Mira Meksi: Një darkë me Borghes-in për letërsinë e të tjera …

Shkrimtarja dhe përkthyesja e njohur në një rrëfim për librat e zemrës … Heroina e preferuar në letërsi dhe librat që lexon sot …

Dante Aligheri vetë te Komedia hyjnore, dashuria e tij e pamundur për Beatriçen për hir të mospërfilljes së saj, vdekja e të dashurës së paarritshme dhe mëpastaj kurthi që i ngriti asaj me anë të prosedeve letrare të jashtëzakonshme për ta takuar në Parajsë … hyn në një nga aktet letrare që vazhdon të mbetet i pashlyeshëm në kujtesën e Mira Meksit. Një dashuri përtej vdekjes, e cila vijon të tregojë se ku mund të na çojë dashuria. Mira Meksi, shkrimtare dhe përkthyese, vjen më poshtë në një ecje përmes librash …

Aktualisht, cilët libra keni më për zemër?

Jam e detyruar të kem për zemër tani librat që më duhen për të shkruar romanin e ri dhe ata që më ndihmojnë për të zbërthyer tekstin dhe tekstualitetin e romanit që po përkthej me përgjegjësi shumë të madhe. Për të qenë më e saktë, librat që më shërbejnë për romanin tim janë libra mbi kishat bizantine, sidomos studime mbi kishën 1500-vjeçare të Labovës së Kryqit, ikonat, libra mbi relikte të shenjta, kryqëzatat e hershme, varrin e shenjtë, tempullarët, tempujt paganë në zonën e Labovës, por edhe libra mbi spiunazhin botëror të pas Luftës së Dytë Botërore, gjatë luftës së ftohtë etj. Për përkthimin nga origjinali të romanit të Garcia Marquez-it, Njëqind vjet vetmi, lexoj jo vetëm kujtimet e autorit për të, por edhe librat e shumtë me kritikë letrare mbi romanin e jashtëzakonshëm.

Cili është për ju romani më i mirë i të gjitha kohërave?

Është më e lehtë për mua të them se libri më i mirë i të gjitha kohërave është Komedia hyjnore, si një përsosmëri estetike. Sa për romanin, për mua është ai i dashurisë së pavdekshme njerëzore, pra Dashuria në kohërat e kolerës, por edhe Njëqind vjet vetmi.

Cilat janë për ju tregimet më të parapëlqyera të të gjitha kohërave?

Tregimet e Jorge Luis Borges-it.

Cilët ndër ata që merren me letërsi artistike, eseistë, kritikë, gazetarë apo poetë, quani si shkrimtarët më të mirë sot për sot?

Nuk jam në gjendje të bëj një pasqyrë të krijuesve më të mirë në gjinitë që ju përmendni. Dhe e keni fjalën me siguri për krijuesit botërorë, sepse nuk mund të gjykoj kaq lehtësisht dhe me dy fjali krijuesit e gjuhës sime. Kam një grusht autorësh botërorë që i ndjek në krijimtarinë e tyre sot. Në pjesën më të madhe të krijimtarisë së tyre: Vargas Llosa, Isabelle Allende, Javier Marias, Amelie Nothomb, Eduardo Mendoza, Carlos Ruiz Zafon, Antonio Munoz Molina dhe ndonjë tjetër.

Çfarë gjinie letrare ju pëlqen të lexoni? Dhe çfarë nuk lexoni?

Nuk përjashtoj asnjë gjini kur bëhet fjalë për letërsi. Por mbi gjithçka romane, tregime dhe ese.

Çfarë librash mund të na befasojnë po t’i gjejmë në raftet tuaja?

Nuk e di, me siguri nuk do t’ju befasojnë librat e shumtë filozofikë, modernë, antikë apo të Lindjes qofshin. Ndoshta librat klasikë për fëmijë që vazhdoj t’i blej edhe sot në gjuhë të ndryshme apo librat ezoterikë, mbi alkiminë, magjinë, apo kabalën.

