Mustafa Nano, intervista e plotë: Jam dorëzuar, nuk ka shtyp të lirë e të pavarur në këtë botë!

 

Në intervistën e gjatë që do të botohet në tre numra radhazi te MAPO, Mustafa Nano kthehet pas në hyrjen e tij në gazetari, duke e përdorur këtë përvjetor për të riparë nga sot rrugëtimin e tij dhe medias shqiptare në 20 vitet e fundit. Fiksimi për t’i nënshkruar artikujt me një formë më perëndimore të emrit të tij, dëshira për të zhdukur një pjesë të shkrimeve ose siç thotë vetë të “krimeve” të tij, që në fund të fundit është një proces që iu ndodh të gjithëve dhe dorëzimi për gazetarinë e lirë dhe të pavarur, e cila nuk ekziston.

Analisti dhe publicisti kujton fillimet e tij në median shqiptare 20 vite më parë. Dilemat për jetën e re profesionale, cili ishte personi që i dha zemër dhe përjetimi për shkrimin e parë, i cili nuk doli në faqen e parë të “Shekullit”

Në intervistën e gjatë që do të botohet në tre numra radhazi të “Mapo”, Mustafa Nano kthehet pas në hyrjen e tij në gazetari, duke e përdorur këtë përvjetor për të riparë nga sot rrugëtimin e tij dhe medias shqiptare në 20 vitet e fundit. Fiksimi për t’i nënshkruar artikujt me një formë më perëndimore të emrit tij, dëshira për të zhdukur një pjesë të shkrimeve ose siç thotë vetë të “krimeve” të tij, që në fund të fundit është një proces që iu ndodh të gjithëve dhe dorëzimi për gazetarinë e lirë dhe të pavarur, e cila nuk ekziston.

Zoti Nano, ju keni nisur të shkruani në prill të vitit 1998. U bënë 20 vjet. Çfarë ju vjen në mendje prej këtij fakti?

Më vjen në mendje se si nisi kjo histori. Ka qenë viti 1997. Kam qenë në Zagreb, diplomat, tok me familjen, kur vendosa të kthehem në Tiranë, jo për të vazhduar me diplomacinë, por për të filluar me gazetarinë. Ishte një vendim i imi. Nuk njihja askënd që do mund të më hapte dyert, e megjithatë kisha besim se dyert do më hapeshin. Unë isha i sigurt se punën e opinionistit mund ta bëja më mirë se shumë të tjerë, të cilët i njihja si lexues i shtypit shqiptar. Sikur të isha më i ri do mund të mendoja (mendohej) se po më gënjente mendja, por unë atëmot isha 37 vjeç. E dija mirë se kush isha.

Kush ishit, meqë ra fjala?

Unë dija të shkruaja. E dija që kjo nuk mjaftonte, megjithatë. Për të bërë opinionistin lipset që, përveç penës së zhdërvjelltë, të kesh ndërtuar e konsoliduar një raport tëndin me botën, gjë që vjen prej aftësisë për të vëzhguar e për t’u thelluar, por mbi të gjitha prej leximeve të shumta. Unë kisha lexuar, ç’është e vërteta, por leximet e mia deri në atë moment kishin qenë shkel e shko, të rrëmujshme, të pavlera. Nuk është se kisha patur shumë për të zgjedhur.

Pjesa më e mirë e letërsisë që lexonim para vitit 1990 ishte e huaj, dhe u përkiste autorëve të majtë, si Jack London, Mark Twain, Hemingway, Remarque, Breht, Nazim Hikmet, Mayakosvki, Gorki, Nikolai Ostrovki, Aleksander Fadeyev, e autorë të tjerë sovjetikë, ose në rastin më të mirë, autorëve që prej regjimit konsideroheshin ideologjikisht asnjanës, a të padëmshëm, si Tolstoi, Pushkin, Balzak, Anatole France, Emile Zola, Victor Hugo, Goethe, e në kohët kur regjimi po vdiste, autorëve Thomas Mann, Isabel Alliende, Gabriel Garcia Marquez etj. Për këtë arsye, në atë kohë më të rëndësishëm kanë qenë përkthyesit sesa shkrimtarët tanë.

Pyetja “kush e ka përkthyer?” ishte normale mes lexuesve të apasionuar të letërsisë së huaj. Emri i përkthyesit ishte një nga gjërat e para që unë shihja te një libër i huaj. Ata ishin, për mua, elita e elitës. Edhe shqipja e tyre në librat e përkthyer ishte ndryshe, më e përpunuar, më e fisme, gjë që i bënte të shfaqeshin në sytë e mi si një gjë antiregjim, ndonëse antiregjim nuk kish se si të ishin. Vedat Kokona, Petro Zheji, Afrim Koçi, Misto Treska, Robert Shvarz, kanë luajtur një rol të jashtëzakonshëm në edukimin letrar të gjeneratës sime, aq sa mua më thotë mendja se pa ta, ne do të dilnim prej diktaturës edhe më të gjymtuar intelektualisht e kulturalisht sesa dolëm.

Dhe kjo nuk ka lidhje me librat që ata përkthenin, aq sa ka lidhje me distancën që mbanin prej newspeak-ut të letërsisë së regjimit, dhe të ligjërimit publik në përgjithësi (“shqipja totalitare” e ka quajtur Ardian Vehbiu newspeak-un e regjimit). Me sa duket, shqipja totalitare i kryente të gjitha funksionet e mundshme, por nuk mund të shërbente për të përkthyer letërsi të huaj të mirë. Shërbente ca më pak për të bërë letërsi të mirë. Dhe këtu është vendi për të thënë se magjia e forca e Ismail Kadaresë, për ne sudiktët e regjimit, qëndronte në një masë të madhe në këtë pikë: shqipja e tij, të shumtën e kohës, nuk kishte lidhje me shqipen totalitare. Madje, ishte një shqipe antitotalitare.

