Musine Kokalari, ditari i panjohur në kopshtet e Romës

Jeta rinore e së parës shkrimtare shqiptare dhe e sheh vetëm tani dritën e diellit, në po atë italishte në të cilën qe shkruar në Romë gjatë fashizmit. Këto kujtime zbulojnë ndjeshmërinë njerëzore, poetike, antropologjike të shkrimtares që angazhohet në një gjuhë dhe në një vend që nuk janë të sajat. Në këtë ditar shqiptarja myslimane përballet me një botë romane, mashkullore, fashiste, të krishterë,  të rrëfyer me kureshtjen medituese të intelektuales…

Më 10 shkurt të këtij viti u bënë 100 vite nga lindja e Musine Kokalarit; poetes, shkrimtares, etnografes, aktivistes sociale e politike, disidentes, gruas që duroi torturat e regjimit çnjerëzor.

Në kuadër të përkujtimit të këtij përvjetori të një jete të prerë në mes u zhvilluan një sërë aktivitetesh si në Bibliotekën Kombëtare, ku ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, ka njoftuar se Ministria dhe Instituti i Monumenteve ka përgatitur të plotë projektin e zbatimit për rikonstruksionin e shtëpisë ku lindi Musineja në Gjirokastër, djegur në vitin 2014.

Ndërsa kryeministri Edi Rama premtoi hapjen e dosjes së Musine Kokalarit, si e para që do të hidhte  dritë mbi faktet tragjike të së shkuarës. Me kërkesën e vetë familjes, dosja u hap po atë ditë, në kremtimin e 100-vjetorit të lindjes së saj. Për të mësuar emrat e atyre që e dënuan përjetë në vetmi, për ta zhytur në dhimbje e vuajtje, ata që për 38 vjet e përndoqën në çdo moment të jetës. Është dosje e vjetër, e paruajtur mirë, ka shkrime të saj, biografinë, shënime, raportime, relacione. Gjithë materiali është i ndarë në 2 dosje, në njërën përshkruhet i gjithë procesi gjyqësor ndaj Musine Kokalarit, dhe tjetra është kjo dosje, me etiketimin “Top Sekret”. Në të përshkruhet mënyra se si Musineja është përndjekur për gati 4 dekada nga ata që njihen si bashkëpunëtorët e sigurimit të shtetit. Dhe janë 20 të tillë, me pseudonime nga më të ndryshmet.

Detajet janë ato që e bëjnë atë të jashtëzakonshme, mbushur me foto e përshkrime të ditëve të saj, aktiviteti para dënimit nga gjykata, koha e burgut apo edhe ditët kur ajo u internua në Rrëshen, madje edhe shëtitjet që ajo bënte për orë të tëra e vetme në këmbë, ku shoqëri i bënte vetëm lapsi dhe letra. Shkruante kudo, edhe në copa fare të vogla letre, për të mos harruar në asnjë moment se ishte e vetme dhe këto copa letre do të mbeteshin kujtimi i saj i vetëm në botë.

Të tilla janë edhe shënimet nga koha e studimeve universitare, të cilat vijnë të botuara në një libër  nën kujdesin  e Simonetta Ceglies dhe Mauro Geracit, me parathënie nga Visar Zhiti. Jeta ime universitare është autobiografia e saj rinore dhe e sheh vetëm tani dritën e diellit, në po atë italishte në të cilën qe shkruar në Romë gjatë fashizmit. Këto kujtime zbulojnë ndjeshmërinë njerëzore, poetike, antropologjike të shkrimtares që angazhohet në një gjuhë dhe në një vend që nuk janë të sajat. Një gjuhë dhe një gadishull, edhe të sajat pak, kur nga viti 1939 Shqipëria gjendej nën sundimin e Italisë fashiste. Në këtë ditar shqiptarja myslimane përballet me një botë romane, mashkullore, fashiste, të krishterë,  të rrëfyer me kureshtjen medituese të intelektuales.

E fshirë gjatë viteve të regjimit, Musine Kokalari njihet sot në Shqipëri si “Nder i Kombit”.

