Mrozhek në Tiranë: Një metaforë politike dhe një teatër pa zhurmë

djemte-e-teatritShfaqja në skenën e “Black box” në Akademinë e Arteve, javën që shkoi, ngriti mbi një skenë surreale një zgjedhje mjaft të mirë të një prej pjesëve të njohura të absurdit nga Mrozhek. Ky dramaturg konsiderohet mjaft i vështirë, me pjesë sfiduese, me hapësira interesante, duke kujtuar dhe potencialin politik që kërkohet. Në këtë angazhim u ngrit një teatër politik, pasioni dhe pa zhurmë, totalisht pa mbështetje financiare

Tre djem, veshur me sqimë janë bllokuar së bashku në një anije në det të hapur. Është një histori mbi egoizmin, dhe njerëzit pa emocione, të etur për pushtet që u shkrua nga mjeshtri i absurdit Slavomir Mrozhek. “Në det të hapur” është vepra e metaforës politike e sociale, që merr tre personazhe, një njeri të shëndetshëm, një të mesëm dhe një të dobët, të tre pa asnjë shpresë për shpëtim. Ndërsa pakësohet ushqimi ata kuptojnë se mënyra e vetme për të mbijetuar është që dikush duhet të hahet për të mirën më të madhe. Përmes skenarit të tensionuar shfaqja shqyrton arsyetimet dhe makinacionet që njerëzit prodhojnë për të marrë atë që duan. Kështu nisin fushatën, që i ngjan asaj të politikës në kohë zgjedhjesh.

Këtë vepër që nuk kërkon guxim, por si një sfidë për të krijuar koherencën politike në vend, e ka marrë regjisori Arbër Jakllari me vënien në skenë nga aktorët Drini Hasani, Danjiel Zhuki, Marsel Rupi, Donald Shehu. Me skenografi të realizuar nga Ened Kuka; një rotondë që krijon ciklin e fateve, jo të lehtë për ta realizuar, ka krijuar dinamikën e shfaqjes. Një punë e vështirë që nuk ka të bëjë me zhurmën. Kjo është një lojë e Mrozhek, si dhe në punët e tjera të tij, duke krijuar gjithnjë një metaforë sociale apo politike nën një komplot të egër, komike dhe surealiste.

Në det të hapur, metafora kryesore është shfrytëzimi i “njeriut të vogël” (të hollë) nga ata më të aftët për të kontrolluar (të shëndoshë) dhe përfitimit (mesatari) brenda një shoqërie komuniste. Regjisori Jakllari e ka përmbushur potencialin e kësaj shfaqjeje, ku krijohej tensioni i vërtetë, ajo e kërkuar për të bërë drejtësinë. Djemtë e çlironin hapësirën e kufizuar “brenda anijes” duke e kthyer lojën në një centrikë të brendshme, që i përgjigjet egozimit personal të lojës. Drejtimi i shfaqjes për nga centrifuga e tensionit ka krijuar energjinë e duhur të performancës. Djemtë arritën të të mbërthejnë në mendime, duke gjeneruar disa momente të mira komike, në ndjekje të ritmikës së lojës.

Shfaqja në skenën e “Black box”, në Akademinë e Arteve, javën që shkoi, ngriti mbi një skenë surreale një zgjedhje mjaft të mirë të një prej pjesëve të njohura të absurdit nga Mrozhek. Ky dramaturg konsiderohet mjaft i vështirë, me pjesë sfiduese, me hapësira interesante, duke kujtuar dhe potencialin politik që kërkohet. Në këtë angazhim Jakllari flet mbi koherencën, kontekstin e drejtpërdrejtë me realitetin shqiptar. “Ato çka ne shohim përditë në skenën politike shqiptare, patëm mundësinë t’i shihnim në një skenë teatri ku personazhet e shfaqjes teatrale përdorin si tekst – nëntekstet e politikanëve të vërtetë”.

Me këtë shfaqje Jakllari, jep përgjigje për çështje që shqetësojnë dhe kanë ndotur pothuaj gjithë atmosferën sociale e politike shqiptare: Si integrohet një partiak i ri dhe çfarë duhet të bëjë ai në fillim të karrierës së tij? Cili sistem do ishte i duhuri për shoqërinë moderne, Diktatura, Demokracia, apo ndonjë sistem tjetër? A lejohen koalicionet në sistemet qeverisëse? Në fakt këto janë dhe dilemat që ngre dramaturgu polak, që kulmin e krijimtarisë së tij e pati në vitet ’70 dhe ‘80, ku Mrozhek iu bashkua Partisë së punëtorëve të bashkuar të Polonisë gjatë sundimit të stalinizimit atje, dhe jetoi si gazetar politik. Përkimi me këtë autor për djemtë shqiptarë që zgjodhën Mrozhek lidhet edhe me sfidën personale për teatrin, si mbijetesë. Jakllari bashkë me aktorët tregojnë se e kanë pasur të vështirë të ngrinin këtë skenë, në kushte pothuaj absurde duke bërë teatër për pasion, për rezistencë. Një shfaqje që s’pati zhurmë në kryeqytet, por tregon një potencial të brendshëm, të pambështetur.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Diplomacia: 25 vjet “ngjarje shpirtërore” me Selinë e Shenjtë

Ambasada e Shqipërisë në Shtetin e Vatikanit, në përkujtim dhe në nderim...
Read More