Nderi i humbur më shumë se një herë i Fatos Lubonjës

Nga Klementin Mile*

Intelektuali publik Fatos Lubonja ka humbur shumë, por jo gjithçka. Ai të kujton një poezi të famshme të Gëtes, ku poeti dallon nderin nga guximi: “Nderin ke humbur? / Shumë ke humbur. / Duhet famë të fitosh,/ mendimin e të tjerëve ta ndërrosh./ Guximin ke humbur?/ Gjithçka ke humbur./ Të jesh i bindur,/ do ishte më mirë të mos kishe lindur”.

E pra, Lubonja nuk e ka humbur guximin për të fituar famë, e për t’ua ndërruar të tjerëve mendimin për të. Veçse ky nuk është rasti për ta duartrokitur. Ky intelektual publik e ka humbur disa herë nderin e tij dhe guximi për t’u shfaqur në media e për t’i folur popullit, në fakt, nuk i bën nder.

Së fundmi Lubonja, në një shkrim të gjatë te Panorama, u shpreh me fjalor dhe tone të ashpra ndaj TV Klanit, Frangajt dhe Fevziut, duke u përpjekur të shpjegojë pse ky televizion është katandisur me cilësi mediokre. Por çështja nuk është në ka apo jo të drejtë Lubonja për sa thotë. Nuk dua në asnjë mënyrë të mbroj Fevziun, TV Klanin apo Frangajn. Nuk jam fans i tyre; madje kam publikuar një analizë kritike ndaj intervistës së Fevziut dhe dëmit që ajo i solli moralit mediatik. Sidoqoftë, fakti që Lubonja mund të jetë duke thënë të vërtetën, nuk ia lë të pacenuar nderin. Atë ai e ka humbur në të paktën pesë raste.

Rasti 1: Fjalimi në Kongresin e Rinisë, në prani të Enver Hoxhës. Rinia e intelektualit publik të sotëm është shënjuar nga ky fjalim, të cilin, sigurisht, pakkush e kujton. Lubonja antikomunist? Patetizmi i fjalimit të mbushur me besnikëri ndaj Partisë së Punës dhe Enverit, në atë moshë kur zemra flet para mendjes, dëshmon të kundërtën.

Rasti 2: Dëshmia kundër babait. I thirrur në hetuesi, Lubonja dha një dëshmi që e rëndoi më tej gjendjen e babait të vet, dhe përfundimisht kontribuoi për ta mbështetur akuzën e sistemit që e çoi në burg. Një njollë e tillë në ndërgjegje nuk lahet kollaj.

Rasti 3: Forumi për demokraci. Lubonja qe njëri nga tre bashkëkryetarët e atij institucioni opozitar ndaj Berishës në vitin 1997, por pastaj ai e denoncoi marrëveshjen e 9 marsit të po atij viti, e cila e nxori vendin nga gjendja e jashtëzakonshme dhe eventualisht bëri president të vendit opozitarin Rexhep Mejdani. Lubonja antipolitik? Përkundrazi, thellësisht dhe konkretisht në politikë.

Rasti 4: Lidhja me Klanin. Lubonja ka qenë pjesë thelbësore e emisioneve të TV Klanit për një kohë të gjatë, ku, mbi të gjitha, kujtohet për pjesëmarrjen e tij tek “Opinioni” i Fevziut. Aty ai është paguar dhe jo keq. Tani Klani, Fevziu dhe Frangaj rezultojnë negativë në llogarinë e Lubonjës, ndërkohë që vetëm pak vite më parë ishin krejt në rregull për të. Lubonja antikapitalist?

Rasti 5: “Beketi i plehrave” dhe i Agonit. Biznesmeni italian Françesko Beketi qe i pari që, në bashkëpunim me qeverinë Nano në 2003, projektoi një impiant përpunimi të plehrave në Shqipëri, me kushtin që 39% e kapacitetit të tij të përpunonte plehrat e importuara nga Italia. Në vitin 2013 Lubonja e la Klanin dhe shkoi të punonte tek Agon Channel, televizion i ngritur nga Beketi, për një rrogë të stërmadhe. Qëndroi aty deri në mbylljen e Agonit dhe ikjen e Beketit nga Shqipëria. Lubonja ambientalist?

Ndryshe nga ç’shfaqet dhe deklaron, Lubonja nuk është as puritan, as antikomunist, as antipolitik, as antikapitalist, as ambientalist. Sikurse intelektualë të tjerë publikë të këtij vendi, edhe ai i përdor parimet për të mbrojtur interesa. Sigurisht, jo ata publikë.

*Lektor i filozofisë

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Një studim që merr më qafë Shqipërinë dhe Ballkanin

Ekspertes së gjeopolitikës, Emmanuela C. del Re. të Transportit, Z. Damian Gjiknuri....
Read More