Mirush Kabashi feston 70-vjetorin, ambasadori i teatrit në skenat botërore

 

Artisti i Merituar dhe Mjeshtri i Madh i skenës shqiptare, Mirush Kabashi feston sot 70-vjetorin e tij. Ai vijon të përcjellë emocion, me forcën e vërtetë të fjalës shqipe në skenat më prestigjoze të botës.

Me një karrierë shumë të pasur 48- vjeçare, mes skenës dhe ekranit, aktori i mirënjohur vazhdon të punojë intensivisht brenda dhe jashtë vendit, kudo ku ka shqiptarë.

Ai ka lartësuar gjuhën dhe teatrin shqiptar në skenat më prestigjioze të Parisit, Vjenës Kajros, Kievit, Torontos, Athinës, Beogradit, duke marrë duartrokitje dhe vlerësime të veçanta.

Që nga mesi i viteve ’90, kur ngriti në skenë “Apologjinë e vërtetë të Sokratit”, ai punon në mënyrë unike, duke krijuar një profil të veçantë aktorial.

Aktori Mirush Kabashi numëron në karrierën e tij mbi 100 role në teatër dhe më shumë se 20 të tjerë në kinematografi.

Çmimet dhe Nderimet

Pasioni për aktrimin u shfaq që në fëmijëri tek artisti. Interpretimi dhe ngjyrimi emcional i roleve, e veçojnë Mirush Kabashin.

Personazhet e mishëruara nga Kabashi bien në sy për origjinalitet, për elegancën, duke frymuar karaktere me ndryshime të ndjeshme nga njëri te tjetri, të përzgjedhur me mençuri dhe intuitë. Spikat në rolet satirike dhe komike.

Në festivalin Kombëtar të teatrove profesioniste 1989 u shpall “Aktori më i mirë” me rolin e Sadush Nezirit te komedia “Hija e tjetrit” e Ruzhdi Pulahës.

Po me këtë rol, në Festivalin Teatror Ballkanik të zhvilluar në Korinth të Greqisë, u vlerësua ndër aktorët më të mirë. Në vitin 2002 fitoi çmimin e “Aktorit më të mirë” si protagonist në Festivalin e Aktrimit “Apollon 2002” me rolin e Nokës në komedinë “Sa mirë bëri që vdiq” të Ilir Bezhanit.

Më 1997 në edicionin e nëntë të Festivalit Eksperimental të teatrit të organizuar në Kajro të Egjiptit, Mirush Kabashi është vlerësuar me “Sfinksin e artë” si interpretuesi më i suksesshëm mes 1000 aktorëve pjesëmarrës nga 46 vende të botës, shkruan Atsh.

Mirush Kabashi, në vitin 2014 u nderua me titullin e lartë “Nderi i Kombit”, duke iu shtuar titujve të fituar më parë “Artist i Merituar”dhe “Mjeshtër i Madh i Punës”.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Moratoriumi i pyjeve: Në 2 vjet vetëm një gjobë që… nuk vilet

Ndonëse moratoriumi i pyjeve premtonte masa të ashpra ndaj abuzuesve, në qarkun...
Read More