NATO: Dritë – hije mbi aleancën



NATONga Kostaq Xharo*

Gjatë muajve të fundit, diskutimet për NATO-n kanë zënë një vend të veçantë në mediat më prestigjioze. Duket sikur zanafilla e tyre lidhet me deklaratat e përsëritura të Trump, kandidati republikan për zgjedhjet paraprake për kandidatin republikan për president në SHBA. Siç thotë Xhorxh Fridman, debati është më i hershëm, ndërsa  z. Trump ka “meritën” se këtë debat e ktheu në një çështje kryesore në kontekstin e politikës së tij të ardhshme. Debati për NATO-n vlerësohet mjaft i rëndësishëm, pasi deri më sot, për më shumë se 67 vjet, vendet europiane, më parë ato perëndimore e tashmë edhe ato lindore, e shohin NATO-n si faktor kryesor në kapacitetet e tyre të mbrojtjes dhe të sigurisë. Në këtë pozicion ndodhet tërësisht edhe vendi ynë. Pavarësisht se presidenti Obama dhe zyrtarë të lartë të NATO-s janë distancuar nga deklarata të Trump, ky debat nuk e mbyll çështjen. Edhe rivalët elektoralë të z. Trump, Ted Cruz dhe Hillary Clinton kanë mbrojtur gjithashtu aleancën dhe kanë kritikuar ashpër Trump për qëndrimet e tij. Pavarësisht prej debatit, e sigurt është që: Çdo lëvizje e mundshme e SHBA i gjen të “papërgatitura” vendet europiane, anëtare dhe partnere të NATO-s dhe pothuaj asnjë prej tyre nuk ka të gatshëm një plan “B”. Ky vlerësim përbën edhe idenë e këtij shkrimi: Njohja e evolimi i kësaj dinamike “të re” dhe perspektivat e mundshme të zhvillimit në ditët e ardhme. Duke qenë se në opinionin politik dhe publik të vendit tonë “prekja” apo vlerësimi analitik i çështjeve të tilla mund të konsiderohet edhe “blasfemi”, për lexuesin do të sjellim mundësi që për referencë të afrojmë disa nga zërat më të dëgjuar e më me peshë në politikën, opinionin dhe në botën akademike perëndimore. 

Mars – Prill 2016: Trump: NATO është vjetruar…prandaj duhet të ndryshojë 

Deklaratat e Donald Trump në CNN gjatë fushatës për zgjedhjet presidenciale për Aleancën Veri-Atlantike, e paraqitur, gati në mënyrë të vijueshme, në fund të marsit (28), fillim të prillit (2), e disa herë të tjera në intervista apo takime elektorale, po risjellin edhe njëherë vëmendjen për të tashmen dhe të ardhmen e NATO-s. E shprehur më direkt sipas intervistës në The Washington Post, Trump artikulon: “…rreziku më i madh në ditët e sotme është terrorizmi. Okay? Dhe NATO nuk është krijuar për terrorizmin. NATO u krijua për t’u përballur me Bashkimin Sovjetik dhe për asgjë tjetër. Dhe tani ne nuk e kemi Bashkimin Sovjetik.”

Në një tjetër intervistë, Trump, kandidat potencial për president i SHBA, shkon edhe më tej: NATO është një organizatë e “vjetruar” dhe e paorientuar mjaftueshëm për luftë kundër terrorizmit –kërcënimi i vetëm i madh sot në botë. Duke iu përgjigjur drejtpërsëdrejti votuesve, në Wisconsin, kandidati kryesor republikan i dyfishoi komentet, që kishte bërë në fundjavë për të dy gazetat më të mëdha New York Times dhe The Washington Post, duke komentuar që “Selia e Aleancës Ushtarake në Bruksel nuk po respekton angazhimet financiare dhe ushtarake dhe kjo po i kushton mjaft SHBA-së…”. Ky koment, tepër i ashpër përfundon me: “NATO duhet të ndryshohet, ose ne duhet të bëjmë diçka. Organizata duhet riformatuar ose ndryshuar për mirë. Më tej ai vazhdoi se ..alternativa për një rregullim kupton fillimin e një organizate krejtësisht të re, edhe pse Trump nuk dha detaje mbi atë, se si e mendon këtë ri-rregullim, por e thellon pozicionin e vet, duke u shprehur se …në rrugën për të mbetur të parët, ne duhet të rivlerësojmë pozicionin e SHBA në botë..”

