Muharrem Fejzo: “Të pathënat dhe mania e persekutimit që i morën jetën Sandër Prosit”

 

Në intervistën e disa ditëve më parë për “Panorama”, regjisori Muharrem Fejzo, duke folur për Teatrin Kombëtar, vetëm sa e ceku marrëdhënien e tij të gjatë me aktorin Sandër Prosi. Sot do të flasim gjatë për kohën që janë takuar dhe, për fat të keq, ditën kur u ndanë. Filmi “Pranverë e hidhur” ishte duke u xhiruar, kur Sandër Prosi kërkoi leje të shkonte të pushonte në hotel “Vollga”, për mos t’u kthyer më asnjëherë.

Vetmia, ligështia fizike, pezmatimi… të gjitha këto Fejzo i kishte parë nga afër, ndër vite, megjithatë bënte ç’të mundte që bashkë me të t’i kapërcente. Nuk ia doli, as ai e as mjekët! Sepse Sandër Prosi, brenda heshtjes së tij, sikur i kishte vendosur të gjitha! Fejzo ndalet sot më gjatë në episodin e fundit të njohjes së tyre, atë që e bëri filmin “Pranverë e hidhur”, të hidhërohej njëherë e mirë.

Si jeni njohur me Sandër Prosin?
Kur kam qenë fare fëmijë dhe shisja arançata te Oborri i Teatrit Kombëtar. Vinte më përgëzonte, më inkurajonte, siç mund të bëj një i rritur me një fëmijë që ka dalë nga varfëria në rrugë, për të shitur.

Megjithatë, ju ishit i lidhur edhe me teatrin, nuk ishin vetëm arançatat…
Po, kisha nisur që të luaja teatër rruge dhe kjo bënte që ata të ishin të gjithë të adhuruarit e mi, në veçanti Sandri.

Pse veçoni atë?
Sepse pata një ndjesi shumë të mirë kur më drejtoi sytë e më shtrëngoi dorën për herë të parë. Nga ato emocionet që nuk shpjegohen, por të mbesin në zemër, dhe ashtu ndodhi vërtet me ne. Rrugët na u ndanë e na u bashkuan sa herë, përsëri e përsëri…

Në ç’mënyrë?
Pas këtyre njohjeve të para, do të takoheshim sërish kur punova pak kohë si grimier në teatër. Më pas akoma në Institutin e Arteve, kur jepja mësim e aty ishte sërish Sandri, njëkohësisht si mësuesi e kolegu im.

Pastaj erdhën filmat…
Po! Në këto rastet e fundit nuk ishte shumë e thjeshtë, sepse gjendja e tij jo e mirë mendore kishte filluar të bëhej problematike dhe nuk ishte e thjeshtë ta përfshije në një projekt.

Si ishte rasti i filmit “Pranverë e hidhur”, si u bë pjesë e këtij projekti?
Fundi i janarit do të na mblidhte për analizën vjetore dhe detyrat e 3-mujorit të parë të 1985-ës. Asistonin shoku Manush, Anastas Kondo dhe Sefedin Çela. Fjala e parë e Gjikës ishte: “Brenda muajit prill, të përfundojë filmi “Pranverë e hidhur”. Nga drejtoria për ndjekjen e problemeve caktohet shefi i degës së prodhimit, Viktor Hykollari. Në fund e mori fjalën Manush Myftiu. Ai i dha si gjithmonë orientimet e Partisë për ardhmërinë e krijimtarisë filmike… Shkrimi i vendeve, foto-provat dhe kino-provat u bënë shkel e shko. Këmbëngul për Vangjush Furxhiun. Lexoi skenarin, nuk pranoi. Timo Flloko është i zënë. Sandër Prosi… Lëndimthi kaloj fletët e bllokut kafe me duart që më dridhen, për të arritur tek ajo ngjarje e trishtë, që tronditi mbarë opinionin kombëtar. Drejtori sugjeron të merret Sandri. Pse: “Ai ka shkuar deri në Komitetin Qendror për t’u ankuar përse nuk i japin role. Ndaj dhe ne duhet ta aktivizojmë këtë aktor me vlera të padiskutueshme”. I nënvizoj problemin shëndetësor të tij. “Të garantoj unë,-përfundoi drejtori,-është në ditët e tij më të mira”.

