“Mos më shih në fytyrë… Do të vras po ma përmende emrin”

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka mbyllur hetimet për vrasjen e ish-drejtorit të Policisë së Vlorës Artan Cuku, duke çuar në gjyq të dyshuarin si ekzekutor dhe dy persona të tjerë në mungesë.

Kërkesa për gjykim ndaj Mikel Shallarit, Bledar Jambellit e Kristaq Lecit, është dorëzuar në Gjykatë rreth dy javë më parë. Ndërsa mësohet se çështja do të shqyrtohet nga gjyqtarja Miliana Muça. Burime nga organi i akuzës thanë se Mikel Shallari, personi i vetëm që është arrestuar deri tani për vrasjen, ka përfituar statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë.

Nisur nga këto rrethana, ai i shpëton burgimit të përjetshëm. Ndërsa dy personat e tjerë, Bledar Jambelli, në rolin e porositësit dhe kushëriri i Shallarit, Kristaq Leci në rolin e ndërmjetësit, të cilët janë të shpallur në kërkim ndërkombëtar, do të gjykohen në mungesë. Për tre të dyshuarit, më datë 12 qershor 2017, Gjykata e Krimeve të Rënda ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për veprën penale “Vrasje e punonjësit të Policisë së Shtetit”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 79/b të Kodit Penal.

DESHMIA E SHALLARIT

Mikel Shallari, personi që u arrestua vitin e kaluar si i dyshuar për vrasjen e Artan Cukut, gjatë deklarimeve që ka dhënë para hetuesve ka treguar detajet e planit për kryerjen e vrasjes. Ai ka treguar se porositësin për vrasjen e Artan Cukut e kishte takuar përmes kushëririt të tij, i cili kishte thënë se po kërkonin dikë që nuk kishte probleme me ligjin dhe që të mos gjendej lehtë.

Për takimin me porositësin, Shallari ka rrëfyer se pasi ishin ulur në një lokal, ai e kishte urdhëruar mos ta shikonte në fytyrë. “Do të vras po ma përmende emrin. Mbaroje këtë punë”, i kishte dhënë urdhër porositësi.

Në vijim të planit, sipas Mikel Shallarit, atij i ishin dhënë 3500 euro parapagim dhe shuma prej 15 mijë eurosh kur të mbaronte porosinë. Në rrëfimin e tij, Shallari kujton se i ishin dhënë dy pistoleta dhe një makinë.

POROSITESI

Sipas grupit hetimor, në vrasjen e ish-drejtorit të Policisë së Vlorës, Artan Cuku, janë përfshirë 3 persona. Personi që kreu ekzekutimin e Cukut mbrëmjen e 8 prillit 2017 është Mikel Shallari, i cili ndodhet në paraburgim. Ndërsa Policia ka shpallur në kërkim dy persona të tjerë.

Njëri në rolin e porositësit dhe tjetri në rolin e ndërmjetësit e bashkëpunëtorit. Ky i fundit është kushëriri i Mikel Shallarit, ndërsa porositësi është 38-vjeçari nga Bledar Jambelli. Sipas të dhënave të Policisë, të dy këta persona ndodhen jashtë Shqipërisë. Për arrestimin e Bledar Jambellit janë kryer disa verifikime në Gjermani, por nga të dhënat e siguruara në rrugë operative është mësuar se ai lëviz herë pas here mes Gjermanisë dhe Spanjës.

PANORAMA

Shkruar Nga
More from Redaksia

Arrestohet për shpërdorim detyre nënprefekti i Tiranës

Prokuroria e Kavajës ka urdhëruar arrestimin e disa zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve lokalë...
Read More