Parë në kontekst, qëndrimi i Trump-it duket dinamik dhe jo i luhatshëm, duke zënë gati në “befasi” kancelaritë europiane. Të mësuar përherë me një vlerësim konstant të çështjeve të sigurisë dhe mbrojtjes, duket se shumica e vendeve europiane nuk ka konsideruar ndonjëherë për një plan “B”. Qëndrimi i kandidatit amerikan, në këto momente është mjaft i ashpër, ndoshta me mundësi për t’u modifikuar në periudha më të mëvonshme, por përsëri “guri” i hedhur në ujërat europiane e “turbullon” edhe më shumë situatën. Presidenti Obama, në një pritje për Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, pak ditë pas deklaratave të Trump, kundërshtoi ashpër duke u shprehur se “NATO vazhdon të jetë një kolonë, një gur themeli për sigurinë tonë kolektive dhe për politikën amerikane të sigurisë”. Edhe Pentagoni, por edhe rivalët elektoralë të z. Trump, Ted Cruz dhe Hillary Clinton, nuk vonuan për të mbrojtur gjithashtu aleancën dhe kritikuan ashpër Trump për qëndrimet e tij.

Por a vjen “rrufeja” Trump në qiell të hapur. B. Lami, pedagog në UET, që ndjek në vazhdimësi fushatën elektorale – aktualisht primaret – në SHBA, shprehet se “… Trump dhe ekipi i tij janë mjeshtër për t’i përçuar elektoratit qëndrime, të cilat ai (elektorati) dëshiron t’i dëgjojë . . . dhe në të vërtetë ata deri në këto momente nuk kanë dështuar . Trump, në këtë kontekst nuk është një zë i veçuar, por është kthyer në fenomen… .” . Duke filluar, të paktën, që nga viti 2010 janë disa reflekse në vlerësimet strategjike amerikane, që shprehin në formë kritike atë që Trump e artikuloi në Mars-Prill të këtij viti. Të paktën tre prej tyre, që mund të ndihmojnë analizën, po i sjellim në kontekstin e këtij qëndrimi për Aleancën. Ata janë Robert Gate, ish-sekretari amerikan i mbrojtjes, në 2011, Raporti Vlerësues i “think tankers” për çështjet e sigurisë dhe të strategjisë globale, me qendër në Washington, në vitin 2016, dhe analiza e gjeopolitikanit më të famshëm të periudhës sonë, Xhorxh Fridman. Dallimi i jashtëzakonshëm midis Trump me personalitetet e cituara më lart, qëndron jo në njohjen e problemeve dhe vlerësimeve, por se Trump i ktheu këto debate në çështje kryesore të kontekstit të ardhshëm të politikës amerikane. 

Qershor 2011: Robert Gates, Sekretari Amerikan i Mbrojtjes paralajmëron “stuhinë” për NATO-n. 

Në 10 qershor 2011, nga Brukseli, tri javë para se të largohej dhe pas pesë vjet qëndrimi si kreu i Pentagonit, e më parë ish-drejtor i CIA-s, Robert Gates kritikoi mjaft ashpër liderët europianë për mungesë të vullnetit politik dhe shkurtime të buxheteve të mbrojtjes. “. . . Nëse vendet europiane nuk reflektojnë për këto çështje, e ardhmja e NATO-s mbetet e pasigurt – për pasojë liderët e rinj amerikanë mund të shkojnë deri në braktisjen e NATO-s.” Një paralajmërim i tillë nga personi që kish drejtuar për pesë vjet Pentagonin, e më parë CIA-n, dhe që në karrierën e vet ka punuar për dekada në zemrën e elitës së vendimmarrjes strategjike për çështjet e sigurisë ishte vërtet tronditëse. Atij nuk iu desh më shumë se një komunikim prej 20 minutash, në Bruksel, për të shprehur këtë konstatim. Dhe vërtet, në atë kohë, ai i shtangu të pranishmit europianë, me një nga qëndrimet më të ashpra që bëheshin nga lidershipi amerikan prej më se 60 vjet të ekzistencës së NATO-s.