Ju, pse kishit dyshime?
Sepse e dija gjendjen e tij jo fort të mirë që ishte e luhatshme, kohë pas kohe. Megjithatë, më thanë mos ki merak sepse ishte mirë. “Brenda vitit ë, mos harro…”. Ishte sinjali për ta mbaruar! Grupi u vendos te “Hotel Vollga” në Durrës, pranë portit detar, atje ku dhe ishin zhvilluar ngjarjet e 7 prillit të vitit 1939. Bisedat me Sandrin, vërejtjet dhe sugjerimet e tij për trajtimin e rolit, ishin normale. Pedagogu im në Akademi m’i njihte mirë xanxat e mia, si dhe unë të tijat. E lashë të lirë në krijimin e rolit të fotografit… Ditët e para të marsit po shkonin rrokopujë… Zënkat në grup për t’ia hedhur fajin njërit apo tjetrit, mangësitë dhe gjendja e përgjithshme e klimës politike tejet e tkurrur, varfëria që shihej anë e kënd e ndrydhnin Sandrin në një vetmi trishtuese. Këtë po, e vura re.

Ia vutë në dukje? Si sillej?
Jo, përveçse përpiqesha që të krijoja situata humoristike, nuk i thosha gjë. Megjithatë, vetmia, në sytë ë tij vetëm thellohej. Shihte detin e trazuar të prillit, retë, qiellin.

Fliste?
Jo, vetëm qiellit e detit i drejtohej. Sikur pëshpëriste me ta, por pa thënë gjë.

Si i kujtoni ditët e tij të fundit?
Zakonisht uleshim në një qoshe të errët të “Vollgës” për të pirë kafe. Megjithëse kishte studiuar për stomatologji në Austri, dhëmbët e tij ishin zverdhur… Trishtimi lundronte në mikrofizionominë e tij. Vetullat herë ngërtheheshin e herë çliroheshin nga një buzëqeshje çlodhëse. Shkundi me nervozizëm hirin e duhanit e pastaj me gishtin tregues e dërrmoi në taketuke, a thua se shkarkoi aty gjithë mllefin ndaj vetvetes; pazotësinë për të treguar ndaj asaj që mbante në atë trup të drobitur nga e “pathëna”. Kishte një fobi për çdo gjë: nga vështrimet e njerëzve, nga ajo që thoshte, nga ajo që dëgjonte, nga mendimet e tij që i vërtiteshin si një shtjellë e zjarrtë, që digjte gjithë kënaqësitë e të shprehurit lirshëm të ideve dhe shqetësimeve. Ndaj fliste ngadalë, shtruar, duke gërmuar çdo fjalë, çdo mendim.

Ç’ishin këto të pathëna?
E hamendësoja gjithë vëllimin e asaj që nuk e thoshte si një lëmsh i hidhur brenda trupit dhe trurit që gllabëronte çdo ditë troje të qenies së tij deri aty sa gëlltiste çdo mendim që mund ta dëmtonte politikisht…

Çfarë ndodhi ditën e fundit?
Më 23 mars ne përgatitëm shkollën “29 Nëntori”, sipër bibliotekës së qytetit. Xhiruam ç’ishte mundur të xhirohej… Mëngjesi i 24 marsit ishte i ftohtë dhe i lagshtë… Sandri ishte i veshur me një pardesy të bardhë, shalli i madh rreth qafës, syze, mustaqe të shkurtra dhe me atë kapelën me strehë të gjerë të krijonte përfytyrimin e Marubit… I thashë Gavroshit të xhirojë. Kur e pa figurën e Sandrit të përlarë nga era, ai buzëqeshi i kënaqur dhe shtoi: -Kamera!- Ka!… Sandri, ky aktor mahnitës, e nuhati që po xhirohej. Kishte një intuitë krijuese për ta pasur zili.