Autorët e përkthyer ishin, sidoqoftë, vetëm e thjesht një rrëke që dilte prej lumit të letërsisë botërore. Pjesa më e madhe, dhe pjesa më e mirë e kësaj letërsie, ishte e ndaluar. E me këtë mund të përfytyrohet formimi ynë i mangët e i cunguar kulturor. Viti 1990 kur unë isha 30 vjeç, më gjeti me zona të tëra të zbrazëta në kulturën time. Mendoja se kisha kohë përpara për ta mbushur këtë zbrazëti, por shumë shpejt zura të jetoja me idenë se leximet e mija të mëpastajme, sido që i kam bërë rrëmbimthi e kuturu, në një si gjendje alarmi, se ç’kishin diçka kundër rendit e natyrës së gjërave.

Mund të lexohet James Joyce-i para Franz Kafka-s, Pirandello para Marksit, Mbi Origjinën e Llojeve para Biblës, poezitë e Agollit para Lahutës së Malcis? Ç’të mirë ka nëse lexon Zarathustrën e Nietzsches e Leviathanin e Hobbes-it në moshën 45-vjeçare? Nuk di nëse lexime të tilla të vonuara të ndihmojnë apo të pengojnë në krijimin e një vizioni më të saktë mbi botën (apo nuk ka kuptim të flitet për një vizion të saktë mbi botën?), por di që unë ndjeja kënaqësi teksa vija re mbushjen e vrimave të zeza në kulturën time. Në vitin 1998, kur po bëhesha gati të hyja në fushën e lojës, isha i terrorizuar, sidoqoftë, pasi vrimat e zeza binin ende në sy. Por më ngushëllonte fakti që ata që shkruanin në shtypin shqiptar i kishin më të dukshme këto vrima të zeza në kulturën e tyre.

Për cilët e keni fjalën?

Të shumtët e atyre që shkruanin, një pjesë e të cilëve janë ende në shtypin shqiptar. Por edhe këta, ashtu si unë, janë rritur me kalimin e kohës. Këtu më duhet të them, megjithatë, se kish emra që i ndiqja me shumë interes, siç ishin Fatos Lubonja, Ardian Klosi, Edi Rama, Preç Zogaj, Teodor Keko. Këta ishin shumë aktivë si intelektualë publikë në atë kohë. Dhe bënin diferencën. Shquanin që larg mes të tjerëve. Unë mezi prisja të shihja ndonjë shkrim të tyrin në shtypin shqiptar.

E si nisët të shkruanit te Shekulli? Sepse Shekulli ishte gazeta ku nisët të publikonit shkrimet tuaja, apo jo?

Po, Shekulli. Kjo e përditshme kishte vetëm pak muaj që kishte dalë në treg. Ishte Preç Zogaj që më dha një dorë. Unë i dhashë disa shënime të printuara, të veçuara prej “korpusit” të shënimeve të mia të shumta, të shkruara kohë pas kohe me idenë se kurrë nuk do ta shihnin dritën e botimit. Nietzsche ka thënë në një rast se “nuk do të lexonte kurrë më një libër, nëse nuk do të merrte vesh se autori nuk e kish patur në plan ta bënte atë libër”. Me këtë ka dashur të nënvizojë skrupujt dhe autocensurën që i kap të gjithë ata që ulen të shkruajnë për të botuar. Nuk e ka patur keq, ë?

Ideja për të shkruar një libër të mban rob të lexuesve të tu të mundshëm e të ardhshëm, të cilat janë rëndom pjesë e shijeve apo mendësive mainstream. Dhe në këtë moment, ty do të të duhet të pajtosh frymën tënde me frymën e shoqërisë. Shkurt, libri nuk është më i yti. Ndërsa unë ato shënime i kisha të miat. Prandaj, në to, gjendeshin fraza të tilla, si “vjen një çast kur të gjithë njerëzit vajtojnë kotësinë, nëpër të cilën kanë harxhuar jetët e tyre”, ose “je i lodhur?

Ndrysho! Ke për të parë që po përgatitesh për një lodhje të re”, ose “provincat unë i përfytyroj shpesh si tavulla cigresh, ku gjen bishta njerëzish të fikur përgjysmë” ose “po të lësh një punë përgjysmë, nuk përjeton ndonjë dëshpërim kushedi se çfarë, por po ta çosh deri në fund duke arritur çfarë ke dashur, do të provosh ndjesinë e një mundimi të kotë”, ose “Nuk është edhe aq pa kuptim të besosh se prapa asaj që njerëzit zënë dhe e besojnë më tepër fshihet, në të vërtetë, një mashtrim i madh”, ose “të gjithë shijojnë kulme kënaqësie sa herë që kanë rastin të përbuzin” ose “nuk duhet ta teprojmë duke u përpjekur të bindim të tjerët; në fund të fundit, edhe ne nuk kemi pse të mbetemi të pabindur”, ose “nuk jam aq i poshtër sa duhet për të spikatur”, ose “dëshpërimi i varfëria janë më artistë sesa lumturia e pasuria”, ose “në çaste të vështira, më mirë se një lajm i mirë mund të të qetësojë një fatkeqësi e re”, ose “kur të tjerët na mburrin, nuk e bëjnë këtë gjithmonë për të mirën tonë; përkundrazi, shpesh e bëjnë për të mirën e tyre”, ose “ne na tremb agresioni, jo pushtimi”, ose “si zor të gjendet një banalitet më i madh sesa një grua besnike”, ose “rrallë, shumë rrallë qëllon që shumica të ketë të drejtë, dhe prandaj poshtë demokracia!”, ose “shpesh sulmi është rezultat i frikës, jo i guximit”, ose “ec e merre vesh pse anusi, në pikëpamje estetike, është më sexy se vagina” etj. etj.

