Ndërkombëtarizimi: Më shumë se 100 studentë të UET kanë përfituar nga programi Erasmus+

Ndërkohë që në mjediset e Universitetit Europian të Tiranës ditën e premte u prezantua nisma “Tirana International Student City”, një nismë që ka qëllim promovimin e qytetit të Tiranës dhe rritjes së numrit të studentëve të huaj, përmes programit Erasmus dhe ku UET aktualisht po mirëpret 5 studentë ndërkombëtarë në këtë semestër, më shumë se 100 studentë nga Universiteti Europian i Tiranës kanë përfituar nga programi Erasmus + duke kaluar disa kohë studimesh në universitete të ndryshme të Europës.

Si institucion i arsimit të lartë, UET është i përkushtuar në ndërkombëtarizimin e programeve të studimit, proceseve akademike dhe zhvillimit të stafit dhe kërkimit përmes mundësive që ofron ndërkombëtarizimi. UET synon të bëhet një qendër e rëndësishme kombëtare dhe rajonale sa i takon bashkëpunimit universitar, shkëmbimeve me karakter kërkimor shkencor dhe debatin e ideve që promovojnë vlerat akademike dhe ato të qytetarisë europiane. Një nga synimet është ofrimi i diplomave të përbashkëta me universitete prestigjiozë europianë, me të cilat është ndërtuar partneritet në kuadrin e programeve të përbashkëta të studimit. UET ka arritur një bashkëpunim të frytshëm me universitete partnere prestigjiozë si Stockholm Business

School në Suedi, Lappeenranta University of Technology në Finlandë, The Hague University of Applied Sciences në Holandë, Humboldt University dhe Hochschule Ludëigshafen në Gjermani,

NOVA University of Lisbon në Portugali, Universiteti i Salzburgut në Austri, Universiteti i Bolonjës dhe Universiteti La Sapienza i Romës në Itali, Universiteti Etvos Lorand në Hungari, etj. Në periudhën kohore 2015-2017, përmes projekteve Sigma Agile dhe Credit Mobility, kanë fituar të drejtën për të kryer periudha mësimore ose kërkimore në universitete europiane më shumë se 60 studentë të UET. Nga ana tjetër, UET është institucion pritës për 10 studentë nga Universitete partnere, të cilët kryejnë në UET semestre studimi në gjuhën angleze.

“Ndihemi shumë të privilegjuara që jemi pjesë e UET, i cili na mundësoi këtë eksperiencë të vlefshme. Mundësia e të shkolluarit në një nga universitetet më të mira të Europës, na ndihmon të përfitojmë jo vetëm akademikisht, por gjithashtu na krijon mundësinë për vazhdime të studimeve në vende të tjera. Ishte një eksperiencë e duhur për t’u socializuar me studentë të nacionaliteteve të ndryshme, si dhe për të sfiduar veten në një ambient të ri. Gjatë gjithë këtij rrugëtimi kemi marrë mbështetje nga UET”, kështu janë shprehur Ani Treska dhe Antonela Çekixhi- studente në UET, fituese të bursës “Erasmus+” në Gjermani.

Ish-Presidentja e Qeverisë Studentore UET, Vilma Beqa, ndan eksperiencën e saj për Bursën Erasmus+ në Universitetin ELTE, Budapest, duke thënë se për të nuk është thjesht një përvojë akademike, por edhe kulturore. Ajo ka zgjedhur Teorinë politike dhe Integrimin në BE si pjesë e studimeve të saj në këtë universitet. “kjo përvojë na ndihmon të njohim vendet e Ballkanit përmes institucioneve të arsimit. Brezi ynë do të shërbejë për të fuqizuar dhe të çojë përpara integrimin e Ballkanit në BE. Jam shumë e emocionuar për këtë mundësi dhe ju ftoj të aplikoni e të bëheni pjesë e saj”, ka thënë Vilma.

Sipas Koordinatores kombëtare të Programit Erasmus në Shqipëri, Aida Berxholi Bret, në 30 vjet janë më shumë se katër milionë të rinj që kanë përfituar nga shkëmbimet studentore e kulturore përmes programit Erasmus, duke folur për një impakt të thellë që ka kjo përvojë në jetët e individëve.

Është kënaqësi që po shihen frytet që programi nxit dhe mbështet prej 30 vitesh. Na duhet një propozim i ideve konkrete sesi së bashku ta kthejmë Tiranën në qytet tërheqës për studentë ndërkombëtarë”, -tha koordinatorja e këtij programi duke shtuar se aftësitë ekstrakurrikulare që fitohen nga këto shkëmbime janë po aq të rëndësishme sa edhe kualifikimet akademike. Ajo foli edhe për disbalancën mes shifrave të studentëve të huaj që zgjedhin Tiranën si destinacion dhe atyre shqiptarë që zgjedhin një prej universiteteve të Europës, ku të huajt për 2017-n kanë qenë vetëm 72 ndërsa shqiptarët që kanë përfituar nga Erasmus vitin e kaluar kanë qenë 306. Berxholi theksoi rëndësinë e kurseve në gjuhën angleze apo një gjuhe tjetër europiane që universitetet shqiptare duhet të ofrojnë për të tërhequr studentë ndërkombëtarë.

Në Universitetin Europian të Tiranës kanë mbërritur edhe një grup studentësh ndërkombëtarë të profileve të ndryshme të studimit, por edhe nga vende të ndryshme si Polonia, Finlanda apo deri nga Vietnami siç është rasti i Bihn që studion Turizëm në Bolonjë dhe pikërisht turizmi e shtyu drejt këtij vendi të panjohur me të cilin u miqësua dhe nisi ta pëlqente ditë pas dite.

-110+ studentë të UET kanë kryer më shumë se një semestër studimi në universitetet më prestigjioze europiane 

-20+ studentë të huaj nga universitete partnere kanë kryer më shumë se një semestër studimi në UET në gjuhën angleze

 

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Debati për projektin: Teatri i ri Kombëtar, sindikata e artistëve kundër Ndrenikës

Projekti i përfolur për Teatrin e ri Kombëtar është zbuluar dje nga...
Read More