Nderim për francezin më të dashur të shqiptarëve

kushner7Universiteti Europian i Tiranës nderon Bernard Kouchner me titullin “Doctor Honoris Causa” 

Ish-kryeadministratori i OKB-së në Kosovë pas luftës, njeriu që kontribuoi në ndërtimin e shtetit të ri në Ballkan, ndoshta francezi më i dashur për shqiptarët, gjithashtu një mjek humanist dhe personalitet me rëndësi në politikën franceze e ndërkombëtare, Bernard Kouchner mori dje në Tiranë titullin “Doctor Honoris Causa”, akorduar nga Universiteti Europian i Tiranës. Dhënia e titullit u vendos nga Ministria e Arsimit e Shkencës pas rekomandimeve të Prof. Dr. Adrian Civicit, President i UET-it dhe Prof. dr. Ksenofon Krisafi, Dekan i Juridikut në UET dhe vendimit të senatit akademik të UET-it.

Motivimi merrte parasysh karrierën e tij si akademik, si mjek e aktivist humanist dhe si personalitet në arenën politike ndërkombëtare në detyra të rëndësishme, ndër të cilat dhe kryeadministratorin e UNMIK-ut në Kosovë pas luftës. Duke folur para akademikëve, ish-ministrave të jashtëm, Arta Dade, Besnik Mustafaj, Kastriot Islami e Aldo Bumçi, Kouchner foli për Shqipërinë, Kosovën dhe Europën.

“Mos harroni ku ishit”

“Së pari, vendi juaj ka ndryshuar për mirë, vërtet për mirë. Duke qenë se e kam njohur që në vitin 1988, kur ishte koha e Ramiz Alisë, kam vizituar bunkerët e Enver Hoxhës. E kemi harruar çfarë ka qenë komunizmi, i harrojmë dëmet, vuajtjet, vrasjet, dhjetëra mijëra apo dhjetëra miliona viktima. Do të ishte mirë që të kujtoheshim çfarë ishte komunizmi”, tha dje Kouchner.

Ai po ashtu ka vlerësuar ndryshimin e Shqipërisë dhe Universitetin Europian të Tiranës.

“Që nga ajo kohë, nëpërmjet vështirësive ju e keni ndryshuar vendin tuaj në mënyrën e duhur. Dhe kur kthehesh , ashtu siç unë pas shumë vitesh, transformimi të bën shumë përshtypje. Vendi është shumë më modern, universiteti juaj është një shembull dhe është një universitet privat që nuk ekziston në Francë, me një hapje ndaj shërbimit publik, por universiteti juaj është një shembull shumë i mirë i zhvillimit tuaj dhe ju falenderoj e ju përgëzoj që keni gjithë këto lëndë me profesorë shumë të rëndësishëm, shumë të shquar, shumë të ditur dhe mijëra studentë, kjo është diçka shumë e madhe. Ju jepni këtë shembull dhe ai duhet të njihet shumë më shumë”, tha ai për UET.

Ish-ministri i Jashtëm i Francës i kushtoi një pjesë të fjalës së tij politikës, nevojës për dialog, duke thënë po ashtu se edhe pse ishte socialist ai nuk ishte një njëri i etiketave dhe se në politikë kjo i kishte kushtuar shumë.

“Unë nuk jam shumë koherent, nuk kam qenë shumë strikt, nuk kam qenë aq besnik nga ana politike dhe për këtë jam krenar”, tha ai dhe shtoi se në qoftë se opozita dhe shumica do të flisnin më shumë me njëra tjetrën vendi do të ishte më i mirë.

Kouchner përmendi Kosovën dhe punën e tij atje.

“Politika juaj është demokratike në kuptimin më të thjeshtë, nuk është diçka e përkryer, por është një kënaqësi e madhe që ju takova dhe pashë zhvillimin tuaj. Duke qenë se jeni nisur nga kaq larg, nga vrasjet nga shtypjet, në 25 vjet keni bërë gjithë këto sepse ne mësojmë. Unë e mësova këtë në Kosovë dhe e mësojmë çdo ditë, duhen breza të tërë për të ndryshuar mentalitetet, duhen disa breza për të ndryshuar një kulturë”, tha Kouchner gjatë fjalës së tij.