Por unë Zogajt i dhashë shënime të tjera, që kishin të bënin me politikën, atdheun, demokracinë, letërsinë. Në fakt, doja të dija se ç’shenjë do të linin tek ai mënyra se si unë shkruaja, e jo qëndrimet e mia. Kur u takuam për herë të dytë, në hotel Rogner, në prani edhe të Shpëtim Nazarkos, unë kuptova se çfarë kishte lexuar nuk e kishte lënë indiferent. “Ti duhet të botosh; publiku duhet ta dijë se kush je ti”, më tha. Ky ishte konfirmimi i parë që unë merrja në këtë botë, nga jashtë meje, mbi aftësitë e mia. Sado budallaqe që mund të duket, unë kisha nevojë për këtë konfirmim.

Zogaj më sugjeroi të botoja te Shekulli, botuesin e së cilës ai – kështu më tha – e kishte mik. Nuk mund të prisja më gjatë. Fillova qysh të nesërmen. Punoja në shtëpi, me një makinë shkrimi të markës italiane “Olivetti”, të cilën ia kisha blerë në vitin 1991 a 1992 dikujt që një dreq e di se ku e kish gjetur. Ndoshta e kish vjedhur në ndonjë ndërmarrje. Ishte koha kur shteti ishte thërrmuar, e po plaçkitej çikë e nga një çikë.

Më pas, Zogaj nuk ma ka përmendur kurrë këtë rrethanë. Ndoshta e ka harruar. Unë nuk ia harroj që e ka harruar. Në ka një njeri, të cilit duhet t’i jemi mirënjohës, ky është ai që ka harruar se në një moment të caktuar na është bërë krah. Nuk ka gjë më të fisme në këtë botë se njerëzit që harrojnë (ose nuk i përmendin) të mirat që bëjnë. Të kuptohemi, nuk është se unë, pa Zogajn, do të mbetesha “i humbur” në tollovinë e kohës. Unë do ta gjeja, gjithsesi, një mënyrë tjetër për të bërtitur praninë time në shoqëri. Nuk kam si ta besoj se mund të ndodhte ndryshe. Ishte pasioni i jetës sime. Dhe rrugët për ta përmbushur këtë pasion në vitin 1997 ishin të shumta. Por Zogaj ishte lexuesi im i parë. Një lexues i rëndësishëm. Që më hapi një portë. Chapeau!

Cili ishte shkrimi i parë që keni botuar? Apo nuk e mbani mend?

Si mund të mos e mbaj mend? Më lehtë mund të harroj herën e parë që jam zënë me grushte (dhe më kanë rrahur, meqë ra fjala). Më lehtë mund të harroj edhe puthjen e parë. Ka qenë prilli i vitit 1998. Fillimi i prillit. Ka qenë një shkrim më titullin “PS në prag të çarjes?”, që kishte të bënte me Dritëro Agollin, i cili atë vit (por edhe më pas) ishte shumë aktiv në skenën politike. Më duhet ta pranoj, se ishte një shkrim i dobët, i bërë shpejt e shpejt, drejt e në makinën e shkrimit, ku u bëja jehonë si papagall epiteteve që shtypi shqiptar i kish bërë të vetat kur binte fjala për Agollin, si patriarku i PS-së, shkrimtari madh, dhe mbi të gjitha gjetjes së Agollit në tentativën për të përshkruar Shqipërinë nën hyqmin e Fatos Nanos: Shkërdhatokraci. Ma botuan në faqen 3, me emrin tim në fund të shkrimit. Në fakt, nuk mund të pretendoja që të dilja në faqen e parë. Emri im ishte krejt i panjohur. Për më tepër, emri im dukej si një emër i stisur.

Për ata që nuk ishin mësuar, mbiemri Nano nuk para rrinte mirë në krah të emrit Mustafa. Për ca kohë u besua se Mustafa Nano ishte pseudonim. Por për mua nuk kishte rëndësi të dilja në faqen e parë. Nuk ngutesha. E dija që do të vinte dita të dilja në faqen e parë. Unë thjesht doja t’u provoja të tjerëve se isha edhe unë në këtë botë, se kisha gjëra për të thënë, se dija t’i thoja ndryshe. Isha i sigurt se unë dija t’i thoja ndryshe gjërat. Dhe jo mërzitshëm.

Kisha mësuar deri në atë çast se nuk mund t’i bësh dëm më të madh një të vërtete, sesa t’ia përcjellësh atë publikut në mënyrë banale apo të mërzitshme. Publiku e ka për zakon që të hutohet e të magjepset jo aq prej gjërave që thua, sesa prej mënyrës se si i thua. Jo aq prej përmbajtjes, sesa prej formës. Është gjynah që është kështu, por ja që kështu është. Stili të bën gjëmën. Me stilin janë imponuar të gjithë të mëdhenjtë. Edhe Jezu Krishti e Muhameti. Me stilin u kanë marrë mendjen njerëzve, edhe kur u kanë thënë gjëra të pamundura, si “duaje armikun, dhe lutu edhe për ata që janë persekutorët e tu” (Ungjilli sipas Mateut, 5:44), ose “vrite atë që e braktis fenë islame, kushdo qoftë ai” (Bukhari, 9: 84:57).

Ishte kënaqësi kur patë një shkrim tuajin të botuar për herë të parë në një të përditshme kombëtare?

Në fakt, nuk ishte ky shkrimi i parë. Kisha shkruar një tjetër, vite më parë, në gazetën RD. Ka qenë viti 1994, pas referendumit mbi kushtetutën. Ishte një shkrim i gjatë, të cilin nuk besoja se do t’ma botonin në RD, ngaqë në një pasazh pickoja lehtë Berishën. Pasi vija në dukje shumë “vlera e merita” të tij, e pasi thoja që ai ishte “i ndershëm e i kulturuar”, nënvizoja faktin që ai ishte gjithashtu furacak, e me prirje vetëkorrigjuese diskrete. Ngurruan t’ma botonin. Shkrimi në tërësinë e vet ishte konformist, të kuptohemi, dhe kritika ndaj Berishës ishte krejt e butë, për më tepër dashamirëse, por në RD nuk ishte bërë e udhës të publikoheshin kritika ndaj udhëheqësit të partisë.

