Ndërkombëtarët dhanë viston për zgjedhjet, edhe pa opozitën

Nga Ervis Iljazaj*

Mesazhi kryesor i ndërkombëtarëve dje, pavarësisht interpretimeve të ndryshme të njërit krah apo tjetrit, ishte më se i qartë. Zgjedhjet në Shqipëri mund të zhvillohen edhe pa opozitën, që me shumë gjasa është skenari më i mundshëm pas dështimit të negociatave. Në të gjitha pikat e propozimeve të tyre nuk gjendej në asnjë rresht kushti ultimativ i opozitës për të marrë pjesë në zgjedhje, ai i qeverisë teknike.

Me gjithë përpjekjet e ndërkombëtarëve për kushtet politike dhe teknike që ata propozuan dhe që mazhoranca i pranoi, Lulzim Basha këmbënguli në kushtin e tij të vetëm, duke përjashtuar kështu ndoshta në mënyrë përfundimtare Partinë Demokratike nga zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Për herë të parë, duke u nisur nga konteksti aktual i politikës dhe pozicionet e tyre, pa marrë parasysh ngjarjet në ditët në vazhdim, që me të gjitha gjasat me vështirësi mund të ndryshojnë, Shqipëria do të zhvillojë një palë zgjedhje ku Partia më e madhe e opozitës nuk do të marrë pjesë.

Pyetja që ngrihet në këtë rast është: A janë legjitime këto zgjedhje pa pjesëmarrjen e njërës prej partive më të rëndësishme?

Ka qëndrime të ndryshme në opinion publik për sa i përket kësaj pikëpytjeje që është kthyer në shqetësimin më të madh të jetës shoqërore, politike dhe ekonomike të vendit.

Duke qënë se gjithmonë kemi pritur vendimin e arbitrit që nuk kemi arritur ta krijojmë brenda territorit tonë, edhe kësaj radhe ai erdhi nga jashtë kufijve. Dhe ky vendim duke parë propozimet e tyre dhe garancitë maksimale që i morën mazhorancës në funksion të zhvillimit të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, ishte vazhdimësia e procesit demokratik të zhvillimit të zgjedhjeve edhe pa opozitën nëse ajo vazhdon të këmbëngulë në qëndrimet e saj.

Ky vendim bazohet në botëkuptimin e tyre për sa i përket demokracisë me gjithë problematikat që mund të shfaqë ajo, dhe aspak në vullnetin subjektiv të tyre për të mbështetur njërën apo tjetrën palë. Kush mendon të kundërtën, në rastin më të mirë nuk kupton asgjë nga demokracia kushtetuese, dhe në rastin më të keq është i verbuar nga retorika revolucionare boshe e një opozite që po shkon drejt humnerës.

Ky qëndrim vjen si pasojë e disa arsyeve thelbësore.

Pikë së pari, në asnjë marrëdhënie, qoftë shoqërore, ekonomike apo politike, ultimatumet nuk mund të legjitimohen. Dhe qëndrimi i opozitës është një ultimatum, që nëse do të realizohet do të përbënte një precedent të rrezikshëm për jetën politike shqiptare.

Pikë së dyti, zhvillimi i zgjedhjeve nuk varet nga vullneti i Lulzim Bashës apo i Edi Ramës. Zgjedhjet janë një e drejtë universale e popullit shqiptar, që nuk ia garantojnë partitë politike, por shteti shqiptar. Si e drejtë e tillë, askush nuk mund të ndalojë zhvillimin e tyre në një regjim demokratik.

Pikë së treti, në zgjedhje nuk marrin pjesë as opozita dhe as mazhoranca, por partitë politike. Partia Demokratike është opozitë e kësaj legjislature dhe se cila parti do të jetë opozitë në legjislaturën e ardhshme këtë e vendos vetëm populli shqiptar. Në këtë kuptim fjalia që zgjedhjet nuk mund të zhvillohen pa opozitën, është fjalia më absurde që është dëgjuar këto kohë. Jo më kot, në Kodin Elektoral shqiptar thuhet: në zgjedhjet parlamentare regjistrohen partitë politike dhe jo opozita apo mazhoranca.

Pikë së katërti, e rëndësishme në një regjim demokratik është fakti që asnjërës prej forcave politike që shpreh vullnetin për të garuar politikisht të mos i hiqet kjo e drejtë. Partinë Demokratike askush nuk po e privon nga kjo. Andaj, ata që krahasojnë këtë moment me regjimin komunist shiptar, ku zgjedhjet zhvilloheshin pa opozitë harrojnë këtë fakt thelbësor.

Për të gjitha këto arsye, qëndrimi i ndërkombëtarëvë të cilët kanë parasysh mirë se ç’do të thotë demokraci kushtetuese, në asnjë mënyrë nuk mund të legjitimonte shkeljen e parimeve të tij. Pasi i ofruan me të drejtë, çdo garanci opozitës shqiptare për kushtet e zhvillimit të zgjedhjeve të lira, vendosën që vazhdimësia e regjimit demokratik është më e rëndësishme se opozita e momentit. Kush nuk kupton këtë, është drejt humnerës, në dëm të vetë forcës politike që përfaqëson, por edhe në dëm të konsolidimit demokratik të vendit.

*pedagog, UET

Shkruar Nga
More from revista mapo

Të abuzosh me emrin “Europë”

Nga Gilman Bakalli Dëmi është bërë tashmë. Europa dhe Bashkimi Europian përdoren...
Read More