Nasho Bakalli: ‘Timoni i qeverisë’ së Ramës dhe historia e pabesueshme e gjyshit të tij

Kryeministri Edi Rama në një intervistë të tij në vitin 2011, deklaronte se ai nuk dinte ti jepte makinës.

Kjo deklaratë e tij u mbajt mend gjatë, pasi historia e kryeministrit me makinën ka nisur shumë vite më parë.

Gazetari Nasho Bakalli duke marrë shkak nga kjo deklaratë është kthyer pas në vite dhe ka nxjerrë historinë e gjyshit të tij Vlash Rama.

Në një shkrim të botuar tek “Tema”, Bakalli thotë se pavarësisht se kemi një kryeministër që nuk i jep makinës, gjyshi i tij ka qenë kampion kombëtar në garat me makina, dhe, jo vetëm një herë kampion.

Nga Nasho Bakalli, TemA

Fakti që Edi Rama, kryeministër, nuk di ti japë veturës, të paktën deri në vitin 2011, ishte ndër arësyet, jo kryesore, që më shyjti të shënoj sa më poshtë vijon për të ndjerin Vlash Rama, gjyshin e Edi Ramës.

Arsye kryesore, jo vetëm në këtë shkrim, mbetet nderimi për njeriun punëtor, të ndershëm, dhe fort të dëshiruar për ta parë Shqipërinë, qoftë edhe në sport, përkrah qytetrimit dhe krishtërimit europian.

Vlen të shtoj se asnjëri nga kryeministrat e Shqipërisë, deri në qershor 2013, nuk ka patur fatin ta ketë gjyshin e vet kampion kombëtar në garat me makina, dhe, jo vetëm një herë kampion.

* * *

“Konkurs Automobilistik në Vlorë”

Me këte titull gazeta “Vullneti i Popullit” njoftonte, në fillim të muajit gusht të vitit 1931, se: ” … në 1 shtator 1931 do të zhvillohet në Vlorë konkursi automobilistik. Fituesi do të marë Kupa III “Vlora”, dhuruar prej N. S. Mbretërore Princeshës Myzejen Zogu. Gara do të zhvillohet në sheshin Vlorë – Nartë, në një qarkullim prej 26 km. Përveç fituesit të parë, që do të marë Kupën III “Vlora”, fituesit e tjerë do të nderohen me medalje ari dhe shpërblime në të holla. ” .

Cili ishte sebepi, dhe kush ishin organizatorët e garës automobilistike për fitimin e Kupa III “Vlora”. “Gazeta Shqiptare” e datës 2 gusht 1931 shkruante se “… Komiteti organizator i garës automoblistike të qytetit Vlorë na njofton dhe na siguron, edhe këtë vit, se – me rastin e kremtimit të trevjetorit të Monarkisë Shqiptare që bie, sikundër dihet, në ditët e para të shtatorit – në Nartë do të bëhet gara automobilistike e përvitshme Kupa III “Vlora”.

Kjo garë, që këtë vit është bërë pjesë e aktiviteteve të kalendarit sportiv zyrtar të Shqipërisë, nuk ka munguar që në vitet paraardhëse të ngjallë interesin e tërë botës sportive shqiptare, dhe, të shumë personave të lartë politik të Shqipërisë …” .

Po kjo gazetë, në datë në datën 8 gusht 1931, njoftonte ” … Më parë se të qëndrojmë në zhvillimin e garës në fjalë kujtojmë të drejtën – që na takon – të flasim pak mbi personelin që me aq kujdes dhe me aq zell vuri në vijim dhe përfundim zhvillimin e kësaj gare, e cila, pa fjalë, do të jetë një kujtim i paharrueshëm për gjithë publikun e pranishëm dhe konkurentët automobilista.

Këtë vit Komiteti veprues filloi prej kohësh punimet e veta – me mejtimin e patundur që gara të jetë një ekspresion i vërtetë i ndërgjegjes të thellë sportive shqiptare – nën drejtimin e zotërinjve: Spiro Suli, kryetar i Shoqnis Sportive Vlora; Kaval. Piacentini; Prof. Ostilio, kryeinstruktor i edukatës fizike; Urbani Inocente, kapiten i Idroskalos; dhe Pippo Kasteletti.”

