“Mirësevini në Eurozionin e madh”


Trupi politik europian është i sëmurë, por, paralajmëron John Bew, profesor i King’s College në Londër në librin e tij “Eurozioni i madh”, nuk ka konsensus, as për diagnozën dhe as për kurën.

Ndërkohë, mbi Europë “vërtitet një hije”, hija e Osvald Spenglerit. Shkrimet e historianit të madh gjerman, i cili mes viteve 1918 dhe 1924 botoi “Muzgu i perëndimit”, po rikthehen në qendër të debatit kulturor 

Kontinenti është “i sëmurë”, por s’bien dakord, as për diagnozën e as për kurën

Diçka nuk ka funksionuar nga pikëpamja ekonomike dhe politike, por ka me të vërtetë shumë pak konsensus, mbi diagnozën dhe kurën. Dikush kërkon opioidë, në formën e një përshtatjeje të shpejtë politike, të tjerë rekomandojnë rikthimin te parimet fillestare, për të mbajtur fort timonin e varkës shtetërore, përballë deteve me tallaze që gjenden përpara. Liberalët sillen si konservatorë, në përpjekjen për të mbijetuar shtrëngojnë dhëmbët përballë surprizave të hidhura që u rezervojnë zgjedhësit. Konservatorët, nga ana e tyre, bëhen radikalë dhe vetëshpallin “shkëputjen e domosdoshme”, e cila degjeneron në një status quo, që do i shpjerë të gjithë drejt shkatërrimit.

Trupi politik europian është i sëmurë, por, paralajmëron John Bew, profesor i King’s College në Londër në librin e tij “Eurozioni i madh”, nuk ka konsensus, as për diagnozën dhe as për kurën. Ndërkohë, mbi Europë “vërtitet një hije”, hija e Osvald Spenglerit. Shkrimet e historianit të madh gjerman, i cili mes viteve 1918 dhe 1924 botoi “Muzgu i perëndimit”, po rikthehen në qendër të debatit kulturor. I gjithë mendimi perëndimor është i përshkuar prej ndikimit të Spenglerit, që është edhe paradigma e tre librave, të cilët përshkruajnë të pandërgjegjshmen e kontinentit europian. Douglas Murray, Bill Emmott dhe Eduard Luce ofrojnë, mes perspektivave të ndryshme, diagnozën e tyre për sëmundjen europiane.

Murray, autori i “Vdekja e çuditshme e Europës: Imigrimi, identiteti, islami” është më kontroversi, ndër të tre. Europa po vuan nga një humbje e domethënies dhe peshës, që e bën atë të brishtë dhe të dobët përballë rivalëve. Për të përshkruar këtë ndjenjë lodhjeje nga historia, përveç spenglerizmit, Murray e hap me një citim të fuqishëm të romanit të famshëm të Stefan Cvajgut, “Bota e djeshme: kujtimet e një europiani”. Autori me origjinë austriake, në vitin 1942 shkruante: “Ndiej që Europa, në gjendjen e vet të tronditjes, e ka kaluar dënimin me vdekje”.

Bill Emmott, ish-drejtor i “The Economist”, në librin “Fati i Perëndimit: Beteja për të shpëtuar idenë më të suksesshme politike në botë”, ngre pyetjen se çfarë do të mendonte Spengleri, nëse do të transportohej në kohë në vitin 2017, dhe sipas gazetarit britanik, ndoshta do të thoshte gjëra që mbajnë aromë të “së djathtës alternative”, mbi pamjaftueshmërinë e demokracisë si sistem qeverisjeje, mbi krenarinë e kotë që na shpie të ndërhyjmë jashtë dhe mbi dobësinë që na shpie të dështojmë në po këta vende ku ndërhyjmë. Por Spengleri me siguri do të kërkonte përgjigje, për krizën demografike të shkaktuar nga një shoqëri gjithnjë e më e plakur, për përparimet teknologjike gjithmonë e më të shpejta.

Autori i tretë i cituar është Eduard Luce, editorialist i “Financial Times” dhe ish-hartues i fjalimeve për Larry Summers gjatë administratës Clinton. Në librin e tij “Tërheqja e liberalizmit perëndimor”, gazetari preferon të sjellë një bashkëkohës të Spenglerit, Thomas Mannin, i cili ashtu si filozofi ankohej për ata që kultivonin një lloj “dhembshurie për humnerën”.

