Muzeu Wende: “Diktatori” i Maks Velos në koleksionin e Luftës së Ftohtë

Këto ditë në një pavijon të Muzeut Wende janë ekspozuar katër punime të Maks Velos nga 30 punime të dhuruara prej autorit nga cikli “Diktatori”. Muzeu Wende i vlerësoi punimet e ciklit “Diktatori” si pjesë të rëndësishme referimi të artit mbi historinë e një prej vendeve me të egra diktatoriale në Europën Juglindore. Por edhe si një dëshmi emocionale e frymëzimit të artistit.

Maks Velo më dërgoi një tekst të tij dhe një Email të zonjës Rose Dosti. Ishte një tekst domethënës dhe duket si kod, që më nxiti të shkruaj: Historia është kjo. Në Los Angeles është një Muze i Luftës së Ftohtë. Zonja Rose Dosti bleu “Diktatorin” në vitin 1993.

Këtë vepër ajo ia dhuroi këtij Muzeu, në vitin 2010. Ata e ekspozuan në linjën kryesore.

Kjo bëri që unë t`i dhuroj Muzeut një pjesë të ciklit “Diktatori”, e cila përbëhet nga 100 vizatime. Ata kanë 30 punime. Në godinën e re të inauguruar këto ditë kanë ekspozuar 4 punë sikurse shihet në foto. Të falënderoj për interesin…Maksi.

Cikli i punimeve “Diktatori”, i njohur për publikun shqiptar, i botuar dhe i diskutuar nga mendimi studimor kritik brenda vendit, nisi të krijohej aty nga viti 1989 dhe përfundoi në vitin 1993. Shpeshherë cikli nxjerr kokë edhe gjatë të tashmes në krijimet e Maks Velos, i cili e përjetoi egërsinë e vërtetë të saj, gjatë pjesës së parë të jetës së tij. Një nga faktet më të fundit rreth vlerësimit ndërkombëtar të këtij cikli është gjesti qytetar e intelektual i zonjës Rose Dosti, e cila, pasi bën të vetën veprën e artistit shqiptar Maks Velo “Diktatori” në vitin 1993, e vlerëson si një punim të shkëlqyer. Ajo një dhjetëvjeçar më pas e dhuron në mjedisin e duhur, në Muzeun Wende apo Muzeu Historik i Luftës së Ftohtë.

SHBA një vend i madh, i hapur në mentalitet, organizues dhe orientues, duket se ka vend për gjithçka që lidhet me zhvillimin historik të popujve, që jetojnë kudo në hemisferat e rruzullit tonë. Madje në Muzeun Wende, mosharresa ndaj diktaturave komuniste në vendet socialiste është kthyer në dije, që heq pluhurin dhe kujton në detaje ndodhi absurde po të vërteta, të cilat kanë mbetur në objekte e dokumente. Muzeu nuk është thjesht një vend grumbullimi dhe ekspozimi, por ka disa kohë që është kthyer në një institut kërkimi dhe edukimi mbi koleksionet dhe objektet që ruan, të cilat lidhen me historinë dhe kohën e Luftës së Ftohtë.

Këto ditë në një pavijon të Muzeut Wende janë ekspozuar katër punime të Maks Velos nga 30 punime të dhuruara prej autorit nga cikli “Diktatori”. Muzeu Wende i vlerësoi punimet e ciklit “Diktatori” si pjesë të rëndësishme referimi të artit mbi historinë e një prej vendeve me të egra diktatoriale në Europën Juglindore. Por edhe si një dëshmi emocionale e frymëzimit të artistit. Një fakt, në dukje i thjeshtë, por në sistemin e zhvillimit të historisë botërore të shek. XXI, referon memorien dhe këmbënguljen e artistit shqiptar, për të theksuar dyshimet e shumta të asaj pjese të shoqërisë, që nuk e dëshiron rishfaqjen apo riciklimin e ndodhive sa agresive dhe sa denigruese të përpjekjeve politiko-ushtarake, ekonomiko-sociale të Luftës së Ftohtë. Punimet e Maks Velos janë abstragimi figurativ i kujtesës artistike mbi faktet e rënda politike, të ndodhura në Shqipërinë komuniste, si pjesë e kampit sovjetik dhe atij kinez, deri në vitin 1990.