Kam biseduar në atë rast me kryeredaktorin, një djalë i ri e i sjellshëm me emrin Lorenc Ligori, dhe me Edi Palokën, që ka qenë zv.kryeredaktor, në mos gaboj. Paloka, pasi kishte lexuar shkrimin, më shihte si me dyshim, a kërshëri, a qesëndi, a ku di unë çfarë tjetër, si të donte të thoshte: Nga na mbiu ky bandill? Jam i sigurt që shkrimi i është dukur pak i çuditshëm, por nuk reagoi në stilin që do t’i shkonte Palokës së sotëm. Përkundrazi, më tha se do ta botonin. Me siguri, do ishte konsultuar me ndokënd. Dhe pas ca ditësh e botuan, nën një titull, të cilit i mungonte nervi (“Refleksion”), në dy numra, në datat 23 e 24 dhjetor. Ishte ky shkrimi i parë i imi që shihte dritën e diellit. Por nuk ma dha kënaqësinë e herës së parë. Nuk e di pse.

Ndërsa shkrimi te Shekulli, ndonëse ishte më pak pretencioz, e i fshehur diku brenda gazetës, në një rrip faqeje në krahun e djathtë, më dha një eksitim të çuditshëm. E mora vesh që do ta botonin, ngaqë e pashë të faqosur në redaksi, në mbrëmje vonë, e prapëseprapë mezi kam pritur që të gdhihej. Iu gëzova atij shkrimi si një fëmijë një lodre të bukur që ia lënë papritur në duar. E lexova disa herë me shpresën se do të merrja shije të ndryshme. Por shkrimi ishte po ai, nën të njëjtin emër autori: Mustafa Nano. Nuk doja që të shkruaja me emrin tim, në fakt.

Doja të zgjidhja një emër arti, një formë të oksidentalizuar të emrit, me të cilin thirresha nga të gjithë të njohurit: Mooch Nano. Ishte një lojë që mund ta bëja. Ç’bëri Mustafa, ç’bëri Mooch? Për lexuesin njësoj ishte. Ai nuk më njihte që nuk më njihte. Ia thashë disa ditë më pas këtë ide Koço Kokëdhimës. Por ai shqeu sytë, sikur t’i kisha sugjeruar t’i vinim minat redaksisë së Shekullit, që ishte e vendosur atëmot në 3-4 vila në rrugën “Don Bosko”. E trembi emri Mooch. Ishte tepër nazik e i spërdredhur për shijet e lexuesit shqiptar. Dhe nuk ofronte garancira. Nuk të ngrofte. Ishte emër që nuk mbërrinte mirë (dot) te lexuesi konservator. Ndërsa emri Mustafa, përkundrazi, ishte një premtim i fortë pjekurie e mençurie. Dhe unë nuk këmbëngula.

Po pse ky mllef që në moshë të re ndaj emrave të vjetër myslimanë? Si e shpjegoni?

Kam thënë diçka te “Hinterlandi i kuq” lidhur me këtë gjë. Ishte një aversion i përgjithshëm, jo i imi. Dhe nuk ishte veç ndaj emrave myslimanë. Ishte ndaj emrave fetarë. Edhe emrat e krishterë si Kosta, Jorgo, Pal, Ndre etj., zunë të ishin gjithnjë e më të rrallë. U bënë në modë emrat jo fetarë, fillimisht të llojit Artan, Jeta, Arben, Margarita, Agim, Afërdita, Helena, Genci, Teuta, Agron, Aurora, Aleksandër, Lulzim, Ardian, Diana etj., që kishin zënë të përdoreshin qysh përpara Luftës II, me sa duket si një përpjekje për t’i dhënë munxët në rrugë antroponimike simptomave të përçarjes që ekzistonin për shkak të karakterit shumë fetar të shoqërisë. Më pas kjo modë mori forma të qarta oksidentalizimi. Parapëlqeheshin emrat e llojit Adrian, Robert, Suzana, Aida, Ana, Maksim, Viktor, Mariela etj. etj. Në vitet e adoleshencës sime kjo u bë një tendencë agresive dhe okupatore.

Regjimi komunist e lejonte këtë çshqiptarizim të peizazhit antroponimik, në mos e frymëzonte. Ka shumë njerëz, mes tyre edhe Ismail Kadare, që te diktatura komuniste e Enver Hoxhës kanë shquar tipare e imitacione të regjimeve të Lindjes (pa e specifikuar mirë se ç’kuptojnë me regjime të Lindjes), madje, edhe një disponim antiperëndimor. Unë nuk pajtohem deri në fund me këtë tezë. Diktatura e Enver Hoxhës ishte komuniste, dhe komunizmi, të gjithë e dimë këtë gjë, është një shpikje europianësh. Regjimi i Enver Hoxhës, edhe pse ishte më brutal se regjimet e Europës Lindore, mbeti në thelb komunist. Madje marksist. Ka një përpjekje për të bërë një ndarje mes versionit marksist të diktaturës së Proletariatit, që ishte teorik, dhe versionit leninist e stalinist, që ishte praktik. Mua nuk ma mbush shumë mendjen kjo përpjekje, që bëhet më shumë për të shpëtuar mendimtarët Marx e Engels sesa për ta çyshtëzuar apo tëhuajtur marksizmin prej dhunës e terrorit.