Kush është heroi ose heroina juaj imagjinare e parapëlqyer?

Dante Aligheri vetë te Komedia Hyjnore, dashuria e tij e pamundur për Beatriçen për hir të mospërfilljes së saj, vdekja e të dashurës së paarritshme dhe mëpastaj kurthi që i ngriti asaj me anë të prosedeve letrare të jashtëzakonshme për ta takuar në Parajsë. Një dashuri përtej vdekjes.

Çfarë lloj lexuesi ishit në fëmijërinë tuaj? Cilët ishin librat dhe autorët tuaj të parapëlqyer?

Për këtë kam shkruar një ese të gjatë, e cila i ka dhënë titullin një përmbledhjeje me ese: Leximi i ndaluar dhe shkrimet e fshehta. Jam rishtuar që shumë e vogël në fenë e leximit, sepse kështu e kam konsideruar atë, religjionin tim. Që pesë vjeçe kam lexuar Xinxifillon e Kutelit dhe më pas me radhë Orizin e milingonave të Mamaqit, Tom Sojeri të Mark Twain-it dhe deri Përrallat e Aljonushkës të Sibirjakut. Të gjitha të vrojtuara nga syri prindëror. Porse leximi im i vërtetë, ai aventuror, i ngjyrshëm dhe plot rreziqe pse i shmangej autoritetit të prindërve, ishte leximi i tjetërsojë ose ai i librave të ndaluara. Këta të fundit, që u bënë thesari im për shumë vjet, i zbulova në bodrumin e ngallmuar të shtëpisë së gjyshërve në Vlorë. Ishin magjepsës jo vetëm sepse nuk ishin libra për fëmijë, pra të ndaluar për mua, porse ishin të ndaluar edhe për të rriturit, për hir të ideologjisë së kohës. Disa prej tyre ishin librat e Le Blanc-it me aventurat e Arsen Lupenit, Rrethi i kuq i Conan Doyle-it me Sherlok Holmsin, Gruaja me të zeza dhe Bija e mallkuar e Richenbourg-ut, apo Spartaku i Giovagnol-it, Ajvenhoi i Walter Scott-it dhe Romeo e Zhulieta e Shakespeare-it. Këta të fundit ishin të ndaluar veç për mua që isha fëmijë. Gjithsesi, librat e mi të parapëlqyer në fëmijëri ishin librat e ndaluar. Ky ishte për mua leximi i vërtetë asokohe.

A jeni futur ndonjëherë në telashe për të lexuar një libër?

Sigurisht. Në fëmijëri për leximin kam sakrifikuar lojërat me shoqet, plazhin, vizitat pasdrekeve te kushërinjtë, paratë e kumbarave, që i mblidhja me mundim dhe i shpenzoja në një dorë për të “blerë” heshtjen e tim vëllai që më kish zbuluar të fshehtën e leximit “të fajshëm”. Brenda kapakut të libra të “lejuar” fshihja ata të ndaluarit që i kisha marrë me vete në kryeqytet për t’i lexuar fshehurazi. Por kish raste kur ime më, më zbulonte dhe atëherë vigjilimi prindëror bëhej shumë i rreptë dhe më privonte për disa kohë nga ato lexime të mrekullueshme. Gjatë studimeve të larta për Filologji Frënge, kapja me libra të ndaluar më ka rrezikuar realisht dy herë me përjashtimin nga fakulteti. Herën e parë jam kapur me Fletoret e Proust-it në sallën e leksioneve të letërsisë frënge dhe herën e dytë kisha marrë në lektoratin francez një album fotografish të ndaluar për ne studentët.

Po t’ju duhej të përmendnit një libër që ju ka bërë kjo që jeni sot, cili do të ishte ai?

