Mjekja neurologe: Sëmundjet që paralajmëron dhembja e kokës te të moshuarit

Prof. dr. Jera Kruja, Shefe e Shërbimit Universitar të Neurologjisë, QSUT: Një i moshuar është shumë i ekspozuar për të patur dhembje koke të ardhur nga shkaqe të tjera; probleme shëndetësore e deri te disa sëmundje

Dhembja e kokës është ankesa më e shpeshtë që kanë njerëzit, prek rreth 90% të popullatës dhe prevalenca shkon përgjatë gjithë jetës. Te moshat e reja dhembjet e kokës janë më të shpeshta, zakonisht janë dhembje primare, kanë prirje për t’u zbutur ose zhdukur me kalimin e moshës. Por ndërkohë ka dhembje koke që mund të vazhdojnë e për më tepër mund edhe të fillojnë me kalimin e moshës. Pikërisht për këtë arsye, te të moshuarit dhembja e kokës është problematike sepse mund të sinjalizojë një problem shëndetësor më të rëndë. Në një intervistë për “Mapo”, prof. dr. Jera Kruja, Shefe e Shërbimit Universitar të Neurologjisë, QSUT thotë se dhembjet e kokës te të moshuarit, mund të vijnë për probleme shëndetësore apo sëmundje të patrajtuara, që as ata nuk e dinë; sikurse mund të jenë sëmundjet cerebrovaskulare, hipotiroidizmi, hipertensioni arterial, neuroinfeksionet, aneurizëm, artriti, tromboza venoze cerebrale e deri te tumoret e trurit. E megjithatë, sqaron doktoresha neurologe, jo në të gjitha rastet dhembjet e kokës te të moshuarit nuk janë kaq shumë serioze, por mund të vijnë edhe për shkak të mbipërdorimit të medikamenteve ku ndërveprimi dhe mbivendosja e medikamenteve japin dhembje koke. Por në të gjitha rastet, prof. dr. Jera Kruja, apelon për mos neglizhencë të dhimbjes së kokës sidomos te të moshuarit, kryerjen e një vizite mjekësore për ekzaminime më të thelluara për përjashtimin e ndonjë sëmundje.

A janë sinjale për sëmundje të tjera dhimbjet e kokës në moshën e tretë?

Dhembja e kokës është ankesë më e shpeshtë që kanë njerëzit dhe shkon prevalenca përgjatë gjithë jetës, për gjithë popullatën, rreth 90%. Njihen më tepër dhimbjet e kokës që kanë fillimin në moshat e reja, migrena dhe ka një dekusht natyror që me kalimin e moshës, sidomos te gratë me fillimin e menopauzës stopohet, megjithëse ka raste që vazhdon edhe pas menopauzës. Por nuk është vetëm migrena si dhimbje koke parësore, janë edhe dhimbje të tjera parësore të cilat ekzistojnë; p.sh. dhimbja e kokës intensive, mund të fillojnë në moshë të re por vazhdojnë gjatë gjithë kohës. Prevalanca, që është shifra që tregon numrin e rasteve për 100 mijë banorë, mbetet po ashtu e njëjtë edhe në moshë të tretë. Sa i takon moshës së tretë kemi të shprehura dhimbjet e kokës dytësore, pra dhimbje e kokës e ardhur nga shkaqe të tjera.

Cilat janë shkaqet më të shpeshta për dhimbjet e kokës në moshën e tretë?

Që nga sëmundja cerebrovaskulare, aksidentet cerebrale vaskulare, sidomos ato hemorragjike shoqërohen me dhimbje koke, fillon nga artriti temporal, për të cilën fillimi është në moshën e tretë; mund të jenë sëmundjet arteriale dhe trombozat venoze cerebrale; mund të jenë aneurizmat; dhimbja e kokës për shkaqe të prekjes së nervave karnial që janë nevralgjikë; janë tumoret e trurit që mund të japin dhimbjet koke; janë traumat dhe rrëzimet; mund të jenë neuroinfeksionet; mund të jenë metastazat kockore; glaukoma e cila manifestimin e saj të parë mund ta ketë me dhembje koke; hipotiroidizmi; apnea e gjumit; hipertensioni i pakontrolluar dhe hipertensioni arterial i pakontrolluar; personat që bëjnë hemodializë; mbipërdorimi i medikamenteve, ku ndërveprimi dhe mbivendosja e medikamenteve mund të japë përsëri dhimbje koke. Një i moshuar është shumë i ekspozuar për të patur dhimbje koke.

Klasifikimi i dhimbjeve të kokës, lidhur me kohëzgjatjen?

