Na ishte një herë Akademia: Ja plani i shkrirjes

Zbulohet projekti i qeverisë për shkrirjen e Akademisë së Shkencave duke e përfshirë këtë institucion në Qendrën Kombëtare të Kërkimit Shkencor, në të cilën do të përfshihen Akademia e Shkencave, Qendra e Studimeve Albanologjike dhe shumë institute për kërkim shkencor. Kreu i akademisë Gudar Beqiraj e konsideron të paprecedent mbylljen e institucionit.

Akademia e Shkencave, duket se përshpejtoi vetë “shkrirjen” e saj me zgjedhjet mjaft të dyshimta të kryera për kryetarin dhe nënkryetarin e ri, por vendimi që ky institucion do shkundej thellë deri në “themele”, ishte marrë pak kohë më parë.

Në kuadër të ristrukturimit të administratës dhe institucioneve shtetërore, Akademia e Shkencave do pësonte ndryshim.

Nën Ministrinë e Arsimit, Kulturës, Inovacionit, Rinisë dhe Sporteve është parashikuar edhe Qendra Kombëtare e Kërkimit Shkencor, në të cilën do të përfshihen Akademia e Shkencave do të shkrihen duke bashkuar disa institute kërkimore dhe shkencore.

Dokumenti u bë publik nga deputeti i LSI-së Luan Rama, i cili e quajti reagimin e dy ditëve më parë të kryeministrit si një veprim të menduar kohë më parë dhe në kohen kur kryheshin zgjedhjet  në akademi gjeti momentin që të kundërvihej hapur ndaj këtij institucioni.

“Projekti i ‘qeverisë së tepsisë’, kishte parashikuar përpara zgjedhjeve të 25 qershorit zhdukjen e Akademisë së Shkencave. Nën Ministrinë e Arsimit, Kulturës, Inovacionit, Rinisë dhe Sporteve është parashikuar edhe Qendra Kombëtare e Kërkimit Shkencor, në të cilën do të përfshihen Akademia e Shkencave, plus Qendra e Studimeve Albanologjike dhe shumë institute për kërkim shkencor”-shkruan deputeti i LSI-së.

Ndërkohë dy ditë më parë, nëpërmjet dy reagimeve të shkurtra kryeministri Edi Rama reagoi ashpër duke u shprehur se, nëse zgjedhjet do jenë farsë, atëherë do të detyrohet që qeveria të ndërpresë fondet për Akademinë e Shkencave.

“Nëse nuk reformohet Akademia e Shkencave nuk do marrë më asnjë qindarkë nga buxheti e do të duhet të dorëzojë godinën! Prandaj Stop Farsës”-shkruajti Rama në mesazhin e parë.

Pavarësisht këtij qëndrimi, në Akademinë e Shkencave vijoi normalisht procesi i zgjedhjes së kryetarit dhe nënkryetarit. Nuk pati surpriza mes akademikësh, pasi gjithçka ishte paracaktuar kur Gudar Beqiraj si kandidaturë e vetme u vu në krye të akademisë, ndërsa nënkryetar u zgjodh Muzafer Korkuti, i cili kishte mbajtur më parë postin e kryetarit. Ky rrotacion mes këtyre dy akademikëve për më shumë se një dekadë u konsiderua absurd nga kreu qeverisë, por edhe një pjesë tjetër akademikësh dhe profesorësh.

Për ta bërë “transparente” zgjedhjen votat u numëruan në prani të mediave, por gjithçka kishte “kollondrisur” më parë në këtë proces dhe nuk priteshin surpriza. Më gati 80 për qind të votave Gudar Beqiraj dhe Muzafer Korkuti ndanë postin e kryetarit dhe nënkryetarit.

Kjo detyroi kreun e qeverisë të përgjigjej flakë për flakë me një tjetër reagim, ku u shpreh se: “Meqë ‘Akademia’ zgjodhi farsën, uroj të gjejnë dhe fondet për vijimin e farsës! Fondet tona do t’i shkojnë universitetit për kërkim shkencor”.

Që të gjithë këto reagime dhe kundër reagime e kishin të paktën dy arsye; zgjedhjet e paracaktuara të kryetarit dhe nënkryetarit të cilët nuk kishin as rivalë dhe mungesa e efikasitetit të këtij institucioni.

Kryetari i sapo zgjedhur Gudar Beqiraj në një reagim të shkurtër doli hapur kundër kreut të qeverisë, duke e konsideruar të paprecedent mbylljen e Akademisë së Shkencave.

“Vetëm një herë ka bërë vaki në historinë e njerëzimit. Disa kohë më parë ai që ishte në krye të Turkmenistanit vendosi të mbyllë akademinë dhe disa institucione të tjera shkencore”– deklaroi Beqiraj.

Sipas tij, reformën duhet të bëjë qeveria në këtë institucion, pasi akademikët kanë paraqitur tre variante për ristrukturimin e saj, në mënyrë që të jetë më eficient.

Kur vjen çështja e punës së kryer nga Akademia e Shkencave, edhe vetë protagonistët që kanë drejtuar këtë institucion në 15 vitet e fundit e kanë të vështirë të dalin në “mbrojtje” të punës së tyre, pasi nuk ka qoftë edhe një botim të mirëfilltë shkencor në interes të publikut.

I gjitha aktiviteti i akademisë është i përqendruar në mbajtjen e disa kumtesave, botimin e disa broshurave dhe udhëtimet jashtë vendit në seminare të ndryshme ndërkombëtare.

Nga buxheti i shtetit çdo vit akordohen rreth 120 milionë lekë të reja, ku gati 70 % e kësaj shumë shkon për pagat e drejtuesve të akademisë, anëtarëve të saj dhe personelit.

Gati 30 % më tej shpenzohet për botime dhe mbajtje konferencash për aktivitete të ndryshme.

Që ky institucion shkencor kërkon reformimin edhe disa nga anëtaret e akademisë janë shprehur pro, por në këtë situatë kërkojnë që akademia të mos mbyllet.

Me projektin e ri të qeverisë Akademia e Shkencave është përcaktuar që të shkrihet dhe kalojë në ristrukturim, duke iu bashkangjitur edhe instituteve të tjera kërkimore dhe shkencore.

Pikërisht kjo lëvizje mund të çojë në shkundjen e thellë të akademisë, ndërsa rrezikohet edhe pozicioni që aktualisht mbajnë Gudar Beqiraj dhe Muzafer Korkuti. Institucionet kërkimore dhe shkencore kanë pësuar ndryshime të shumta në dhjetë vitet e fundit.

Fillimisht në kohën e qeverisë Berisha u mbyllën disa institute shkencore.

Kjo masë u morë pasi shumë institute shërbenin vetëm si vende pune, madje me administratë të fryrë dhe nuk kishin efikasitetin e kërkuar.

Tashmë reforma më e madhe pritet në ndodhë në të ardhmen duke u shkrire disa institucione në kudër të projektit të një qeverie dhe administrate më të vogël.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Për kontekstin shqiptar, votimi i detyruar është i domosdoshëm

Nga Ervis Iljazaj Nënkryetari i Partisë Demokratike, Edmond Spaho, ka dalë me...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.