U afrua në plan amerikan (deri te gjunjët), vendosi dorën strehë mbi sy dhe vështroi qiellin e murrmë me retë që arratiseshin drejt veriut… “Stop!… Shkëlqyeshëm Sandër”, i thashë dhe i futa krahun, duke e shtrënguar në gjoks. Trupi iu drodh në çast, fytyra iu ngjeth dhe mori frymë ngadalë. Pasoi një kollë e thashë që ia përzhiti fytyrën. E lashë të qetësohet dhe i thashë Vangjelit, nëndrejtorit të grupit, të merrte një çaj. Ai më ndaloi me dorën në sup. “Kalon, kalon… nuk ka nevojë”. U nis të ikte nga sheshi i xhirimit. “Sandër,- i thashë i shqetësuar, por me takt,- duhet të bëjmë dhe një dubël, ti e di që mund të na e djegë laboratori dhe pastaj duhet të vijmë prapë për rixhirim”. Ai tundi kokën në shenjë mospranimi.

Shkuam për një çaj në hotel. U ulëm te vendi i preferuar për të. Duke surbur lëngun e nxehtë, për ta sjellë në humor i them: “Sandër i dashur. Profesori im i mirë. Do të të tregoj një anekdotë”… Ai filloi të përplasë këmbët për t’u ngrohur. “Në shtëpi fshati, mbi trarët e çatisë po luanin dy minj, një lëvizje e gabuar dhe të dy miushët ranë në një tundje dhallë.

O bobo, ç’na gjeti, do mbytemi, do mbytemi. Thoshte njeri, dhe tjetri: Rrihi këmbët fort, fort, sa të bëhet popël gjalpë dhe pastaj i hipim sipër dhe shpëtojmë… ashtu bënë dhe miushët shpëtuan”. Sandri po më dëgjonte me një buzëqeshje të ëmbël. E binda, thashë ndyshas. Ai u mbështet me një bërryl mbi gju dhe mbas një pauze të ndërprerë nga kolla më tha: “Po”. Unë buzëqesha hareshëm dhe ndala frymën për të dëgjuar përgjigjen. “Po.. Po ata kishin këmbë Remo… unë nuk kam! Nuk kam më fuqi”. Mbështeti fytyrën te pëllëmbët e tija dhe ndenji për një kohë, që mua m’u duk e pafund.

Si ndodhi pastaj tragjedia.. si e morët vesh?
Ishte një buzëmbrëmje marsi e po asaj dite, 24 mars… Bëra mizanskenën që do të kryente Sandri. Po e prisnim me drita ndezur për t’u ngrohur sadopak mjedisi. Orët po kalonin dhe aktori nuk po dukej gjëkundi… Dritat u ndezën, cëritën gjatë dhe pashë të dalë nga terri Josifi. Ishte i bardhë si mriz… “Merr ilaçet e zemrës”, foli ai me një zë të shpërfytyruar. U akullova krejt, nxora trinitrinën nga kutiza dhe e futa nën gjuhë pa e ditur pse! “Josif çfarë ka ndodhur, fol se po na luan mendsh”. Ai nuk foli. Mori rrugicën tatëpjetë duke u mbajtur mureve. Kishte marrë fund.. U kuptua… E ndoqa pas deri te “Gazi” që ishte ndezur. Të heshtur si dy mumie u zhytëm në errësirën e makinës… Mori kthesën te Torra dhe frenoi përpara hotel “Vollgës”. Një trumë e hallakatur bubronte e heshtur. Policia kishte rrethuar vendin.

Dritat e katit të parë ishin të ndezura. Nga dera e qelqtë rrotulluese hynin e dilnin njerëz me bluza të bardha. Në trumë dallova disa persona të sigurimit. Përpara se të zbres, Josifi më zuri për krahu dhe më shkundi fort. “Mblidhe veten, pi një grykë raki. Sandri… -zëri iu drodh e sytë iu skuqën,- Sandri, na la! Ka rënë nga kati i tretë i hotelit”. Më vetoi në tru një vegim i munguar prej kohësh! Gjithçka që shihja përreth ishte akulluar krejt, mos ishte ndonjë Shajni, vagulli a çka tjetër…, por jo. Vdekja e Sandrit? Jo. Një pezëm i pandierë kurrë më pushtoi të gjithin, me vështirësi çava korridorin e policëve që donin të më ndalonin. “Është regjisori i filmit”, foli në ecje Josifi, duke çarë përpara meje. Kisha ngrirë përpara derës së qelqtë dhe… Përpara syve më verboi çarçafi i bardhë me bllama gjaku të mpiksur.

