Mundësia e fundit!

Negociatat pritet të jenë të vështira, ndërsa dy kampeve politike sot do t’iu paraqitet një dokument me rreth 10 pika. Në fund të takimeve, dy eurodeputetët gjermanë, McAllister dhe Fleckenstein do të dalin me një qëndrim në konferencë për shtyp.

Nga Nevila Perndoj

Zëvendës/presidenti i Partive Popullore Europiane, David McAllister, vjen sot në Tiranë në një përpjekje të fundit të ndërkombëtarëve për të mundësuar zhbllokimin e krizës. Takimet e sotme të një negociatori të rëndësishëm në Parlamentin Europian nuk janë parë aq optimiste nga palët, të paktën deri dje në mbrëmje. Situata është e paqartë në të dyja kampet, ndërsa jo zyrtarisht është folur se McAllister i shoqëruar edhe nga eurodeputeti tjetër Knut Fleckenstein do të diskutojnë veçmas me Bashën, Metën dhe Ramën, mbi një dokument me rreth 10 pika.

Gjithçka pritet të zhvillohet brenda ditës, ndërsa është parashikuar edhe një konferencë për shtyp në orët e vona të mbrëmjes nga dy eurodeputetët gjermanë.

Negociatat pritet të jenë të vështira sepse palët deri më tash nuk kanë gjetur ende pika të përbashkëta. Si nga PD-ja ashtu edhe nga PS-ja burimet janë treguar të rezervuara pa mundur të thonë paraprakisht nëse vizita e McAllister sot do të jetë një sukses i papritur apo dështimi i radhës.

Ajo që dihej deri dje në mbrëmje është se kryetari i komitetit të jashtëm të Parlamentit europian David McAllister do të vijë me një draft të shkruar për të mos e zgjatur përpjekjen e tij në rast se palët nuk bien dakord. Vizita e tij është konfirmuar vetëm dje në mesditë pas protestës paqësore të opozitës. Në një situatë tjetër, McAllister me shumë gjasë do të anulonte vizitën. Megjithatë, kriza mbetet.

Pas bllokimit paqësor të trafikut në akset kryesore të vendit, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha deklaroi se opozita nuk heq dore nga kërkesa e saj bazë, krijimi i një qeverie teknike me qëllim zgjedhje të lira dhe të ndershme.

“…Jemi të bashkuar në këtë lëvizje kombëtare dhe europiane, të bashkuar në vendosmërinë tonë për të mos ia dorëzuar Shqipërinë, krimit dhe drogës, për të mos ia dorëzuar lirinë tonë, tiranisë së korrupsionit dhe të krimit në pushtet, por të përbashkuar, siç jemi bashkuar, qindra-mijëra shqiptarë, miliona shqiptarë nga jugu në veri, nga lindja në perëndim; për zgjedhje të lira dhe të ndershme, me një qeveri teknike, e cila do të largojë kriminelët nga institucionet, sipas ligjit të dekriminalizimit, që do të luftojë me të vërtetë drogën dhe paratë e drogës, që do të krijojë kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme, përfshirë votimin biometrik dhe numërimin elektronik të votës së çdo shqiptari e çdo shqiptareje dhe, menjëherë pas kësaj, votimin dhe zbatimin e vettingut dhe Reformës në Drejtësi, sipas përcaktimeve kushtetuese dhe marrëveshjes politike të 22 korrikut…”, -tha Basha pas protestës.

Por vetëm pak orë më vonë, kryeministri Rama ka deklaruar se zgjedhjet zhvillohen me ose pa PD-në.

“Ata bllokojnë rrugët, ndërkohë që ne duam të hapim njëherë e mirë rrugën e të ardhmes. Megjithatë, për ta mbyllur, ata le të bëjnë çfarë të duan, Partinë Socialiste të Shqipërisë nuk ka forcë që e ndalon. Ata le të bëjnë çfarë të duan, votuesit e parë të Vlorës dhe të gjithë Shqipërisë, nuk ka forcë që i ndalon. Ata le të bëjnë çfarë të duan, fuqinë e dashurisë tonë për Shqipërinë dhe betejën tonë për Shqipërinë që duam nuk ka forcë që e zmbraps. Kështu që, në 18 qershor, si me ata, si pa ata ne do votojmë. Në 18 qershor, si me ata, si pa ata ne do fitojmë!”, -tha Rama.