Musine Kokalari ( 1917-1983) qe e para shkrimtare dhe poete e madhe shqiptare e Nëntëqindës, e ndjeshme ndaj ndjenjës së re që po lindte si “çështja femërore”, si edhe ndaj  mjerimit  të shoqërive rurale, të denoncuara prej saj në rrëfime të thella, të jetuara.  Më 1983–shin gjendet në Romë për t’u diplomuar në Letërsi,  në Sapienza. E angazhuar për ndërtimin e një Shqipërie demokratike, më 1946–ën akuzohet nga regjimi komunist si “sabotuese dhe armike e popullit” dhe dënohet me burg e më pas me internim deri në vdekje, më 1983–shin.

 

Musine Kokalari: Jeta ime universitare

Në qershor të vitit 1937 kreva në Tiranë studimet e shkollës së mermes dhe nisa të mendoja thellë për muaj e muaj një aspiratë të madhe, të re për ne vajzat shqiptare: Universitetin. Kisha dëgjuar shumë herë të flitej për jetën universitare si një jetë e lehtë, e këndshme e plot me ëndrra. Mungesa në vendin tonë e kësaj shkalle të lartë studimi, na shtyn ne, vajzat shqiptare, të kërkojmë jashtë dhe natyrshëm në Itali mënyrën për të kënaqur ambicien tonë.

Tani jam duke e përfunduar këtë kurs dhe kështu kam vendosur të shkruaj ndonjë përshtypje timen, përpara se të largohem nga Italia. Ky libër është një dëshmi personale e përvojës sime të jetës dhe akoma më shumë të mendimit tim. Është një prozë e natyrshme e jetës së përditshme.

Idetë e shprehura në këtë librin tim nuk janë të reja, janë të menduara edhe nga të tjerë por ato janë bërë pjesë e qenies sime. Nuk jam erudite, kështu që vëzhgimet e mia mund të mos duken të thella. Kam lexuar shumë, gjithçka më ka rënë në dorë. Metoda ime në shkollën e mesme ishte e gabuar, dhe nga këtu kanë rrjedhur vështirësitë me të cilat jam ndeshur gjatë kursit universitar.

Nuk do të mungojnë kritikat mbi librin tim, veçanërisht nga këndvështrimi i gjuhës italiane, që është e bukur dhe shumë e pasur, por që unë nuk e njoh në përsosmëri: pavarësisht kësaj dua të përpiqem të shpreh mendimet e mia.

MK

 

Viti i parë

Mëngjesi i 15 janarit 1938, në shtëpinë time të gjithë ishin zgjuar herët: po nisesha në Romë. Përgatitjet i bënin mallëngjyese çastet e fundit, si edhe të shihje valixhet të bëra gati në hyrje, të dëgjoje hapat e ngadaltë të mamasë dhe të vije re vështrimet e habitura të fëmijëve.

Të gjithë më shoqëruan te porta. Puthjet, përqafimet e familjarëve të mi, lotët e mamasë më mallëngjyen: akoma më shumë kur pashë mbesën Karolinë që më mbërthehej në grykë dhe nuk donte të më linte të nisesha e pastaj të shihje doçkat e saj që valëviteshin duke qarë, ndërsa makina largohej. Nuk e përshkruaj udhëtimin, sepse ishte për mua një vuajtje. Ndoqa rrugën Durrës-Bari dhe pas 24 orësh  ja ku jam më në fund në Romë, e shoqëruar nga im vëlla.

Roma, ëndrra ime! Sa gjëra kisha mësuar rreth këtij qyteti: u themelua më 753 para Krishtit nga Romuli, dija për të parat shtëpi të shpërndara në këmbët e kodrave Palatino; Roma, kryeqyteti i botës, kryeqyteti i lashtë i botës së krishterë, qyteti që për shumë shekuj mbeti pa rival, padron i botës, qyteti i përjetshëm! Dita e parë e mbërritjes sime ishte e ftohtë dhe qielli ish i mbuluar me re. Në çastin e parë pata një ndjesi të re, të ankthshme. Ideja e së panjohurës më jepte një ndjesi melankolie. Zhurma e qytetit të madh, rrugët e gjata që mua më dukeshin të gjitha njëlloj, shtëpitë e larta, gjithçka në kontrast me atë që mund të shihet në vendin tonë, në qytetin e Tiranës, më hutonin. Mendova se do të qe për mua një gjë e vështirë të orientohesha në atë pafundësi dhe në ditët e para në mes të turmës më dukej vetja shumë e vogël dhe e përhumbur.

