Misteri: Vrasja për hashashin që u “shit” për vetëvrasje

besnik-pudjaMjekësia Ligjore arrin në konkluzionin se Besnik Pudja është ekzekutuar me plumb pas koke. Edhe babai i viktimës pretendon se i biri është vrarë dhe se fakti është tentuar të fshihej. Policia pati nisur një komunikatë ku thuhej se i riu ishte vetëvrarë pranë një magazine hashashi dhe dy personat që ndodheshin me të u arrestuan për moskallëzim krimi. Prokuroria: Po hetohet si vrasje, presim ekspertiza të tjera

Nga Leonard Bakillari

Besnik Pudja, një kultivues hashashi në malësinë e Tiranës u gjet i vrarë pasditen e 7 tetorit. Autori e ka qëlluar me një pistoletë TT, tyta e së cilës në momentin e shkrepjes ishte puthitur në pjesën e djathtë të kokës së viktimës, siç shkruhet në ekspertizën mjekoligjore që MAPO e ka lexuar.

Më pas autori hodhi armën pranë trupit të viktimës duke servirur një skenë vetëvrasjeje.

Ai u gjet i shtrirë në një hangar që sipas hetuesve përdorej për tharjen e drogës.

Të paktën 7 persona dyshohet se janë vrarë në konflikte që vijnë prej kultivimit të kanabisit, i cili sipas raportit të Guardia di Finanzas u katërfishua në sipërfaqe gjatë 2016 në krahasim me 1 vit më parë.

Zyrtarisht asnjë prej vrasjeve nuk ka autor, edhe pse disa persona janë arrestuar, ndërsa në asnjë rast policia nuk ka pranuar se vrasjet kanë patur si motiv drogën, por dëshmitë dhe provat e mbledhura për disa prej tyre konfirmojnë se ekzekutimet janë të lidhura me kanabisin.

Në një njoftim për mediat, më datë 8 tetor, një ditë pas krimit, policia e Tiranës thotë se dyshon për vetëvrasje.

“Në afërsi të trupit është gjetur dhe një armë zjarri. Paraprakisht dyshohet të jetë vetëvrasje”, thuhet në njoftimin e policisë. Por një muaj e gjysmë më pas, Mjekësia Ligjore arrin në konkluzionin se Besnik Pudja është ekzekutuar me plumb pas koke.

“Viktima është qëlluar me armë zjarri pistoletë TT në pjesën e pasme të kokës në krahun e djathtë. Ekzekutimi është kryer nga arma e puthitur në kokën e viktimës. Drejtimi i qitjes ka qenë në të djathtë dhe plaga është tejshpuese me dalje në syrin e majtë”, thuhet ndër të tjera në raportin e Mjekësisë Ligjore.

Raporti mjekoligjor i është dërguar Prokurorisë së Tiranës, e cila ka nën hetim rastin që fillimisht u klasifikua si vetëvrasje bazuar edhe në dëshmitë e dy personave që pohojnë se ishin të pranishëm kur Besnik Pudja është vetëqëlluar duke luajtur me armën. Brenda kasolles policia gjeti edhe tre bimë kanabisi në proces tharjeje, ndërsa pranë barakës u gjetën rreth 3 mijë bimë të kultivuara.

Fillimisht prokuroria regjistroi një çështje për moskallëzim krimi dhe kultivim narkotikësh ndaj tre personave që janë pjesë e ngjarjes.

Dy prej tyre, Dritan Buzo dhe Algest Liçi u paraqitën në polici pesë ditë pas ngjarjes, duke pohuar versionin e vetëvrasjes së Pudjas.

Por ekspertët përjashtojnë çdo dyshim se Pudja është vetëvrarë, pasi të dhënat e mbledhura në vendin e ngjarjes, tregojnë se ai ishte mëngjarash. Sipas ekspertëve, në asnjë rrethanë, qoftë edhe teorike ai nuk mund të qëllonte me dorën e majtë në pjesën e djathtë të kokës.

Tashmë prokuroria njofton se po heton një vrasje që si motiv dyshohet të ketë kultivimin e lëndëve narkotike. Janë një sërë rrethanash dhe dëshmish që orientojnë hetimet drejt kësaj piste, edhe pse autori i dyshuar i krimit nuk është zbuluar ende.

