Musa Ramadani: Kafka, alias Jozef K., është edhe shqiptar

Instituti Europian “Pashko” i akordoi dje shkrimtarit Musa Ramadani çmimin “Kadare” 2017 në një ceremoni të organizuar në mjediset e UET, ku shkrimtari u përfshi në një forum letrar me pedagogë e studentë. Në intervistën ekskluzive për “Mapo”, Ramadani zbulon pse ka qenë e errët marrëdhënia Kosovë Shqipëri, si iu zhduk botimi në ’89, flet për procesin me Kafkën…

Intervistoi: Violeta Murati

-Në tre vite jetë, çmimi Kadare për 2017 është ndarë për ju, me motivacionin: “Musa Ramadani me “Profeti nga Praga” ka sjellë një roman të veçantë si për nga forma, ashtu dhe nga përmbajtja. Duke qenë i strukturuar në tregime të lidhura fort me njëra-tjetrën, “Profeti nga Praga” shpërfaqet si një mozaik rrëfimesh dhe kolazh teknikash narrative, një roman për letërsinë si tekst kënaqësie dhe akt përjetësie, ku krijuesi shpaloset si një libër i hapur ndaj konteksteve dhe konotimeve të ndryshme”. Cili ishte impresioni i parë, kur ju dhanë këtë lajm?

Ishte një kënaqësi, befasi e këndshme dhe përmbushje e një shprese nga atdheu amë.

– Duket sikur vini nga një “gjuhë” tjetër, i njohur pak në Shqipëri, i pabotuar këtu, si e mendoni lexuesin shqiptar?

Nëpër gazeta dhe revista si p.sh. “Drita” e “Nëntori” më kanë botuar shumë herë. Ndërkaq në mjaft panorama, zgjedhje nga krijuesit e Kosovës dhe antologji mbarëshqiptare në Shqipëri jam prezantuar me poezi, tregime dhe fragmente romanesh. I vetmi libër, romani voluminoz “Ligatina” (500 fq.) është shtypur te Sh.B. “Naim Frashëri”, është zhdukur në vitin 1989 ende pa dalë në librari. Dëshmitar janë shkrimtari i mirënjohur Besnik Mustafaj dhe kritiku teatror Bujar Skendo të cilët kanë shkruar recensione për shtëpinë botuese në fjalë. Këtë lajm ma pati konfirmuar kolegu dhe shkrimtari Eqrem Basha i cili e ka parë me sytë e vet tirazhin e faqosur pa kopertina në shtypshkronjën e “Naim Frashërit”.

-Si fitues dua t’ju them se votimi nuk ka qenë unanim, ka pasur mendime të ndryshme nga juria. Të ngacmon ndonjë mendim kjo situatë?

Më duket mjaft normale, interesante dhe simpatike. Kështu ndodh me të gjitha juritë në botën e kulturuar. Debati brenda jurive është i domosdoshëm.

– Si do ta prezantonit veten përpara shqiptarëve të Shqipërisë, lexuesve dhe atyre shkrimtarëve të shumtë që nuk ju njohin, që s’njohin veprën tuaj? E di që jeni vlerësuar me shumë çmime në Kosovë…

Librat e mi; 7 me poezi, 5 romane, 3 me tregime, dhe një dramë për Aleksandër Moisiun gjenden në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë. Për më tepër, në çdo panair të librit në Tiranë shtëpia botuese “Buzuku”, “Faik Konica” dhe “Dukagjini” i kane ekspozuar nëpër stendat e veta. Ky është prezantimi më i mirë për ata që e njohin, duan dhe e vlerësojnë letërsinë. Dashamirët e letërsisë, kolegët dhe studiuesit më kanë uruar në forma të ndryshme, megjithëse ndodhesha në Vjenë.

-Në gjithë këto ditë ka pasur një debat, menjëherë pas ndarjes së çmimit që lidhet sa me emrin tuaj aq dhe me faktin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Shqipërisë sa i takon letërsië, a është normale sipas jush sidomos pas ’90-ës, të flasim për dy letërsi shqipe, që njohin keq njëra tjetrën?

Kjo është një marrëzi “specialitet” i shqiptareve dhe absurd kulturor. Ka ekzistuar, ekziston, dhe do të vazhdojë ky proces si një letërsi e pandarë. Ndërsa njohja reciproke është mungesë vullneti, një xhelozi mes dy kryeqyteteve që pretendojnë të bëhen metropole, por herdokur kjo gjendje do të tejkalohet.