Nuk dimë se si do ta zbatonin në praktikë Diktaturën e tyre të Proletariatit Marksi e Engelsi, dhe me gjasë nuk do t’i gëzoheshin një spektakli gjakderdhjeje, por doktrina e tyre teorike e bart dhe e nënkupton dhunën. Ata flasin për revolucionin me dhunë (“revolucioni është … një akt, me anë të të cilit një pjesë e popullsisë imponon vullnetin e vet mbi pjesën tjetër me ndihmën e armëve, bajonetave, topave..”, shkruan Engelsi në “On authority”), më tej për diktaturën e proletariatit e luftën e klasave (që mbetën të pazhvilluara prej tyre si koncepte, ç’është e vërteta), për zhdukjen e pronës private, me fjalë të tjera shpronësimin, për vendosjen e pronës shoqërore mbi mjetet e prodhimit, e të gjitha këto nuk të mbajnë larg asaj që ndërtoi Enver Hoxha nën shembullin e Stalinit. Vetëm izolimi e bunkerizimi ishin shpikje të Enver Hoxhës. Të tjerat i kemi peshqesh nga Marksi e Engelsi. Literally.

Me këtë dua të them, se regjimi i Enver Hoxhës ishte europian. Ishte antikapitalist, por jo antieuropian e antiperëndimor. E gjithë struktura edukative e asaj kohe nuk prodhonte antieuropianë. Përkundrazi, në një formë a në një tjetër e inkurajonte simpatinë për Europën. Vetë krerët e regjimit visheshin alla frënga. Madje, bazuar te veshja e te paraqitja e jashtme, Enver Hoxha ishte udhëheqësi më alla frënga i gjithë Lindjes komuniste. Nëse regjimi bllokonte sinjalin televiziv të RAI-t, këtë nuk e bënte për një disponim antieuropian, por për një instinkt mbrojtjeje. Filmat që shfaqeshin ato kohë nëpër kinematë tona, edhe kur ishin me fabula prej Romës e Greqisë së lashtë, ishin prodhime perëndimore që përcillnin një frymë po perëndimore.

Edhe filmat e tjerë mbi aktualitetin në Itali e Francë, që zgjidheshin prej komunistëve tanë për një frymë kritike ndaj atyre shoqërive, sillnin në Shqipëri një copëz të perëndimit. Vetë fryma kritike e tyre nxiste mendimin kritik ndër shqiptarët. Disa filma kinezë u shfaqën në një kohë të shkurtër, por ata nuk ngjitën mes nesh. Nëpër teatrot e operas e të dramës viheshin shpesh në skenë vepra të autorëve të huaj. Shqiptarët nuk lejoheshin të dëgjonin Beatles-at, rollingstones-at e Celentanon, por ndërkohë njihnin, e mund të ndiqnin, Moxartin, Bet’hovenin, Verdin etj. Koncerti tradicional i Vjenës në fund të vitit transmetohej gjithmonë edhe nga televizioni shqiptar. Nëpër librari gjeje libra të Shakespeare-it, Balzac-ut, Hugo-së etj.

Televizioni i vetëm shqiptar, RTSH-ja, po në fund të vitit, organizonte një festival të këngës, që ishte një imitacion i qartë i festivalit të Sanremos në Itali, e që ishte gjithashtu produksioni më i rëndësishëm televiziv në Shqipërinë e atyre kohëve. Sigurisht, këngët, sidomos tekstet e tyre, ishin në funksion të propagandës së regjimit, por e gjithë ngjarja artistike, qoftë edhe në versionin e saj më të skematizuar, binte era perëndim. Edukimi patriotik, që është një praktikë europiane, ishte një fiksim i regjimit të Enver Hoxhës, gjithashtu. Prej kulturës shqiptare të lëvruar në shekuj studiohej e veçohej për mirë veç ajo me ngjyrim laik e perëndimor. Prej historisë gjithashtu veçoheshin ngjarje e personazhe që në një mënyrë a në një tjetër ishin të lidhur me qytetërimin perëndimor. Disa eksponentë të rëndësishëm të kulturës shqiptare që u sulmuan, dhe u zhytën në arkivat e harresës, nuk e pësuan për shkak të frymës e frymëzimit të vet perëndimor, edhe pse këto të fundit mund t’i bartnin, por për shkak të logjikës së regjimit për të goditur ato personalitete, të cilët ishte e pamundur t’i paketoje nën markën e komunizmit (Konicën e Fishtën, fjala vjen, i damkosën, ndërsa Migjenin e Nolin i quajtën të tyret).

Kongresi i Manastirit i vitit 1908 ku, pas një debati të fortë mes atyre që pëlqenin germat arabe e të tjerëve që ishin në favor të germave latine, u adaptuan këto të fundit, është celebruar me pompë në Shqipërinë komuniste. Përveç kësaj, asnjëherë nuk u fol për ndonjë kontribut të klerit islam në histori. Çotomanizimi i shoqërisë, ndonëse nuk nyjëtohej si qëllim kombëtar, ishte një gjë që praktikohej hapur, madje ishte edhe shenjë e militantizmit në krah të regjimit. Bejtexhinjtë, pionierët e poezisë lirike në gjuhën shqipe, trajtoheshin me shpërfillje, për të mos thënë që shiheshin me përbuzje.

Dhe kjo vetëm e vetëm sepse poezitë e tyre shqipe i shkruanin me alfabetin arab, dhe sepse në to i bëhej jehonë një ethosi osman. Duhet thënë se në asnjë kohë tjetër të historisë së Shqipërisë nuk ka ekzistuar një frymë antiosmane e antimyslimane si ajo e kohëve të komunizmit. Deri edhe fjalët turke, që ekzistonin në ligjërimin e përditshëm prej shekujsh, censuroheshin në letërsinë e shkruar (Një nga pak momentet që më del prej kësaj kornize, është një studim putativ i Enver Hoxhës, në të cilin haxhiqamilistët, të cilëve u digjej xhani për baba Sulltanin, trajtoheshin me simpati). E në këtë kontekst, u ushqye edhe alergjia ndaj emrave myslimanë. Në gjeneratën time askush nuk do të ishte i lumtur të kishte emrin Mustafa.