U sistemova pranë një familjeje të lagjes së re në Piazza Bologna dhe pas nisjes së tim vëllai u ndjeva edhe më e vetmuar. Nisi menjëherë mërzia. Dilja rrallë edhe sepse nuk isha familjare me vendet. Nga dhoma ime shihja përmes xhamave të binte shiu dhe kur ngrija vështrimin: pallate në të djathtë, pallate për kundruall, pallate në të majtë. Të gjitha shtëpi katrore pa kopshte, rrugë të drejta pa pemë, asnjë shteg i gjarpëruar si ato që më pëlqejnë shumë, asnjë shtëpi e vjetër që mund të më tërhiqte vëmendjen. Këtu natyra është e mbyllur jashtë jetëve tona dhe jetohet brenda në shtëpi, ku ndjehen të ecin ata që janë sipër nesh dhe kur ecim ne, shqetësojmë me siguri ata që janë në katin poshtë.

Edhe pse ishte dimër, nuk ia ndjeja uturimat, për shkak të zhurmave të rrugës, as nuk i shihja vetëtimat që shpërthenin pas shtëpive të larta dhe në vend të ndjeja pak të ftohtë, ndjeja shumë të nxehtë për shkak të ngrohjes qendrore moderne. Të tilla qenë përshtypjet e para të miat të një qyteti të madh. Ishte  hera e parë që nuk ndjeja emocionet e vërteta të stinës dimërore. Ndonjëherë dilja shëtitje nën shi duke shijuar ujin që më pikëlonte në fytyrë dhe kështu ndihesha e lumtur. Tek njeriu qytetar modern mungon shpirti i natyrës….

Viti i dytë

Vera kishte kaluar…dhe tani era frynte, gjethet binin nga pemët dhe ndjehej i ftohti që po afrohej. Koha ishte e ndryshueshme dhe natyra kish marrë ngjyrat e vjeshtës. Gjatë ditës kisha çaste të bukur, zemrën e qetë, por ndonjëherë më kapte një melankoli që më jepte dëshirë të qaja.

Ndodhi në një prej këtyre ditëve, në fund të tetorit, që u nisa për Romë. Asnjë emocion, duke qenë se ishte një gjë e natyrshme, asnjë sy i habitur i fëmijëve, të cilët tashmë e dinin që duhet t’i lija. “Po nisesh? Çfarë do na sjellësh nga Roma? Dua të vij edhe unë…”, këto ishin pyetjet që më bënin. Udhëtimi i dytë nuk më bëri asnjë efekt. Rruga ishte gjithnjë ajo, informacionet për të kërkuar ishin të njëjtët e vitit të shkuar; në Bari gjithnjë hamallet që të bërtasin dhe më në fund stacioni i Romës, i pandryshuar edhe ai. Ecja nëpër rrugët e Romës dhe më dukej se nuk isha nisur kurrë prej aty. Muaj më parë ama rrugët ishin lulëzuar ndërsa tani jo. Rruga Nomentana ishte ende e mbushur me gjethe të verdha…dhe një fshesar i mblidhte dhe i hiqte prej andej. Sa melankoli të shihje natyrën të zhvishej. Duke e vështruar mendohet se jeta jonë është e njëjtë me atë të gjetheve: retë ikin e vinë ngadalë dhe zogjtë që këndonin gëzueshëm gjatë verës, kthehet ngadalë si të  lodhur në çerdhen e tyre. Asgjë nuk zgjat në përjetësi. Pemët lulëzojnë, por  jo përgjithnjë. Ditët zgjaten dhe shkurtohen,  ndërsa dielli shkëlqen fort dhe më pas nxihet nga retë në dimër. Kështu rritet e mpaket hëna. Kështu është edhe jeta e njeriut: lind, mbërrin në pjekuri, vdes; ndërsa të tjerë vijnë pas nesh. Çdo vit që kalon nga jeta jonë nuk kthehet më pas, si petalet e trëndafilave që era i merr tutje një nga një dhe nga ata asgjë nuk mbetet tjetër veç pluhurit. Vetëm natyra është e përjetshme me format e saj të ndryshueshme. Edhe ekzistenca jonë nuk është gjë tjetër veçse një proces i botës dhe një progres i kohës.