Muzeu Wende mendoj se ka eksploruar dhe gjetur te punimet e Maks Velos një pjesë të historisë së Bashkimit Sovjetik dhe Europës Lindore të aplikuar te shqiptarët në Ballkan. Nëse në këto vende, muze të tillë provokativë me objekte, artefakte, dokumente, që janë dëshmi e asaj kohe, nuk ekzistojnë, sistemi kulturor i SHBA-ve guxon dhe organizon një muze në Los Anxhelos, larg Europës Qendrore dhe Lindore. Por fondi i tij është plot e përplot me koleksione e artefakte që vijnë nga këto vende, të cilat gjatë kohës së ndryshimit të madh apo pikës së kthesës, me rënien e Murit të Berlinit, do t`i shkatërronin si rezultat i reagimeve emocionale dhe politike. Këta muze ende nuk mund të ngrihen sepse ende e kaluara jonë europiane lindore e kohës së Luftës së Ftohtë është në konflikt të heshtur me të tashmen tonë. Ende në këta vende e tashmja nuk ka pavarësi kritike ndaj asaj kohe. Arsyet janë disa, por kultura dëshmuese e SHBA-ve nuk ka kohë për të humbur dhe sot e përball Muzeun Wende si një vendtakimi të debatit dhe të kritikës, të sarkazmës dhe ironisë, të dëshmisë dhe të trashëgimisë së historisë së Luftës së Ftohtë, në objektet e prodhuara për lavdinë e saj.

Fjala “Wende” vjen nga gjermanishtja dhe do të thotë “ndryshim” apo “pikë e fortë kthese”. Kjo fjalë lindi për të përcaktuar periudhën e ndryshimeve dhe transformimeve të mëdha që ndodhën pas rënies së murit të Berlinit, në vitin 1989. Në këtë muze, departamentet e tij janë organizma kërkimi dhe konservimi të artefakteve, dokumenteve arkivore, filmave, flamurëve, ditarëve, intervistave dhe historive personale, muzika, këngët etj., që vijnë nga Europa Lindore dhe Bashkimi Sovjetik në periudhën 1945-1991.

Muzeu organizon dhe kuron për publikun ekspozita eksperimentale të programuara sipas disiplinave nëndarëse të objekteve që ruan në koleksion. Studiuesit e tij sjellin ide të frymëzuara nga survejimi dhe këndvështrimet e ndryshme mbi këtë koleksion. Ata sfidojnë publikun dhe e angazhojnë në diskutime përmes tureve. Kuratorët i japin dritë për prekje e njohje të shkuarës, duke informuar të tashmen përmes dijeve dhe bashkëpunimeve me artistë e dizajnera bashkëkohorë. Në sallat e këtij muzeu, studentët stimulohen në interes të përgjithshëm të njohjes me një trashëgimi të stopuar tashmë, përmes ekspozitave, leksioneve, simpoziumeve dhe botimeve.

Gjithçka në koleksionin e këtij muzeu është në dispozicion të studiuesve, studentëve, universiteteve dhe publikut. Misioni i tij është: “Ruaj, Frymëzo dhe Eksploro”. Qëllimi i tij është të ruajë artin, kulturën, dhe historinë e Luftës së Ftohtë, që vjen nga të gjitha vendet e Bllokut Sovjetik dhe të vendeve të Lindjes Socialiste. Qëllimi lidhet me objektivat e tij, të cilat kërkojnë të zbulojnë, të eksplorojnë, të studiojnë dhe të kuptojnë periudhën. Përmes dëshmive dhe objekteve ta kthejnë në një trashëgimi të qëndrueshme.

Muzeu Wende u themelua në vitin 2002 dhe gjatë periudhës 2016-2018 ka si pikësynim transformimin, pasi në mjediset e tij ka një shkallë rritje të objekteve. Për rritjen e publikut, qyteti Culver në Los Anxhelos, i ka siguruar atij strukturimin, zmadhimin dhe qëndrueshmërinë financiare, për 75 vitet në vijim. Në transformimin e këtij muzeu i është dhënë rëndësi ndërtesës së armatimit, mbrojtjes dhe konvergimit të filmit. Një ndërtesë e vjetër, e projektuar dikur për t`u përgatitur për Luftën e Parë Botërore përshtatet si një qendër kulturore për ruajtjen, interpretimin e artit dhe historisë së Luftës së Ftohtë.