-Libri juaj lidhet edhe me një debat mbi kujtesën, për të cilën u mbajt një konferencë në Razëm, në ditët letrare, ku edhe u shpallët fitues. Diskutimi është si mund ta përdorë letërsia kujtesën, dhe deri ku mund ta çojë trillin, fictionin një shkrimtar në veprën e tij? Keni një mendim për këtë, lirinë e një shkrimtari si ta thotë “të vërtetën” e tij letrare?

Më vjen keq ta them, megjithatë te ne shqiptarët kudo që janë, procesi i harresës është më i fuqishëm se sa i kujtesës. Letërsia mund apo duhet të ketë një taban faktsioni, por fiksioni artistik është i domosdoshëm. Pikasoja thoshte: “Çdo pikturë e filloja nga diçka konkrete, pastaj veprën e formësonte imagjinata”.

Profeti nga Praga, i dedikohet Kafkës; sa përmbatje biogafike ka libri?

Personazhet, ambientet, vendbanimet e tij dhe klubi “Arco” janë të dhëna dokumentare në 20%. Pjesa dërrmuese e romanit ka të bëjë me idenë, invencën, imagjinatën dhe intuitën në kuptimin kreativ.

Si lindi kjo vepër dhe pse një autor, Kafkën, çfarë përfaqëson ai në këtë roman, përveçse shkrimtarin që njohim, që ka tronditur letërsinë?

Lindi nga dashuria e madhe për të. Është roman (post)modern. Kafka përfaqëson frikën e luftërave botërore, shtypjen e individit, eksodin e popujve të vegjël, dhe vizionaritetin e shekullit 21.

-Një titull pak provokativ, Kafka një hebre, dhe ju përdorni për të një “meritë” që e mbajnë muslimanët. Pse kjo paraqitje?

Profeti është universal, Mahdiu është shpëtimtari islam, Mesia është hebraik, ndërkaq Jezui është shpëtimtar i krishterë.

-Cila ka qenë “marrëdhënia” juaj me këtë autor, Kafkën…?

Që nga “Metamorfoza”, “Procesi” dhe “Kështjella”, ai është bërë sivëllai im letrar. Njësoj sikurse Sadek Hedajati persian me të vetmin roman “Bufi i verbër”, i cili ishte binjaku i Franc Kafkës gjerman.

-Kujtojmë Borgesin…por ka mjaft shembuj në letërsi që marrin frymëzimin, motivin si në rastin tuaj nga personazhë reale, të famshëm për të ndërtuar historinë. Pse ndodh kjo, a mund të dyshojmë se është një shterrje për motive, lëndë letrare, pse ky kërkim, formë?

S’ka shterrje në ide dhe tema e probleme letrare. Ka vetëm kërkime. Borgesi, Markesi e ndoshta edhe Buxati kanë pohuar në shkrimet e tyre se si kanë humbur vite të tëra për të imituar Kafkën: dhe në fund i kanë gjetur shtigjet e veta.

– Mitike të hysh në botën e përtejme e të sjellësh një njeri të gjallë, e ta ndjekësh, të bisedosh e të ndërtosh jetën e tij, nga aty ku e ka lënë…Kafka, si ka qenë ky proces?

Ishte një proces i vështirë me shumë vuajtje dhe dashuri të pakufishme për këtë gjeni.

-Cila ka qenë faza më e vështirë e rindërtimit të jetës së Kafkës: Diku thoni: trupit ia mbulon gjurmët shpirti; jetësoren e një njeriu të vdekur çfarë e ka bërë të gjallë?

Faza spirituale e jo fizikale e jetës së tij. Ikja nga familja, ndërrimi i shpeshtë i banesave dhe kërkimi i qetësisë absolute.

-Shkruani: Kthimi në shtëpi është kërshëri…E Franz Kafka është i sëmurë nga kërshëria. Nga kërshëria është ringjallur dhe shpirti i tij. “Por në shtëpinë prindërore ende banon vetëm frika”. Ku je ti, ç’nota biografike ka aty, për jetën tende, vendin tënd, shtëpinë tënde?

Këto janë sekrete të vogla që nuk tregohen për opinionin lexues.

-Fanitja fëmërore, një soj justifikimi, ndjese e Kafkës për…? Ç’janë femrat për një shkrimtar? Gruaja, e dashura, motra e vetmuar dhe nëna… gjithçka vjen edhe si homazh, a jemi të saktë për këtë?

Femrat: nëna, motrat, të dashurat, simpatizueset janë globi që i japin vulën artit të tij.

