Ndajeni mendjen, ‘të pastrojmë Shqipërinë’ në një ditë apo në gjashtë muaj?!

Nga Gentian Kaprata

– Memo Sovranit

Qasja majtiste ndaj problemit të madh urban të përpunimit të mbetjeve të ngurta, u shfaq që në javët e para të qeverisë Rama 1. Ishte ministri Veliaj, nëpërmjet thirrjes së tij ‘ta pastrojmë Shqipërinë në një ditë’, që na risolli kuptimin e majtë mbi trajtimin e çështjeve urbane dhe mjedisore. Nuk do t’i kthehem çështjes se çfarë më kujtoi kjo nisëm nga koha e fëmijërisë sime, por do prek dy çështje bazike. Së pari, synimin e nismës për të sfumuar një ngjarje madhështore politike në vend. Atë të 15 nëntorit 2013, ku shoqëria shqiptare tregoi se ekzistonte dhe u mblodh për të kundërshtuar vendimin okult të qeverisë për importin e mbetjeve kimike siriane. Dhe së dyti, synimi që shtrihet në kohë sikurse cdo gjë kulturore, ‘krijimi i njeriut të ri socialist që punon për të mirën dhe pronën e përbashkët’, që në të vërtetë nuk është e askujt. Gjë që tentohet të arrihet nëpërmjet armëve kryesore kolektiviste: populizmit, demagogjisë dhe centralizmit.

Nëse i kthehemi asaj kohe, qeveria Rama i kishte përdorur këto armë përpara se të votohej në Kuvend. Në fillim duke na vënë përpara dyshimit nëse do drejtohemi nga një qeverisje demagogjike apo një e centralizuar, dhe më tej duke na dhënë prova se do i mishëronte të dyja këto karakteristika. Mirëpo, do ishte kjo nismë e ministrit Veliaj që do ta kornizonte atë si një qeverisje të demagogjisë së centralizuar. Vetë fakti se, detyrën e agjitatorit të pallatit që thërriste çdo të diel njerëzit për të pastruar oborrin e kishte rrëmbyer ministri, dhe se funksionin e ministrit të Mjedisit e kishte pushtuar ministri i Rinisë, e argumenton shterueshëm këtë pohim. Ndërsa vulën e dështimit, kësaj nisme, do ia vinte z. Rama në takimin ku prezantoi operacionin kombëtar të “Pastrojmë Shqipërinë që duam” për 6 muaj’. Mirëpo, pa na shpjeguar më parë se cila ishte diferenca midis këtyre dy aksioneve që do të siguronte shkakun për sukses të së dytës.

Në fakt ato ngjajnë si dy pika uji në filozofinë dhe parimet në të cilën mbështeten, prandaj dështimi i së dytës është po aq i sigurt sa i së parës. Vendimi i Kryeministrit se ‘…dhe një pjesë e konsiderueshme e inspektimit, edhe për mjedisin, do t’i kalojë Policisë së Shtetit’ nuk ndryshon fundin pafrut të këtij “operacioni”, por veçse thekson karakterin policor të qeverisjes së tij. Aq më pak nuk mund ta suksesojë uniteti bolshevik i‘… mirëkuptimit të plotë me të gjithë kryetarët e bashkive….pa përjashtim’! Ky është veçse një argument pro tezës se po qeverisemi në mënyrë të centralizuar nga Kryebashkiaku i Republikës dhe 61 drejtorët e tij. Mirëpo nga ana tjetër , z. Rama ka të drejtë kur thekson se ‘Në çështjen e plehrave nuk ka parti. Të gjithë duhet të jemi kundër tyre’. Sigurisht që jemi të gjithë kundër! Veçse edhe për rrugët e trajtimit të kësaj çështjeje, sikurse për çdo problematikë urbane, ka një diferencë të madhe midis dy kaheve të politikës!

Të majtët si z. Rama dhe kryebashkiakët që dhanë mirëkuptim të plotë për “operacionin” e tij, e trajtojnë me konferenca e takime demagogjike; me shfaqje teatrale e populiste të ministrave e drejtorëve; me dhunë policore ndaj qytetarëve “pisanjosë”; me sulm taksidarësh ndaj taksapaguesve dhe me aksione ineficiente të goditjeve të përqendruara. Produkti i të cilave është i qartë, historikisht prej 100 vjetësh për gjithë qytetarët e botës, dhe memorikisht prej 5 vitesh për gjithë shqiptarët, përfshirë z. Rama. Ato thjesht, harxhojnë para nga buxheti publik; varfërojnë me taksa e frikësojnë me gjoba qytetarët; thellojnë hendekun midis qytetarit dhe qeverisjeve, por e lënë gjendjen më keq seç e gjetën. Sepse ky problem nuk zgjidhet me shtrëngim policor, populizëm dhe demagogji mbi pastrimin e territorit, por me gjithëpërfshirje qytetare për ta mbajtur mjedisin pastër, dhe këtë e sigurojnë vetëm të djathtët nëpërmjet fuqizimit të qytetarit.

Të djathtët që ndërmarrin reforma decentralizimi funksionesh dhe fiskale. Çka i bën vendorët të përgjegjshëm për funksionet e veta qeverisëse dhe iu mundëson atyre të financojnë përmirësimin e infrastrukturave bazike urbane për t’i bërë qytetet atraktive për ata taksapagues që synojnë të tërheqin (qytetarë dhe biznese), duke u prezantuar me specifikat dhe karakteristikat e qytetit dhe jo me uniformitetin ineficient të shesheve dhe fasadave të pallateve. Të djathtët që ndërmarrin nisma planifikuese gjithëpërfshirëse urbane. Ku qytetarët e përfshirë në vendimmarrje e ndiejnë realisht se këto mjedise iu përkasin atyre dhe jo pushtetit që mund të ndërtojë ca pallate të tjera në to, dhe për këtë arsye i mbajnë pastër. Të djathtët që respektojnë bashkëpronësinë në ndërtesat e banimit. Sepse kjo i bën qytetarët t’i trajtojnë këto hapësira të përbashkëta sikurse banesat e tyre, dhe jo si pronësi të të gjithëve dhe të askujt sepse askujt nuk i njihen të drejtat e pronësisë mbi to.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Demokratizimi i Kushtetutës shqiptare sipas standardeve europiane

Përpjekjet për t’iu bashkuar familjes europiane për Shqipërinë kanë filluar që në...
Read More