Mundësia e fundit për kompromis

Zv.ndihmës/sekretari amerikan i Shtetit, Hoyt Brian Yee, do zhvillojë takime me drejtuesit politikë në vend, me të cilët do diskutojë për zgjidhjen e krizës. Ai do të takojë dhe deputetët “rebelë” brenda PD. Nga Mali i Zi, Yee kritikoi bojkotin

Politika shqiptare do ketë sot ndoshta shansin e fundit për të arritur një marrëveshje për t’i dhënë zgjidhje ngërçit politik dhe zgjedhor që ka përfshirë vendin prej afro 3 muajsh.

Pas dështimit të përpjekjeve të eurodeputetëve David McAllister e Knut Fleckenstein, si dhe të kreut të të djathtëve europianë, Joseph Daul, për t’i afruar palët drejt një marrëveshjeje, sytë janë kthyer nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Këtij qëllimi pritet t’i shërbejë edhe vizita që do të zhvillojë sot në Tiranë zv.ndihmës/sekretari amerikan i Shtetit, Hoyt Brian Yee, i cili do të mbërrijë për një përpjekje të fundit për të gjetur një zgjidhje mes mazhorancës dhe opozitës për të shpëtuar zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Në prag të kësaj vizite, ku ai ka parashikuar të takojë aktorët kryesorë politikë në vend, zyrtari i lartë amerikan ka përcjellë dje nga Mali i Zi një mesazh të qartë për të gjitha vendet ballkanike, por që duket se i shkon për shtat edhe aktualitetit politik shqiptar.

Ai ka kritikuar sjelljet bojkotuese të institucioneve, duke theksuar se parlamenti duhet të jetë arena kryesore ku forcat politike duhet të ballafaqohen, duke lënë të kuptohet qartë se bojkoti është i papranueshëm.

Nga një forum për sigurinë në Budva të Malit të Zi, zyrtari amerikan Hoyt Brian Yee tha se çdo bojkot i parlamentit është një shmangie nga përgjegjësia që politikanët kanë ndaj zgjedhësve të tyre.

“Parlamentet duhet të përfaqësojnë dhe mbrojnë interesat e qytetarëve. Deputetët që bojkotojnë Parlamentin, shmangin përgjegjësinë e tyre dhe injorojnë këshillën e ish-presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Theodore Roosevelt, se është më mirë të jesh një lider i guximshëm në arenë se një kritik apo vëzhgues nga jashtë”, – tha Yee sipas një artikulli të botuar në portalin European Western Balkans.

Ndërkohë që para të pranishmëve, zyrtari amerikan kërkoi që qeveritë e Ballkanit të luftojnë korrupsionin, ndërsa iu bëri apel udhëheqësve që të gjejnë kurajë për të bërë reforma në interes të qytetarëve.

Pavarësisht se deklaratat e tij nuk iu drejtuan në mënyrë të posaçme Shqipërisë, por të gjitha vendeve të Ballkanit, një pjesë e të cilave janë vërtet në udhëkryqe politike, ato duket se vijnë edhe si mesazhe të drejtpërdrejta për klasën politike dhe në mënyrë të veçantë për opozitën në Shqipëri.

Kjo për vetë faktin se opozita në Shqipëri ka afro 3 muaj që ka braktisur parlamentin, ndërsa ka vendosur që të mos marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Natyrisht kjo deklaratë merr një rëndësi të madhe për vetë faktin se zv.ndihmës/sekretari amerikan i Shtetit, Hoyt Brian Yee, pritet të nisë sot një tur takimesh me drejtuesit më të lartë politikë në vend, vizitë kjo që është parë edhe si një mundësi për të afruar palët drejt një zgjidhjeje kompromisi që do të kthente opozitën në zgjedhje.

Ai do të takojë sot kryeministrin Edi Rama, kreun e opozitës Lulzim Basha, me të cilët pritet të diskutojë mbi situatën politike në vend dhe mundësitë që ekzistojnë që mazhoranca dhe opozita në vend të mund të shkojnë drejt një zgjidhjeje, për t’i dhënë fund krizës politike dhe institucionale, si dhe për të kthyer opozitën në zgjedhje.

Veç drejtuesve të mazhorancës dhe opozitës, Yee mësohet se do të takojë edhe eksponentë të caktuar të Partisë Demokratike, të cilët kanë kritikuar hapur mënyrën se si lidershipi demokrat ka menaxhuar situatën dhe në mënyrë të veçantë vendimin për të mos u përshirë në zgjedhjet e ardhshme politike.

Kështu, mediat dje raportuan se ai do të zhvillojë takime me deputetët Majlinda Bregu, Jozefina Topalli dhe Eduard Selami, të cilët nuk kanë nguruar që rezervat e tyre ndaj mënyrës se si drejton Basha PD-në t’i shprehin hapur.

Ndërkohë që Majlinda Bregu ka konfirmuar dje takimin që do të zhvillojë sot me Hoyt Brian Yee. Ish-ministrja e Integrimit e ka shprehur hapur si në mbledhjen e grupit parlamentar demokrat ashtu edhe në media qëndrimin e saj kundër mënyrës se si Basha po e mban opozitën jashtë zgjedhjeve.

Nuk pritet që zv.ndihmës/sekretari amerikan i Shtetit, Hoyt Brian Yee të negociojë vetë personalisht një takim tjetër mes drejtuesve politikë të mazhorancës dhe opozitës, por ai pritet të mbajë qëndrime të prera për ta bërë të qartë pozicionin që mbajnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës në rastin e krizës politike në Shqipëri.

Por nisur nga deklarata që ai bëri dje në Mal të Zi, nuk është e vështirë të kuptohet edhe qëndrimi që ai do të mbajë sot edhe gjatë takimeve në Tiranë.

Vizita e tij vjen në një moment kritik, kur palët kanë humbur besimin te një zgjidhje nga brenda, pasi nuk arritën në dy takime të njëpasnjëshme në zyrën e Presidentit të Republikës të gjenin një zgjidhje për situatën.

Ato vijojnë të qëndrojnë në pozicionet e mëparshme, ku opozita kërkon qeveri teknike dhe shtyrje të zgjedhjeve parlamentare, ndërsa mazhoranca ka ofruar vetëm një mekanizëm monitorimi të zgjedhjeve duke ofruar një post zëvendëskryeministri dhe 3 poste zëvendësministrash, të cilët duhet të vëzhgojnë nga afër mospërdorimin e administratës dhe aseteve shtetërore në zgjedhje.

Ndaj vizita e zyrtarit të lartë amerikanë shihet si një mundësi e fundit për kompromis në një situatë ku pavarësisht bojkotit të opozitës, mazhoranca ka vendosur të shkojë e vetme drejt zgjedhjeve të 18 qershorit.

Natyrisht në rast se këto përpjekje të zyrtarit amerikan do të rezultojnë të suksesshme, atëherë zgjidhja mund të sjellë dhe shtyrje të zgjedhjeve parlamentare.

Kjo pasi koha që ka mbetur në dispozicion deri në 18 qershor nuk siguron më mundësi që opozita të regjistrohej në zgjedhje dhe të niste fushatën elektorale.

Në këtë rast zgjedhjet më e pakta do të shtyheshin deri në fund të korrikut, megjithëse opozita ka këmbëngulur që ato të zhvillohen në vjeshtën e ardhshme me një qeveri teknike.

Shkruar Nga
More from revista mapo

PS humb një tjetër deputet, letra e Kostës me akuza për Ramën

Vladimir Kosta i ka nisë një letër Ramës, ku i bën të...
Read More