Mirëqeverisja si një parakusht për zhvillimin ekonomik e social të vendit

Shqipëria duhet të jetë e angazhuar për procesin e menjëhershëm të reformimit të administratës publike dhe në ndërtimin e kapaciteteve administrative të cilat janë të nevojshme jo vetëm për të mirën e shtetasve shqiptarë por edhe për një adresim drejt të gjitha prioriteteve që dalin nga procesi i Integrimit Europian.

Nga Shkëndije Demalijaj Ukaj

Me ndryshimet socio-politike dhe ekonomike në Shqipëri është paraqitur nevoja e reformimit të administratës publike me qëllim të ngritjes së cilësisë së shërbimeve për qytetarë dhe biznese. Forcimi i kapaciteteve në administratë është jo vetëm një e mirë e drejtpërdrejtë për shoqërinë, por dhe një hap më tej drejt integrimit në Bashkimin Europian. Reformimi i administratës publike për të garantuar meritokraci, eficiencë dhe transparencë mbetet dhe një parakusht i rëndësishëm në kuadër të kriterit politik. Reformimi përfshin plotësimin e infrastrukturës ligjore, ngritjen e kapaciteteve administrative dhe avancimin teknologjik të funksionimit të administratës. Procesi i reformës është ndër prioritetet kryesore të Qeverisë që ndërlidhet me objektivin qeveritar për krijimin e një administrate moderne, funksionale, profesionale, politikisht neutrale dhe të përgjegjshme përballë kërkesave dhe nevojave të qytetarëve, me qëllim final drejt ndërtimit të një shteti ligjor dhe demokratik. Në procesin e Reformimit të Administratës Publike ka luajtur rol mjaft të rëndësishëm edhe Bashkimi Europian, i cili prej vitesh është angazhuar në mbështetje të drejtpërdrejtë për modernizimin e administratës publike në Shqipëri. Qëllimi i punimit është që të kuptojmë reformën në kuadër të integrimit në BE për bërjen e një administrate publike sa më efikase, si një hallkë drejt hapësirës europiane. Të tregojë se cilët janë elementet dhe parimet e qeverisjes së mirë që ndikojnë në zhvillimin social dhe ekonomik të Shqipërisë si dhe të tregojë ndikimin e reformave në mirëqenien ekonomike.

Qëllimi i këtij punimi po ashtu është t’i japë përgjigje pyetjes se: “Pse nevojitet një reformë për qeverisjen e mirë publike”.

Mirëqeverisja

Administrimi publik dhe të gjitha organet që përfshihen prej tyre në spektrin e konceptit të tij, është një fushë studimi mbi të cilën janë ngritur shumë debate. Qeverisja e mirë ka të bëjë më aftësinë e shtetit për t’iu shërbyer qytetarëve të saj. Po ashtu, qeverisja është koncept praktik që mund të përshkruhet si masë bazë e stabilitetit dhe performancës së një shoqërie, qeverisja mbështet zhvillimin e qëndrueshëm dhe realizimin e reformave për arritje të qëndrueshme të objektivave të zhvillimit, gjithashtu qeverisja e mirë kontribuon në objektivin e përgjithshëm të zhvillimit dhe konsolidimit të demokracisë dhe sundimit të ligjit (USAID, 2013). Kohët e fundit termat qeverisje dhe qeverisje e mirë janë duke u përdorur gjithnjë e më shumë në literaturën e zhvillimit ndërsa qeverisja e keqe është duke u konsideruar si një nga shkaqet e prapambetjes së disa shoqërive (Schutte, N., & Barkhuizen, N., 2014). Përcaktimi i qeverisjes së mirë si arti i qeverisjes qëndron vetëm po qe se sigurohen disa parametra për matjen e qeverisjes së mirë. Koncepti i qeverisjes së mirë sipas (Isufaj,M.,2013) përmbledh vlerat e përgjithshme dhe liritë themelore që përfshijnë llogaridhënien, kompetencë, sundimin e shtetit ligjor dhe mungesën e abuzimit të të drejtave të njeriut. Sipas (UNDP, 2000) qeverisja është ushtrim legjitim i autoritetit politik ekonomik dhe administrativ për të menaxhuar çështjet kombëtare ndërsa një përkufizim i Bankës Botërore (2000) qeverisjen e përcakton si mënyrën me të cilën ushtrohet fuqia në menaxhimin e burimeve ekonomike dhe shoqërore për zhvillimin e një vendi. Qëllimi i reformës duhet t’i bëjë qeveritë më përgjegjëse ndaj nevojave dhe kërkesave të shoqërisë, për të rivendosur besimin e munguar prej tyre, përmirësimi i legjislacionit dhe konsolidimi i praktikave më të mira administrative për t’iu përshtatur standardeve të hapësirës administrative europiane (Peters, Guy B., 2006). Për përmirësimin e cilësisë së punës së administratës publike reformat duhen marrë edhe në drejtim të: Rekrutimit të shërbyesve civilë bazuar në merita; depolitizimit të administratës publike dhe menaxhimi dhe kontrolli i zbatimit të ligjit nga ana e shërbyesve civilë. Rekrutimi i shërbyesve civilë bazuar në meritë në vend të atyre pa aftësi të duhura, të cilët janë një kosto për organizatën do të kontribuonte në përmirësimin e performancës së sektorit publik dhe në zhvillimin e vendit në përgjithësi (Tanku, G & Imeri, Sh., Aprill, 2014). Një fenomen tjetër i dëmshëm është shpërblimi dhe promovimi të punësuarve bazuar në nepotizëm, ku në një ambient pune ku ka elemente nepotizmi, punonjësit janë më pak të gatshëm për të kryer punën e tyre. E vetmja mënyrë për të reduktuar korrupsionin financiar dhe emërimet publike është reduktimi në mënyrë drastike e rolit të Qeverisë në ekonomi thotë Gary Becker (Tanku, G & Imeri, Sh., Aprill, 2014). Qeveria luan rol të rëndësishëm në krijimin e pasurisë së çdo kombi. Shërbimi publik në veçanti duhet të jetë një sistem transparent. Në çdo shoqëri punët në shërbim të popullit duhet të rregullohen me interes për të gjithë, me qëllim për të promovuar mirëqenien e përgjithshme të shoqërisë (Adenugba , A., 2013).