Më tej ai duke kujtuar kohën e tij në Kosovë direkt pas luftës tha se fjala pavarësi nuk përmendej atëherë, por ajo u imponua sepse njerëzit aty e donin këtë gjë.

“Në qoftë se duhet preferuar paqja ndaj luftës, atëherë duhet zgjedhur paqja dhe ne e kemi zgjedhur atë. Nuk është e përsosur por Serbët dhe Kosovarët tashmë flasin me njëri-tjetrin”, tha ai.

Zhgënjimi i madh me Europën

Një nga përkrahësit e Bashkimit Europian Kouchner u tregua i ashpër me BE duke kritikuar qëndrimin e saj për refugjatët që siç tha ai janë lënë të vdesin në det.

“Unë jam një nga të zhgënjyerit e mëdhenj të Europës pasi kam qenë militant i madh pro Europës”, u shpreh Kouchner duke e fajësuar Europën e  sotme për mungesë solidariteti me krizën e emigrantëve.  “Si mund të lësh të vdesin në Mesdhe emigrantët që kanë ardhur në plazhet tona, aty ku fëmijët tanë luajnë me kështjella rëre, ky është një turp. Ne ishim 27 vende, disa nuk donin as edhe një refugjat. Këto 27 vende sikur ta kishin kuptuar çfarë ishte Bashkimi Europian, do t’i kishin ndarë me njëri-tjetrin sipas buxheteve, sipas popullsisë, sipas papunësisë”, tha më tej ai duke vlerësuar rolin e kancelares gjermane Merkel në këtë situatë.

“Kjo Europë, besoj që ka bërë një gabim shumë të madh. Së pari solidariteti, bujaria që nuk i rezervohet vetëm të tjerëve. Gjermania, Suedia bënë mirë që pritën por kjo nuk mjafton. Kjo Europë për mendimin tim, këtu po ndesh vështirësi shumë të mëdha që nuk i kapërcen dot. Shpresoj që ajo do të kuptojë që ishte një gabim dhe do të tregojë më shumë vëllazëri”, përfundoi Kouchner, duke treguar dhe një herë se para se të jetë një politikan është një humanist.

Vendimi i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës

Komisioni i Vlerësimit të Titujve Akademikë vendosi: të japë pëlqimin e tij për dhënien e titullit të nderit “Doctor Honoris Causa” për z. Bernard Kouchner me motivacionin:

“Personalitet i shquar me reputacion ndërkombëtar, që bën krenar çdo komb e individ të atashuar me vlera më të larta të humanizmit dhe përgjegjshmërisë sociale e njerëzore.

Për kontributin e tij të vyer shumëdimensional si mjek, politikan dhe intelektual, por mbi të gjitha një personalitet me përmasa të mëdha humanitare, aktivist e militant i palodhur, duke bashkëthemeluar organizatat joqeveritare prestigjioze humanitare “Mjekët pa kufij” dhe “Mjekët e Botës” dhe funksionar i lartë, përfaqësues i sekretariatit të Përgjithshëm të OKB-së në Kosovë në vitet e vështira të fillimit të pavarësisë së saj; aktivist i vendosur i kauzës evropiane dhe çështjeve evropiane;

Për prodhimtarinë e veprave me karakter studimor e shkencor, të vlerësuara për thelbin, përmbajtjen e thellë, idetë novatore të shpalosura me guxim intelektual e shkencor të spikatur, si dhe për ndikimin në zhvillimet politike, sociale në botën e sotme;

Për angazhimin e tij në vendosjen e paqes, dhënies së ndihmës mjekësore e shëndetësore ndaj shtresave të margjinalizuara kudo në botë dhe veçanërisht nga kontributi në krye të strukturave ndërkombëtare në Kosovën e pasluftës, si dhe në forcimin e konsolidimin e marrëdhënieve ndërmjet Francës dhe Shqipërisë në fushën e shëndetësisë“.

“Një humanist, vizionar dhe mik i shqiptarëve”

Rekomandimi i prof. dr. Adrian Civici, President i UET-it për t’i dhënë z. Bernard Koushner, titullin: “Doctor Honoris Causa”. 

