëjtin prononcim u tha si pa dashje se “kjo prokurori, më keq e më zi se Sigurimi i Shtetit, arreston të madh e të vogël për dyshime të paqena”. Nuk përmenden emrat e drejtorëve, por merret vesh se shqetësimi ishte për ta. Dhe për këtë u sulmua Prokurorja e Përgjithshme.

Nuk duket se Lulzim Basha është i interesuar ta vijojë këtë luftë me institucionet. Nuk duket as që Lulzim Basha ta ketë të stilit të vet këtë luftë. Me shumë gjasa, kjo është një traditë, prej së cilës ai nuk po mund të shkëputet dot. Dhe kjo gjë duket te denoncimet e ditëpërditshme që ai apo dikush në emër të tij, bën në adresë të kundërshtarëve, te retorika ndaj korrupsionit, te zbulimi i korrupsionit, te çdo akt qeveritar, te sulmet ndaj familjarëve të kundërshtarëve, dhe mbi të gjitha te kjo lojë e de legjitimimit të institucioneve, kur këto të fundit marrin vendime “anti-opozitë”, apo e shenjtërimit të tyre, kur ato vendosin “në dëm të pushtetit”. Dhe është pikërisht kjo lojë që në politikën e ditës e ka çuar Bashën të bëhet aleat me Adriatik Llallën e armik me Arta Markun (!!!), e që në një vështrim të përgjithshëm ka bërë që më shumë të ketë vlerë një konferencë shtypi e një aparatçiku partie se sa një vendim prokurorësh apo gjyqtarësh.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Sa larg është Koreja e Veriut? Tre supozime për premisat e konfliktit

Çështja e Koresë së Veriut është sot pika më e ndezur e...
Read More