Në takimin me të rinjtë që votojnë për herë të pare, Rama tha se më 18 qershor shembet muri i padrejtësisë.

“Sot, ju jeni këtu të panumërt si asnjëherë tjetër. Por, sot, ju dhe ata që votojnë për herë të parë keni një detyrim shumë të madh. Detyrimin që në 18 qershor, jo vetëm të votoni, por të sillni që të votojë çdo të afërm, çdo shok a shoqe klase, çdo kushëri, çdo fqinj. Edhe ata që për një arsye apo një tjetër kanë besuar Partinë Demokratike, mos i lini vetëm, mos iu ktheni kurrizin, janë motrat dhe vëllezërit tanë. Merrini dhe garantojini që Partia Socialiste është shtëpia e përbashkët e të gjithë atyre që duan Shqipërinë shtet, që e duan Shqipërinë në punë, që duan ta ndërtojnë mirëqenien e tyre këtu në Shqipëri”, -tha Rama.

Basha në mbrëmje

Mbrëmë vonë, Basha foli sërish. Ai tha se pranon dialogun me palën kundërshtare, por vetëm për krijimin e një qeverie teknike dhe mandatin e saj.

“…Nuk na mungon aspak vullneti dhe vendosmëria për ta zgjidhur krizën e thellë politike përmes një dialogu me kundërshtarët tanë politikë. Dialog që ka vetëm një temë, qeverinë teknike dhe mandatin e kësaj qeverie për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Por edhe nëse ky vullnet mungon nga ana tjetër, sot kanë vetëm provën e parë, vetëm paralajmërimin e parë. Se, në këtë vend, zgjedhje pa opozitën nuk ka për të patur kurrë. Votime të diktuara nga krimi, droga dhe qeveria e kapur prej tyre nuk do të lejojmë. Kjo është kategorike dhe e pandryshueshme…”, -tha Basha.

Qëndrimet e dy drejtuesve të partive politike nuk lënë shumë vend për paqartësi se si do të shkojnë sot negociatat. Megjithatë, për secilën prej forcave kryesore politike në vend takimet e sotme mbeten një rebus  sa kohë që edhe negociatat deri mbrëmë vonë kanë qenë tepër të ngushta e ku palëve nuk iu është bërë e qartë një qëndrim konkret.

McAllister në Tiranë, Mustafaj: Çfarë pres nga kjo vizitë

Shkrimtari dhe diplomati Besnik Mustafaj ka komentuar me nota pesimiste vizitën e sotme të dy eurodeputetëve gjermanë, David McAllister dhe Knut Fleckenstein.

I ftuar në emisionin “Opinion” në “News 24”, Mustafaj tha se ata duhet të kenë një platformë të qartë në mënyrë që t’i vijnë në ndihmë zgjidhjes së krizës.

“Nëse vijnë me dosjen bosh, atëherë këto takime janë të pamjaftueshme”, -tha ai.

Mustafaj thotë se me shumë gjasa zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit nuk do të mbahen. Ai tha se zgjedhjet pa pjesëmarrjen e opozitës lënë të papërfaqësuar gjysmën e shqiptarëve dhe kjo, sipas tij, do të çojë pashmangshmërisht në zgjedhje të parakohshme.

“Ndonëse afati për regjistrimin e koalicioneve ka mbaruar, partitë kanë ende afat për t’u regjistruar. Unë besoj se edhe vetë mazhoranca e di që nuk do të bëhen zgjedhjet në 18 qershor. Ju thoni se ka edhe zëra brenda PD që deklarojnë se tashmë kjo forcë politike duhet të ishte në fushatë. Kjo është logjike. Do të ishte në fushatë nëse do të ishte zgjidhur kërkesa e saj kryesore. Kjo është një tezë hipotetike, jo e mbështetur mbi zhvillimet e muajve të fundit. Unë nuk dua të bëhem ‘gjykatësi’ nëse PD humb më shumë apo fiton më shumë, mendoj se nëse protesta mbyllet pa rezultat, PD është totalisht e shkërmoqur. Nëse bëhen zgjedhje pa opozitën, zgjedhjet e parakohshme janë të pashmangshme. Nuk mund të qeveriset Shqipëria nga një qeveri ku minimumi 40% e opinionit publik është e papërfaqësuar”, -tha ai.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Meta përgjigjet për pyetjet që s’kanë të sosur

Qëndroi larg procesit për reformën në drejtësi. Derisa një ditë u shfaq...
Read More