Përpara një audience të përzgjedhur me gjeneralë madhorë, diplomatë dhe zyrtarë më të lartë europianë, ai nuk ngurroi të konstatonte se NATO po hynte në ditët e veta më të vështira. Aleanca, sipas tij, po degradonte në një strukturë me “dy timonë”: Të atyre që janë të gatshëm për misione luftarake – si misioni bazë i NATO-s – dhe të atyre, që vetëm “flasin dhe nuk shkojnë më larg.” Ajo që tërheq vëmendjen në deklarimin e Gates, 5 vjet më parë, është parashikimi dhe paralajmërimi se një brez i ri i lidershipit amerikan të pas Luftës së Ftohtë mund të braktisë NATO-n dhe 60 vitet e historisë së tij si garanci e sigurisë në Evropë. Ky vlerësim do të lidhej në atë kohë, me përkeqësimet që vinin nga dështimi i vullnetit politik të liderëve europianë dhe veçanërisht nga mosrealizimet e buxheteve të mbrojtjes, si instrumente për të mbajtur gjallë aleancën. Mjaft ashpër, ai u shpreh, se nëse trendet në rënien e kapaciteteve europiane të mbrojtjes nuk ndalohen dhe përmbysen, liderët e ardhshëm politikë amerikanë – ata për të cilët Lufta e Ftohtë nuk ka qenë një eksperiencë jetuese dhe formuese, siç ishte për brezin aktual – nuk mund të marrin në konsideratë, që të mbulojnë koston për NATO-n, vetëm nëpërmjet investimeve amerikane.

Ai nuk ngurroi të shprehej, se në Bruksel (Selia Qendrore e NATO-s), zbehja e angazhimit të Uashingtonit për sigurinë evropiane mund të shqiptohet qartë si mbarim i aleancës. Gates kish në konsideratë një numër misionesh të një periudhe mbi 20-vjeçare (1990 – 2011), por si shembull ilustrues ai zgjodhi misionin e NATO-s në Libi, për të cilin, siç u shpreh kreu më i lartë i Pentagonit në mars 2011, “…të 28 anëtarët e NATO-s kishin votuar për misionin, por më pak se gjysma mori përsipër angazhime dhe vetëm më pak se një e treta mundën të afronin kapacitete për të marrë pjesë në mision . . . Shumë prej aleatëve qëndruan mënjanë, jo sepse ata nuk dëshironin të merrnin pjesë, por thjesht sepse ata nuk mundeshin…. atyre iu mungonin aftësitë dhe kapacitet ushtarake për të qenë atje…” Ajo që konstatohet gjithashtu nga deklarimi i Gates lidhej me mënyrën e funksionimit të Aleancës; me ndarjen e barrës; me mosplotësimin e objektivave dhe detyrimeve për buxhetet e mbrojtjes dhe me faktin që perceptimi i lidershipit politik amerikan për aleancën, mund të ndryshojë në të ardhmen.

Pra, deklarimi i Trump nuk vjen në një terren të zbrazët, dhe nuk po thotë më shumë se zyrtari më i lartë i Pentagonit 5 vjet më parë. Trump vjen gjithashtu nga brezi i atyre politikanëve që nuk kanë përjetuar eksperiencën dhe ndjeshmërinë e Luftës së Ftohtë, megjithëse ai përmend me krenari kurrikulën e vet edhe gradimin nga Akademia Ushtarake e Nju Jorkut (për Gardën Kombëtare). Duket se Gates, që pesë vjet më parë, si një analist vizionar e inteligjent (ish-drejtor i CIA-s) po parandiente dhe parashikonte të ardhmen e politikës për NATO-n. Por, pavarësisht toneve të deklarimit të Gates, kancelaritë europiane duket se nuk patën dëshirën për ta analizuar këtë deklarim. Të “dehur”, ndoshta nga era e pacifizmit, në të gjitha ligjërimet e liderëve europianë, perëndimorë e më shumë lindorë, kur përmendin politikat e sigurisë dhe të mbrojtjes mitifikojnë “Artikulli V” – për mbrojtjen kolektive, ku kanë në konsideratë kryesisht angazhimin amerikan, dhe anashkalojnë “Artikullin III”, i cili detyron vendet me parakushtin për sigurimin e kapaciteteve individuale të mbrojtjes kombëtare. Gjithsej, Akti Themelues i NATO-s, i njohur si Traktati i Uashingtonit, përmban 14 artikuj. Aq ka edhe sot. 