Gara automobilistike është edhe më e bukur në vjeshtë, kur sheshi i Nartës është i shkretë, dhe papluhur nga shirat e stinës. Vendi mer goxha gjallëri para, gjatë, dhe disa çaste pas mbarimit të garës. Nisja e garës, qe pak e çuditshme për ne sot. Ja si e përshkruan atë korespondenti, nga Vlora, i gazetës “Vullneti i Popullit”.

“… Në garë u përfshinë 8 makina, të markave të ndryshme. Midis konkurentëve shqiptar kishte edhe automobilistë të huaj. Kështu në orën e caktuar në programin e shpallur, ose, më mirë të themi në orën 16.oo – kur në shesh ndodhesh gjithë trupi i autoriteteve të nalta të qytetit, dhe një gjindje e madhe – të gjitha makinat konkuruese, tue pasun përsipër autoritetet organizuese, banë rrotullimin e inspektimit të pistës të garës automobilistike.

Pas kësaj, menjëherë, zv/Prefekti i Vlorës, si i ngarkuar që ishte, dha urdhër për nisjen e makinave të para, gjithashtu edhe për makinat e dyta, dhe për ato të treta. Pra të ndara në tre kategori, nga të cilat e treta ishte kategoria xhentëlmen. Kronometrista qenë: Seid Kemal, ish pronar i gazetës atdhetare “Politika” e Vlorës; kapiten Dino; Dr.Kristaq Strati; Dr. Pavllo Qirko, dhe Ilia Doga. Automobilistat pjesëmarës qenë: Urbanni Inoçente; Gjysh Ibrahimi; Vlash Rama; Shyqyri Arapi; Jakup Jaçe; Z. Dino; Allegro Roberto; dhe Giulio Ara. Bredhja qe e lumtur për të gjithë garuesit mbasi, falë fushës të mirë, nuk ndodhi asgjë e papritur. Konkurentët, megjithëse nuk kishin makina sportive për këtë lloj gare nuk deshën ta shëmtojnë ambientin entuziasmues, dhe, të gjithë dhanë tërë energjinë e teknikës së tyre më të mbaruar. Përfundimet qenë tepër të pëlqyeshme.”

Drithërima e ajrit – prej zhurmës të makinave dhe thirrjeve të miletit – krijoi një ndjesi të veçantë; atë të një kremtimi, të një tresimi të pandalueshëm, ku, të gjithë e kishin harruar baraspeshimin e emocioneve. I nevojshëm ky, për shkak të pozitës shtetrore të autoriteteve që bënin tifo të pandarë nga vegjëlia e zjarrtë. Kjo e fundit: baza e përjetshme e tempullit të sporteve. “Gazeta Shqiptare” dhe “Vullneti i Popullit” shkruajtën, në rubrikat përkatëse, se” … Kupa e N. S. Princeshës Myzejen Zogu, Kupa III “Vlora”, fitohet prej zotit Vlash Rama, i cili, me një makinë të markës “Reo” përmbushi të 26 km e fushës në kohën 21’8″. I dyti pasoi Gjysh Ibrahimi me makinë tip “Bianchi”, duke e përmbushur rrethin në kohën 25’5″.

Kurse nga konkurentët xhentëllmen fitoi Allegro Roberto, me makinën tip “Fiat 500″. Kemi, po ashtu, të shtojmë se paraushtarakët dhanë edhe ata ndihmën e tyre në rojë të pistës të garës. Manifestimi automobilistik u zhvillua në rregullaritetin më të madh, falë oragnizimit të mbaruar të komisionit organizues. Mbas mbarimit të garës e gjithë gjindja u kthye në qytet mes një kënaqësie të patregueshme për zbavitjen e bukur dhe interesante.”

Shkruar Nga
More from Redaksia

Mediat italiane: Qeveria shqiptare po lëkundet…

Ndërkohë që prokurorët shqiptarë kanë zbarkuar në Katania për hetimet mbi dosjen...
Read More