-Tek kapitulli me shokët, përmendni fjalën Mesianist, titulli i Librit nis me fjalën religjionare, Profeti… a janë këto aludime fetare? Ç‘lidhje ka Kafka me fenë veçse të qënit hebre?

Kafka nuk ishte ateist, por as fetar i devotshëm në sinagogë. Në thellësinë e qenies se tij, ai besonte në diçka Absolute.

-Prej këtij libri dalin dhe disa mendime si raportet me Perëndinë, vdekjen, mendime nihiliste, mësimet gnostike, mbi krijuesin e keq të botës, mbi botën si një mëkat perëndie…Pse gjitha këto? Ç’është njeriu, ne, në raport me krijuesin, Zotin?

Në librin tim të parë “Mëkatet e Adamit” (1969) kam dhënë këtë moto: “dhe u pendua Perëndia që krijoi Njerinë në tokë dhe u zemërua me veten e tij…” (nga “të bërët”) që d.m.th zanafilla.

  Jeta e vërtetë, e pavarur e librit fillon vetëm pas vdekjes së njeriut ose, thënë më mirë, një kohë pas vdekjes së tij, meqë ata njerëz zemrakë luftojnë për librin e vet edhe do kohë pas vdekjes së vet. Por pastaj libri mbetet fillikat vetëm… Kjo është një e vërtetë imja…E preferoj këtë fragment nga libri juaj, pse në të gjallë një shkrimtar “lufton” aq shumë për njohje, për librin. A nuk është paradoks, që një shkrimtar t’i dalë zot librit të tij?

Në kohëra të lashta librat publikoheshin pa emrat e autorëve. Ata nuk luftonin për famë, por për lexuesin. Kafka thotë: 1. Nëse 20 -30 faqet e para të ndonjë libri nuk ju pëlqejnë, mos e lexoni atë, dhe 2. Duhet të kalojnë së paku 20 vjet nga humbja fizike e autorit në mënyrë që libri ta bëjë jetën e vet të pavarur.

-Për këtë arsye ju thoni: …edhe librat kanë diçka nga vetitë e shenjtorëve?

Vetë shkrimi është një akt i shenjtë.

-Kemi shkëputur një abstrakt: “Krejt çfarë kam shkruar s’është asgjë tjetër veçse rezultat i vetmisë sime të madhe...”. Ju përse shkruani?

Unë shkruaj për ta davaritur vetminë, për ta himnizuar dashurinë, për t’i larguar të gjitha frikërat e kësaj bote jo humane.

Forumi me pedagogë e studentë të UET

Ramadani: Libri nuk do të zhduket kurrë, edhe pse digjitalizimi është i mrekullueshëm

Për pyetjen e studentëve të UET-it, se si ndikon letërsia në transformimin e shoqërisë, apo të një vendi, si dhe me ndërhyrjen e teknologjisë përballë librit, letrës, Ramadani u përgjigj: “Letërsia mund ta emancipojë, mund të ndikojë në edukimin, leximin dhe kulturimin e lexuesit. Megjithë këto celularë, kompjutera, internete, unë mund t’ju them se jam një libër i gjallë. Digjitalizimi është i mrekullueshëm. Por libri është libër, kur ta prekësh është diçka krejt tjetër,  është një energji, është diçka e çuditshme. Është kënaqësi të shohësh dikë në rrugë me një libër në dorë, siç ndodh në disa vende ku kam pas fatin të shkoj. Në tren, urban, metro, kjo na duhet neve. Unë e dua muzikën e adhuroj, edhe  të vizatoj kam nisur në moshën 55 vjeçare, por libri është i pazëvendësueshëm, ka vendin e vet. Libri nuk do të zhduket kurrë. Të gjithë ata që parashohin vdekjen e autorëve dhe të librit,mund të them se jam kundër, sepse  libri është i pazëvendësueshëm, ka vendin e vet dhe do ta ketë. Literatura tek çdo popull, tek çdo letërsi me çfarëdo tradite të gjallë të jetë, është letërsi e mirëfilltë letrare, dhe është letërsia përcjellëse, në daçi i thoni letërsi e verdhë, e lehtë, rosë, bulevardeske apo policore. Letërsia e mirëfilltë e ka rrugën e vet, as nuk i pengon këto, dhe as këto nuk e pengojnë atë”.

 

Shkruar Nga
More from revista mapo

Rudi Erebara: Modestia vezulluese e yjeve

Në letërsinë tonë për herë të parë ndodh të rrëfehet gjithanshëm, ndershmërisht...
Read More