Morali dhe interesi publik e do që ministrat teknikë të dorëhiqen

Nga Ervis Iljazaj

Përtej disa incidenteve episodike, por që nuk cenuan absolutisht mbarëvajtjen e procesit zgjedhor dhe rezultatin e qartë të tyre, këto mund të konsiderohen zgjedhjet më të mira që janë zhvilluar ndonjëherë në Shqipëri. Kjo ishte një arritje edhe e klimës së shtensionuar politike që u krijua mbas marrëveshjes Rama-Basha. Një marrëveshje që u anatemua shumë por, që pati rezultat pozitiv në këtë drejtim të padiskutueshëm.

Me këtë synim, që të evitohej përdorimi i disa sektorëve të administratës publike gjatë fushatës zgjedhore që kanë ndikuar historikisht në orientimin e votës, u emëruan disa ministra të propozuar nga Partia Demokratike. Ministra “teknikë” apo çfarëdo emri tjetër që mund të kenë e kryen këtë mision të rëndësishëm me suksese dhe për këtë duhen përgëzuar.

Tashmë që zgjedhjet mbaruan dhe rezultati nxori një fitues të qartë dhe bindës, a ka kuptim që këta ministra të vazhdojnë të jenë ende në detyrë?

Ka dy arsyetime që mund të bëhen në këtë rast. Një arsyetim kushtetues dhe një politik. Për sa i përket të parit, me siguri që është një debat i cili mund të pranojë qëndrime të ndryshme. Në këtë situatë ku ndodhet vendi sot, me një Parlament të shpërndarë dhe me postin e Presidentit të Republikës që ndodhet në fazën e tranzicionit, arsyetimi bëhet edhe më i vështirë. Në këto kushte Kryeministri ndodhet në një situatë të pazakontë që vështirëson veprimet e tij për të marrë një vendim për fatin e ministrave teknike nëse do të vazhdojnë të jenë në detyrë apo jo deri sa të formohet qeveria e re.

Përtej debatit ligjor dhe kushtetues ka një arsyetim i cili është më i drejtë në disa raste edhe se vetë ligjshmëria e një veprimi politik. Është arsyeja morale dhe politike për fatin e tyre në ato poste.

Ministrat teknikë u morën në atë post pas një marrëveshje gentilmenësh me një objektiv të qartë, atë të garantimit të mbarëvajtjes të procesit zgjedhor dhe depolitizimit të shtetit gjatë tij. Tashmë që misioni i tyre u krye, më së paku nuk ka asnjë motiv politikë apo moral vazhdimësia e tyre në atë post.

Një marrëveshje e tillë mund të ketë forcë ligjore, por në të njëjtën kohë mund të prishet në çdo kohë. Kështu që vazhdimësia e tyre në postin e ministrit ka ngelur si një çështje, e cila duhet zgjidhur në një mënyrë apo në një tjetër, pasi nuk ka asnjë logjikë politike që të vazhdojë në këtë situatë ku jemi.

Përtej moralitetit politik ka dhe një arsye se përse detyra e tyre nuk ka asnjë kuptim të vazhdojë. Është arsyeja e interesit publik. Duke e ditur që ata vijnë nga një forcë politike që nuk i përket Kryeministrit do të krijojnë konflikte politike apo konflikte procedurale, të cilat do të dëmtojnë menaxhimin e administratës publike për këta muaj deri në formimin e qeverisë të re. Një konflikt i panevojshëm midis Kryeministrit, i cili është përgjegjës dhe titulluar i pushtetit ekzekutiv që do të jetë në dëm të qytetarëve. Edhe pse kur Parlamenti është i shpërndarë, qeveria ka funksione të reduktuara, ato pak funksione edhe në këtë periudhë janë përgjegjësi e Kryeministrit. A mund ta ngarkojmë me një përgjegjësi të tillë një Kryeministër, i cili nuk koordinon dot të gjithë pushtetin ekzekutiv të tij? Sigurisht që jo! Andaj akti më i mirë i ministrave teknikë për të çuar deri në fund dinjitetin e tyre që e treguan edhe gjatë fushatës zgjedhore është dorëheqja, duke mos pritur momentin që t’i shkarkojnë.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Revista ‘Polis’ UET: Shkenca shqiptare me standarde ndërkombëtare

Me një bord këshillimor ndërkombëtar, me standarde të larta cilësie në përzgjedhjen...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.