Shkurt 2016: Raport i Këshillit të Atlantikut hedh “dyshime” për kapacitetet e NATO-s 

Një raport nga Qendra e Analizës së Mendimit Strategjik, iniciuar nga Këshilli i Atlantikut, me bazë në SHBA, thekson se vendet europiane, anëtarë të NATO-s, aktualisht, nuk mund të përballojnë një sulm nga Rusia. Ky raport komentohet nga “Financial Times” më 16 shkurt 2016. Raporti është impresionues jo vetëm nga vlerësimi “shokues”, por edhe nga përbërja e grupit që e hartoi atë. Grupi përbëhej nga autoritetet më të njohura për çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes. Ai u përgatit nga gjashtë personalitete të larta midis të cilëve: ish-Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jap de Hop Shefer, zëvendëskomandanti Suprem i NATO-s, gjeneral Sir Richard Shirreff dhe ish-ministri italian i mbrojtjes, admiral Giampaolo di Paola. Ky i fundit më parë, për gjashtë vjet, ishte Kryetar i Komitetit Ushtarak të NATO-s, struktura më e lartë kolegjiale ushtarake. Pra, të gjithë anëtarët, në eksperiencën e tyre, pak vite më parë, mbanin pozicionet më të larta politike dhe ushtarake të Aleancës. Financial Times vlerëson se ky raport paralajmëron një “mungesë progresi” në hartimin e planeve strategjike të NATO-s. Ai rikonstatonte që shumë nga anëtarët kryesorë të aleancës vuajnë nga “kronika e deficiteve të fondeve” dhe “mangësi kritike” në “humnerën e kapaciteteve të mbrojtjes”.

Nëse NATO-ja vërtet nuk është në gjendje për të mbrojtur veten nga një sulm i mundshëm rus në Evropë, kjo vjen vetëm se këto vende nuk japin fonde të mjaftueshme për mbrojtjen thotë Jan Oberg, drejtor i Fondacionit Trans nacional për Paqe dhe Kërkime. “Rusët shpenzojnë vetëm 8% të buxheteve ushtarake krahasuar me NATO-n”. Kjo do të thotë se “…nëse NATO-ja nuk mund të përballojë një sulm nga Rusia – i cili me sa duket është kritik – kur organizata ka në statistika 12 herë më shumë fuqi ushtarake dhe po ashtu teknologji më të lartë, kjo është për shkak të keqmenaxhimit” shton Oberg. Raporti i “think tankers” vjen vetëm pak ditë pasi gjenerali Philip M. Breedlove i Forcave Ajrore të SHBA, Komandanti Suprem i NATO-s, deklaroi para Komisionit të Kongresit të SHBA, që trupat amerikane ishin gati të mundin Rusinë në një luftë në Europë. “Për t’iu kundërvënë Rusisë, EUCOM, po punon me aleatët dhe partnerët, për ta frenuar tani, dhe duke u përgatitur për të luftuar dhe për të fituar nëse është e nevojshme”, tha Breedlove. Kritikat vlerësohen shumë “të ashpra” dhe më e rëndësishmja, vijnë nga brenda NATO-s. Raporti bazohet në vlerësime aktuale dhe përcakton gjithashtu edhe hapat e nevojshëm. Mendohet që ai do të jetë edhe objekt i Samitit të Qershorit në Poloni. Duke e lidhur konstatimin me qëndrimin e Trump, ky i fundit, më tepër se këto analiza, teston dhe ndjen shijen e perceptimit të qëndrimeve të tij pranë publikut të interesuar amerikan.

