Misioni i vetëm i Kryeprokurorit të Përkohshëm, përshpejtimi i Reformës në Drejtësi

Nga Ervis Iljazaj

Opozita shqiptare ka paralajmëruar zhvillimin e një proteste përpara Kuvendit, me synim ndalimin e zgjedhjes së Kryeprokurorit të Përkohshëm. Ky është akti politik që kulmoi në këtë protestë si pasojë e gjendjes së tensionuar që ka ekzistuar midis palëve politike për mënyrën e zgjedhjes së Kryeprokurorit.

Pretendimi i opozitës është fakti se me një kryeprokuror vetëm me votat e mazhorancës, ajo po i jep fund Reformës në Drejtësi, dhe në këtë mënyrë kërkon të kapë drejtësinë për të mbyllur dosjet e nxehta, si për shembull dosjen Tahiri.

Pra, kryeprokurori i përkohshëm, për opozitën, është shenjë e qartë se mazhoranca po bllokon Reformën në Drejtësi.

Sigurisht, që nëse kryeprokurori do të zgjidhej nga KLP, do të ishte e preferueshme dhe më e drejtë, por duke qenë se ky organ ende nuk është ndërtuar, ndodhemi përballë një ngërçi, të cilit i duhet dhënë përgjigje.

Interpretimi kushtetues i mazhorancës për këtë situatë, mund të jetë i gabuar, dhe i vetmi organi që mund ta zgjidhë këtë, është Gjykata Kushtetuese, organ që Partia Demokratike nuk e vuri në lëvizje dhe preferoi protestën përpara aksionit juridik.

E megjithatë, kryeprokurori i përkohshëm, ndryshe nga ç’mendohet, mund të shërbejë si një hap për të përshpejtuar Reformën në Drejtësi, për të cilën është bërë çdo tentativë nga politika shqiptare për ta penguar.

Më shumë se kaq, kryeprokurori i përkohshëm, duhet ta ketë të vetmin mision të tij. Jo vetëm si pasojë e veprimeve të tij, por dhe si një zhbllokim të organeve të drejtësisë, dhe akuzës aktuale në veçanti, që padyshim, ka patur rolin e saj të rëndësishëm në vonesën e kësaj reforme të qenësishme për fatet e shqiptarëve.

Në këtë betejë për “drejtësi”, midis palëve politike shqiptare, ka dhe një aktor të tretë, që është qëndrimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe BE, i cili qartësisht ishte pro Kryeprokurorit të Përkohshëm.

Nëse ndjekim arsyetimin e opozitës, atëherë mazhoranca dhe ndërkombëtarët janë duke i ngulur një thikë pas shpine reformës, ndërsa opozita kërkon më çdo kusht zbatimin e saj.

A mund të besojë kush një gjë të tillë?!

A mund të besojë kush, se pas një investimi të madh amerikan për Reformën në Drejtësi, SHBA është duke i dhënë me dorën e saj një kryeprokuror Edi Ramës, një vartës të tij për të mbyllur dosjen Tahiri?!

Prandaj, të gjitha shqetësimet se kryeprokurori i përkohshëm është në xhepin e Edi Ramës janë pa bazë logjike.

Ka një të vërtetë në të gjithë këtë histori, është e vërteta e çdo tentative të mundshme të organeve të drejtësisë së vjetër dhe politikës shqiptare, për të penguar reformën me çdo mjet.

Organet e drejtësisë shqiptare, nëpërmjet ankesave të shumë pjesëve të Reformës në Gjykatën Kushtetuese, kanë vonuar sa kanë mundur atë. Po ashtu edhe politika, sa herë që Reforma është drejt fundit tensionohet, dhe çon vendin në konflikt politik, siç po ndodh edhe kësaj here.

Një gjë është e sigurt, që politika shqiptare po e ndjen se organet e drejtësisë janë duke u larguar nga kontrolli tradicional i tyre dhe, për këtë arsye është duke përdorur çdo mjet për ta ndaluar. Mirëpo një gjë e tillë, tashmë duket e pamundur.

E rëndësishme është, që Kryeprokurori i Përkohshëm të kryejë detyrën ashtu siç ia kërkon misioni që ka ndërmarrë, dhe mos të kthehet i përhershëm.

Në këtë aspekt, paradoksalisht, kthehet si mjet për të shpëtuar një Reformë, të cilën aktorët aktualë e kërkojnë të vdekur, aktorët e organeve të drejtësisë aktuale, dhe ato të politikës.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

A mund të konsiderohet reformë ajo e ujit?

Nga Ervis Iljazaj Që Edi Rama ka një sens paternalist ndaj shoqërisë...
Read More