Në ç’rezultat doli grupi mjeko-ligjor?
Nga grupi i mjekëve ligjorë u shkëput një grua e re. Erdhi drejt meje me pyetjen: “Ju jeni regjisori?”. Pohova me kokë ngaqë më kishte mbytur thaurima. “Aktori Sandër Prosi ka rënë nga kati i tretë, me pasojë vdekjen e menjëhershme. Shkaqet janë në shqyrtim e sipër. Mundet një marramendje ose një aksident pa paramendim”. Më tërhoqi mënjanë dhe më pëshpëriti dhimbshëm. “Nga vizita që i bëra trupit të kufomës, konstatova se mjerisht të gjitha organet e brendshme ishin të rrënuara krejt. Përfytyro guaskën bosh të një gjinkalle të mbetur në trung”. Po dëgjoja me kokën lëmsh pa kuptuar thuajse asgjë.

Nuk mund të ketë ngjarje më të rëndë se kaq, në cilëndo situatë…
Jo, dhe u bë akoma më e rëndë për ne sepse nga njëra anë ishte kjo që ndodhi, nga ana tjetër kishim çekanin te koka për realizimin e planit. Filmi duhej mbyllur dhe ashtu u bë. Rikard Ljarja me profesionalizëm e mori dhe e çoi deri në fund. Megjithatë, asgjë s’mund të na shkëpuste nga Sandri ynë, krenaria e skenës dhe ekranit që e vrau “E pathëna”. Sindroma e manisë së persekutimit, si rrjedhojë e trandjes psikike shkaktuar nga shtimi i trysnisë politike dhe e rrethanave ngulfateshe të kohës. Varfëria, frika dhe pasiguria e vazhdimit të jetës në shurdhërinë e ndjenjave dhe emocioneve, e çuan aktorin e madh në braktisjen e jetës. Ai nuk ishte rebeli që e shprehte zemërimin e tij në mënyrë spazmodike, i cili mund të përmblidhej mbas pak, as heretiku i qëndrueshëm në kundërshtimin e tij, i cili ka një vijë veprimi dhe një strategji të sjelljes që buron nga parimet…

Si u prit kjo ngjarje “Lart”?
Ngjarja që mori dhenë, sakaq kishte mbërritur deri në Î veshët e Nexhmie Hoxhës. Gjatë një shëtitje pranë liqenit, ajo i kish thënë të shoqit: “Enver. Do të të jap një lajm të keq, por ti mos u trondit. Aktori Sandër Prosi na la!”. Ai kishte kthyer kokën më një vështrim pyetës: “Si, qysh?”. Ajo i kishte futur krahun dhe i ishte përgjigjur: “Po. Gjatë xhirimit të një filmi në Durrës”. “Në cilin film?”. “Pranverë e hidhur”… Ai kishte ndalur duke gërvishtur dheun me bastunin e tij dhe më pas me vështrimin drejt askundit, kish thënë: “Kjo pranverë, me gjithë mend do të jetë e hidhur”… Mos mendoi vallë se humbja e Sandrit ishte paradigma e fundit e tij? Ditët e zisë duhet t’i shfrytëzonim për ripërpunimin e mëtejshëm të skenarit, por ishte e pamundur. Mendjet tona ishin tharë. Skenari na dukej një gjë koti.

Si ia dolët ta çoni deri në fund?
Autori i skenarit, Luan Rama…, tashmë ishte plagosur nga ajo humbje e madhe e Sandrit… lëndimthi duhet që të sheshoja zgjedhjen e asaj situate të ndërlikuar…. Me shumë përpjekje deri me lutje kishte kandisur aktorin e suksesshëm Rikard Ljarja të merrte përsipër misionin e rëndë të zëvendësimit. Kuraja e tij, dashuria dhe respekti për mjeshtrin e skenës dhe ekranit bëri që Riku, lëndimthi të ruajë zgjedhjen e figurave të atij personazhi që i kujtonte Marubin, fotografin e tij të dashur shkodran. Ishte shënim i fundit për filmin “Pranverë e hidhur”.

/Panorama

Shkruar Nga
More from Redaksia

Falimentojnë 18 mijë biznese, mesatarisht mbyllen 1200 biznese në muaj

Bizneset shqiptare po pushojnë me shpejtësi aktivitetin, në kontradikte me ecurinë ekonomike...
Read More