Diskutimet për NATO-n do të vazhdojnë edhe në të ardhmen. E qartë mbetet vetëm se çdo lëvizje e mundshme e SHBA ndikon direkt në themelet dhe strukturën e Aleancës. Vendet europiane nuk janë të përgatitur për amplituda të forta të lëkundjeve. Ata nuk janë të gatshëm edhe për një plan “B”. Duke qenë se vendi ynë gjithçka e ka bazuar vetëm në NATO, analiza bëhet edhe më e vështirë. Por koha e kërkon.

 

A po Sfidon përsëri Xhorxh Fridman: Refleksione për Sigurinë Europiane 

Ndër më të njohurit, me mjaft reputacion ndërkombëtar si analist dhe ekspert gjeopolitik, Xhorxh Fridman, themelues i Qendrës së Vlerësimeve Inteligjente ‘Stratfor’, edhe këtë radhë ofron një pozicion origjinal mbi NATO-n, si aleancë transatlantike. Për shumëkënd, Xhorxh Fridman përfaqëson një nga gjeostrategët më të shquar të kohës sonë. Ai jep vlerësime të pakrahasueshme gjeopolitike e gjeostrategjike në nivel global – qofshin ato demografike, teknologjike, kulturore, ekonomike apo ushtarake. 

Për lexuesin, në vitin 2010, Fridman “tronditi” botën me botimin “The next 100 Years” (“Njëqind vitet e ardhshme”). Mjafton të kujtojmë që në këtë libër të famshëm “best-seller” Fridman parashikoi:

  • Një krizë në BE;
  • Një krizë në rritjen ekonomike të Kinës;
  • Një krizë agresive të rishfaqjes së Rusisë në Marrëdhëniet Ndërkombëtare;
  • Një konfrontim të mundshëm mbi Ukrainën;
  • Një marrëveshje të mundshme SHBA –Iran për çështjet nukleare;
  • Rritje të tensioneve midis Izraelit dhe SHBA. 

Janë vetëm gjashtë parashikime të Fridmanit, midis shumë të tjerave në “The next 100 Years” – duken se kanë ndodhura saktësisht nga ana kronologjike. Mbetet edhe kjo një nga arsyet, që shkrimet e Fridman janë sot nga më të lexuarat dhe ndoshta dhe më të vlerësuarat – për të parë se çfarë tjetër parashikon Xhorxh Fridman? 

 

Prill 2016: Xhorxh Fridman parashikon “shpërbërjen” e NATO-s. 

Me tituj befasues, karakteristikë të stilit të tij, Fridman vetëm gjatë muajit prill 2016, afron tri vlerësime analitike, për NATO-n. Ato janë: “NATO – një iluzion”, “Rusia do të jetë gati të sulmojë përsëri Ukrainën në 2017” dhe “Europa Lindore e kapur midis Rusisë dhe Perëndimit”. Analizat e Fridmanit vijnë të përditësuara dhe me vështrime shumë të afërta mbi rolin e NATO-s – shprehet “Busines Insider”. Në shkrimin me titull “NATO – një iluzion”, më 17 prill 2016, ndryshe nga Trump, që vlerëson çështjet e sigurisë vetëm në aspektin e rrezikut terrorist, Fridman thellon analizën në një kontekst mjaft më të gjerë, ku përfshin aktorë, faktorë dhe dinamika që mund të konceptohen vetëm në nivel gjeopolitik dhe gjeostrategjik. 

Rusia dhe Lindja e Mesme, ndryshe nga çfarë Trump sheh dhe injoron, paraqesin çështje të sigurisë kombëtare për të gjithë Europën. Por, pavarësisht nga kjo, Europa, shprehet Fridman, nuk ka aftësi të integruara ushtarake me përjashtim të NATO-s , dhe për fat të keq kjo organizatë ndodhet në kaos, në ditët tona. Në vend që ajo të ishte një aleancë me kontribute të ndërsjella nga çdo vend anëtar, ajo varet tërësisht nga kapacitet e SHBA-së, dhe pa këtë, vendet europiane nuk kanë aftësi për mbrojtje individuale . Sipas Fridman, shumë vende europiane e shohin NATO-n si të vetmen bazë të sigurisë së tyre. Me fjalë të tjera, ato varen totalisht nga Shtetet e Bashkuara . . . anëtari i vetëm i NATO-s me një aftësi ushtarake globale. Shqetësimi më i madh i vendeve europiane, sipas Fridman lidhet me faktin, që këto vende po e ndiejnë dhe shqetësohen edhe për pozicionin e ardhshëm të mundshëm të SHBA-së. Superfuqia, pas vitesh e vitesh insistime dhe kritika duket se ka humbur besimin në NATO. Dhe nëse kjo do të thellohet, për vendet europiane do të vijë një ditë që të kuptojnë se kanë mbërritur në pikën ku Aleanca nuk mund të jetë edhe më tej garantues i sigurisë së tyre kombëtare, siç ata u mësuan ta shihnin për më se 60 vjet. Fridman beson se ky moment ka ardhur dhe është tashmë një fakt i pamohueshëm. Për këtë konstatim ai bën katër konstatime të guximshme. 

