Miss dhe Mister Durrësi: UET akordon tre bursa për të rinjtë fitues

Presidentja e UET Alumni, Adela Danaj dhe Dekania e Studentëve në UET, Odeta Cacaj kanë akorduar tri bursa për fituesit e konkursit të bukurisë Miss dhe Mister Durrësi. Ky është viti i shtatë që Universiteti Europian i Tiranës mbështet këtë eveniment në Durrës duke iu mundësuar të rinjve studime në degët e tyre të preferuara

Për të shtatin vit, Universiteti Europian i Tiranës mbështet një ndër eventet më të rëndësishme artistike të qytetit të Durrësit, “Miss. dhe Mister Durrësi”. Ashtu sikurse çdo vit, Universiteti Europian i Tiranës dhuroi dy bursa për fituesit e vendit të parë dhe një bursë talenti për fituesin Mister Inteligjenca. Këto bursa talenti u fituan nga Sindi Myftaraj e cila u shpall si më e bukura e qytetit bregdetar për vitin 2012 dhe Marvin Rexhepaga, i zgjedhur si djaloshi më i bukur i Durrësit. Po ashtu Avdirrahman Bakalli, i cili ka marrë fashën e më inteligjentit në konkurs ka përfituar gjithashtu një bursë talenti, të cilat u akorduan nga Presidentja e UET Alumni Adela Danaj dhe Dekania e Studentëve në UET, Odeta Cacaj.

UET ka qenë dhe do vazhdojë gjithmonë të jetë mbështetësi kryesor i të gjithë të rinjve, të cilët shfaqin dhe reflektojnë aftësi në fusha të ndryshme, si dhe në misionin e tij do të ketë gjithmonë, zhvillimin e mëtejshëm të çdo kapaciteti i cili do të mund të kontribuojë në shoqëri.

Myzejen Konduri, producente e këtij eventi, ishte kujdesur që çdo detaj i eventit të ishte i kuruar me kujdes dhe mbi të gjitha të përcillte një mesazh domethënës: “Të ruajmë traditën në çdo sferë të jetës, sidomos kur kemi të bëjmë me të bukurën”. Eventi artistik u karakterizua nga motivet popullore shqiptare dhe kjo u reflektua dhe në kostumografinë e pjesëmarrësve.

Nëpërmjet këtij eventi, UET tregoi dhe një herë se nuk është vetëm një oazë dijesh, por mbi të gjitha një medium i gjerë, i cili krijon hapësira zhvillimi për këdo që do të ndërtojë një të ardhme të sigurt. Në panelin e jurisë për të zgjedhur fituesit morën pjesë dhe dy përfaqësues të Universitetit Europian të Tiranës, të cilët akorduan bursat e studimit. UET u përfaqësua nga Presidentja e UET Alumni, Adela Danaj si dhe Dekania e Studentëve, Odeta Cacaj.

“Është privilegj të jem e ftuar në një nga eventet më të rëndësishme të qytetit të Durrësit. Kjo, jo vetëm për shkak të natyrës së eventit, por mbi të gjitha për rëndësinë dhe peshën e çmimeve që UET do të akordojë. Ne, jemi të ndërgjegjshëm se këto çmime, shoqëruar me një bursë studimi kanë fuqinë për të ndryshuar rrjedhën e jetës së këtyre të rinjve. Ndaj, përgjegjësia është e madhe ashtu si dhe kënaqësia. Më lejoni, t’ju falënderoj në emër të UET për këtë bashkëpunim, pasi falë jush UET bëhet edhe më i bukur!”, u shpreh Adela Danaj, e cila nuk la pa evidentuar edhe faktin që prezantuesja e spektaklit “Miss dhe Mister Durrësi”, Xheni Konduri ka qenë studente në Universitetin Europian të Tiranës dhe tanimë bën pjesë në rrjetin Alumni. Me bursat që akordon çdo vit, UET ka ditur të evidentojë talente dhe t’i formojë ata profesionalisht në fushat e studimit.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Opozita: Tahiri mbështeti një grup të strukturuar kriminal

Në emër të opozitës, deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj lexoi raportin e përgatitur...
Read More