Misioni amerikan sapo ka filluar, dhe sa mirë që është kështu!

Nga Ervis Iljazaj

Dje Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar kërkesën e Unionit të Gjyqtarëve për të shpallur si antikushtetues disa pjesë të rëndësishme të Reformës në Drejtësi. Një nga këto ankesa kishte të bënte dhe me ligjin e vettingut. Në këtë mënyrë i është hapur rrugë hetimit të pastërtisë së figurës për pjesëtarët e pushtetit gjyqësor, duke filluar që nga vetë anëtarët e gjykatës kushtetuese.

Tashmë vettingu kaloi dhe pengesën e fundit për të hyrë plotësisht në fuqi, duke mos lënë më asnjë alibi për politikën dhe kundërshtarët e Reformës.

Nuk ka asnjë dyshim, që pa mbështetjen dhe “presionin” e Shteteve të Bashkuara, Reforma në Drejtësi nuk do të kishte asnjë shans për t’u aprovuar. Reforma në Drejtësi është tërësisht një investim amerikan dhe personal i Donald Lu. Në këtë kuptim ai nuk do të largohet nga ky vend pa arritur misionin e tij kryesor, atë të reformimit të plotë të drejtësisë shqiptare.

Me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, për rrëzimin e ankimimit të unionit të gjyqtarëve, Reforma në Drejtësi ka kaluar të gjitha pengesat, duke i hapur kështu rrugë misionit shqiptar të Donald Lu.

Megjithatë, Reforma në Drejtësi nuk është e vetmja provë që ka një mision amerikan në Shqipëri për sa i përket mbikëqyrjes së disa hallkave kryesore të drejtësisë dhe sigurisë shqiptare.

Dorëheqja e Visho Ajazit, është po ashtu një shenjë e qartë se Amerika kërkon të ketë ndikimin e saj edhe në Shërbimin Informativ Kombëtar Shqiptar. Deri sa ka vajtur ky ndikim nuk mund të thuhet, por askush nuk mund të mendojë se në lëvizjet e ditëve të fundit, nuk ka një presion dhe ndikim amerikan.

Të gjitha këto fakte, na bëjnë të mendojmë se kësaj herë SHBA e ka seriozisht çuarjen e misionit të saj deri në fund në Shqipëri.

Shqipëria përbën një interes të rëndësishëm në lojën gjeopolitike të rajonit që luhet midis fuqive të mëdha ndërkombëtare. Në këtë kuptim, Amerika e sheh atë si një aleat në betejat e saj gjeopolitike. Kështu që, duke parë interesin e madh amerikan në Shqipëri, kurrsesi ajo nuk mund të lejojë që vendi ynë te jetë në dorë të një drejtësie të korruptuar dhe një sigurie të brishtë.

Andaj, investimi i tyre është dhe do të jetë gjithmonë e më shumë në drejtim të pastrimit të hallkave të brishta të shtetit shqiptar, duke futur këtu edhe vetë politikën.

Investimi i saj i madh në shtetin tonë, nuk mund të bëhet duke e lënë territorin në duar të krimit të organizuar apo të një klase politike të korruptuar dhe të lidhur me të. Të gjitha organet e reja të drejtësisë që do të merren më hetimin e politikaneve, janë me një investim të fortë amerikan. Sepse interesat e saj, Amerika nuk mund t’i lërë në dorë të një klase politike dhe drejtësie që deri më tani ka rezultuar lehtësisht e manipulueshme.

Në këtë kuptim, misioni amerikan në Shqipëri, sapo ka filluar. Të përgatitemi që do t’i kemi këtu për shumë kohë, dhe sa mirë që është kështu!

Ndoshta, e gjithë kjo ndërhyrje është e tepruar për “sovranistët” shqiptarë, por në gjeopolitikën ndërkombëtare, Shqipëria e ka të detyruar të zgjedhë aleatët e saj. Andaj, ndërhyrja amerikane në çështjet e brendshme shqiptare është më se e mirëpritur.

Nuk mund të jemi imunë nga ndërvarësia globale, kështu që më mirë nën ndikim amerikan se sa të ndonjë fuqie tjetër. Të paktën, Amerika është një aleat që promovon lirinë dhe të drejtat e njeriut, ndryshe nga shumë superfuqi të tjera botërore.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Gruaja nuk ekziston

Nga Klementin Mile*  Shprehja e zakonshme e grave, kur u zhgënjehen pritshmëritë...
Read More