Namik Dokle; Sytë e librit e shohin botën më mirë se çdo gjë tjetër

Jo si politikan, as si shkrimtar kur sapo ka botuar romanin e ri “Lulet e skajbotës”. Namik Dokle rrëfehet si lexues. Cilët libra dhe autorë e kanë shënjuar, shijet e tij në zhanret që zgjedh dhe librat që ka në dorë aktualisht. Sepse ca gjëra i sheh më qartë me sytë e librit…

0-1

Picture 1 of 19

Libri më i vjetër që keni në bibliotekë…

Libri më i vjetër i bibliotekës time është “Don Kishoti”, një botim i fundit të viteve1800 fillim i viteve 1900, të  cilin e bleva për 5 dollarë në Havanë nga një djalë, që nuk e dinte se çfarë po shiste. Kur ia tregova një profesoreshë  të letërsisë në universitetin e Salamankës, më tha: “E dini? Ju keni një thesar!” Pas këtij vjen botimi  i para njëqind vitesh i poemës “Qerbelaja” të  poetit tonë kombëtar Naim Frashëri.

Librat i zgjidhni nga autori apo zhanri?

Dikur nuk i zgjidhja, lexoja gjithçka, siç thoshte dikush “lexoja edhe tabelat e rrugëve”. Tani i zgjedh sipas autorit.

I keni lexuar të gjithë librat që keni në bibliotekë?

Ato që i kam blerë  vetë i kam lexuar (disa edhe dy herë), kam të  palexuara disa libra që m’i kanë  dhuruar autorë  të ndryshëm.( U kërkoj ndjese!)

Libri i parë që keni lexuar…

Nuk e mbaj mend saktësisht, ka qenë një libër që  e kishte shkolla e fshatit tim. Librat e parë  që  mbaj mend janë “Tregimet e Donit” të Shollohovit dhe “Demoni” i Lermontovit.

Libri i parë që keni kursyer për ta blerë…

Konti i Monte Kristos.

Me kë i  keni ndarë  librat?

Me shumë shokë e miq, por më së shumti me kushëririn tim,  Elmas Dokle, ndjesë pastë, që kishte një bibliotekë të mirë. Kujtoj se një nga librat që  ai më  dha për te lexuar ishte “Shekulli im” i Kadaresë. U mrekullova, por në hartime,  mësuesi me vinte nota mesatare dhe më shkruante “ Leni kadarenat”!

A keni pasur kartë anëtarësimi në Bibliotekën e qytetit?

Po, kam pasur, në gjimnazin dhe bibliotekën e Kukësit dhe kur erdha student në Tiranë  në  Bibliotekën Kombëtare. Kam pasur kënaqësi të rremoja nëpër skedat e bibliotekës, edhe pse jo të  gjithë librat e skedave mund t’i lexoja.

A shkonit në Bibliotekë dikur, dhe a vazhdoni ta frekuentoni edhe sot?

Tani nuk shkoj në bibliotekë, sepse librat që dua të lexoj i marr në shtëpi.

I keni marrë ndonjëherë një mikeshe apo miku një libër dhe me ndërgjegje nuk ia keni kthyer më? Nëse po, cili është ai libër? ☺

Ah, kjo pyetje më sikletos, por edhe më bën të qesh. Kur isha student, kisha shok klase Shkëlqim Agollin, kushëri i parë i Dritëroit. Në  atë kohë nuk njihesha me Dritëroin ( Më pas e pata pedagog në fakultetin e Gazetarisë). Por me shokun tim shkonim në shtëpinë e Dritëroit dhe rrinim e “bënim muhabet” me nënë Hatixhenë. Ajo ishte si “bibliotekare” dhe më jepte libra nga biblioteka e Dritëroit. Mbaj mend që kam lexuar disa libra të Lermontovit, Nekrasovit, Turgenievit, te cilat nuk ishin të  përkthyera në  shqip. Një ditë,  gjetëm një libër që ishte në dy kopje dhe nënë Xhexheja më tha: “Merre, se Driti boll e ka një.” Ishte libri me poezi “Molla” i Jevtushenkos. Në vitin 1991, Jevtushenko erdhi e mbajti një fjalim në Parlament, pastaj u bë një takim, në të cilin ishin Dritëroi, Xhelil Gjoni, Sali Berisha, etj. Të gjithë i folën me respekt poetit rus. Kur erdhi radha ime, i thashë: “Nga dëshira për të lexuar një libër tuajin, unë e kam ‘vjedhur’ dhe a e dini ku? Në  bibliotekën e Dritëroit.”

Keni humbur libra që i keni pasur shumë të dashur?

Po, kam humbur katër libra. “Shekulli im” që ia  përmenda pak më parë, “Çoçarja”, “Lahuta e malësisë” dhe “Tre shokë”. I kam riblerë, por në botimet e mëvonshme.

