Modeli sovjetik: Shfaqjet folklorike, në lagje dhe ferma bujqësore



AnsambliViti 2016 shënon 50-vjetorin e organizimit të Festivalit Folklorik Kombëtar, i mbajtur në qershor të vitit 1966, në qytetin e Elbasanit. Historiku i krijimit të kalendarit të veprimtarive përmasore, sidomos ai i manifestimeve kulturore e artistike, ishte një fotokopje e modelit sovjetik. Kujtojmë këtu Festivalin e Moskës të vitit 1957, organizuar në kuadrin e 40-vjetorit të Revolucionit të Tetorit

Nga Esat Ruka*

Viti 2016 shënon 50-vjetorin e organizimit të Festivalit Folklorik Kombëtar, i mbajtur në qershor të vitit 1966, në qytetin e Elbasanit. Historiku i krijimit të kalendarit të veprimtarive përmasore, sidomos ai i manifestimeve kulturore e artistike, ishte një fotokopje e modelit sovjetik. Kujtojmë këtu Festivalin e Moskës të vitit 1957, organizuar në kuadrin e 40-vjetorit të Revolucionit të Tetorit. Ky në Elbasan u organizua në kuadrin e 25-vjetorit të Krijimit të Partisë Komuniste shqiptare. Kjo do të rezultonte në një histori të dhimbshme për krijimtarinë e ashtuquajtur “anonime”, e tejpolitizuar, ku i gjithë investimi krijues u karakterizua nga kritere të paracaktuara për amplifikimin e “arritjeve” të diktaturës dhe krijimin idhujve të rremë…

Qëllimi i këtij shkrimi lidhet jo thjesht me një distancë kohore që ngjall nostalgji dhe krenari, por me disa fakte, arritje e modele që u përvijuan me sukses, e që mendojmë se duhen vlerësuar e respektuar edhe në platformat e punëve të sotme, sigurisht të sjella në kontekstualitetin kohor.

Mati, me të veçantat e njohura historike e kulturore, padyshim do të ishte një segment i preferuar për institucionet shtetërore profesionale të sapoformuara. Në Mat, që gjatë LNÇL ishin dendësuar edhe përpjekjet e fashizmit për ta goditur më fort e më ashpër frymën e nacionalizmit, pasi ishte dëshmuar se ishte e fortë lidhja e kësaj Treve me Qeverinë e Mbretit Zog I. Fryma nacionaliste patriotike ruhej dhe fermentohej me mençuri, por edhe me taktikë, siç do të rezultojë në disa momente politike. Kujtojmë këtu Kuvendet e Mëdha, figurat e shquara kombëtare, kundërshtimin me votë të komunizmit nga fshati Derjan më 2 dhjetor 1945, e më pas në periudhën e kolektivizmit, ku organizata e partisë e fshatit Rremull vendosi unanimisht të mos pranohej në kooperativë etj., fakte të memorizuara edhe në krijimtarinë popullore. Ndoshta ishte shpejt për t’u zbatuar në terren politika shkatërruese klasore e diferencimeve lokale.

Folku në Moskë

Në veprimtaritë e viteve 1947-’57, Mati është përfaqësuar me dinjitet nga artistët në festivalet lokale të Prefekturës dhe në ato kombëtare në Tiranë. Ishin dhënë sinjalet artistike nga talente të spikatura instrumentistësh, valltarësh e rapsodësh. Përgatitja për Festivalin e Moskës në vitin 1957 e dha goditjen e parë të diferencimit politik me grupet e tjera. Iu privua pjesëmarrja me grupet përfaqësuese, kërcimtarit të talentuar nga Zenishti, Zyber Sala, si zogist. Muziktari Lit Haxhiu nga Kurdaria, instrumentist në cigonë, ndërroi jetë në skenë teksa shoqëronte vallet që përgatiteshin për në Moskë, por që asnjëherë nuk u përmend.