Burime nga prokuroria madje i thanë MAPO se dyshimet për vrasje kishin qenë pjesë e hetimit që prej fillimit, ndërsa bënë me dije se ende “priten disa ekspertiza të tjera”.

Të paktën dy dëshmitarë pohojnë se ishin të pranishëm kur Besnik Pudja u vetëvra teksa luante me një pistoletë tip TT.

Trupi i tij u gjet rreth orës 15:30 të datës 7 tetor në një kasolle të improvizuar në fshatin Kollagjesh në zonën e Shëngjergjit.

“Kasollja kishte përmasat 40 me 18 metra, rrethuar me llamarinë. Trupi ishte i shtrirë me kurriz, me fytyrë lart, i gjakosur në pjesën e syrit të anës së majtë dhe në pjesën e kokës së anës së djathtë. Në pjesën e brendshme të këmbës së majtë, në afërsi të gjurit gjendej një armë zjarri model 56, kalibri 7.62 mm, me goditës të ngrehur, me krehër brenda saj, e brenda krehrit kishte një fishek me kapsollë të goditur”, thuhet në materialin e këqyrjes së vendit të ngjarjes.

Oficerët e Policisë Gjyqësore shkruan në raport se në këtë kasolle ndihej aroma e bimës narkotike, “si ajo e kanabis sativa” dhe ambienti ishte i përshtatur për tharjen e kësaj bime. Po kështu gjatë këqyrjes në brendësi të kasolles janë gjetur edhe tri rrënjë me bimë narkotike e dyshuar si kanabis sativa, e cila është sekuestruar si provë materiale. Pas ngjarjes u arrestuan dy persona, Dritan Buzo dhe Algest Liçi, të cilët njëlloj si viktima ishin banorë të qytetit të Tiranës.

Viktima kishte zgjedhur fshatin e të afërmve të tij për të qenë pjesë e një ndërmarrje kultivimi narkotikësh, por roli i tij specifik mbetet ende i pasqaruar.

Familjarët e Pudjas kanë deklaruar se Besniku shkonte shpesh në fshatin e tij të lindjes, të cilin ata e kishin braktisur 18 vjet më parë për t’u vendosur në Shkozë, në periferi të Tiranës.

Babai i Besnikut mohoi që në kapanon të jetë gjetur drogë, madje sipas tij nuk është gjetur as celulari i të birit, si dhe shumë prova të tjera që mund të shërbejnë për zbardhjen e ngjarjes.

Ai thotë se vrasja ka ndodhur mbrëmjen e datës 6 tetor, por trupi i të birit është gjetur të nesërmen, çka sipas babait të viktimës tregon se personat që e kanë vrarë kanë patur kohën e mjaftueshme për të zhdukur çdo gjurmë.

Ai thotë se i biri punonte si të tjerët, duke e lënë të paqartë rolin e të birit në kultivimin e lëndëve narkotike, siç pohojnë dëshmitarët dhe persona të tjerë, banorë të fshatit.

Dy dëshmitarët tashmë të arrestuar për moskallëzim krimi dhe kultivim narkotikësh i thanë policisë se ata ishin punësuar disa ditë përpara ngjarjes nga Besnik Pudja për të ndërtuar një hangar.

Ky ambient sipas tyre do të shërbente për tharjen e lëndës narkotike, të cilën Besniku e kishte kultivuar afër hangarit. Viktima u gjet nga xhaxhai i tij Myslym Pudja, i cili ka njoftuar të afërmit për ngjarjen.

Personi i parë që ka marrë telefonatën për vdekjen e Besnik Pudjas i tha policisë se ai merrej me kultivim të lëndëve narkotike.

Toka ku ishte ndërtuar kasollja ishte në pronësi të Halit Dushës, tashmë i arrestuar, i cili shoqërohej shpesh me viktimën në fshatin Kollagjesh, duke qëndruar së bashku në një lokal që ndodhej rreth 500 metra larg hangarit.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Arratisu

Nga Edison Ypi Çfarë je duke pritur ? Të vdesësh nga turpi...
Read More