Moglica kolosale


Nga Edison Ypi – 
Llogje, dallavere, selfie, humor i pështirë, akademikë trutharë që kërkojnë fonde, kërkues shkencorë që bëjnë postime të kërrupta në fejsbuk, libra të palexueshëm nga mbijetuesa banalë grafomanë mediokër, rrena dhe vetëm rrena gjithandej.

A ka këtu ndonjë vend ku bëhet një punë për së mbari, ku e hidhura nuk paraqitet e ëmbël, e shëmtuara e bukur, e helmëta e kripur? Ku ndodhet një zgëq ku produkti i veprimtarisë njerëzore të mos jetë i rrejshëm, por i vërtetë, i prekshëm, me identitetin e vet, pamjen, tingullin, aromën, dobinë, vlerën e vet?

Ta kërkojmë atë skutë. Jo këtu rrotull ku ia marrin këngës, mbajnë ison, hedhin vallen, dhe hajvanllëku ta zë frymën si gjarpër rrotull qafës. Larg. Për shembull, ku po ndërtohet një hidrocentral.

Kishte mbledhje sekrete, vendime sekrete, urdhra sekretë, uzina sekrete, e plot e plot të tjera tmerre sekrete. Gramsh – Moglicë e rrugës që del në Maliq, ka qenë hiç më pak se “rrugë sekrete”, të cilën veç banorëve lokalë, të pakët ishin ata që e dinin se ekzistonte. Ku lugina ngushtohet dhe nis Kanioni i Devollit, ca tunele në shkëmb ku janë ruajtur armatime, dhe poshtë në luginë ca cisterna karburanti bashkë me ca depo drithi me anë të të cilave kurvi garantonte fukarallëkun, ishin shkaku i sekretllëkut të kësaj rruge.

Kjo rrugë ishte aq e ngushtë dhe me gropa aq të thella sa kalohej vetëm me fuoristradë. Tani që kompania norvegjeze që ndërton hidrocentralin e Moglicës e ka zgjeruar dhe asfaltuar, ajo rrugë kalohet me çdo lloj mjeti.

Pak kilometra më tutje Kodovjatit, lugina thellohet, Devolli ndrydhet mes maleve. Përrenj mahnitës ushqejnë lumin duke rënë vertikalisht nga malet si nga qielli.

Tunel gjigant që sjell ujin nga diga e Moglicës. Hyjnë e dalin kamiona ciklopikë. Një punëtor thotë se në brendësi të atij tuneli ku është gdhendur në shkëmb një zgjerim sa një ndërtesë katërkatëshe ka nisur montimi i turbinave. Kureshtje e papërmbajtur për të hyrë në tunel. Por roja të thotë se për të hyrë në tunel duhet leje. Jo nga Ministria e Brendshme e kurvit që ruante sekretet e fukarallëkut. Aty nuk ka asnjë sekret. Leja jepet nga një komision që të instrukton për t’u ruajtur nga rreziqet. Lutju sa të duash rojës të lejojë të futesh në tunel pa marrë lejen. Nuk tundet roja t’ia mbash në lule të ballit. I dorëzohesh fatit. Ikën drejt Moglicës. Ngushtica, kthesa, pasqyra, paralajmërime për rreziqe në disa gjuhë. Lumi, kanioni, shkëmbinjtë e thepisur, ankth i bukur si te filmi “Deliverance”.

Ja Kampi i hidrocentralit. I rrethuar, i rregullt, i pastër, me roja, me të tëra. Fjetoret e hidrocentraleve të kurvit ishin baraka plot zhul ku të çante morri, krevata të shpartalluar, batanije të pista, çimka. Fjetoret e këtushme janë si të vizatuara me kompjuter. Ta shohësh nga brenda një nga dhomat e fjetoreve mund të ndali zemra. Krevat, kondicioner, kompjuter, internet, më të pastra dhe më të kompletuara se dhomat e Hotel Dajtit. Sheshi i kantierit është plot me fuoristrada të personelit dhe punëtorëve. Shërbim mjekësor. Ambulancë në gatishmëri. Është vakt dreke. Këtu nuk ka mensë punëtorësh me supë të qelbët, groshë që i numërohen kokrrat, bukë të zezë me spango, miza, minj brenda. Ka restorant ku punëtorë, inxhinierë, nëpunësa, hanë ushqime të shëndetshme, të freskëta.

