Nacionalizmi grek përballë të vërtetave historike

Nga Pirro Prifti

Në historinë e kombeve dhe të shteteve të formuara gjatë mijëvjeçarit të fundit ka vetëm një shtet i cili ka përvetësuar historinë e lashtë dhe të sotmen duke krijuar një mit të vetin me qëllim të krijimit të një legjende historike për një shtet të ri që u quajt Greqi.

Pa u fokusuar te detajet dhe manovrat për të përfituar statusin e një shteti të ashtuquajtur me një histori të lashtë, mund të them frazat e një ambasadori të asaj kohe i cili në debat e sipër me përfaqësuesin grek i tha: `….Ju jeni një shtet pa komb …kurse ata (shqiptarët) janë një komb pa shtet….`. Formimi i shtetit grek të krishterë në vitin 1831 nga arvanitasit, vllehët, sllavët dhe pakicat e tjera egjiptiano-anadollake ishte një goditje e madhe për Perandorinë turke të asaj kohe, sepse për formimin e këtij shteti kontribuoi në radhë të parë Anglia dhe Rusia, por edhe Franca e Gjermania, kryesisht të nxitur nga Historia e lashtë e Athinës, e Spartës, e Mikenës, e mbeturinave të Trojës në Anatoli, dhe e Mitologjisë. Gjithçka filloi me goditjen e parë të politikanëve bizantinë të larguar nga Kostandinopoja (e cila mori emrin Stamboll në vitin 1931), politikanë të cilët në parlamentin e parë grek hodhën idenë e ribërjes së Perandorisë së Krishterë Bizantine të shkatërruar nga Sulltan Mehmeti II në qershor 1453.

U hodh ideja e gjuhës kombëtare dhe këtu arvanitasit që kontribuuan në më shumë se 80% të luftës anti-osmane bënë humbjen e parë në atë parlament sepse u kapën `mat`, kur përfaqësuesi bizantin i tha se `…gjuha arvanitisht nuk është gjuhë e shkruar… prandaj gjuha bizantine është e shkruar kështu që është më mirë të kemi këtë gjuhë të shkruar`.

Sigurisht elozhet për arvanitasit ishin të shumta, por… nuk vonoi shumë që shumica dërrmuese e popullatave që jeton në Greqi filluan të mësojnë me detyrim një gjuhë jo të nënës. Ndodhi një habi e madhe; në shtëpi fliteshin vllahisht, arvanitisht, sllavisht ( serbisht, bullgarisht), më pak bizantinisht, por si gjuhë kryesore zyrtare u vendos një gjuhë me shkronjat e bizantit të cilën e vendosën të quhej gjuha helene ose greke.

Ku e bazuan grekët shtetin e tyre? E bazuan te binomi Fe + Atdhe. Një binom mbi të cilin u mbështetën të gjitha shtetet europiane por dhe ato islame. Shteti grek përdori Ortodoksinë si mjet fetar por edhe politik për të quajtur të gjithë personat që ishin ortodokse apo bizantinë- duke i quajtur grekë, kurse atdheun e bazuan te tokat që kishte patur Bizanti por që i humbi në luftë me Osmanët. Kështu lindi Megaloideja e cila synonte ribërjen e Perandorisë Bizantinë tashmë jo me kryeqytet Kostandinopojën por me idenë që ajo do t’u rikthehej me ndihmën e Rusisë në të ardhmen. Së dyti, e bazuan formimin e shtetit të ri te ndryshimi i gramatikës dhe i fjalëve të së ashtuquajturës nga iluministët `greqishte e vjetër` që në fakt ishte një gjuhë pellazgike me germa të huazuara nga fenikasit- në gjuhën greqishte të re e cila me gjithë ndryshimet ka plot fjalë arvanitisht apo shqip.

Ngulmimi për të formuluar një gjuhe dhe një gramatikë të re lindi edhe nga fraza e Mbretit Otto i cili mësoi gjuhën bizantine dhe kur erdhi në Athinë vuri re se aty nuk flitej ajo gjuhë por një gjuhë tjetër dhe i habitur pyeti çfarë është kjo gjuhë? Shoqëruesit i thanë se është gjuhë arvanitase!!! Së treti, përfaqësuesit e shkolluar bizantinë të cilët erdhën me shumicë nga Kostandinopoja, nga Aleksandria, nga Anatolia, krijuan një plan sa strategjik por edhe djallëzor: morën përsipër përkthimin e veprave të dijetarëve të lashtësisë përfshi dhe Herodotin dhe Plinin duke bërë vetëm një ndryshim të vogël por sinjifikativ: ato vende ku përmendej emri Athinë, Spartë, Mikenë apo të gjitha emrat e lashtësisë, Maqedoni, Aleksandër i Madh, ata në përkthimet e tyre në gjuhën greqishte të re i vendosën edhe fjalën `grek` apo `helenë`, duke krijuar kështu vazhdimësinë historike të munguar mijëravjeçare. Po të shikosh origjinalet, nuk ka emër grek apo helenë. Këta emra janë vendosur vonë.