Vështirë se mund të përmblidhet në një titull libri formimi im si shkrimtare. Kanë qenë sidomos klasikët francezë dhe Faulkneri ata që kanë ndikuar së pari tek unë. Por vajtja në Spanjë në fillim të viteve ‘90, Kolegji i Përkthyesve atje, lidhja me rrethet e shkrimtarëve zaragosas dhe madridas, dhe thellimi në njohjen e shkrimtarëve hispanikë dhe të realizmit magjik të shkrimtarëve amerikano-latinas, ishte një shkollë e madhe për mua. Instrumenti magjik që më ndihu të mësoja mjeshtërinë e shkrimësisë ishte përkthimi i Cortazar-it, Marquez-it, Neruda-s, Paz-it, Borges-it, Sabato-s etj. Por gjithmonë e kam thënë: fati im letrar është Jorge Luis Borges-i. Ndoshta duke përmendur librin e tij me tregime Aleph do t’i jepja përgjigjen e duhur pyetjes suaj.

Nga librat që keni shkruar, cilin parapëlqeni më shumë ose është më kuptimplotë për ju?

Them se libri më kuptimplotë, por edhe që më ka kushtuar më shumë punë dhe kërkime, është romani historik Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë, një roman mbi Ilirinë dhe mbretëreshën e saj Teutën. Përveçse hedh dritë mbi një nga periudhat më të pandriçuara të historisë, ai ka në qendër figurën e Teutës si simbol dhe shenjë identitare për ne shqiptarët. Është një roman i ndërtuar dhe i shkruar në bazë të dy parimeve: së pari, si nevojë për një rizgjim dhe përforcim të kujtesës dhe ndërgjegjes historike kombëtare, aq i domosdoshëm në kohët e globalizmit, dhe së dyti, nga parimi se historia nuk përfshin në vetvete vetëm një repertor ngjarjesh dhe jetimesh, por edhe një repertor përjetimesh, të cilat formësojnë thelbin e kujtesës dhe ndërgjegjes historike.

Po qe se do t’i kërkonit presidentit të lexonte një libër, cili do të ishte ai?

Në librin Dymbëdhjetë tregime pelegrine të Garcia Marquez-it, është një tregim i mrekullueshëm me titullin Udhë të mbarë zoti president, që tregon fatin në syrgjyn të një presidenti të përmbysur të Amerikës Latine. E kam përkthyer tregimin përpara pothuaj 20 e ca vjetësh, dhe e kam ripërkthyer përpara disa muajve. Përherë më është dukur se aty përshkruhet nga pak fati i çdo presidenti, pavarësisht kohës apo vendit. Këtë tregim do t’i sugjeroja për lexim presidentit. Të gjithë presidentëve.

Keni planifikuar një darkë me njerëz të letrave … Cilët janë tre shkrimtarët e ftuar?

Nëse do të ishte një darkë “grarishte”, do të ftoja zonjat e mëdha të letrave: Agatha Christi-n, Virginia Woolf-in dhe Marguerite Yourcenar-in. Meqenëse jam e kufizuar në ftesa. Nëse jo, do të ftoja vetëm Jorge Luis Borges-in, gjeniun modest dhe të urtë, që të dëgjoja nga goja e tij se në letërsi ai kish mëtuar vetëm që të arrinte të shkruante një pasazh apo një fjali që të mund t’ia lexonte në muzg një miku. Po a nuk i ftojmë në sofrën tonë mendjet më të ndritura të të gjitha kohërave dhe bisedojmë me ta nëpërmjet aktit të leximit të veprës së tyre?

Zhgënjyes, i mbivlerësuar, thjesht jo i mirë: për cilin libër mendoni se duhet t’ju kishte pëlqyer, por nuk e bëtë? A ju kujtohet libri i fundit që e keni mbyllur pa mbaruar?