Koleksionet e muzeut janë të pasura dhe kanë një shumëllojshmëri mediash, si: objekte të projektimit në letër, objekte në qeramikë, pikturë, vizatim, skulpturë, grafikë, postera, mobilie, tekstile, fotografi, filma dhe libra. Gjithashtu, intervista, revista, pllaka gramafoni etj. Në muze janë koleksionuar më shumë se 21.000 libra dhe revista botuar në Gjermaninë Lindore dhe Bashkimin Sovjetik. Gjithashtu, në koleksionin e librave është një pjesë e bibliotekës personale të Erich Honecker, ish-udhëheqësi komunist që drejtoi Gjermaninë Lindore. Ai u gjykua për krime ndaj njerëzimit në 1992.
Muzeu Wende strehon një koleksion të rëndësishëm të artit grafik sovjetik dhe lindor të Gjermanisë. Postera Sovjetikë dhe nga Gjermania Lindore janë më shumë se 2.000. Segmente të Murit të Berlinit. Dhjetë nga segmentet, të paraqitura aktualisht në një nga bulevardet e Los Anxhelos, u instaluan si pjesë e Projektit Wall të Wende-s. Gjithashtu, ai konservon orë luksoze dhe të shtrenjta të asaj kohe, dhurata të shtrenjta diplomatike, dizajne dhe banderola. Koleksioni më interesant është edhe ai i pikturave, që paraqet një seksion interesant të veprave të artit realist socialist nga fundi i viteve 1940 deri në vitet 1980 dhe një spektër të gjerë stilesh dhe përmbajtjesh. Në pjesën më të madhe ato vijnë nga Ukraina.

Fotografitë politike janë pjesë e koleksionit të muzeut dhe përfaqësojnë figura publike, parada, bankete, përkujtimore dhe ushtrime ushtarake. Një nga pikat më të rëndësishme është koleksioni i veçantë i erotikës gjermane lindore, e cila u pranua zyrtarisht nga qeveria, por që nuk ishte zyrtarisht e toleruar si pjesë e domosdoshme e jetës. Koleksioni i Skulpturës është mbledhja e skulpturës gjermane dhe një pjesë e madhe të Muzeut përmban bustet e komunistëve dhe udhëheqësve politikë të shquar, si dhe modele të monumenteve politike. Koleksioni i modës dhe tekstilit ofron një perspektivë unike në këto industri dhe zhvillimin e pabarabartë të konsumizmit në Europën Lindore të Luftës së Ftohtë.

Së fundmi, Muzeu Wende shërben si depo hulumtuese për videot e dëshmive historike të mbledhura nga Projekti Shqiptar i të Drejtave të Njeriut, një organizatë jofitimprurëse me bazë në SHBA, e dedikuar për mbledhjen, filmimin dhe ruajtjen e dëshmive të shqiptarëve që u burgosën ose u internuan politikisht nga viti 1944-1991 gjatë regjimit komunist të Shqipërisë. Këto burime primare unike, më shumë se 70 në numër dhe ende në rritje, dokumentojnë një sërë përvojash të individëve nga represionit politik.

Maks Velo në këtë muze ka dëshmuar fjalët e tij se: “Unë besoj se kjo seri u krijua me kalimin e kohës, ndërsa isha në burg nga viti 1978 deri në vitin 1986. Ata kishin bërë tashmë imazhe në mendjen time në atë periudhë, vetëm unë kisha për t’i vënë ato në letër … Kur e përfundova serinë u ndjeva i çliruar, me frymëzim, ashtu siç bëra ditën kur u lirova nga kampi i burgjeve të Spaçit. Është një seri mbi dhunën e hetimeve dhe dhunën e jetës në burg, sepse komunizmi ishte një sistem i bazuar në krimin”.

Përgatiti: Suzana Varvarica Kuka

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Si të shmangim luftën bërthamore me Korenë e Veriut

The Economist Është e çuditshme që Koreja e Veriut shkakton kaq shumë...
Read More