Realiteti shqiptar

Shpesh diskursi i zhvillimit të qëndrueshëm nuk përkthehet në vepra konkrete siç është rasti i Shqipërisë, diskursi i zhvillimit të qëndrueshëm mungon, në fakt progresi në Shqipëri matet pothuajse vetëm nëpërmjet masave të BPP-së, prandaj duke marrë parasysh vetëm treguesit ekonomik siç është rritja e BPP-së për të matur progresin shoqëror, masat të cilat nuk marrin parasysh treguesit e mirëqenies siç është lumturia dhe mirëqenia brenda një shoqërie (shih Kenedy 1968 dhe Cameron 2010) nuk mund të flitet për një zhvillim të qëndrueshëm. Është argumentuar se projektet për zhvillime mjedisore dhe zhvillimi i bazuar në indekset e matjes së lumturisë është një qasje e rëndësishme për të matur progresin brenda shoqërive, ( Sokoli, L, March 2014) sepse merr në konsideratë cilësinë e jetës, qëndrueshmërinë e mjedisit dhe zhvillimin ekonomik. Një qasje e tillë për matjen e progresit shoqëror është veçanërisht me rendësi jetike për zhvillim të qëndrueshëm për vende të tilla siç është Shqipëria. Edhe puna empirike e ka vërtetuar se reformat në drejtim të përmirësimit të shërbimeve publike ushtrojnë ndikim pozitiv në rritjen e PBB-së për frymë ( Thanh Ha, Van Hanh, 2011). Zhvillimi i qëndrueshëm duhet të jetë përpjekja kryesore i të gjithë brezit të sotëm, jo vetëm për faktin se një problem social është i padëshirueshëm dhe ndikon në një numër të konsiderueshëm të njerëzve dhe me veprimin kolektiv social diçka mund të bëhet në drejtim të përmirësimit të mirëqenies prandaj mund të themi se sikurse treguam te zhvillimi i qëndrueshëm mjedisor apo ekologjik, të njëjtat parime për adresimin e zhvillimit të qëndrueshëm të zbatohen për trajtimin e problemeve shoqërore përmes angazhimit dhe qëndrimeve të anëtarëve të shoqërisë në procesin e vendimmarrjes për problemet shoqërore, pjesëmarrje e cila është e domosdoshme dhe po aq e rëndësishme sa edhe qeverisja e mirë e zyrtarëve të administratës publike që do të përkthehej në zhvillim ekonomik të qëndrueshëm.

Ku duhet ndërhyrë

Në mënyrë të përmbledhur mund të thuhet se puna në shërbimin publik udhëhiqet nga vlerat demokratike dhe se zhvillimit të shpejtë dhe të qëndrueshëm mund t’i atribuohen kryerja dhe zbatimi me sukses i politikave publike dhe praktikat e pranuara ndërkombëtare të qeverisjes së mirë që fillojnë së zbatuari në mënyrë të drejtë dhe aktive që nga fillimi i reformave. Në kryerjen e funksioneve të administratorit publik nuk është më rëndësi vetëm eficienca dhe efektiviteti por mbi të gjitha përgjegjshmëria ndaj të gjithë aktorëve që përcaktojnë interesin publik: drejtuesve të zgjedhur, deputetëve, grupeve të ndryshme përfaqësuese dhe qytetarëve në tërësi. Prandaj kërkohet: 1. Reforma në shërbimin civil të vazhdojë me qëllim që të realizojë zhvillim të karrierës dhe ndarje të qartë të punëve politike nga ato administrative, 2. Rekrutimi i stafit për administratën publike të bëhet duke u bazuar në meritë, 3. Trajnimi i stafit në drejtim të ruajtjes dhe forcimit të kapaciteteve njerëzore të administratës publike, 4. Mbështetje dhe pavarësi në kryerjen e punëve të administratorit publik. Andaj, Shqipëria duhet të jetë e angazhuar për procesin e menjëhershëm të reformimit të administratës publike dhe në ndërtimin e kapaciteteve administrative të cilat janë të nevojshme jo vetëm për të mirën e shtetasve shqiptarë, por edhe për një adresim drejt të gjitha prioriteteve që dalin nga procesi i Integrimit Europian.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi Read More