Së katërti. Historia e Greqisë së vjetër siç e përmenda më sipër është e bazuar në fiset ilire e pellazge. Një nga fiset më të vjetra pellazge ishin Epirotët ( Epir- I Epërm i sipërm) dhe Mollosët (Mollosia- Malësia), të cilët ishin edhe drejtues të akejve në luftën kundër Trojës.

Problemi i Aleksandërit të Maqedonisë është një nga rastet më të çuditshme të deformimit të historisë së lashtë. Dihet që Aleksandri i Maqedonisë mësoi gjuhën helene në Athinë nga Aristoteli, pra ai nuk ishte siç thonë historianët grekë obsessive-grek, por ishte maqedon.

Pas Kongresit të Berlinit 1-10 qershor 1878, me ndarjen e tokave ku banonin shqiptarët nën Perandorinë osmane, formimin e shteteve të reja si Serbia, Bullgaria Mali i Zi, si dhe me gafën e bërë nga Lidhja e Parë e Prizrenit e cila nëpërmjet Kahrarname-së së dërguar në Kongresin e Berlinit (Kahrarname-e cila kërkonte që tokat e vilajeteve me popullsi myslimane të qëndronin nën hyqmin e Perandorisë Osmane), edhe Greqia mori toka dhe popullsi jo të sajat, duke kërkuar tokat e Epirit të cilat i përvetësoi shumicën në luftën e parë botërore, madje, për të marrë komplet tokat e Epirit të Veriut atentatorë të paguar, vranë edhe kolonel Telinin, por në marrëveshje edhe me qeverinë e xhonturqve morën pa luftë Janinën të cilën e dorëzoi Esat Pashë Toptani pasi mori një pagesë të madhe, dhe Selanikun të cilin e dorëzoi një gjeneral bullgar gjithashtu duke u paguar. Kështu që e tërë popullsia ortodokse që nuk dinte greqisht dhe që nuk ishte popullsi e ashtuquajtur `Helene` quhej gabimisht në sy të Europës -si popullsi `greke`, me pretekstin se ishin ortodoksë. Së gjashti, ideja apo më saktë obsesioni për të marrë Epirin, politikanëve grekë u lindi edhe nga dëshira e arvanitasve të shekullit XIX për të çliruar nga osmanët zonën e Epirit, arvanitas të cilët përveç Moresë (Peloponezi), ishin edhe Epiri, nga Suli, nga zona e lumit Kallamas-shqip lumi i Kallamave, pjesë e popullsisë myslimane të asaj kohë i u vu emri Çam e Çamëri nga Ali Pashë Tepelena, për t’i dalluar nga epirotët dhe suljotët ortodoksë. Kjo ide fikse ekziston dhe sot si pjesë e strategjisë së forcave politike ekstremiste greke. Së shtati, strategjia për të ndryshuar emrat shqip apo arvanitisht në emra të tjerë grekë për të shuar historinë e atyre viteve: kështu u ndërruan emrat e Negovanit, emrat e fshatrave çame, dhe plot ndryshime e toponime që ishin por edhe kishin dhe kanë kuptim fare të qartë në gjuhën shqipe. Së teti, presioni që gjuha shqipe dhe vllahe, madje dhe ajo bullgare dhe serbe të mos flitej në shtetin grek, por vetëm të mësohej gjuha artificiale greqishte e re. Greqia e quan veten shtet homogjen dhe si e tillë nuk ka firmosur ligjin për pakicat në OKB. Për shkak të simpatisë patologjike ndaj këtij shteti si nga BE ashtu dhe nga SHBA, e të tjerë, është heshtur ndaj represionit brenda Greqisë e cila heshturazi shkel të drejtat dhe liritë e njeriut të paktën ndaj popullatës shqiptare të larguar me dhunë qoftë pas marrëveshjes së Lozanës kur largoi mijëra myslimanë në Turqi për t’i shkëmbyer me greqishtfolës ortodoksë, qoftë edhe largimit të rreth 30.000 shqiptarëve nga Çamëria menjëherë dhe pas Luftës së Dytë Botërore. Deri kur Greqia u fut në BE, represioni ndaj pakicave ishte shumë i madh madje dhe i kamufluar por që edhe pranohej heshturazi nga anëtarët e BE. Laicizmi shtetëror formalisht në Greqi funksionon pasi hyri në BE, por liritë dhe të drejtat e njeriut ndaj pakicave ekzistojnë dhe sot e kësaj dite.

