Mirash Ivanaj, njeriu që fliste me heshtjen

Nga Dine Dine – Leximi i librit “Ministri i Hekurt – Mirash Ivanaj”, të ul me forcë të shkruash, diku me krenari e diku me dhimbje të thellë. Mbasi e mbarova u ndjeva i prekur, sepse për një personalitet të formatit të Mirash Ivanajt, e them me bindje se cilido komb i qytetëruar, do të ndjehej krenar ta kishte të vetin, dhe jo vetëm me botime e studime të shumta, por edhe me trajtime monumentale të figurës së tij…

Meriton mirënjohje edhe zonja Drita Ivanaj, Presidente e Fondacioneve Ivanaj, që në këtë përvjetor të vëllezërve Ivanaj, që nderon kujtimin e tyre përmes këtij libri  të pasuruar  me dëshmi të reja, si fjala vjen kujtimet e Beqir Sinanit, koleg i tij në reformën arsimore, fotot e reja të Familjes Ivanaj si dhe dëshmitë e reja, pa të cilat ky botim i ri dhe i hershëm njëherësh, do të ishte i mangët.

Botimi i këtij libri, përkon si çuditshëm, edhe me 20 vjetorin e ikjes së autorit të tij, Dr. Lazër Radit, i cili meriton mirënjohje dhe falenderime të veçanta, mbasi ka bërë të pamundurën, me përkushtim e sakrifica, edhe pse në moshë të thyer, ai gërmoi arkivave, që vepra e vëllezërve Ivanajt të shkulesh nga pluhuri i harresës, dhe të sillej sa më e plotë tek lexuesit shqiptarë. Trishtues është fakti, se ky pluhur gjithnjë e më shpesh ka ndodhur të rëndojë mjaft figura të ndritura të historisë dhe kulturës, në këtë tranzicion të pafund dhe ende denigrues.

Të flasësh për jetën, veprën dhe meritat e Dr. Mirash Ivanajt, të përcjellësh vuajtjet, padrejtësitë dhe peripecitë e fatit të tij, duhet më së pari të kuptosh përkushtimin e tij atdhetar, shpirtin e sakrificës dhe përgjegjësinë ndaj ligjit, i cili n ‘asnjë moment të karrierës së tij nuk pranoi kompromise. Për vëllezërit Ivanaj e në mënyrë të veçantë për Mirashin mund të shkruhet gjatë dhe duhet shkruar gjatë. Reformën arsimore, që ai u zotua ta çojë deri në fund; e mori në kohë tejet të vështira, ku rreziku i dështimit ishte permanent. Punohej në mjedise aspak tolerante, e në një shoqëri që kundërshtonte çdolloj risie; cenoheshin interesa nga më të ndryshmet, prej atyre të shteteve fqinjë që agjitonin haptas me propagandë antishqiptare, deri te institucionet fetare me ndikim të huaj, të cilat kishin bërë fole në shkollën e re shqipe, aq sa ishte vështirësisht e rrezikshme t’i zhbënte nga një njeri i vetëm, qoftë ky edhe Mbreti Zog!!  Mirash Ivanaj, ishte kundërshtar i Zogut, por reformën në arsim ai e mori përsipër si shërbim ndaj Shqipërisë dhe jo ndaj Mbretit. Ai ishte njeri që s’bënte asnjë kompromis, me veten e jo më me të tjerët. Mbreti që zotëronte intuitën e një politikani të rafinuar, edhe pse e pati kundërshtar të hapur e të vazhdueshëm ia njihte vlerat e padiskutueshme dhe ishte i bindur se vetëm një Njeri si ai mund të përballej me atë ndërmarrje të guximshme po edhe të rrezikshme! Mirash Ivanaj zotëronte njohuri të gjera, kulturë të thellë, bindje të pakthyeshme, parime të palëkundura; ai s’mëdyshej përballë korrupsionit; ai ishte gati t’u shkonte deri në fund principeve të veta e ta çonte deri në zgjidhje atë Reformë radikale që u kthye në qëllim i punës dhe i jetës së tij.

Arsimi shqiptar duhej të çlirohej nga gjitha paragjykimet, dhe Shqipëria duhej të shpëtonte një herë e mirë nga prapambetja shekullore, mbasi vetëm  kështu, atdheu i gjithë shqiptarëve do të merrte kahun e kombeve të përparuara.