Le të kthehemi tek argumenti që kishim, sidoqoftë. Prej vitit 1998, janë me qindra shkrimet që keni publikuar. Keni bërë shkrime që sot ju duken të gabuara?

Po, sigurisht. Kam frikë se janë shumë. E do doja që të mos ekzistonin. Do doja që një dorë e fshehtë t’i digjte. Por ato do të mbeten aty, provë e “krimeve” të mia. Në fakt, janë ca më shumë pjesë e një procesi evolutiv. Sa shumë kam ndryshuar gjatë njëzet viteve të fundit! Dhe kjo është shenjë e mirë. Koherenca, si rregull, nuk është ndonjë gjë për t’u çmuar intelektualisht, sepse përjashton fakultetin e ndryshimit, që është një nga magjitë më të mëdha humane. Por vjen një moment që njeriu përfton një marrëdhënie të qëndrueshme me botën, e pas këtij momenti, që rëndom vjen në një moshë të vonë e pas përvojash të shumta, koherenca është një gjë që merr kuptim, për të mos thënë që i jep kuptim edhe jetës sonë.

Nuk është ky rasti im (as i yni) në këtë periudhë historike, megjithatë, kur neve na është dashur të kapim kohën e humbur, të hapim sytë, të riorientohemi në një botë të madhe të hapur, që është bota e vërtetë, që nuk e njihnim, ose e njihnim në mënyrë të turbullt a të pjesshme. Në vitet 1990, ne kemi qenë si ata njerëzit e shpellës alegorike të Platonit, të lidhur këmbë e duar e qafë me zinxhirë në fund të shpellës, me fytyrë në drejtim të kundërt me hyrjen e shpellës, në pamundësi për të kthyer kryet pas. Ata ishin aty, dhe në atë pozicion, qysh nga momenti që kishin lindur. Gjithçka që ata mund të shihnin, ishte fundi i shpellës, muri shkëmbor përballë syve të tyre. Nuk mund të shihnin as veten, as njëri-tjetrin. Pas shpinës së tyre ishte një zjarr, e në mes të distancës që ndante zjarrin nga njerëzit e lidhur në zinxhirë ishte një ledh i ulët, me një mur të ulët, prapa të cilit disa njerëz bënin ecejake duke mbajtur nëpër duar, e duke i nxjerrë mbi mur, objekte që kishin forma njerëzish, kafshësh apo krijesash të tjera që, nën efektin e flakëve të zjarrit, projektonin hijet e tyre në murin para syve të njerëzve të burgosur të shpellës.

Këta të fundit nuk arrinin të shihnin se ç’kishte prapa tyre. Gjithçka që shihnin këta të fundit, gjatë tërë jetës së tyre, ishin këto hije. Dhe zërat e zhurmat që vinin nga pas shpinës së tyre, ata i merrnin si zëra të hijeve. Këto hije ishin bota për ta, e gjithë bota, e vetmja botë. Për ta nuk kishte një realitet tjetër. Dhe sikur – këtu vjen e bukura – njëri prej të burgosurve të zgjidhej prej zinxhirëve, ai do të kthente shikimin nga të gjitha anët, e do të shihte zjarrin e flakët. Prej kësaj drite të flakëve nuk do mund të shihte njerëzit me objektet apo gjallesat, hija e të cilave reflektohej në fund të shpellës.

Prej kësaj drite që po shihte për herë të parë, ai do ndjente një si lëbyrje sysh, të shoqëruar me një dhembje të tyre. Për një çast, as hijet nuk arrinte t’i shihte më. Ai nuk do ta besonte kurrë, nëse dikush do t’i thoshte se kjo që po shihte ishte bota e vërtetë, dhe se çfarë kishte parë gjatë gjithë jetës së tij ishin vetëm hije e pasqyrime të deformuara të kësaj bote reale. E do donte të kthehej atje ku ishte, te bota e tij, ajo e hijeve, që për të ishte bota e vërtetë. E nëse dikush do ta merrte me pahir prej krahësh, do ta tërhiqte zvarrë, me synimin për ta nxjerrë te hyrja e shpellës, atje ku binte drita e diellit, ai dikush me siguri do të ballafaqohej me rezistencën e të burgosurit.

Drita e diellit do ta verbonte krejt këtë të fundit, dhembja e syve do të bëhej më e madhe, e do duhej të kalonte një copë herë e mirë që ai të mund të mësohej me dritën, e të fillonte të shquante gjërat, fillimisht në formë hijesh gjithashtu, por me kalimin e kohës shikimi do qartësohej, derisa të vinte çasti që ai t’i shquante në format e tyre reale njerëzit e kafshët përreth, natyrën, diellin vetë. “Një copë herë e mirë”, thashë pak më sipër, dhe kuptohet se në këtë interval kohor zhvillimesh të vrullshme e të pabesueshme nuk mund ka kuptim të flitet për koherencën e tij në raportin me botën. Në rastin e shqiptarëve që kanë dalë nga shpella e tyre (e regjimit komunist), kjo “copë herë e mirë” ka zgjatur shumë, për vite të tëra. Dhe në harkun e këtyre viteve, shqiptarëve u është dashur t’i ikin gjendjes së shpellës e të dalin në botën e dritës. E kështu, përsëris, nuk ka kuptim të flasim për, apo të mburremi me, koherencën tonë.

Duket sikur jeni i interesuar ta bëni këtë theksim mbi koherencën ….