Tentativat e para për të klasifikuar dhimbjen e kokës kanë filluar në vitet ’50. Ndërsa sot ne po punojmë me një klasifikim i cili është përpunuar nga një grup i Shoqatës Internacionale të Dhimbjeve të Kokës dhe përditësohet vit pas viti. Faktikisht ne kemi një përmirësim të 2018-ës, në këtë klasifikim çdo lloj dhimbje koke dhe kohëzgjatja e secilës prej tyre, duke parashtruar edhe problemin përkatës. Në këtë klasifikim saktësohet kohëzgjatja e dhimbjeve të kokës, shkaqet etj. Është një udhëzues për të përcaktuar dhimbjet e kokës.

Atëherë doktoresha si mund të vendoset diagnoza?

Në diagnozën primare kur nuk fshihet pas asgjë tjetër, vetëm dhimbje koke, mjafton një anamnezë e thellësishme. Pyetet pacienti si i filloi dhimbja e kokës, sa i zgjati, sa kohë ka me këtë dhimbje koke, me çfarë qetësohet, me çfarë acarohet, çfarë shenja shoqëruese ka, për të qenë sa më të saktë në diagnozë.

Në qoftë se doktori dyshon dhe kërkon që të përjashtojë një dhembje koke dytësore; p.sh. tumor të trurit, ne duhet të marrim disa të dhëna nga historia e pacientit, po kështu do të kemi nevojë të bëjmë një ekzaminim imazherik ose ekzaminime të tjera si gjak, matje tensioni arterial, sidomos te të moshuarit. Në qoftë se te të rinjtë dhimbjet e kokës janë kryesisht primare, në moshat e treta përsëri dhimbjet e kokës prevalojnë por shtohen shumë raste kur dhimbjet e kokës janë shkaqe dytësore, duke paraqitur një problem shëndetësor më të rëndë.

Përse këto probleme shëndetësore nuk diagnostikohen në kohë?

Duke qenë se këto probleme shëndetësore kanë prevalencë të lartë duhet të aftësohen mjekët e familjes. Sepse nuk ia del dot vetëm neurologu. Disa vite më parë kemi bërë disa kurse disaditore me mjekët e familjes të Tiranës dhe të Durrësit për aftësimin e tyre në njohjen e problemeve shëndetësore kryesisht te të moshuarit, sidomos ato neurologjike. Duhet të orientohen sa më drejt pacientët për problemin shëndetësor.

 

Studim, 8 ushqime kundër dhembjes së kokës

Shalqi

Në shumë raste, shkaqet e dhimbjes së kokës janë nga dehidratimi. Për këtë arsye, mund të jetë e dobishme të konsumoni ushqime të pasura me ujë, siç është shalqini. Uji natyral i pranishëm te fruta dhe perime, si përmban minerale esenciale si magnez për parandalimin e dhimbjeve të kokës.

Bajame

Bajamet janë një nga burimet më të rëndësishme të magnezit. Sipas ekspertëve, magnezi është shumë i dobishëm për relaksimin e tensionit që mund të ndikojë në enët e gjakut dhe të shkaktojë dhimbje koke.

Farat e susamit

Farat e susamit janë të pasura me vitaminë E që përmirëson qarkullimin e gjakut dhe kjo është e dobishme, për të parandaluar dhimbjet e kokës, sidomos ato të vazhdueshmet.

Spinaqi

Spinaqi ndihmon në uljen e presionit të gjakut dhe lehtësimin e dhimbjeve të kokës. Për të parandaluar dhimbjen, përdorni vazhdimisht gjethe të freskëta spinaqi, në vend të sallatës jeshile për të përgatitur sallatat tuaja.

Banane

Midis burimeve për parandalimin dhe luftimin e dhimbjes së kokës është edhe vitamina B6, e cila është e pranishme te bananet dhe që ndihmon në rritjen e nivelit të serotoninës në tru, duke ulur dhimbjet, mërzitjen dhe stresin.

Fara Lini

Farat e linit janë të lidhur me përfitime të shumta shëndetësore për shkak të pasurisë së tyre me Omega3. Këto substanca ndihmojnë në luftën kundër migrenave dhe kanë veti shëruese. Këshilla është që të shtoni fara lini te drithërat e mëngjesit ose te sallatat dhe supat tuaja.

Specat djegës

Ata që e duan shijen pikante do ta kenë shumë të lehtë pasi specat djegës konsiderohen një ushqim i dobishëm për të luftuar dhimbjen e kokës. Efektet pozitive të specave djegës janë të dobishme jo vetëm në rastin e dhimbjeve të kokës, por edhe për dhimbjet e shpinës ose të dhëmbëve.

Misri

Misri është tejet i dobishëm për të parandaluar dhimbjen e kokës falë përmbajtjes së vitaminës B3. Kjo substancë, në fakt, mbështet funksionin e enëve të gjakut, qetëson nervat dhe bën mrekulli për dhimbjet e kokës.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Politikat dhe sfidat reale të një “industrie”!

Nga Alfred Peza Hezitova të flisja për shumë arsye, gjatë një tryeze...
Read More