Misteret e largimit të kryepolicit…

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako, u shkarkua me vendim të Këshillit të Ministrave pas propozimit të ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj. Pse Rama hezitoi për shumë kohë të largonte Çakon dhe dyshimet se kishte edhe presion nga partnerët ndërkombëtarë pas kanabizimit të vendit. Largimi i të fundit të “epokës Tahiri” dhe roli i Xhafajt për të patur duart e lira. Në krye të Policisë së Shtetit komandohet Rebani Jaupaj.

Shkarkimi i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Haki Çako thuhej se ishte çështje ditësh, për aq kohë sa nuk gëzonte besimin e ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, por shkoi më gjatë nga sa mendohej, kur qarkullonin edhe zëra të tjerë seriozë, se kryepolici mbështetej nga kryeministrit Edi Rama.

Situata ndryshoi dhe Rama më në fund hodhi firmën për ikjen e Çakos, duke lënë pas pështjellimin se Xhafa mund t’i këtë vendosur kushte, ku ka edhe mbështetje më “madhore”, për aq kohë sa shpesh artikulon edhe fjalët: “partnerët ndërkombëtarë”…

Tashmë Policia e Shtetit që nga paraditja e djeshme nuk do drejtohet nga Haki Çako, ai është liruar nga detyra, ndërsa vendin e tij e ka zënë Rebani Jaupaj, i cili është i komanduar në këtë post, deri në emërimin e kreut të ri të policisë.

Çako mund të konsiderohet i “fundit” i epokës “Tahiri” në radhët e policisë, ndërsa tashmë duket se Xhafaj ka të gjitha atributet për të emëruar njerëzit që mendon se mund t’i ndryshojnë pamjen policisë dhe të shuajë damkën e kanabizimit të vendit, siç ndodhi në vitin 2016.

Gjithashtu, ekzistojnë dyshime se mes Ramas dhe Xhafës pati përplasje të hershme për sa i përket drejtorit të Përgjithshëm të Policisë.

Xhafaj ka kërkuar që me ardhjen e tij në krye të ministrisë largimin e Çakos, por një kërkesë e tillë nuk u aprovua nga kryeministri Rama, duke i dhënë fund ndoshta edhe nën presion vetëm ditën e djeshme.

Shkarkimi pa bujë

Lajmin zyrtar për largimin e Çakos e dha Ministria e Brendshme, që në njoftim u kujdes të konsiderohej si një lëvizje “rutinë” që synon policim ndryshe, me impulse të reja.

“Me propozim të Ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, Këshilli i Ministrave miratoi lirimin nga detyra të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Haki Çako. Ministri Xhafaj, vlerëson kontributin, angazhimin dhe përkushtimin e zotit Çako në drejtimin e Policisë së Shtetit, gjatë viteve të fundit. Ai ka një karrierë të gjatë në Polici dhe ka drejtuar me profesionalizëm struktura të niveleve të ndryshme”, thuhet në rreshtat e parë të reagimit.

Por ministria nuk e la aq thatë këtë njoftim, duke u munduar që mes rreshtash të tregojë motivin e vërtetë.

“Megjithatë, realizimi i objektivave të këtij mandati qeverisës, në fushën e rendit dhe sigurisë publike, sfidat që e presin Policinë e Shtetit, kërkojnë një ritëm më të shpejtë dhe dinamikë të madhe pune. Për këtë arsye është i domosdoshëm një lidership i ri, me energjitë të reja për të motivuar dhe çuar përpara punën e Policisë së Shtetit. Puna e kësaj të fundit, domosdoshmërisht duhet të jetë e orientuar drejt rezultateve konkrete, me qëllim që t’u përgjigjet, kësisoj, më mirë kërkesave të kësaj faze të re dhe pritshmërive të larta të publikut dhe partnerëve ndërkombëtarë ndaj Policisë së Shtetit”, mbyllet ndër të tjera njoftimi i Ministrisë së Brendshme.

Çako bëhet i dyti kryepolic në kohën e qeverisjes së Ramës që largohet nga detyra.

Në prill të vitit 2014, ish-drejtori i Policisë së Shtetit Artan Didi dha dorëheqjen pasi u zbulua se zyra e Interpol Tiranës kishte mbajtur të fshehur një urdhër arresti ndërkombëtar për ish-deputetin Mark Frroku.