Po. Sepse ka shumë njerëz në këtë Shqipërinë tonë publike që mburren me koherencën e tyre. Me këtë duan të thonë që ata kanë qenë të qartë qysh në krye të herës, në kapërcyell të epokave. Dua të thonë pra se ata i kanë ditur gjërat pikërisht atëherë kur askush nuk dinte gjë prej gjëje. Po të ishte e vërtetë, këta njerëz do kishin hak një medalje të mirë. Është zotësi e madhe (dhe fat, duhet thënë) të jesh syhapur në një kohë që krimi më i madh ka qenë të ishte syhapur. Mirëpo mua më rezulton se këta njerëz që mëtojnë të kenë qenë syhapur para 30 vitesh, janë në të vërtetë symbyllur edhe sot e kësaj dite. E lidhin, të shkretët, rreshtimin e tyre të hazërtë e të vendosur antikomunist me një ndriçim të tyrin. Nuk ka qenë kështu.

Nuk ka qenë e thënë që të ishe veçanërisht i mençur për të qenë antikomunist. Rëndom, antikomunizmi i njerëzve ishte diçka instiktive. Siç ka qenë i imi, për aq sa ka qenë. Në mos, te ca njerëz ishte i natyrës praktike, fjala vjen për shkak të përndjekjes që u ishte bërë prej komunizmit. Dhe është kjo arsyeja që unë nuk besoj tek antikomunizmi i të përndjekurve politikë, i cili ka qenë i ngritur mbi një vuajtje personale, e jo mbi një frymëzim impersonal. Nuk ka në antikomunizmin e tyre një disponim në mbrojtje apo në kërkim të lirisë. Thënë kjo, të përndjekurit kanë empathinë time të plotë për vuajtjet që kanë hequr. Unë vetë komunizmin e urrej edhe për shkak të vuajtjeve që komunizmi u ka shkaktuar atyre.

Ç’mendim keni për gazetarinë e sotme? Cili është efekti i gazetarisë online?

Shikoni, unë kam besuar për një kohë të gjatë, se e keqja ishin pronarë të caktuar, apo të gjithë pronarët. Kam besuar se shtyp të lirë duhet të ketë. Dhe se shtyp të lirë ka. Kam qenë naiv. Giorgio Bocca nuk ishte. “Giornali indipendenti non ne esistono…”, ka shkruar ai në librin e vet “E’ la stampa, bellezza!”, në të cilin përshkruan aventurën e vet në gazetari që zgjati… një jetë të tërë. Thënë me fjalë të tjera, nuk ka shtyp të lirë e të pavarur në këtë botë.

Noam Chomsky, që është një nga mendjet më të ndritura të kohës së sotme, ka denoncuar kontrollin e masmedias prej elitës sunduese, ka dhënë prova se masmedia nuk është e lirë dhe e pavarur, ka lënë të kuptohet se një masmedia e lirë dhe e pavarur në shërbim të së vërtetës e të një bote më të drejtë është e mundur, mirëpo kam frikë se libri i tij i famshëm “Manufacturing Consent”, si bashkautor i të cilit është Edward S. Herman, është i përgënjeshtruar nga zhvillimet e mëpasshme.

Ai ka shpresuar se mediat alternative ndaj mendimit mainstream do të ishin një lloj shpëtimi, por nuk duket se është kështu. Ja, media alternative, e pakontrolluar prej tycoon-ëve që Chomsky i ka aq shumë zët, e që i kundërvihet asaj që Chomsky e quan “propaganda model” të masmedias tradicionale, ka lindur tanimë. Ka emrin “Rrjetet sociale”. Por masmedia nuk është bërë më e mirë. Përkundrazi.

Dukeni si i dorëzuar….

Në një farë mënyre, po. Gazetaria nuk duket se ka shumë marzh korrektimi. Me fjalë të tjera, me gjithë ndërhyrjet që mund të bëjmë, e duhet të bëjmë (mbi të gjitha për të ulur mundësinë e përdorimit të gazetave e televizioneve për interesa privatë e për propagandë), gazetaria mund të përmirësohet në funksionin e saj, por nuk mund të bëhet e lirë dhe e pavarur. Hidhini një sy asaj që ndodh sot në SHBA! Të përditshmet e televizionet, edhe ato më të rëndësishmet që deri ca kohë më parë kanë qenë shkolla të gazetarisë (New York Times, Washington Post, CNN etj.), janë shndërruar gjithnjë e më shumë në makina propagandistike. Gara e programeve të informacionit mes televizioneve amerikane është një garë propagandistike.

Dhe këto programe të përditshme u janë besuar gazetarëve luftarakë të tipit Sean Hannity, Tucker Carlson (Fox News), Anderson Cooper, Jake Tapper (CNN), Joe Scarborough, Mika Brzezinki, Rachel Maddow (MSNBC) etj. Shqiptarët lëkurëhollë e të ndjeshëm ndaj programeve televizive propagandistike në Tiranë do duhet të provojnë të ndjekin një program të Sean Hannity-t apo të Tucker Carlson-it, që janë programe amerikane të përditshme në prime time, dhe do të kuptojnë se këtyre të fundit, që shihen çdo ditë prej miliona vetësh, vetëm e vërteta nuk u intereson. Një të pabërë, madje edhe një krim, të Donald Trumpit, do ta fshihnin pa asnjë brerje ndërgjegjeje. Ndërsa në krahun mediatik liberal, në CNN, MSNBC, etj., po tregojnë se nuk dinë të bëjnë gjë tjetër, veçse të demonizojnë Donald Trumpin.

Një ilustrim. Në dhjetor 2017 u mbajtën në Alabama zgjedhjet për një vend në senat, që mbeti bosh pasi Jeff Sessionsi u largua për të marrë postin e Prokurorit të Përgjithshëm në qeverinë e Trumpit. Programi “Hannity Tonight” u mor gjatë gjithë kohës së fushatës me këtë garë, duke u rreshtuar hapur, në mënyrën më luftarake të mundshme, në favor të kandidatit republikan Roy Moore, ndonëse ky i fundit u akuzua në një duzinë rastesh për ngacmime seksuale ndaj vajzave të mitura e ndaj grave vetëm pak javë para datës së zgjedhjeve. Fushata ishte një nga më të ashprat që Amerikë. Dhe Roy Moore i humbi këto zgjedhje, që u mbajtën më datë 12 dhjetor. E dini se si nisi programi “Hannity Tonight” të nesërmen e ditës së votimit? Ja, mbani vesh: “Mirëmbrëma të gjithëve.

