Misteri i një qyteti në thrillerin psikologjik të Dolores Redondo

 

Vjen në shqip romani i famshëm i Dolores Redondo, “Rojtari i Padukshëm”, përkthyer në shqip nga Diana Çuli, botimet IDK. Një thriller psikologjik që ka patur një sukses të jashtëzakonshëm në mbarë botën, duke u bërë bestseller për shumë muaj me radhë. Në qendër të tij një inspektore policie që kthehet në qytetin e saj të lindjes, për të zgjidhur një seri vrasjesh të mistershme.

Një thriller psikologjik që ka patur një sukses të jashtëzakonshëm në mbarë botën, duke u bërë bestselleri për shumë muaj me radhë. Në qendër të tij një inspektore policie që kthehet në qytetin e saj të lindjes, për të zgjidhur një seri vrasjesh të mistershme.

Kur trupi i një adoleshenteje gjendet në një vend të largët buzë një lumi, krimi duket krejt i ngjashëm me një tjetër vrasje të ndodhur veç pak muaj më parë, duke ngjallur frikë në bashkësinë e Elizondos. Për ta hetuar caktohet inspektorja Amaia Salazar, që e njeh më mirë se kushdo atë vend, sa i bukur aq dhe i izoluar, toka e të cilit dikur qe nginjur me gjakun e derdhur prej Inkuizicionit, ku pas lustrës së modernitetit, vazhdojnë të mbijetojnë besimet pagane. Dhe kështu, teksa numri i vrasjeve shtohet, ndër vendasit nis të përhapet fjala se ato s’janë vepër e dorës së një njeriu, por e një krijese të mitologjisë baske të njohur me emrin basajuan, apo Rojtari i Padukshëm.

Amaia është profesioniste dhe s’pranon që besëtytnitë ta shpërqendrojnë nga detyra, por ndërsa hetimet thellohen, asaj befas nis t’i duket sikur çdo siguri që ka pasur nis e shkërmoqet: ankthe të vjetra që zgjohen, sekrete që ajo shpresonte t’i kishte harruar, tashmë rikthehen, a thua se në një mënyrë të mistershme të kenë lidhje me vrasjet. Për ta zgjidhur këtë rast, Amaias i duhet të përballet me anën e errët të shpirtit të vet, duke vënë në dyshim gjithçka që deri atëherë kishte besuar, teksa ndjek gjurmët e vrasësit nëpër shtigjet e ngatërruara të legjendave të lashta që flasin për ekzistencën e një fuqie atavike të pamposhtur…

Tashmë Amaias i duhet të luftojë me demonët brenda vetes së saj për të zbuluar nëse autori i vrasjeve është vërtet një vrasës serial, apo diçka tjetër më e errët…

Dolores Redondo, lindur më 1969, studioi drejtësi, pastaj gastronomi, duke hapur dhe një restorant me kuzhinë baske. Sot, në sajë të suksesit të jashtëzakonshëm të romanit të saj ‘Rojtari i padukshëm’ dhe, më në përgjithësi, të ‘Trilogjisë së Baztanit’, ajo është një ndër shkrimtaret më të famshme spanjolle, e përkthyer në mbarë botën.

Romani i saj ‘Rojtari i Padukshëm’ është bërë film nga i njëjti producent i ‘Milenium’ bazuar në romanin e Stieg Larsson-it.

***

Ja një fragment nga romani: Ainhoa Elizasu ishte viktima e dytë e basajaunit, megjithëse shtypi nuk e quante ende kështu. Por, kjo ndodhi pak më vonë, kur u mësua se rreth kufomave u gjetën qime kafshësh, copëra lëkure dhe gjurmë të panjohura, që të shtynin të mendoje për ndonjë lloj riti makabër purifikimi. Dukej sikur një forcë e ligë, e lashtë sa vetë toka, ua kishte shfytyruar trupat viktimave, ende vajza të vogla, u kishte shqyer rrobat, u kishte rruar qimet pubike dhe ua kishte vendosur duart në një pozë virgjërore.

Inspektorja Amaia Salazar ndiqte gjithnjë të njëjtën rutinë kur e thërrisnin në mes të natës për të hetuar skenën e ndonjë krimi: e shuante zilen e zgjimit për të mos zgjuar Xhejmsin, merrte rrobat dhe me telefonin sipër tyre, zbriste me ngadalë shkallët deri në kuzhinë, ku vishej duke pirë kafenë me qumësht dhe pasi i linte një shënim të shoqit, i hipte makinës. Pastaj, e ngiste makinën me mendjen krejt të zbrazët, përveçse asaj zhurme të bardhë që ia pushtonte mendjen sa herë zgjohej pa gdhirë, që e shoqëronte si vazhdimi i një gjumi të papërfunduar, edhe kur i duhej të udhëtonte më shumë se një orë nga Pamplona deri në skenën e krimit.

Mori një kthesë tepër të ngushtë dhe fërkimi i gomave e solli në vete për të kuptuar se sa e trallisur ishte; atëhere i kushtoi vëmendje kthesave të së përpjetës mes pyllit të dendur që rrethonte Elizondon. Pesë minuta më vonë ndaloi pranë një tabele qarkullimi dhe aty njohu makinën sportive të doktor Jorge San Martinit dhe fuoristradën e gjykatëses Estebanez. Amaia zbriti nga makina dhe i doli nga pas për të marrë një palë çizme gome, që i veshi duke u mbështetur tek bagazhi, ndërkohë që iu afruan zëvendës-inspektori Jonan Etxaide dhe inspektori Fermin Montes.

– Histori e keqe, shefe. Viktima është një vajzë e vogël. – Jonani i hodhi një sy shënimeve. – Dymbëdhjetë a trembëdhjetë vjeçe. Prindërit, kur panë se kaloi ora njëmbëdhjetë e nuk po vinte në shtëpi, njoftuan policinë.

– Pak si shpejt për të denoncuar zhdukjen, – vërejti Amaia.

– Po. Me sa duket vajza ka marrë në celular vëllanë e madh në tetë e dhjetë, për t’i thënë se e kishte humbur autobusin e Arizkunit.

– Dhe vëllai nuk tha gjë deri më njëmbëdhjetë?

– E dini si janë këto punë. ‘Aita dhe ama do të më vdesin. Të lutem, mos u thuaj gjë. Prit, se mos më sjell babi i ndonjë prej shoqeve.’ Si përfundim ai e mbyll gojën dhe luan me PlayStation. Më njëmbëdhjetë, kur sheh se e motra nuk po vjen dhe se e ëma po çmendet, i thotë se Ainhoa kishte telefonuar. Atëherë, prindërit shkojnë me nxitim në komisariatin e Elizondos, duke këmbëngulur se vajzës së tyre patjetër do t’i kishte ndodhur diçka. Në celular nuk përgjigjej e ata kishin pyetur të gjitha shoqet e saj. E gjeti një patrullë. Kur arritën tek kthesa, agjentët panë këpucët e vajzës në cep të rrugës, – tha Jonani, duke treguar me elektrikun e dorës një pikë në buzë të rrugës, ku shëndritën një palë këpucë të zeza me takë mesatare, të vendosura drejt, pranë njëra-tjetrës.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Raporti: Rama falenderon dhe ‘thumbon’ ministrat teknikë

Kryeministri Edi Rama reagoi pasi ministrat teknikë të qeverisë hartuan një raport...
Read More