Në Romë, në vjeshtë dilet me një diell që djeg e pastaj kthehesh në shtëpi e lagur nga shiu, sepse pas një ore ecjeje për një hop shihen njerëz që ecin me hapa të mëdhenj, kur shiu nis shtruar. Pika bien mbi kokë, ndërsa instinktivisht zhysim duart në xhepa dhe kokën në shpatulla si për t’u mbrojtur, hapim e mbyllim sytë ndërsa uji na njom fytyrën. Nën strehë  njerëzit mbështeten në mur dhe me vështrimin e largët presin të pushojë së rëni shi. Kështu kaluan ditët e para pas mbërritjes duke vrapuar në Universitet për të bërë regjistrimin dhe për t’u takuar me të njohurit e mi…

 

Viti i tretë

Një lëvrim i aktivitetit njerëzor, një tronditje nga turma, një trafik i rënduar e shumësi njerëzish… më bënë të kuptoja se  kisha mbërritur në Romë. Kjo ndodhi më 22 tetor të vitit 1939. Rrugët e qytetit nuk më bënë kurrfarë përshtypjeje. E gjitha nuk ishte e re për mua. Nuk prisja më të shihja gjëra të reja; isha vetëm e zhytur në mendimet e mia dhe në punët që më prisnin.

Gjëja e parë ishte vizita në klinikën ortopedike. Edhe këto vende nuk më bënin më përshtypje nga viti i shkuar. E gjeta sallën ku duhej të shkoja dhe nga porta vështrimi im u ul në shtratin ku ishte një fëmijë me këmishë të bardhë si të gjithë të tjerët. Duke u avitur kuptova që nuk mund të lëvizte,  sepse ishte në allçi. Fytyra e tij e zbehtë sytë ende të fryrë nga të qarët dhe frika e kaluar më bënë të kuptoja që ishte operuar. Ishte nipi im. U avita dhe u përkula mbi të. Ai më përqafoi dhe shpejt ia plasi të qarit. E lashë për pesë minuta, pastaj nisa ta pyes, dhe ai duke dënesur m’u përgjigj mbi të gjitha, dhe pasta duke mbajtur lotët me tha se nuk donte që qëndronte më aty. Ndërsa ai fliste, vështirmi im u soll nëpër sallë. Fëmijë të tjerë që vuanin dhe nëna që kërkonin me mijëra përkëdhelje t’i ngushëllonin. Kështu nisi për mua viti i tretë i kursit universitar, me shqetësim. Më dukej një gjë e natyrshme edhe kjo dhe veçanërisht duke frekuentuar sërish klinikën dhe duke parë të njëjtat fytyra të trishta. E kështu ekzistenca ime e përditshme u shndërrua sërish në një gjendje shqetësimi që shumë shpejt u bë e dhimbshme. Gjithë pjesa tjetër e ekzistencës sime më dukej e huaj ndaj punës sime dhe mrekullohesha duke parë njerëz aq të gëzueshëm. Shpesh mendoja: në çfarë konsiston gjithë ai gëzim i tyre spontan? Ose më mirë cili është shkaku i vërtetë i lumturisë së tyre në këtë jetë? Unë, duke analizuar gjërat, nuk shihja veçse një monotoni të vazhdueshme dhe ndryshimet nuk ishin tjetër veçse aspekte të ndryshme kalimtare të jetës. E kështu shumë shpejt familjarizohesha.

 

Viti i fundit

E ulur në tryezën time, me makinën përpara dhe me fletët e shpërndara aty-këtu  nisa vitin e katërt të jetës sime universitare. Çdo ditë kërkoja të punoja; por çdo çast ndihesha më e lodhur se më parë. Vijova kështu për njëzet ditë, por pastaj, kur pashë se nuk isha e kënaqur me punën time apo thënë më mirë, se nuk arrija të përmbyllja asgjë, hoqa dorë nga të shkruarit. Lajmërova në shtëpi se kisha ndërprerë punën e librit, sepse isha e lodhur.

