Misteret e vrasjes së ish-policit

Dyshimet e para janë hedhur për ndonjë konflikt të kohëve të fundit të ish-punonjësit të policisë. Por, grupi hetimor po punon në disa pista për të zbardhur vrasjen e dyfishtë të ish-policit. Po hetohet për konfliktet për shkak të detyrës, po verifikohen e viktimës pasi dyshohet për përfshirje në aktivitete të paligjshme. Një tjetër pistë që po verifikohet janë konfliktet familjare. Kush ishte ish-polici Boran Bercama, largimi nga policia dhe kthimi pas azilit të refuzuar në Francë.

Një krim i dyfishtë ka tronditur qytetin e Shkodrës. Mëngjesin e djeshëm një ish-punonjës policie dhe bashkëjetuesja e tij janë vrarë me armë zjarri brenda në automjetin e tyre, në sy të fëmijës një vjeç e gjysmë. Ngjarja ka ndodhur në vendin e quajtur “Rruga e gjerë”, në lagjen “Naim Gjylbegu”, poshtë pallatit ku banonte çifti. 35-vjeçari Boran Bercama dhe bashkëjetuesja e tij janë qëlluar me armë zjarri pistoletë, nga një distancë e afërt, rreth orës 1:30 pas mesnate, ndërsa trupat e pajetë janë gjetur në orën 6:40 të mëngjesit. Breshëria e plumbave u kanë marrë atyre jetën në vend, teksa po ktheheshin nga një darkë. Për fat të mirë, foshnja që ndodhej në vendin e pasagjerit përpara, në prehrin e gruas së vrarë, ka shpëtuar nga plumbat. Sipas grupit hetimor, autorët dyshohet të jenë të paktën dy persona, të cilët kanë ditur mirë çdo lëvizje të viktimave. Në shënjestrën e tyre, përveç ish-punonjësit të policisë ka qenë edhe bashkëjetuesja, për të zhdukur çdo dëshmi të mundshme. Boran Berçama dhe Silvi Ndocijetonin jetonin prej 7 muajsh me qira në një pallat në lagjen “Naim Gjylbegu”, së bashku me djalin e tyre 1 vjeç e gjysmë.

Ngjarja

Ngjarja u raportua rreth orës 06:40 të mëngjesit të sotëm, por dyshohet se ekzekutimi i tyre ka ndodhur pak pas mesnate. Policia gjeti në vendngjarje 20 gëzhoja plumbash. Boran Berçama mësohet se ka marrë një plumb në kokë ndërsa plumbat e tjerë në trup. Ndërsa bashkëjetuesja e tij është qëlluar vetëm në trup. Nga dyshimet e policisë duket se bëhet fjalë për një krim të kryer nga profesionistë, duke parë saktësinë e goditjeve me armë zjarri, ndërsa autorët kanë qenë të maskuar. I vetmi dëshmitar i krimit të dyfishtë ka qenë djali i çiftit, 1 vjeç e gjysmë, i cili është gjetur i terrorizuar nga policia pranë trupave të pajetë të prindërve të tij. Nga ekspertiza paraprake në vendngjarje, policia beson se është qëlluar me armë tip automatike nga dritarja e makinës, ku ishte ulur ish-efektivi i policisë. Ata janë qëlluar me breshërinë e 22 plumbave. Hetuesit mendojnë se çifti është ndjekur gjatë, derisa është realizuar atentati në banesën ku ata jetonin me qira. Nga skena e krimit e ndërtuar nga grupi i ekspertizës, mësohet se ish-efektivi në momentin që ka parë personin/at të qëllojnë në drejtim të tyre, ka tentuar të mbrojë bashkëjetuesen dhe fëmijën e tij, duke i mbuluar me trup.  Fatmirësisht plumbat nuk kanë kapur fëmijën, i cili ka qenë në gjumë momentin e ngjarjes. Ai është dërguar në spitalin e  Shkodrës rreth orës  06:40, ku më pas është marrë nga familjarët e Berçanës. Ndërkohë rreth orës 09:30, trupat e  dy viktimave janë dërguar në morg.