 

Europa nuk është tjetër veç ‘Soft Power’ e NATO-s – shprehet Fridman 

Dhe vërtet, që nga krijimi, vendet europiane e kanë konsideruar NATO-n si një mekanizëm për mbrojtjen nëpërmjet operacioneve ushtarake. Ata e shihnin dhe vazhdojnë ta konsiderojnë NATO-n si një strukturë ku mund të organizonin dhe realizonin perceptimin për fuqinë e tyre ushtarake. Të menduarit “nën ombrellë” dhe veçanërisht përfundimi i Luftës së Ftohtë, bëri që forcat e tyre të armatosura ishin dhe mbetën në kapacitete të kufizuara. Aq i dukshëm ishte ky pozicion, sa që në shumicën e misioneve të NATO-s, pjesëmarrja e tyre ishte pak më shumë se simbolike, pavarësisht kritikave të Washingtonit për detyrimet dhe rolin e tyre në aleancë. Nuk ishte vetëm Kosova, më vonë Irak-Kuvajt, por në fillimet e veta edhe operacionet në Afganistan e rasti më dilematik, Libia. Ishin këto disa nga arsyet përse edhe SHBA po e konsideronte NATO-n, sipas Fridman, gjithnjë e më pak një faktor në vendimmarrjen e Washingtonit. 

Ndërkohë që hendeku thellohej, vendet europiane nxituan ta mbushnin boshllëkun e tyre në kapacitete luftarake, me konceptin e “soft power” – fuqisë së butë. Ky koncept përfshinte sanksionet, mobilizimin e opinionit publik, si dhe strategji të tjera që shmangnin veprime ushtarake. Vendet europiane zgjodhën një lloj opsioni, që ju kushtonte më pak, se duke u ngritur si një fuqi globale. Por, “fuqia e butë”, dukej se nuk ishte tjetër, veç e vetmja mënyrë për t’iu shmangur realitetit. Ndërsa rusët demonstrojnë kapacitetet e veta të rrezikshme në kufijtë lindorë të Europës, apo në Lindjen e Mesme, vendet europiane kuptuan “se fuqia e butë ishte … shumë e butë” për të bërë diferencën. Dhe, ata arritën të kuptonin se kishin nevojë edhe për fuqi të “fortë”. Por vlerësimet tashmë ishin se vetëm Shtetet e Bashkuara, në një masë shumë më të vogël Britania dhe Franca kishin kapacitete të tilla, por askush tjetër. Duke u mbërthyer vetëm te “artikulli V” i Traktatit Themelues të NATO-s , ata nxituan të anashkalonin “artikullin III”. Dallimi ishte mjaft i rëndësishëm se ndërsa i pari konsideron konceptin e mbrojtjes kolektive, i dyti konsideron më parë zhvillimin e kapaciteteve individuale të mbrojtjes. Dhe “artikulli V” e ka të vështirë të operojë pa “artikullin III”. Mungesa e kësaj konsiderate rezultoi në kufizimin e kapaciteteve individuale mbrojtëse, të cilat erdhën duke u tretur dhe mbetën të pazhvilluara. Por, NATO, vazhdon Fridman, është një aleancë ushtarake. Ajo është konfiguruar për fuqi ushtarake. Mbrojtja e vendeve është funksioni bazë i NATO-s, por funksioni po atrofizohej sepse lufta dukej gjithnjë e më e largët dhe fuqia e NATO-s, që bazohej në integrimin e kapaciteteve të të gjitha vendeve anëtare, mbeti peshë vetëm e SHBA. 

