Mjekra e thinjur e z. Kryeministër dhe kryeplaku i Nolit

Nga Ndriçim Kulla*

Shumica e shqiptarëve që kanë qenë dëshmitarë të imazhit publik që krijoi kryeministri Rama me pamjen dhe veshjen e tij që kur hyri në politikë, si një njeri që përfaqësonte gjeneratat e reja, kanë pritur që kur Rama të thinjej t’i lyente flokët ose ta hiqte mjekrën e tij që tani është thinjur e gjitha. Por, Rama nuk veproi kështu. Ai jo vetëm që nuk i leu flokët, por madje nuk e hoqi as mjekrën e thinjur. Për një njeri që ka shumë kujdes për imazhin e vet publik, kjo gjë nuk është bërë ashtu kot, si shije personale e çastit. Z. Rama në postin e Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, si dhe atë të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, donte që t’u tregonte shqiptarëve imazhin e një njeriu të ri, shpesh edhe më të ri sesa mosha e tij reale, gjë që e justifikonte me idetë e tij që ishin të reja. Por z. Rama në postin e Kryeministrit ka krijuar një tjetër imazh, atë të pushtetarit-kryeplak.

Rama e ka ndjerë se shqiptarët, ashtu si shumica e popujve të botës, për qeverisje iu besojnë përvojës së thinjave dhe të rinjtë në pushtet, çfarëdo qoftë ky i pranojnë vetëm si përjashtime, kur janë talente, jo si rregull. Vetë Rama me modelin që krijoi dikur të njeriut dyfish të ri në politikë, edhe si prurje edhe si mendësi, ishte një përjashtim, ndaj të cilit PD përveç Berishës  nuk arriti të gjente një alternativë për shumë kohë për t’ ia vënë përballë si kundërshtar direkt.

Fan Noli kur përktheu dramën e Ibsenit “Armiku i popullit”, fjalën “kryetar bashkie” e përktheu “kryeplak”. Kjo sepse në mendjen e tij qeveritari identifikohej me plakun e urtë, siç është në shumicën e vendeve të botës. Në zgjedhjet e fundit presidenciale në SHBA garuan një 69-vjeçare, Zonja Clinton dhe një 70 vjeçar, z. Trump. Kur partia e dytë më e madhe në Gjermani, ajo socialdemokrate, zgjodhi këtë vit liderin e ri për t’ ia kundërvënë Merkelit në zgjedhjet e vjeshtës, vuri në këtë detyrë një 61 vjeçar z. Schulz.

Në Shqipëri modeli i plakut të urtë në politikë dhe pushtet u përdhos nga modeli i anëtarëve injorantë të Byrosë Politike të kohës së komunizmit. Por meqenëse regjimi komunist krijoi modelin e udhëheqësit të plakur injorant, karrocier e bari, kjo nuk do të thotë të zhduket bashkë me këtë model edhe plaku i urtë, i shkolluar, i përgjegjshëm e me përvojë në politikë e në pushtet.

Para pak kohësh shpërthyen ujërat e zeza në Sarandë, në kulmin e sezonit turistik. Saranda është emblema e turizmit shqiptar ose ndryshe si i thonë nusja e tij dhe kohët e fundit frekuentohet shumë jo vetëm nga shqiptarët e të gjitha trojeve, por edhe nga turistë nga gjithë vendet e Europës dhe më gjerë. Për këtë arsye, nëse kjo gjë do të kishte ndodhur në çdo qytet turistik të botës, kryetari i bashkisë do të kishte dhënë dorëheqjen, ose së paku do të dilte dhe do t’ u kërkonte falje turistëve dhe qytetarëve taksapagues që pësuan humbje nga që ai nuk i kishte kryer mirë detyrat e tij për të rregulluar infrastrukturën e qytetit. Kryetarja e Bashkisë së Sarandës, një vajzë  e re  që nuk do të ishte e përshtatshme as në rolin e zëdhënësen së Kryetarit ose Kryetares të Bashkisë Sarandë  e jo më për modelin e kryeplakut të bashkisë të Nolit, nuk bëri as njërën as tjetrën. Të mbash fjalime për Sarandën si perla e turizmit shqiptar s’është asgjë. Të bësh detyrën është ajo që duhet në këtë drejtim

Si njeri që është lindur dhe rritur në atë zonë, unë ndjej një keqardhje të madhe për këtë që ndodhi dhe si intelektual bëj apel që të marrë fund ky model i të rinjve në detyra të tillë përveçse kur janë vërtet të talentuar. Se fakti që del një i ri i dhe futet në politikë, nuk do të thotë që pastaj të hapet rruga për të gjithë që të bëhen pushtetarë në nivel qendror e lokal.

Unë kam qenë kundërshtar politik i kryeministrit Rama në shumë momente, sepse idetë tona politike kanë qenë të papajtueshme në disa drejtime. Por më duhet të pranoj me sportivitet se ai përsëri diti të gjejë imazhin e përshtatshëm publik, me një simbol që flet qartë dhe që është mjekra e tij e thinjur. Mjekra e thinjur duhet të bëhet një imazh simbolik që të shihet edhe në nivelin e pushtetit lokal në figurën e kryebashkiakut-kryeplak, burrë apo grua i/e urtë, me përvojë.

*publicist

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Prokuroria: Droga e Habilajve, hetuam me të huajt dhe SHISH

Një hetim disa mujor i Prokurorisë për Krime të Rënda u finalizua...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.