Mosbindja civile, sidomos kur bëhet për rritjen e taksave, i bën mirë demokracisë shqiptare

Nga Ervis Iljazaj

Nuk është e qartë nëse mosbindja civile e thirrur nga opozita do të realizohet ose jo, apo do të marrë forma totalisht të kundërta nga ajo që konsiderohet në filozofinë politike mosbindje civile, por e rëndësishme është që më në fund, në çështjen e betejës politike në Shqipëri, flitet për taksat, të cilat janë instrumenti më i rëndësishëm që tregon raportin midis shoqërisë dhe pushtetit.

Deri tani betejat politike janë zhvilluar me thashetheme, me akuza dhe kundërakuza të ndërsjella apo me ligjëratën e vjetër të politikës shqiptare komuniste dhe antikomuniste. Asgjë nga këto nuk është në të vërtetë një betejë politike dhe në interes të qytetarëve.

Vendosja, herë pas here, në qendër të vëmendjes së opinionit publik, dhe rishikimi i këtij raporti, përtej momentit të votës, nuk dëmton aspak demokracinë shqiptare, përkundrazi vetëm sa e shëndosh atë.

Një raport, i cili në realitetin shqiptar është totalisht i deformuar, gjithmonë në favor të atyre që kanë pushtetin. Arroganca e politikës shqiptare për vite me radhë në kurriz të qytetarëve është mirë që ndonjëherë, edhe të tronditet, apo që legjitimiteti i një pushteti të vihet në diskutim nëpërmjet moszbatimit të ligjeve të shtetit, në këtë rast të rritjes së taksave.

Ishte pikërisht protesta për pagesën në “rrugën e kombit”, e cila nxiti revoltën e qytetarëve të Kukësit duke vënë në dyshim raportin midis pushtetit dhe një grupi shoqëror të caktuar. Me zë të lartë, qytetarët kuksian, shprehen se nuk kanë për ta paguar atë taksë. Mospagesa e një detyrimi që parashikohet në një ligj, është as më pak dhe as më shumë mosbindje civile. Se sa do të zgjerohet ky aksion, dhe sa do të dëgjohet thirrja e opozitës mbetet për t’u parë.

Por gjithkush që ka ndërmend ta bëjë një akt të tillë, duhet të besojë fort te kauza e tij, dhe të marrë parasysh të gjitha pasojat ligjore që sjell moszbatimi i ligjit.

Sepse, mosbindja civile, edhe pse është një strategji që zhvillohet kur mendohet që po bëhet një padrejtësi, nuk shpëton askënd nga përgjegjësia ligjore, sipas rastit edhe penale.

Apo, të justifikojë aktet e dhunshme. Mosbindja civile, bëhet në heshtje dhe nëpërmjet sjelljeve, si mund të jetë moszbatimi i një ligji të konsideruar i padrejtë. Vetëm në këtë mënyrë, ata që besojnë vërtet te kjo strategji mund të vazhdojnë të zhvillojnë betejën e tyre duke denoncuar publikisht arsyet e kësaj sjelljeje kundrejt shtetit ku bëjnë pjesë.

Prandaj, mosbindja civile, në këto momente të politikës shqiptare, mund të shërbejë për nxitjen e ndërgjegjes qytetare dhe të përmirësojë demokracinë shqiptare, vetëm nëse zhvillohet vërtet ashtu sikurse kjo mënyrë ka kuptimin e saj. Për shembull, mosbindja civile është akt që vjen nga vetë individët ose një grup shoqëror, dhe asnjëherë nga politika.

Megjithatë, përtej rastit konkret të protestave, tashmë të opozitës dhe jo të qytetarëve, mekanizma të tillë, nëse eksperimentohen në shoqërinë shqiptare, vetëm sa e pasurojnë dinamikën e saj.

Të vësh në dyshim zbatimin ose jo të një ligji në mënyrë publike dhe solemne, nuk është as herezi, dhe as e përdorur për herë të parë në Shqipëri. Përkundrazi, shoqëria shqiptare, ka nevojë, sa herë që është rasti i duhur të rivendosë në qendër të opinionit marrëdhëniet e tij me pushtetin. Nëse rasti konkret është i drejtë apo jo, kjo është në gjykim të gjithsecilit.

 

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

KLGJ dhe KLP kalon pa konsensus, përbërjen e caktojnë goglat 

Pas shqyrtimit dhe hedhjes në votim nga nënkomisioni, asnjë prej kandidaturave nuk...
Read More