Skandaloze është problem i të drejtave të njeriut të popullsisë shqiptare myslimane të quajtur çame, të cilët u larguan me dhunë nga territoret e tyre në Greqi në zonën që quhet Çamëria afër lumit Kallamata apo Tziamus për shkak të bashkëpunimit me gjermanët (sipas qeverisë greke), por që sot pas 70 e ca vitesh, moslejimi i pasardhësve të tyre për të shkuar në vendin e të parëve të tyre – duket si një krim monstruoz. Dihet se bijtë e bijat, nipërit e mbesat nuk kanë asnjë lloj faji apo përgjegjësie se ç`ka ndodhur para lindjes se tyre. Dihet gjithashtu se para Luftës së Dytë Botërore Greqia ka pranuar se ka minoritet shqiptar në Greqi (pa përfshirë arvanitët të cilët i ka asimiluar por në fakt ata edhe sot e kësaj dite flasin shqip), kurse pas Luftës së Dytë Botërore nuk ka lënë gjë pa bërë me pretekstin se Shqipëria ishte vend komunist dhe përkrahte luftëtarët komunistë grekë të cilët ishin strehuar dhe luftonin përreth Malit Gramoz; kështu bënë provokacione në kufijtë e Shqipërisë duke vrarë dhjetëra shqiptare në 1949, por edhe duke pësuar humbje të rënda vetë.

Në mënyrë të njëanshme dhe duke e ditur fare mirë se minoritarët greke në Shqipëri jetojnë komplet të barabartë me shqiptarët dhe se janë një familje, bëjnë presione duke krijuar insinuata të habitshme sikur ata persekutohen nga shqiptarët apo nuk kanë të drejta,- gjë që është një gënjeshtër e madhe, por nuk kanë bërë asgjë për shqiptarët dhe arvanitasit që jetojnë në Greqi apo për çamët prindërit e të cilëve kishin madje edhe pasaportë greke të asaj kohe.

Pavarësisht dëshirës së mirë të Qeverisë së sotme greke të z. Cipras për të normalizuar marrëdhëniet, normalizim i cili nuk mund të bëhet pa heqjen e Ligjit absurd dhe djallëzor të luftës të miratuara para 78 vitesh, politikanët grekë duken sikur po e njohin tashmë realitetin e sotëm dhe shpresojmë që të jenë mjekuar nga sindromi obsesiv-kompulsiv i Greqisë së Madhe, si dhe nga arroganca ndaj fqinjëve.

Shpresojmë që Nacionalizmi aspak normal grek, sidomos ai i paraqitur në demonstratën prej 150.000 vetësh në Selanik ku kërkonin ndryshimin e emrit të Maqedonisë duke u shprehur se ajo është greke, tregon edhe një herë se pjesë e politikës greke nuk ka dalë nga ekstremizmi dhe mashtrimi, por vazhdon të nxitë urrejtje dhe racizëm ndaj popujve fqinjë.

Jam i sigurt se populli grek ka mendim komplet ndryshe nga këta politikanë të djallëzuar që ende kërkojnë `qiqra ne hell`, dhe kërkon ashtu si populli shqiptar fqinjësi të mirë, paqe, bashkëjetesë edhe me komunitetet e respektuara myslimane qofshin ne Shqipëri, Maqedoni, Greqi. Ashtu si thotë dhe BE, e ardhmja jonë është integrimi në Europë dhe jo bartja e problemeve të vjetra. Edhe në Shqipëri ka nacionalistë që kërkojnë Shqipëri të madhe, por shumica dërrmuese e popullit shqiptar nuk kërkon as ndryshim kufijsh dhe as luftë, populli shqiptar kërkon paqe-bashkëjetesë me popullin grek dhe reciprocitet në marrëdhënie me ta.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Ledia Dushi: Çmimi Kadare është konsoliduar si institucion vlerësues

Poetja dhe studiuesja Ledia Dushi, njëherazi pedagoge në Universitetin Europian të Tiranës...
Read More