Kamerat e sigurisë

Policia ka siguruar pamjet filmike të disa subjekteve përreth, me shpresën se do kenë arritur të kapin autorët e vrasjes. Ekzekutimi dyshohet të ketë ndodhur pas mesnate. Është shfrytëzuar një nga momentet ku zona ka pak lëvizje, pasi është një zonë tregtare. Ka qenë banorët e zonës që kanë parë ngjarjen në orët e para të mëngjesit të së dielës. Mendohet se kanë qenë pikërisht të qarat e fëmijës që kanë vënë në lëvizje banorët që më pas kanë njoftuar policinë. Policia ka shoqëruar në komisariat për marrjen në pyetje dëshmitarët në vendngjarje dhe familjarët e viktimës. Nga mënyra sesi policia e ka gjetur çiftin brenda automjetit, shënjestër e atentatit ka qenë Bërçana dhe bashkëshortja dyshohet  se ka humbur jetën nga plumbat që kanë goditur bashkëshortin e saj, të cilët kanë depërtuar në trupin e saj.

Automjeti i djegur

Ndërkohë, gjatë kontrolleve në qytet, në zonën e “by pass”-it, policia ka gjetur të djegur një makinë tip Benz. Policia e Shkodrës ka dyshime të forta se ky automjet është përdorur nga autorët për t’u larguar nga vendi i krimit dhe më pas ata i kanë vënë flakën për të zhdukur çdo gjurmë. Brenda në automjetin e djegur është gjetur edhe një armë automatike, që është përdorur për krimin e dyfishtë. Arma e gjetur ka qenë e tipit `Skorpion’ dhe me të mendohet të jetë kryer krimi. Ajo është gjertur pak pas orës 10:00. Automjeti është tip “Benz” dhe dyshohet se është përdorur nga autorët e vrasjes. Policia dyshon se autori ka qëlluar ndaj çiftit me këtë armë, që me pas është djegur bashkë me mjetin për te humbur gjurmët, pikërisht në një vend ku nuk ka as kamera sigurie.

Misteret e vrasjes

Për policinë shkaqet e kësaj vrasje janë ende mister. Por dyshimet e para janë hedhur për ndonjë konflikt të kohëve të fundit të ish-punonjësit të policisë. Burimet thanë se Bercama sapo ishte kthyer nga Franca ku kishte kërkuar azil, por që i ishte refuzuar. Ende nuk dihen motivet e ngjarjes, por grupi hetimor po punon në disa pista. E para lidhet me ndonjë konflikt për shkak të detyrës që Bercama ka mbajtur. Po verifikohen gjithashtu edhe lidhjet aktuale të 30-vjeçarit, pasi dyshohet për përfshirje në aktivitete të paligjshme megjithëse ai nuk regjistron i skeduar për lidhje kriminale. Një tjetër pistë që po verifikohet janë konfliktet familjare. Disa persona janë shoqëruar në komisariat për tu pyetur ndërsa janë marrë edhe dëshmi paraprake të të afërmve të viktimave. Gjithashtu është shoqëruar edhe ish-burri i Silvi Ndocit, me të cilin viktima ishte divorcuar para se të bashkëjetonte me ish-punonjësin e policisë. Edhe për Prokurorinë nuk ka ende një pistë të qartë, edhe pse dyshimet nisin që nga problemet e para dy viteve të viktimës, deri te detyra e tij si ish-polic.

Kush ishte Boran Berçama

Viktima ka qenë pjesë e Policisë së Shtetit që prej vitit 2011, ku së fundmi ka shërbyer në zonën e Fushë-Arrëzit si inspektor krimesh. Që në nisje të vettingut, Berçama nuk ishte më pjesë e policisë së shtetit pasi ishte tërhequr nga detyra që mbante si efektiv. Ai është larguar nga kjo detyrë në janar të këtij viti, 7 muaj më parë me dëshirën e tij dhe pa dhënë arsye. Për një periudhë kohe të shkurtër kishte emigruar në Francë dhe më pas ishte rikthyer në Shkodër ku prej 7 muajsh jetonte në katin e tretë të një pallati në lagjen “Naim Gjylbegu” me bashkëjetuesen dhe djalin e tij. Ai punoi edhe në Dukagjin, zonë që është e njohur edhe për problematikën e kultivimit të kanabisit, por sipas burimeve nga grupi hetimor nuk është raportuar që ai të ketë pasur ndonjë problem në ushtrimin e detyrës. Problemet familjare dhe ndonjë konflikt i çastit janë pistat e tjera që hetohen nga policia, kjo referuar edhe dëshmive. Nga blutë e Shkodrës, mësohet se deri në këto moment janë 20 persona të pyetur, ndërsa janë pyetur edhe ish-bashkëshortja e Berçanës, familjarë të tij dhe disa shokë.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Fotot e rralla: Shihni se si ishte Shqipëria në vitin 1991

Sivjet Shqipëria përkujtoi 27-vjetorin e rrëzimit të bustit të diktatorit Enver Hoxha....
Read More