Me rrethet e Veriut e Verilindjes ka ndodhur një fenomen “interesant”. Në ato zona, ku mungonte përgatitja e kuadrove vendës, modelohet dërgimi i kuadrove e specialistëve me “njolla” në biografi. Ky fakt mendoj se kërkon pasqyrim të plotë e të drejtë nga mediet, që aspirojnë për realitete historike në trajtimin e kapaciteteve intelektuale të gjysmës së dytë të shekullit XX në Shqipëri. Por kjo “strategji” shpërfillëse e diferencuese do të sillte atë që nuk pritej nga politika e Tiranës. Muzikanti Skënder Frashëri (1901- 1964) në vitin 1959 u transferua nga Peshkopia në Burrel, ku punoi deri në vitin 1963. Nën drejtimin e tij u incizuan dhe transmetoheshin 32 këngë të këtij krijuesit, përveç valleve të shumta të Matit. Radio Tirana në vitin 1960 e më pas, do të hapte emisionin e mëngjesit edhe me këngë të Matit, krahas atyre të Shkodrës, Elbasanit e Korçës etj. Disa që mund t’i listojmë nga relacioni i këtij autori, janë: “Çfarë të donte shtati ty moj Fate”?, “Kur dole në lëmë”, “Të kërkova lis më lis”, “Cucë e bukur moj matjane, “Skuadërkomandan-tes”, “Më ka zanë maraku me një cucë matjane”, “Do të marr mori bardhoshe” të interpretuara bukur nga zëra të rrallë matjanë si Feride Kurti, Vera Kurti, Selvije Lena etj., por edhe të tjera të krijuara nga ky autor e të kënduara nga Fitnete Rexha. Këngëtares Luçie Miloti do t’i pëlqente të këndonte edhe me çifteli lirikat e bukura të Matit, si atë “Ani moj Hasime”. Kështu po rritej fryma e entuziazmit artistik dhe po krijohej opinioni për respektimin dhe vlerësimin e artistëve të tjerë njëlloj me ata të Qendrës. Munir Shehu (1910-1990) në vitin 1964 i larguar nga Peshkopia zëvendëson në Burrel pararendësin Frashëri. Të dy ish-të burgosur politikë (nga familje të nderuara shqiptare dhe antikomuniste) secili në stilin e tij, me pasion, përkushtim e profesionalizëm e ngritën Burrelin në nivelin kombëtar të vlerave të spikatura të artit popullor.

Këto shkëndija artistike zgjuan interesin e specialistëve të Institutit të Folklorit të Tiranës dhe Mati do të futej në hartën e ekspeditave folklorike. Këto ekspedita që në 1957 do të shkelnin edhe në disa vatra të Matit. Muzikologu, prof. Ramadan Sokoli do të shprehej se “Mati është bunari i folklorit”. Gjurmimet nga specialistë të zhanreve të trashëgimisë kulturore përbënin një kusht të rëndësishëm për të ushqyer shëndetshëm artistikisht dhe origjinalisht ansamblet, por edhe për të krijuar e ruajtur fizionominë e një identiteti të vërtetë me gjuhë, kulturë, psikologji e shije estetike. Kështu, Munir Shehu menjëherë pas organizimit të një festivali në shkallë rrethi në vitin 1964 në Burrel me nxënësit e shkollave 7-vjeçare, piketoi vatrat më të ndezura folklorike. Që në ekspeditën e parë në fshatrat e zonës së Prellit u freskua në “bunarin e folklorit” dhe iu ngazëllyen në gjoksin e tij të drobitur fizikisht, por ishin të gjalla e të ndezura shpirtërisht, idetë e tij për krijimin e nxjerrjen në dritë të magjisë së tingujve e vargjeve poetike.

Në Urakë e Bruç, nën shoqërimin e përgjegjësit të kulturës, mësuesit pasionant Rifat Vani, kishte takuar edhe lauritarin Metë Neziri dhe instrumentistin e talentuar në çifteli Kurt Këputën. Gjatë bisedës më to kishte mësuar se LAURIA (laura) është një instrument specifik kordofon me hark, e cila gjendet në të gjitha fshatrat e zonës. Me atë rast, prof. Muniri regjistron edhe disa bulëza, fragmente apo fraza të plota muzikore, të cilat do të ishin baza melodike e këngëve hite të festivalit të ardhëm.

Kur ansambli jepte shfaqje në ferma bujqësore

Sipas dëshmive të muzikologut elbasanas, Mit’hat Stringa, ai festival folklorik u konceptua dhe realizua sipas një projekt-platforme shkencore e organizative nga institucionet shkencore të albanologjisë shqiptare. Megjithëse nuk u realizua pjesëmarrja e gjithë hartës kombëtare të zonave etnokulturore, konturoi një disiplinë profesionale e shkencore, duke dhënë disa modele artistike e kuota organizative që do të mbeteshin si kritere për festivalet e ardhshme”.