Pas një reflektimi bindës, ai shkruan se prishja e kontratës sociale të perëndimit, diskreditimi i meritokracisë dhe kolapsi i lëvizshmërisë sociale, kanë sjellë stanjacionin e klasës së mesme. Luce i druhet Donald Trumpit dhe beson se është në gjendje të hedhë në erë, të qëllojë apo të bombardojë, për shkak të një gabimi strategjik apo një postimi të gabuar në Twitter. Në perëndim, frikërat e dekadencës dhe paralizës manifestohen horizontalisht, përgjatë gjithë spektrit politik, dhe vertikalisht, përgjatë hierarkisë sociale.

Të tre autorët bien dakord mbi faktin se diçka nuk ka funksionuar nga pikëpamja ekonomike dhe politike, por ka me të vërtetë shumë pak konsensus, mbi diagnozën dhe kurën. Dikush kërkon opioidë, në formën e një përshtatjeje të shpejtë politike, të tjerë rekomandojnë rikthimin te parimet fillestare, për të mbajtur fort timonin e varkës shtetërore, përballë deteve me tallaze që gjenden përpara. Liberalët sillen si konservatorë, në përpjekjen për të mbijetuar shtrëngojnë dhëmbët përballë surprizave të hidhura që u rezervojnë zgjedhësit.

Konservatorët, nga ana e tyre, bëhen radikalë dhe vetëshpallin “shkëputjen e domosdoshme”, e cila degjeneron në një status quo, që do i shpjerë të gjithë drejt shkatërrimit. Mes autorëve të cituar, Murray është më i guximshmi. Me kurajë intelektuale trajton temën e vendimeve të marra kundër terrorizmit. Nëse Europa po vdes, kjo po ndodh sepse ajo po vetëvritet, sepse ka vendosur të dështojë sa i përket kontrollit të imigrimit masiv, duke shpërfillur vlerat e saj themelore. Europa, e lindur nga kultura judaiko-kristiane, greke, romake dhe nga rilindja, është duke u martirizuar duke refuzuar vlerat e veta.

Lodhja ekzistenciale e qytetërimit europian ka rrënjë shumë të thella, që shkojnë thellë në gjuhën tashmë të fryrë të të drejtave të njeriut, avokatët e të cilave dhe burokratët janë bërë priftërinjtë e rinj, dhe në nënvlerësimin e rreziqeve të paraqitur prej ideologjive ekstremiste. Kur Angela Merkeli u hapi dyert refugjatëve sirianë në vitin 2015, e bëri prej pendesës dhe një lloj shlyerjeje ndaj të kaluarës gjermane. Instinkti fisnik i lëvizjes së kancelares gjermane avulloi brenda një kohe të shkurtër, popullariteti i Merkelit ra, Gjermania filloi të vuajë peshën e të ardhurve dhe Alternative fuer Deutschland u rrit në sondazhe dhe mbështetje elektorale.

Rasti emblematik i Gjermanisë reflektohet në të gjithë realitetin europian dhe Brexit është pasoja e drejtpërdrejtë e po këtyre problemeve. Sipas Murrayt, Europa ka humbur terrenin e saj kulturor. Edhe arti ka nisur një rënie progresive në parazitizëm dhe mungesë sinqeriteti. Luce dhe Emmot paraqesin si sfidë ambicioze, atë të studimit të perëndimit, për ta rikthyer në binarë. Ashtu si Murray, besojnë se sistemi liberal-demokratik perëndimor po shembet nën peshën e kontradiktave të veta, por këmbëngulin se armiku është mbi të gjitha i brendshëm.

Sa i përket shpëtimit të projektit europian që lind nga një aspiratë për hapje, por që megjithatë ka harruar rolin e vet si “argjinaturë” ndaj tribalizmit, Emmott është ai që beson më shumë në një rilindje. Qasja e Emmanuel Macron, për gazetarin, është më e matur në krahasim me atë të Merkelit. Nuk rekomandon “më shumë Europë”, por më shumë bashkëpunim. Optimizmi i tij është padyshim i mirëpritur, por, siç vë në dukje John Bew, është si të luftosh një luftë të re me armët e vjetra. Ushtri të këtij lloji janë të nevojshme për të rikërkuar shpirtin europian, por siç do të mendonte Spengleri, këtij shpirti i mungon ende diçka. / Marrë me shkurtime nga “The American Interest” dhe përgatitur nga Bota.al

Shkruar Nga
More from Redaksia

Pasaporta e Mbretërisë së Zogut dhe 6 ‘urdhërat’ që shkruheshin në të

Gjashtë këshilla tepër të vlefshme, dje, sot dhe për jetë: nga koha...
Read More