Ndonjëherë shkoja edhe në Universitet. Nëse në vit të tretë, shkohet vetëm në ditët plot me diell, për të ndenjur jashtë në oborr për të shijuar kohën e mirë, në vit të fundit shkohet vetëm për nevojë. Vrapohet në sekretari, kërkohen informacione, u hidhet një sy korridoreve për të parë kush është. Menjëherë njihen studentet dhe pak studentë të vitit të parë me fletore në duar. Natyrisht mbajnë shënime seriozisht. Përshëndeten portierët dhe kthehesh në shtëpi, e lodhur sepse ishe ndalur shumë. Mbërritën shoqet e mia, të kënaqura nga pushimet e tyre me përshtypje dhe të reja për të rrëfyer. Dëgjonim bisedat, por vijohej edhe puna. Unë shkoj në bibliotekë dhe në kthimin tim në shtëpi, më ndodhte që të gjeja një letër nga të mitë “Karolina është mirë dhe mezi pret të të shohë. Hektori ecën më mirë dhe do të vijë sërish në Romë” dhe më bëhej qejfi. Letrat nga Afrika vijnë rregullisht “Këtu vendasit janë fanatikë. Në këtë muaj janë shumë të zënë. Nis për ta muaji i agjërimit. dhe pastaj me gëzim presin festën, Bajramin. Tani di unë më shumë sesa ti nga feja myslimane, Tanimë orienti ka nisur ta humbasë magjepsjen tek unë. Jetojnë keq, si kafshët. Burrat flenë gjithë ditën, ndërsa gratë punojnë. Ata martohen shumë herë për të pasur sa më shumë fëmijë, me qëllimin për t’i aftësuar për punë. Keqtrajtojnë kafshët dhe i vrasin me lehtësi. Ja pse të them, ashtu si të kam thënë gjithnjë se ne perëndimorët, i kemi dhënë jetës një ideal në fushën e religjionit dhe të gruas. Do të flasim për këtë në kthimin tim”. Por unë që nuk gjeta kurrë ndonjë gjë aq të bukur në botën perëndimore nuk e kuptova kurrë në ç’konsiston qytetërimi, e për këtë nuk isha e bindur.

**** 28 nëntor …pasdite. Vishem dhe e qetë me tezën nën sqetull shkoj në Universitet. Përshëndes të mitë, kolegët dhe koleget. Ndërkaq pres radhën time që nuk vonon shumë dhe hyj.

Tavolinë rrethore dhe profesorë me toga. Aty për aty nuk dalloj profesorin dhe korrelatorin tim. Dekani thotë “zonjusha Musine Kokalari diplomohet sot…” dhe profesori nis të diskutojë dhe unë duke rrahur tryezën me pëllëmbë përgjigjem kur më lë të flas. Ai më sulmon dhe unë mbrohem…flitet dhe diskutohet teza, prova e fundit e kursit tim…Minutat kalojnë shpejt kur një zë jehon sërish… “mund të shkoni zonjushë”. Disa minuta jashtë derës dhe hyj sërish me të rënë të ziles. Ndërsa dëgjoj fjalët e dekanit që thotë “zonjusha Kokalari diplomohet në letërsi shqipe…” unë e ngrirë dhe e mbyllur në mendimin tim i them vetes: “Musine, mbaroi për ty jeta në qytetin e madh, ku erdhe si e huaj e ku qëndrove e tillë në mes të njerëzve të panjohur, ku kalove mbrëmje të gjata dhe mbrëmje të shkurta duke punuar në tryezë. E kreve jetën e provimeve, të librave shkollorë, shënimeve, në tokën ku ke shijuar magjepsjen e ditëve plot diell, ku kishe sy për gjithçka, ku ke parë lule të lulëzojnë e gjethe të shushurijnë në të ëmblën dhe të butën frymë të erës. Erdhi koha të nisesh, drejt atdheut  tënd, drejt mjedisit tënd të vjetër ,drejt një të ardhmeje me skica të paqarta, sepse për ty përfundoi jeta universitare, ajo jetë e këndshme e plot me ëndrra”.

(Përktheu: S. Balliu)

Shkruar Nga
More from revista mapo

Basha ndryshon strategjinë javën e fundit

Lulzim Basha mblodhi kandidatët për deputetë dy ditë më parë. Porosia kryesore...
Read More