Didi ishte në kulmin e suksesit, pasi guxoi që të ndërhynte në Lazarat, duke sekuestruar qindra tonë kanabis dhe ndaluar një numër të madh personash për akuzën e trafikut të drogës. Por si për të “vijuar” këtë sukses, në vend të tij u emërua Haki Çako, që në atë kohë drejtonte Policinë e Gjirokastrës ku edhe ai ka kontribuar në shkatërrimin e fortesës Lazarat.

Diçka ndodhi më kalimin e kohës, “lazaratizimi” i Shqipërisë dhe veçanërisht përqendrimi i kultivimit në aksin Vlorë-Tepelenë.

Ndërkohë kreu i demokratëve Lulzim Basha pas takimit me aleatët kur diskutoi për protestat u shpreh se “është një hap tejet i vonuar, një tjetër tregues i krizës së thellë që e ka zhytur krimi institucionin e Policisë, por Çako është një kokë turku, sepse ai drejtohet nga Rama, Tahiri dhe Xhafaj, lidhjet e të cilit janë të njohura”.

Nga erdhi lëvizja?

Pikërisht në mbyllje të deklaratës, krahas pritshmërive të publikut, Ministria e Brendshme nënvizon edhe partnerët ndërkombëtarë për të parë një polici ndryshe dhe të besueshme.

Edhe emërimi në krye të Ministrisë së Brendshme i Fatmir Xhafajt u konsiderua si një prurje që kishte mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë, veçanërisht përfaqësuesve të SHBA në Shqipëri.

Xhafaj u pikëtua pikërisht gjatë kohës që hartohej projektligji për Reformën në Drejtësi, duke u konsideruar një nga personat i cili çoi deri në fund këtë draft, pavarësisht përplasjeve politike nga të gjithë anët.

Nëse Xhafaj shkoi në postin e ministrit të Brendshëm me aprovimin e Ramës, sërish i kishte “duart e lidhura” për aq kohë sa nuk kontrollonte të gjithë kupolën drejtuese të policisë.

Ndaj Çakos aktualisht ka një hetim në vijim në lidhje me pajisjen e përgjimit “IMC Catcher”, por ajo që rëndon më shumë nuk është pjesa ligjore, por morale.

Gjatë kohës që drejtoi Policinë e Shtetit në vitin 2016 vendi u mbush nga mbjelljet masive të drogës, ku në shumë raste u dyshua se kishin mbështetjen e drejtuesve të lartë të policisë.

Kryepolici Çako nuk mori masat për largimin e drejtuesve të policive lokale ku kultivimi i kanabisit ishte në nivele mjaft të larta.

Gjithashtu në tavolinën e zyrës mbajti për shumë kohë një listë të gjatë të hartuar nga SHISH me emrat e efektivëve policorë që dyshohet se ishin përfshirë në trafikun e kanabisit, por që nuk u përfill prej tij.

Koka e parë që kryeministri “preu” për këtë fenomen ishte ajo e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. Largimi i tij u krye në kohën kur protestat e PD-së dhe aleatëve ishin të ashpra dhe rrezikohej që vendi të shkonte në zgjedhje po pjesëmarrjen e partive opozitare.

Në fillim u mendua se Rama u detyrua të largonte Tahirin nga presioni i brendshëm politik, por duket se kishte edhe të dhëna të tjera nga partnerët ndërkombëtarë, që i referoheshin pikërisht kanabizimit të vendit dhe implikimin e zyrtarëve të lartë të policisë, madje edhe të ish-ministrit Tahiri.

Megjithatë ikja e Tahirit nuk u shoqërua edhe me largimin e të besuarit të tij Haki Çako, kryeministri hezitoi të hidhte firmën për shumë kohë, duke pritur që të kalonte periudha e zgjedhjeve dhe të stabilizohej edhe qeverisja e re.

Tashmë Ministri Xhafaj ka në duar emrin e personit që do të propozojë për të mbajtur postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, ndërsa firmën përfundimtare për kryepolicin e ri e ka sërish kryeministri Edi Rama.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Pse duhet akoma të paguajmë për Televizionin Publik Shqiptar

Nga Edi Vlusha Duke u nisur nga debati i këtyre dy ditëve për...
Read More