 

NATO gjithmonë e më pak po shërben për interesat e SHBA-së – vazhdon Fridman 

Vendet europiane, analizon Fridman, mendonin se fuqia e Shteteve të Bashkuara do të ishte në dispozicion të tyre përmes NATO-s. Dhe ato shqetësohen kur ju vijnë mesazhe, se Shtetet e Bashkuara nuk janë të gatshëm për të vazhduar të shpenzojnë edhe më tej në këtë formë, ndaj ju duhet vendeve europiane të afirmojnë pozicionin e vet në këtë kontekst. Kjo çështje nuk lidhet me NATO-n në vetvete, por në çështjet e mbrojtjes dhe në hendekun midis Europës dhe Shteteve të Bashkuara. SHBA po qartësojnë se nuk mund të vazhdojë e njëjta formulë e përkushtimit ekonomik dhe ushtarak ndaj Europës. Europa-vazhdon Fridman – duhet të ndajë barrën e përgjegjësisë. Fakti që vendet europiane, pjesëtarë të aleancës, jo përherë kanë marrë përgjegjësi në kontekstin e misioneve nuk i bën optimistë SHBA. Edhe pse vendet europiane ishin kuptueshëm një partneri i vogël në vitin 1950, si nga demografia dhe nga ekonomia, këto nuk janë argumente për SHBA, që kontinenti të mbetet një partner i vogël i sigurisë dhe mbrojtjes në ditët tona. Sot, edhe vetëm vendimet politike janë ato që dëshmojnë një asimetri të vazhdueshme midis angazhimit të Shteteve të Bashkuara dhe Europës në NATO. 

 

Fridman: Europa është shumë e komplikuar për të mbrojtur vetveten. 

Popullsia e Bashkimit Evropian është pak më shumë se 508 milionë banorë. Popullsia e Shteteve të Bashkuara është rreth 320 milionë banorë. GDP e Bashkimit Evropian është 18.45 trilionë dollarë ndërsa GDP e Shteteve të Bashkuara është rreth 18.3 biliardë dollarë. Me fjalë të tjera, Evropa dhe Shtetet e Bashkuara janë të barabartë në pasuri, ndërkohë që Evropa ka pothuajse 200 milionë njerëz më shumë se SHBA. Pra, nuk ka arsye pse vendet europiane nuk duhet të kenë aftësi dhe kapacitete ushtarake të barabarta apo më të mëdha se ajo e SHBA-ve, vlerëson Fridman. 

Problemi strukturor është se Bashkimi Evropian nuk ka një dimension të mbrojtjes. Sot Bashkimi Europian është një mbulesë e ndërlikuar e marrëdhënieve midis vendeve europiane dhe mbrojtja qëndron “domen” në duart e shteteve sovrane. Shteti më i madh, Gjermania, e cila do të duhej t’i kushtonte më shumë në një forcë të mbrojtjes evropiane nuk e ka këtë përkushtim. Britania është duke shkurtuar, gjithashtu, shpenzimet e veta të mbrojtjes. Franca po diskuton rritjen buxheteve të mbrojtjes, por ajo ende ka një forcë ushtarake me aftësi të kufizuara. Është një angazhim i përbashkët në NATO, që çdo vend të shpenzojë jo më pak se 2% të GDP-së së vet për mbrojtjen. Disa e bëjnë këtë, por shumica nuk e bëjnë, dhe vendet europiane në shumicë nuk e realizojnë. Nivelet e buxheteve të mbrojtjes mbi 2% të GDP së tyre i plotësojnë vetëm pesë vende — SHBA, Polonia, Anglia, Greqia dhe Estonia. Mesatarja e buxheteve të vendeve të tjera nuk po i kap 1% , krahasuar me 3.7% të SHBA. Fakt i jashtëzakonshëm nuk është se Trump vuri në dukje këtë diferencë dhe e bëri të qartë se nuk mund të vazhdojë edhe më tej, por se Trump e ktheu këtë fakt në një çështje kryesore. 