Dhurimin e librave është një rit që e vlerësoni, apo librat preferoni t’i zgjidhnit vetë, nuk u besoni shumë shijeve të të tjerëve? ☺

Më mirë është kur i blen vetë.

Cilat janë zakonet tuaja të leximit? Lexoni shtrirë në kurriz, përmbys, në tryezën e punës… ?

Më shumë në tryezën e punës.

A lexoni në banjë?

Jo, nuk lexoj kurrë në banjë, ndonjë herë kujtoj ndonjë varg nga ato që kam lexuar, vetëm kaq.

Në çfarë gjuhe tjetër përveç shqipes lexoni?

Dikur lexoja rusisht, tani rrallë frëngjisht dhe shumë  shpesh spanjisht. Ajo që  më  ka nxitur të mësoj këtë gjuhë  ka qenë  dëshira për të  lexuar në  origjinal shkrimtarët “magjikë” latinoamerikanë, veçmas G.G. Marquez, Pablo Neruda, Juan Rulfo etj.

Ç’libër keni në duar aktualisht?

“Noticia de un secuestro” (për së dyti) të  G.G. Marquez.

Mbani shënime kur lexoni?

Nënvizoj shume dhe mbaj shënime në skeda, të cilat edhe i klasifikoj pastaj, si fjala vjen çfarë dhe si kanë shkruar shkrimtare të ndryshëm për vdekjen. Dhe vë re se ndryshe shkruan për vdekjen latinoamerikani Juan Rulfo e ndryshe japonezi Kenzaburo Oe…

Në letërsi ju tërheq më shumë proza apo poezia? Kur shënjoni një autor të preferuar, lexoni gjithçka të tij apo të saj?

Aktualisht më tërheq më shumë proza. Përpiqem të  lexoj sa më shumë  nga një autor dhe të krahasoj evoluimin nga një vepër në tjetrën. Por janë vetëm tre shkrimtare, veprën e të cilëve e kam lexuar të plotë; Agolli, Kadare dhe G.G. Marquez. Për këtë të fundit kam lexuar edhe biografinë e shkruar nga anglezi Gerald Martin, për të cilën punoi 19 vjet dhe kur e mbaroi, Marquez i tha:” Tani unë nuk jam unë, por ai që ti ke shkruar.”

Cilët janë ata libra apo autorë që ju rekomandoni se duhen lexuar patjetër?

Janë shumë, duke filluar nga Bibla.

A ka një libër që ju e konsideroni si Librin Total?

Total?! Nuk më pëlqen ky koncept, sidomos për letërsinë që është një pasuri e çuditshme, më saktë, e mrekullueshme.

Po t’ju thonë se në Arkën e Noes së Librave duhet të shtini 3 libra për t’i shpëtuar nga Apokalipsi cilët do ishin?

Bibla. Don Kishoti. Tragjeditë e Shekspirit.

Na thoni një maksimë për librat që e mbani mend ose e përsërisni shpesh…

Sytë e librit e shohin botën më mirë se çdo gjë tjetër.

Na thoni një varg të preferuar poezie…

Çfarë është pa vuajtje jeta e poetit?

Çfarë është oqeani pa furtunë?

(Lermontov)

Cili është personazhi i preferuar i romaneve që keni lexuar?

Në të vërtetë është personazhi i një tragjedie: Hamleti.

Autografi më i çmuar apo më i çuditshëm që keni në bibliotekën tuaj?

Më lejoni të shmangem në një farë e mënyre dhe t’ju tregoj për një dorëshkrim ne dy faqe format i vogël, që nuk është autograf, por diçka tjetër, e shkruar me laps nga Ismail Kadare. Kur u botua për herë të  parë  romani i tij “Dimri i vetmisë së madhe” në shtypin e kohës nisën disa kritika të ashpra. Në  kombinatin e autotraktorëve u organizua një diskutim, ku ishte i pranishëm edhe Ismaili. Mua me dërgoi gazeta “Puna” ta pasqyroja këtë diskutim. Njerëzit folën me mençuri për librin dhe me dashuri e respekt për shkrimtarin. Në fund, e mori fjalën Kadare. Kur po shkruaja shkrimin, Ismaili me kërkoi që  fjalët e tij në takim t’i përmblidhte ai vetë. Ashtu bëmë. Por…shkrimin nuk e botoi as gazeta “Puna” dhe as “Drita”, meqenëse dy kryeredaktoret e tyre kërkonin që të hiqja disa nga vlerësimet pozitive për romanin. Dhe unë akoma ruaj dorëshkrimin e Ismalit, si një gjë të  çmuar në  bibliotekën time. Kanë kaluar më shumë  se 40 vjet.

 

 

 

 

Shkruar Nga
More from Revista User

Zbulohen tre varre me 33 trupa në Meksikë

Autoritetet meksikane zbuluan tre varre me së paku 33 trupa në shtetin...
Read More