“Bernard Koushner bën pjesë në personalitetet e shquara me reputacion ndërkombëtar që bën krenar çdo komb dhe çdo individ të atashuar me vlerat më të larta të humanizmit dhe përgjegjshmërisë sociale e njerëzore. Z. Koushner është një figurë mjaft komplekse e shumëdimensionale: mjek i shquar, bashkëthemelues i organizatave jo-qeveritare prestigjioze humanitare “Mjekët pa kufij” dhe “Mjekët e botës”; militant aktiv i vlerave më të mira të të majtës franceze dhe europiane; sekretar shteti dhe ministër në disa qeveri të majta dhe të djathta në Francë; funksionar i lartë përfaqësues i sekretariatit të përgjithshëm të OKB në Kosovë në vitet e vështira të fillimit të pavarësisë saj; aktivist i vendosur i kauzës europiane dhe Ministër i çështjeve europiane etj.

Me emrin, vizionin dhe përpjekjet e z. Koushner është e lidhur dhe një nga vendimet e veprimet ndërkombëtare nga më njerëzoret, siç është “e drejta e ndërhyrjes humanitare” në zona apo rajone të botës që janë në konflikte të armatosura apo kalojnë periudha të vështira si pasojë e diktaturave apo faktorëve natyrore. Që në fund të viteve ‘60, Bernard Koushner u bë një nga politikanët dhe militantët më aktivë për të futur në praktikat e politikave dhe diplomacisë ndërkombëtare konceptin e të drejtës së ndërhyrjes humanitare në emër të nevojave humanitare dhe mbrojtjes së të drejtave bazë të jetës, demokracisë dhe dinjitetit njerëzor. Çdo ndërhyrje ndërkombëtare në emër të të drejtave të njeriut, në emër të jetës është e justifikueshme dhe detyrueshme.

Me vizionin dhe përgjegjësinë e tij të lartë publike, Bernard Koushner doli përtej klisheve dhe pozicioneve partiake. Në emër dhe në funksion të llogoreve politike nuk duhet të sakrifikohen reformat dhe politikat e domosdoshme që zhvillojnë një vend, nuk duhen anashkaluar detyrimet për integrimin europian dhe forcimin politik e ekonomik të Europës. Dhe për herë të parë në historinë moderne të Francës dhe modelit politik të saj, një eksponent i shquar i të majtës bëhet ministër në një qeveri të djathtë në emër të një kauze më të madhe se kufizimet politike lokale.

Për në shqiptarët, emri dhe figura e Bernard Kouchner është e lidhur ngushtë dhe me prezencën dhe rolin e tij shumë pozitiv si përfaqësues i lartë i OKB në Kosovë në periudhën 1999 – 2001, në kuadrin e kërkesave të rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit që autorizonte vendosjen e një autoriteti administrativ ndërkombëtar në Kosovë, në krye të të cilit u vendos pikërisht z. Koushner. Shqiptarët e Kosovës vazhdojnë ta kujtojnë me respekt, vlerësim e nostalgji Bernard Koushner si njeriu që hodhi themelet e krijimit të administratës, ekonomisë dhe sistemit politik në Kosovën e pavarur, vazhdojnë të kujtojnë me nderim mbështetjen e tij UÇK dhe liderët e saj. Për kontributin e tij të vyer shumëdimensional si mjek, politika, intelektual etj., Bernard Koushner është nderuar e vazhdon të nderohet me tituj e vlerësime në shumë vende të botës”.

Kouchner, një partizan i paqes

Rekomandimi nga prof. dr. Ksenofon Krisafi, Dekan i fakultetit Juridik

“Z. Bernar Kushner (Bernard Kouchner) është, personalitet i njohur në Francë, Europë dhe pothuajse në të gjithë kontinentet. Ai vlerësohet për angazhimin e vazhdueshëm në vendin e vet dhe në rajone e vende të ndryshme të botës në dobi të paqes, stabilitetit politik ndërkombëtar, afirmimit të parimeve të demokracisë dhe daljes nga krizat. Veprimtaritë e tij shtrihen gjithashtu në organizimin e asistencës mjekësore e shëndetësore në vendet e varfra ose të përfshira nga konfliktet. Kushner është mjaft i njohur për kontribute të çmuara edhe në Shqipëri e Kosovë.