 

Fridman: Europa mund të dëshirojë të marrë përgjegjësinë e drejtimit, por e ka të pamundur 

Në mungesë të një misioni të qartë dhe aktual ushtarak, vendet europiane u vonuan edhe më tepër për të investuar në mbrojtje. Nevoja për mbrojtjen dukej larg nga realiteti që Evropa po jetonte. Përballë këtij realiteti, rusët rifuqizuan rolin dhe influencën e tyre në arenën ndërkombëtare. Sikur kjo të mos mjaftojë, shteti islamik po targeton kryeqytetet evropiane. Duket e paqartë se si kërcënimet e reja që po paraqiten duhet të përballohen, por dihet shumë mirë që sfidat do të kërkojnë rritjen e kapaciteteve ushtarake në dimensione të tjera. Ndërsa Shtetet e Bashkuara duket që po konsiderojnë mundësinë e një 11 Shtatori në Evropë, për kundërargument, vendet europiane ende nuk po besojnë se ata mund të ndodhen përballë një kërcënimi të tillë. Ngjarjet e mëparshme në Londër, Madrid, dhe më të mëvonshme në Paris e Bruksel vetëm se e tronditën pozicionin e këtyre vendeve, por pa ditur deri në çfarë mase reflektimi. Vendet europiane, sipas Fridman në “Business Insider”, duket se do të vazhdojnë të shpresojnë për “zgjidhje të buta”, për të shmangur dhimbjen e koston e veprimeve konvencionale ushtarake. Ato nuk do të jenë në gjendje të veprojnë me vendosmëri, edhe në qoftë se do të dëshironin ta bënin këtë, edhe për shumë vite të tjera. 

Sa për Rusinë dhe situatën në Ukrainë, SHBA po marrin masa në koordinim me Poloninë dhe Rumaninë, por gjeografia dikton se ajo nuk mund të jetë lojtar kryesor atje. Dilema thellohet, – vlerëson Fridman. Themelet e NATO-s janë dobësuar. Angazhimi financiar i Europës në NATO nuk është i besueshëm. Gatishmëria dhe vullneti i SHBA për të vepruar brenda kufizimeve të NATO-s është zhdukur me kalimin e kohës. Një vlerësim strategjik i unifikuar mungon. NATO mund të rikonturohet, por duket e vështirë për të gjetur ndonjë vizion të unifikuar apo vullnet të përbashkët për ta bërë këtë. “Institucionet shumëkombëshe nuk vdesin” duket sikur ironizon Fridman, – ato do të vazhdojnë të kenë, takime ministeriale e samite prej nga do të prodhohen deklarata. Të gjithë do të dalin të “kënaqur”, por jo për një kohë të gjatë, sepse realiteti është ndryshe. Çfarë është një aleancë ushtarake, pa forca të armatosura apo një mision luftarak? Është vetëm një anakronizëm, konkludon Fridman. 

Vendet europiane, shprehet Fridman, e kuptojnë problemin, por e anashkalojnë atë, sepse përballja është shumë e vështirë. Problemi duket që nuk do të shkojë larg, por mbajtja e peshës e vetme nga SHBA, pa partneritet me Evropën do të jetë tërësisht një iluzion. Kërcënimet e shfaqura nga ambiciet ruse dhe goditjet terroriste nuk do të zvogëlohen, por thjesht do të bëhen gjithnjë e më të vështira për t’u menaxhuar. Vullneti i mirë dhe konferencat nuk mund ta zgjidhin problemin. Shekulli XX e lodhi vullnetin e Europës për të bërë gjëra të vështira, dhe për më shumë se 50 vjet, gjërat në Europë ishin relativisht të thjeshta. Kjo nuk mund të vazhdojë më gjatë. Të gjithë bien dakord që diçka duhet të ndryshojë. Por, për këtë lloj ndryshimi, nuk mjafton vetëm optimizmi- konkludon gjeoanalisti Fridman. 

* pedagog në UET, mban titullin “profesor” dhe ka punuar në Selinë Qendrore të NATO-s, në Bruksel, në periudhën 2007-2010.

loading...
Shkruar Nga
More from revista mapo

Lojtarë dhe misionarë

Nga Mirela Milori Unë nuk pata kurajë të ndërroj stacionin e TV...
Read More