Librat që lexoj i përzgjedh me shumë kujdes, sidomos për hir të mungesës së kohës dhe, siç thashë edhe më sipër, ndjek një grusht shkrimtarësh botërorë në krijimtarinë e tyre, pra kam të bëjë në përgjithësi me vlera të sigurta. Por nuk i shpëtoj kaherë edhe publicitetit marramendës që i bëhet një autori të ri. Kështu më ndodhi përpara disa vjetësh me një libër bestseller të një autoreje argjentinase, Samanta Schweblin. Titulli i librit Distancia de rescate, në shqip do të ishte Largësia e mundësisë për të shpëtuar apo Largësia e shpëtimit. U pajisa me një durim asketi për ta çuar deri në fund, sepse ishte një libër i vogël. Përndryshe do ta kisha lënë që në leximin e faqeve të para. Zhgënjimi im ishte monumental, life is too short to read a bad book. Por ky është një fenomen i njohur sot në botë, për hir të komercializmit ndërtohen edhe kështjella në rërë. Te ne është akoma më zi, jo vetëm shtëpitë botuese marrin pjesë në të tilla shtrembëri, duke shpallur rremtësisht se aksh libër ka pasur kaq mijëra kopje të shitura, por edhe vetë autorët, sidomos “yjet televizivë”, apo shkrimtarët-politikanë, ndërtojnë masivisht nëpër media, në formën e fushatave elektorale, pamje krejt të gënjeshtërta të librave që botohen. Sistemi i brishtë i vlerave letrare te ne shkrehet edhe nga të ashtuquajturat çmime letrare, me juri mediokre në më të shumtën e rasteve. Janë konkurrime të bazuara në subjektivizma ekstreme, të cilat lidhen, përpos të tjerave, me një raport jo të drejtë midis subjektit vlerësues dhe objektit të vlerësuar për hir dhe në emër të ideologjive apo strukturave politike, që jo vetëm janë kthyer në pazare mjerane klanesh dhe interesash për t’u dhënë vlera veprave letrare që nuk kanë vlera, por edhe që përbaltin ato që kanë fatmirësisht vlera. Pa dyshim që ka edhe përjashtime fort të rralla ku janë vlerësuar libra të meritueshëm me juri pjesërisht të afta dhe serioze, ashtu siç ka edhe raste ekstreme ku anëtarë jurish letrare pothuajse s’kanë lexuar kurrë libra në jetën e tyre. Përpara disa muajsh më ra në dorë një novelë e porsabotuar e një shkrimtari jo të panjohur shqiptar, i cili ka marrë dhe çmime letrare dhe vlerësime. Nuk kisha lexuar asgjë prej tij dhe meqenëse ishte libër i vogël, iu futa leximit. U çmerita që në faqen e parë: teksti ishte si një përkthim i keq në gjuhën shqipe, sepse të pakta ishin ato fjali që ishin ndërtuar sipas parimeve të gjuhës shqipe. Jo vetëm kaq, fjalët e urta apo shprehjet frazeologjike ishin përdorur tjetër për tjetër. Kësaj novele të shkurtër nuk i shkohej dot deri në fund, edhe me durim asketi. Por ç’ndodhi pak kohë pasi e kisha pothuajse lexuar novelën? U çmerita ca më tepër se me gjuhën shqipe të përçudnuar të novelës, kur në shtyp lexova shkrimin e mirëshkruar të një kritiku të njohur, që e kish ngritur në qiell novelën …

Te cilët libra ktheheni vazhdimisht?

Te librat e filozofisë. Përherë.

Për çfarë librash ndiheni keq që nuk i keni lexuar ende?

Lista është e gjatë dhe jeta shumë e shkurtër. Por ndiej keqardhje për shembull që s’kam pasur deri tani mundësi të lexoj tercetet e Aligheri-t në gjuhën fiorentinase të mesjetës.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Dy qëndrimet e para të një Presidenti me staturë të fortë politike

Nga Ervis Iljazaj Presidenti i Republikës Ilir Meta është shprehur për herë...
Read More