Ai, ka qenë partizan i idesë ndërhyrjes për ndalimin e luftërave dhe vendosjen e paqes, përfshirë edhe rastin e ish Jugosllavisë. Në pranverën e vitit 1999, kur në Rambuje zhvillonte punimet konferenca ndërkombëtare për mbarimin e luftës dhe vendosjen e paqes në Kosovë,  Bernar Kushner, i cili në atë kohë mbante postin e sekretarit të shtetit për shëndetësinë, duke iu drejtuar Slobodan Milosheviçit, do të shprehej: “Sa shumë herë kemi shpresuar se do të vinte një ditë … kur ne do t’i thoshnim një diktatori: Zoti diktator, ne do të të pengojmë që të shtypni, të torturoni, të masakroni popullsitë tuaja”.

Dhe ai e bëri këtë konkretisht. Në vitin 1999, z. Kushner dorëzoi postin e ministrit të shëndetësisë, kur Sekretari i Përgjithshëm i OKB, e thirri për t’i besuar detyrën e përfaqësuesit të lartë të Kombeve të Bashkuara në Kosovë. Ishte koha kur kosovarët sapo kishin dalë nga lufta, e cila iu shkaktoi mijëra viktima e të plagosur dhe iu shkatërroi shtëpitë e gjithçka që kishin. U vu në krye të Misionit të administrimit të përkohshëm të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), ekipit ndërkombëtar që do të asistonte ringritjen e popullit të Kosovës, angazhim të cilin e kreu me profesionalizëm, përkushtim dhe dashuri të veçantë.  Për rreth një vit e gjysmë z. Kushner zbatoi politikën e Kombeve të Bashkuara për krijimin e një administrate dhe një sistemi politik që do të plotësonte boshllëqet që u krijuan me shkëputjen e Kosovës nga Serbia si dhe për rimëkëmbjen e një ekonomie të shkatërruar nga lufta trevjeçare. Bëri një punë të jashtëzakonshme në përgjigje të përkushtimit dhe përpjekjeve të popullit të Kosovës. Është kjo arsyeja pse populli i Kosovës dhe në përgjithësi gjithë shqiptarët ruajnë për të ndjenjat e një konsiderate të veçantë dhe të mirënjohjes së thellë.

Gjatë periudhës që ka mbajtur përgjegjësitë e mësipërme ai është marrë edhe me veprimtari kërkimore-shkencore, akademike e krijuese… Ato kanë tërhequr vëmendjen e opinionit shkencor dhe të politikës, shtetarëve, segmenteve të caktuar të shoqërisë civile dhe njerëzve të zakonshëm. Janë vlerësuar për thelbin, përmbajtjen e thellë, idetë novatore të shpalosura me guxim intelektual e shkencor të spikatur si dhe për ndikimin në zhvillimet politike, sociale në botën e sotme.

Nisur nga angazhimi i tij në vendosjen e paqes, dhënien e ndihmës mjekësore e shëndetësore ndaj shtresave të margjinalizuara kudo në botë dhe veçanërisht nga kontributi në krye të strukturave ndërkombëtare në Kosovën e pasluftës si dhe në forcimin e konsolidimin e marrëdhënieve ndërmjet Francës dhe Shqipërisë në fushën e shëndetësisë e të mjekësisë, gjatë kohës që drejtonte ministrinë e shëndetësisë së Francës ose kur ishte i angazhuar në organet drejtuese të Mjekëve pa kufi, ose Mjekët e botës, si dhe nga veprimtaria e gjithanshme në fushën profesionale, shkencore, akademike, kam kënaqësinë dhe privilegjin që t’i rekomandoj senatit akademik të Universitetit Europian të Tiranës t’i japë, z. Bernard Kouchner titullin Doctor Honoris Causa”.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Dear Trump

Nga Edison Ypi Shqipëria është aq e vogël, aq e varfër, e...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.