Në konkurrim u paraqitën 10 materiale. Nga 32 anëtarët e ansamblit ishte vështirë të ndaje këngëtarët nga valltarët, instrumentistët nga rapsodët. Në program kishte një ngjeshje motivesh, larmi zërash e alternim linjash e gjinish artistike, një përbërje amatorësh gjinishë e moshash të studiuara me kujdesin e një mjeshtërie me përvojë. Në 30 minutat e garës në skenën e teatrit SKAMPA nuk pipëtinte asnjë spektator deri në shpërthimin, kur këngëtarja Feride Kurti ngriti në këmbë sallën. Me këmbëngulje, ansambli i Matit do të kërkohej të jepte shfaqje në të gjitha lagjet dhe fermat bujqësore të Elbasanit e Cërrikut. Pritej me aq entuziazëm, veçanërisht këngëtarja Feride Kurti, sa gjatë koncerteve është bërë 112 herë biss. Po kë të veçoje? Instrumentisti Ibrahim Minxhozi me çiftelinë e tij tretelëshe kishte një stil krejt të veçantë në të rënët e tij. Fyelltari i talentuar e potent Imer Neli ishte spala e orkestrinës. Rapsodia “Rremulli ynë po ban dritë” këndohej nga dy zëra të rinj të mrekullueshëm, nën shoqërimin e laurisë elegante të Sali Kurtit. Rapsodët Nezir Neli e Dodë Radaçi me gjithë kontrastet, kishin të përbashkët krijimin e vargjeve të çastit. Orkestrina me instrumente popullore ishte befasia e bashkëtingëllimit në mënyrë të përputhur e të harmonishme me solisten. Juria profesionale do ta rekomandonte në shkallë vendi si një shembull për pjesëmarrjen e instrumenteve, mënyrën e saj të organizimit dhe tingëllimit. Vallet e Gërmanit, Macukullit e Martaneshit kishin të gërshetuar lirizmin e delikatesën me gjallërinë dhe ekspresivitetin. Ndërsa ato të burrave nga Kurdari-Gurra që fillonin me një ritëm të ngadalësuar (adaxhio) rritej dinamika e ritmit dhe lëvizjeve virtuoze të Sali Kërçovës e kolegut të tij, të shoqëruara aq bukur nga orkestrina e tyre me cigonë e lodër, të instruktuara profesionalisht nga koreografi Adriatik Metuli. Për herë të parë, në atë festival u kënduan dhe u pritën me entuziazëm e ovacione si asnjëherë tjetër, dy këngët e kënduara nga këngëtarja e famshme Feride Kurti, të krijuara me tekst e muzikë mbi motive matjane nga muzikanti Munir Shehu. Këngët titulloheshin “Laçi, Bruçi dhe Uraka”, dhe “Liqenit të Ulzës”, të cilat kujtohen e kërkohen edhe sot. Vlerësimi i bërë nga Juria e festivalit kombëtar me çmim të dytë dhe sidomos jehona e madhe që bënë këngët e lartpërmendura, do të ishin një sukses i madh për ansamblin tonë. Ato do të hidhnin edhe modelin e parë të funksionimit të formacioneve orkestrale popullore, në shoqërimin e këngëve lirike, të cilat, sidomos Veriu dhe Verilindja e Shqipërisë, kishin vlerat më të bukura të krijimtarisë shpirtërore. Në festivalet e tjera folklorike kombëtare të mbajtura në Lezhë më 1967 e pastaj në Gjirokastër në vitin 1968 e pas, Mati do të shkonte gjithnjë në rritje. Për herë të parë, në një festival kombëtar folklorik do të shfaqej në skenë një instrument kodofon me hark, që quhej LAURI në shoqërimin e rapsodive. Lauria (laura) me tre tela dhe harkun e kthyer, instrument ky shumë i vjetër, do të niste rrugëtimin e saj të pandalshëm me pjesëmarrjen e saj në formacionet orkestrale, si dhe në shoqërimin e valleve e këngëve me ansamblin e Matit, por edhe në ato të Mirditës e Dibrës. Tashmë rrugëtimi 50-vjeçar i këtij ansambli ka ngjitur shkallë vlerësuese e është memorizuar krenarisht në kujtesën e artdashësve, duke krijuar autoritet e origjinalitet dinjitoz. Gjeneratat bartëse dhe krijuese matjane në lëvrimin e vlerave të trashëgimisë artistike kanë lënë emrin e tyre të respektuar duke i dhënë skenës shqiptare vlera të çmueshme estetike.

*Ish-drejtor i Qendrës Kombëtare të Veprimtarive Folklorike, këngëtar i ansamblit folklorik të Matit, prej vitit 1966

Kërcimtari që ndërroi jetë në skenë…u mohua!

Përgatitja për Festivalin e Moskës, në vitin 1957, e dha goditjen e parë të diferencimit politik me grupet e tjera. Iu privua pjesëmarrja me grupet përfaqësuese, kërcimtarit të talentuar nga Zenishti, Zyber Sala, si zogist. Muziktari Lit Haxhiu nga Kurdaria, instrumentist në cigonë, ndërroi jetë në skenë, teksa shoqëronte vallet që përgatiteshin për në Moskë, por që asnjëherë nuk u përmend.

loading...
Shkruar Nga
More from revista mapo

Beteja e rrallë: Shqiponja ndeshet me një lejlek…

Këto foto tregojnë momentin kur një shqiponjë ndeshet me një lejlek për...
Read More