Shefi i sigurimit teknik, është anglez. Ta provoj t’ia marr anglezit lejen me u fut në tunel duke ia prish mendjen me ca llomotitje shqiptareske, jopo kam ardhur nga larg, jopo e dua vendin tim, të lutem ma jep lejen. E pamundur. I ardhuri nga an’ e anës për të ruajtur jetën time, me ia rrjep lëkurën nuk ta jep lejen me u fut në tunel pa bërë instruktimin përkatës.

U pa puna. Në tunel një herë tjetër.

Tani një inxhinier i ri shqiptar më shoqëron te diga.

Ka mbaruar dhe është në funksionim tuneli i devijimit. Është në të mbaruar tuneli 11 kilometra i dërgimit të ujit te turbinat. Kanë përfunduar shpatullat dhe ka nisur mbushja e digës. Prej lartësisë marramendëse duken përmasat kolosale të hidrocentralit që parashikohet të përfundojë pas nja një viti e gjysmë. Aq fantastike është pamja, aq mrekulluese tingëllojnë shpjegimet e inxhinierit, sa e harron pikëllimin që të shkaktoi pamundësia për të hyrë në tunel. Duket sikur nuk mjafton jeta për ta këqyrur si duhet këtë kryevepër inxhinierike.

Financuesi norvegjez ka nënkontraktuar kompanitë më serioze dhe më prestigjioze të botës. Përvojat botërore nga Piramidat e Egjipti, Kanali i Panamasë, Kanali i Suezit, e deri te digat më moderne që ndërtohen sot në botë, bashkë me teknologjitë më të fundit hidrike, mekanike, elektrike, elektronike, zbatohen këtu në Moglicën kolosale. S’ka gjë më qesharake se ta krahasosh këtë mrekulli me, për shembull, hidrocentralin e Fierzës. Nuk ka këtu minatorë që i zë dheu apo i asfikson tuneli. As nga ata që u bëhet koka përshesh sepse u plas në gojë kapsolla që e shtypnin me dhëmbë ngaqë mungonte një pincë që kushton 1 dollar.

Kishte mizëri mjeranësh që ndihmoheshin nga ca makina. Tani ka mizëri makinash që drejtohen nga pak njerëz.

Nuk ka këtu zotime, suksese, mbledhje, duartrokitje. Nuk ka montatorë heroikë zhulsa që kacavjerren nëpër kulla metalike. As filma me termoçifta të sabotuar, ideuar nga Simon Stefani, regjia Hekuran Isai, skenari Fahri Balliu. Këtu ka vetëm punë dhe pare, asgjë tjetër.

Duhet me ik prej këtu se mund të çmendesh nga këto mrekullira.

Tre çuna të vegjël anës rrugës. Kanë prerë dru për dimër përtej lumit. I kanë stivosur drutë anës rrugës, dhe po presin mushkën për t’i shpënë në shtëpi. Flasin një dialekt jugor aq të butë e të rrjedhshëm sikur ua ka mësuar Naim Frashëri. Arsyeja është e thjeshtë. Nuk kanë qenë kurrë në Tiranë.

Pas pak rrugën e vjetër do ta mbysë liqeni. Po ndërtohet rrugë e re në lartësi që do kalojë nga Strelca dhe do mundësojë eksplorimin turistik të Valamarës dhe vendeve të tjera.

Vetëm makina lokale të banorëve ose të hidrocentralit. Asnjë bythpambuk metropoli për turizëm, për qejf.

Fasulet në Lozhan nuk kanë të paguar.

Në mes të kurrkundit, më përshëndet me emër e mbiemër një police femër. Të udhëtoke me vite nëpër kanione dhe moglica, t’u popullarizoka surrati.

Pse bërtet, më thotë polici rrugor në Maliq, ke pirë raki? Nuk kam pirë raki mor burr, i them policit, ujë Lozhani piva. Bërtas se ashtu e kam temperamentin dhe më rrëqethi Moglica kolosale ku asgjë nuk ishte rrenacake.

Mirë, tha polici, dehu me pamje Moglice dhe ujë Lozhani, por mos bërtit se do gjesh belanë.

Faleminderit zoti polic. Po iki ta gjej belanë nga Moglica kolosale te Tirana lilipute.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Kryemadhi në Uashington, takon kongresmenin Engel

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi është takuar me kongresmenin Elliot Engel në...
Read More