Shkollën shqipe, në të gjitha nivelet duhej, ta drejtonte shteti, ta kontrollonte shteti edhe pse kjo ndërmarrje shumë vetëve u dukej utopi. Ministri i Arsimit, ishte i bindur se vetëm kështu rinia shqiptare do të pajisej me një kulturë dhe edukatë të konsoliduar dhe patriotike. Kjo qe arsyeja pse Mbreti i dha kartabiankë dhe I premtoi se n’asnjë rast s’do t’i ndërhynte në punët e tij. Intelektuali erudit punoi me zell e pasion deri ditën e fundit, kur për arsye ndërkombëtare, u detyrua të japë dorëheqjen e parevokueshme. Duke mbetur një shembull I rrallë në histori, që mundet t’i vlejë shumë kohës sonë dhe gjithë shtetarëve, si të veprojnë me dinjitet, e kur veprimet e tyre nuk pajtohen me parimet që ata mbrojnë!

Kudo dhe kurdoherë që iu dha rasti të kontribuojë, Mirash Ivanaj punoi me vullnet të hekurt e pasion të veçantë, si njeri skajshmërisht i ndershëm dhe i drejtë, sa patriot aq edhe edukator i madh në anën tjetër. Me veprimet e tij shpesh i dukesh njerëzve i çuditshëm dhe ekscentrik! Është ndoshta i paprecedent rasti i 5 dhe 6 prillit 1939, kur të dy vëllezërit Martin e Mirash Ivanaj, lanë zyrat dhe të dy bashkë me turmën e demonstruesve të revoltuar brohorisnin rrugëve, duke shkuar para Ministrisë Punëve të Brendshme, Komandës së Mbrojtjes dhe Pallatit Mbretëror, duke thirrur: “Duam pushkë, duam pushkë!” Pa dyshim, që ky veprim i tyre s’ishte i vetmi, por edhe i vetëm sikur t’ishte, ai dëshmoi një sjellje të rrallë patriotizmi.

Në moshën krejt të re dy vëllezërit shkruan një cikël poezish “Epopeja e Njeriut” – që mban – s’dihet pse – bashkautorësinë e vëllezërve Martin e Mirash Ivanaj, e më pas edhe të një drame. Kjo tregon se ata kishin interesa të gjera sa kulturore aq edhe artistike. Ditari i Mirash Ivanaj është kaq i çiltër dhe i sinqertë. Ai rrëfen me hollësi e vërtetësi detaje të jetës deri edhe grindjet e vogla në familje, fakt që tregon për prirjet e tij prej artisti, dhe vuajtjet për të vërtetën.

Shopenhauer thotë: “Gjitha fuqitë tona mendore, janë forma sensibiliteti…!” Mirash Ivanaj, duke qenë i një forme të lartë, natyrisht ishte edhe shumë i ndjeshëm ndaj të gjithë fenomeneve që ndodhnin përreth tij. Këtë ndjenjë ai s’e shpreh veç me oratori, dhe sjellje njerëzore por edhe me heshtje, sepse Mirash Ivanaj fliste edhe me heshtjen e tij.

Ai s’u ankua kurrë për vuajtjet apo peripecitë vetjake. Në të njëjtën kohë, sa ishte i ditur në pikëpamjen kulturore, aq ishte naiv në pikëpamjen politike dhe tragjedive që po sillte koha e re.

Dëshira e madhe që t’i shërbente kombit të vet me çdo çmim e pa kompromis, i kishte prodhuar shumë kundërshtarë. Por ai, as donte t’ia dinte. Me njohuritë e gjera, me shpirtin e sakrificës, me vullnet të hekurt, me këmbënguljen e malësorit, aftësitë e një administratori të rrallë e të pashembullt, bëri gjëra që konsideroheshin si të pamundura, në një kohë relativisht të shkurtë.

Ky njeri i madh i arsimit dhe kulturës, ky njeri i ligjit dhe i dinjitetit të lartë pa as më të voglin dyshim, duhet të qëndrojë në piedestalin e njerëzve më të shquar që ka nxjerrë ky komb në gjitha kohërat.

Sa i përket pjesës së dytë të jetës së tij, mund të shkruhen plot gjëra. Po nuk ndjehem mirë ta përsëris atë dramë aq të dhimbshme, ku Mirash Ivanaj i dha fund plot dinjitet, në heshtje, pa u ankuar dhe pa kërkuar asgjë në këmbim të gjithë asaj pune, që ai i kushtoi jetën e tij.

Edhe pse i mbylli sytë në mjerim e tortura; i nëpërkëmbur e i zhgënjyer, si mjaft intelektualë sivëllezër që pësuan të njëjtin fat, në kujtesën e gjithë atyre që e njohën ai mbeti i gjallë, dhe sot shfaqet edhe më i madh e më i rëndësishëm.

Në këtë rast, falënderimet i meriton  Dr. Lazër Radi, i cili me vështirësi e sakrifica të shumta, në të gjallë e në të vdekur, rrëmoi të nxjerrë në pah disa nga veprat dhe vlerat më të çmuara të vëllezërve Martin e Mirash Ivanaj.