Jemi në Fox News. Mirëserdhët në ‘Hannity Tonight’, ku do të merremi me mediat liberale që kanë dalë fare nga binarët, teksa po stisin lajme e po përhapin rrena si kurrë ndonjëherë më parë. CNN-i e kanale të tjera televizive janë duke krijuar krizën e informacionit, që prek e lëndon çdo amerikan. Është kaq e dukshme, kaq e dëmshme e kaq e rrezikshme kjo krizë për ju të dashur amerikanë, sa e bëri Presidentin Donald Trump ta quajë ‘një njollë mbi Amerikën’. Ne do të ndalemi pikërisht në këtë çështje sot, do të ndalemi te kjo përpjekje për të dëmtuar e baltosur Presidentin tonë, Presidentin që ju e keni zgjedhur”. Asnjë fjalë për garën e një dite më parë, me të cilën ishin marrë për një muaj me radhë.

Asnjë fjalë për humbjen e kandidatit republikan në një shtet tradicionalisht të kuq. Për 45 minuta të plota Hannity u mor me konkurrentët që kritikonin Presidentin Trump. Epo, sikur të mos shquheshin për një lloj delikatese etike e për një lloj qibre intelektuale, këta do duhej t’i merrnin të keqen atyre që mbajnë portale në Tiranë. Dhe kur them këtë, nuk është se bëj shaka. Kush ka patur rast t’i ndjekë Sean Hannity-n e Tucker Carlson-in, me siguri më jep të drejtë.

Po portalet amerikane i keni parë? Disa prej tyre të lënë pa gojë me militantizmin e tyre. Portalet tona nuk kanë asnjë arsye të ndihen keq krahasuar me websitet e tipit Breitbart.com e Huffpost.com. Disa sosh deri edhe komentet i mbajnë të pamoderuara. Sepse nuk duan t’ua mohojnë lexuesve të tyre të drejtën për t’u shfryrë, që kanë zënë ta shohin si një mjet e mënyrë për të qenë pjesëmarrës në demokraci. Kam frikë se, ja, edhe pak, e do të vijë koha që websitet e fisme e qibare do të dorëzohen. Kam frikë se, shumë shpejt, në The Guardian (harrojeni për një çast orientimin ideologjik të sajin) nuk do ta shohim më në diskutimet online që ata organizojnë në fund të opinioneve të autorëve të tyre atë shënimin që synon shkurajimin e troll-ëve: “This comment was removed by a moderator because it didn’t abide by our community standards; replies will also be deleted”.

Cila është receta, atëherë?

Nuk ka një recetë për këtë. Interneti dhe rrjetet sociale (facebook, twitter, instagram, youtube etj.) e kanë bërë lirinë e shprehjes apo shtypin e lirë, që të jetë, përveçse një avantazh e një e mirë publike, edhe një rrezik. Rrjetet sociale janë një media e pakontrolluar, e me gjasë, e pakontrollueshme. Në pamje të parë, duket si një gjë e mirë që neutralizon fuqinë e tycoon-ëve, dhe të elitës sunduese në përgjithësi, duke iu bërë ledh propagandës që, siç thotë Chomsky, është për demokracinë si dhuna për diktaturën, e duke krijuar kushtet për një media alternative (mund të shihen si një media e tillë rrjetet sociale të marra së bashku.)

Përveç kësaj, ka edhe risqe të tjera. Informacioni është banalizuar. Shpifja dhe fyerjet janë set free. Gjuhës së urrejtjes i janë hapur dyert katërkanatash. Lexuesit e shikuesit janë bërë përtacë dhe të plogësht, pa atë kreativitetin e konsiderueshëm (remarcable creativity) që Chomsky ua atribuon paksa me hatër njerëzve të zakonshëm (ordinary people), që përbëjnë 80% të popullsisë. Internautët janë vetë lexues, e shpesh edhe vetë gazetarë. Kjo nuk do të thotë se ata nuk i ndjekin mediat tradicionale.

Jo, i ndjekin që ç’ke me të. Veçse më shumë ndjekin njëri-tjetrin. Mirëpo, në vend që rrjetet sociale të shërbejnë si një media alternative, ato janë bërë një zgjatim i mediave tradicionale të kontrolluara nga elita sunduese. Dhe e kanë përkeqësuar situatën. Dikush që do të sulmojë një njeri apo institucion publik kuturú, pa fakte, me fyerje, mund të refuzohet nga një media e respektuar tradicionale, por kjo nuk është se e dëshpëron më shumë sesa duhet. Sot ai e ka fare të lehtë të publikojë filipiket e veta në facebook, madje edhe të gjejë mënyra për t’i bërë të aksesueshme për aq shumë lexues, sa në versionet print nuk do të ishte kurrë e mundur.

Përfytyroni tani me miliona mesazhe e shkrime të tilla (të cilave nuk u bën askush fact-checking) që qarkullojnë në twitter e në facebook gjatë fushatave elektorale. Të marra veç e veç, efekti i tyre mund të jetë i papërfillshëm. Por të marra në tërësi, ato dominojnë skenën, prodhojnë një mesazh të caktuar, ose bëjnë që peshorja të anojë nga njëra anë. Efekti i tyre elektoral është i jashtëzakonshëm.

 
Shkruar Nga
More from Redaksia

“Ua dhamë shqiptaro-sllavëve”/ Arrestohet gazetari grek që botoi shkrimin për kryeministrin

  Është arrestuar mbrëmjen e kësaj të enjtjeje gazetari i njohur grek,...
Read More