Mustafaj: Patozi e Topalli të nxitojnë dhe ta ndajnë mendjen, ja propozimet e mia për ta

Ish-ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj, në një shkrim të gjatë për gazetën Panorama, u ka bërë thirrje kritikëve më të zëshëm të Lulzim Bashës në PD, që ta ndajnë mendjen sa më shpejt.

“Jozefina Topalli e ka sqaruar sidoqoftë se vendin e saj e sheh në Partinë Demokratike dhe askund tjetër. Astrit Patozi nuk e ka përjashtuar edhe mundësinë e krijimit të një force të re politike, por gjithnjë djathtas. Problemi nuk është aspak këtu. Problemi është se ligjërimi i tyre publik, me qëllim që t’i shërbejë interesit publik, duhet të mbajë parasysh fort kalendarin elektoral kombëtar. Në fund të pranverës së adhshme ne kemi zgjedhje për pushtetin vendor,” shkruan Mustafaj.

Sipas tij, rezultatet e zgjedhjeve të fundit kanë qenë shumë të rënda për PD-në, dhe “sipas sondazheve, sapo pak të besueshme, gremisja vazhdon”.

“Kërkohet me urgjencë aksion politik nga ana e tyre, kërkohet që ata të tregojnë aftësitë e tyre udhëheqëse, aftësi që ne demokratët besojmë se ata i kanë e për të cilat i kemi votuar shumë herë”.

Më pas, Mustafaj, vetë po ashtu kritik i Bashës, jep këshilla për Patozin dhe Topallin.

“Astrit Patozi me mbështetësit e tij duhet ta marrin sa më shpejt vendimin lidhur me vazhdimin e aktivitetit të tyre politik. Unë personalisht nuk shoh asnjë dramë pse ata mund të shkëputeshin për të krijuar një forcë të re politike, mjafton që kjo forcë e re të përqafonte kauzn e qendrës së djathtë. Përkundrazi, në situatën elektorale të së djathtës, një vendim i tillë do të ishte ndoshta i dobishëm, për të ndikuar në zgjimin e shpresës, duke bashkuar rreth vetes ata mijëra demokratë të vjetër e të rinj, të cilët siç treguan në zgjedhjet e fundit, nuk shkuan të votojnë, as nuk e shesin votën dhe as nuk i besojnë udhëheqjes së Bashës.

Do ishte e dëmshme që një forcë e re politike në opozitë të rritet dhe konsolidohet duke brejtur më tej Partinë Demokratike,” shkruan Mustafaj.

“Jozefina Topalli është në moshën më të mirë për të marrë përgjegjësi brenda Partisë Demokratike,” thekson ish-ministri.

“Zonja Topalli e di shumë mirë se një parti e madhe siç është Partia Demokratike nuk është medoemos një bashkim shokësh e miqsh, por një bashkim i lirë njerëzish rreth një kauze politike në interesin e përbashkët të mbarë shoqërisë. Me këtë filozofi, rikthimi i saj aktiv në Partinë Demokratike, pa humbur kohë, do të ishte një gjë fare e natyrshme, por do të ishte edhe një triumf moral ndaj Bashës, që u përpoq ta shtynte jashtë”.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Melania Trump deklaratë kundër politikave të ashpra për azilkërkuesit të presidentit Trump!

Të parin koment politik si zonjë e parë, Melania Trump e ka...
Read More