Ndërkufizimi

Letërkëmbimi Mapo-Danas – Nga Zoran Panoviç

I Dashur Mustafa,

Më shkruan se në Tiranë ke kaluar nëpërmjet njëfarë “lepuri të ngrohtë” verbal (“lepur i ngrohtë” në serbisht është “gështenja”- rasti kur një grup njerëzish mbulojnë me batanije një person dhe e godasin. Shën. i përkthyesit) për shkak të asaj që fole në konferencën në Beograd që i kushtohej marrëdhënieve të Serbisë dhe Shqipërisë, në të cilën Ministri Ivica Daçiç “gaboi temë” në mënyrë fare pragmatike dhe foli vetëm për Kosovën. Të fyen bashkëvendasit e tu, jo sepse nuk të kuptuan, por pikërisht për faktin se e kuptuan mjaft mirë atë që the në Beograd, kur deklarove se do të dëshiroje që Edi Rama t’u drejtohej shqiptarëve në Jug të Serbisë dhe t’u thoshte se nuk duhet të shohin vetëm nga Tirana dhe nga Prishtina, por të përpiqen ta ndërtojnë jetën e tyre aty ku janë. Që Ciprasi t’u drejtohej grekëve në Shqipëri, ndërsa Vuçiçi serbëve në Kosovë, në mënyrë të veçantë atyre në Mitrovicë, apo serbëve në Bosnjë.

Epo, i dashur Mustafa, këtë ti e kë thënë para se presidenti serb të dilte publikisht me tezën mbi “ndërkufizimin” e serbëve dhe shqiptarëve. Në një interpretim ky ndërkufizim do të thotë shkëmbim (Thaçi këtë e quan “ndreqje të kufijve”), dhe jo ndarje: Domethënë Veriu i Kosovës t’i jepet Beogradit, ndërsa Kosovës-Presheva, Bujanoci dhe Medvegja. Këtu te ne kundër “ndërkufizimit” janë Serbia e djathtë- klerikale dhe qytetare dhe Serbia e OJQ-ve. I lidh mes tyre utopizmi i tipeve të ndryshëm: të parët mendojnë se Kosova, në një të ardhme, kur të krijohen kushtet e përshtatshme gjepolitike, do të bëhet përsëri pjesë e Serbisë, ndërsa të dytët mendojnë se do të vijë një kohë kur Kosova do të jetë një parajsë multietnike, e për këtë të gjitha këto historitë se kujt i përket kjo apo ajo do të bëhen të pakuptimta. Edhe sot e kësaj dite duke kërkuar shkaqet se kush është fajtor për avarinë serbe në Kosovë, herë pas herë përmendet lideri i dikurshëm komunist Peter Stamboliç, i cili ishte tejet besnik ndaj Titos, të cilin e akuzojnë se disa pjesë të Serbisë ia dha Kosovës, kështu që në këtë fushë (Veriu i Kosovës) Serbia komuniste ka qenë më e shkurtër sesa Serbia kuislinge e Millan Nediçit në kohën e Luftës së Dytë Botërore. Por, Peter Stamboliçi kishte një frazë simpatike: “Nuk ka rëndësi nëse Kosova është shqiptare apo serbe- rëndësi ka që të jetë komuniste”.

Mbështetësit e utopisë qytetare besojnë se do të vijë koha kur do të perifrazohet Stamboliçi dhe se nuk do të jetë me rëndësi nëse Kosova është shqiptare apo serbe, mjafton që ajo të jetë “europiane”, e ngopur me këto vlera. Mbështetësit e utopisë së “konfliktit të ngrirë” presin ndonjë mirazh gjepolitik, edhe një herë “kushtuar” Kosovës dhe sadoqë janë qaravitur mbi fatin serb në spastrimin etnik tugjmanian të serbëve, nuk do t’i vriste ndërgjegjja nëse ndonjë farë “olluje” serbe do të ndodhte edhe në Kosovë, ose ndoshta një ditë do të arrijë. Kjo falangë, sikurse vëren në mënyrë ironike historiania e dëgjuar serbe Dubravka Stojanoviç, “pret Rusinë dhe i gëzohet Luftës së Tretë Botërore”.

Në Serbi një mënyrë e vjetër për të përhapur panik është fraza se një ditë “shqiptarët do të vinë deri në Nish”. Kjo paranojë nuk është fare pa bazë. Sepse edhe “Nelson Mandela shqiptar”- Adem Demaçi, i cili vdiq para disa kohësh thoshte se Kosova është “deri në Preshevë e në Nish”. Nëse nuk “ndërkufizohemi”, Vuçiçi paralajmëron se nesër shqiptarët do të vinë deri në Vranjë. Në kohën e ngritjes në fuqi të Millosheviçit në fundin e viteve tetëdhjetë të shekullit të kaluar, u hodh teza mbi Serbinë “nga Horgoshi e deri në Dragash”. Dallga populiste që e forcoi në pushtet Millosheviçin pati marrë emrin “revolucioni antiburokratik” dhe sot mbushen tamam tridhjetë vite që nga koha e “ngjarjeve popullore” tragjike të serbëve, sikurse e pati emërtuar dallgën populiste në atë kohë shkrimtari serb Millovan Vitezoviç. Megjithëse atëbotë dukej sikur Millosheviçi ishte i pari në Lindjen e Europës që mund të nxiste një tranzicion thelbësor, për njerëzit e zgjuar që me rastin e ardhjes së Gorbaçovit në Beograd, në vitin 1988, ishte e qartë se mbrojtja e rendit të vjetër ishte më me rëndësi për Millosheviçin sesa për Gorbaçovin, dhe se reformat mund të ishin vetëm të limituara. “Revolucioni antiburokratik” ka qenë fatal për Serbinë. Ende nuk e kemi marrë veten nga “trashëgimia” e tij. Ai ishte njëfarë “revolucioni kulturor” serb. Millosheviçi e bllokoi tranzicionin, Serbia u desh të mbante zgjedhje shumëpartiake me detyrim, dhe këtë e bëri e fundit në ish-Jugosllavinë. Në vend që të ishte e para që t’i shpallte ato dhe po e para t’i thoshte komandës së JNA-së se nuk i intereson komunizmi, Millosheviçi dhe gjeneralët komunistë nxorën tanket në rrugët e Beogradit për të shtypur “kundërrevolucionin” tonë të parë, ose përpjekjen tonë të parë për të rrëzuar komunizmin si tërë Europa Lindore, atë të 9 marsit 1991.

Natyrisht, nuk ekziston ajo demokraci serbe e cila shqiptarët e Kosovës do të mund t’i “vaksinonte” kundër synimit të tyre “Kosova-republikë”, por në valën e “revolucionit antiburakoratik” Serbia, duke mbytur autonominë e Kosovës, bëri gabimin fatal, duke humbur ritmin për një periudhë afatgjatë.

Kur fole në Beograd para pak kohësh mbi atë se do të doje që Rama, Ciprasi dhe Vuçiçi duhet t’u flasin bashkatdhetarëve të tyre në shtetet e tjera të rajonit, ndoshta nuk ishe i vetëdijshëm sesa ngjisje me Marko Nikeziçin, liderin serb, i cili ndoshta do të mund të ofronte një perspektivë tjetër për Serbinë dhe të cilin Tito me bashkëpunëtorët e tij “e spastroi” në vitin 1972, me akuzën për “anarko-liberalizëm”. Nikeziçi që nga viti 1968 ishte njeriu i parë i komunistëve në Serbi, kishte famën e njeriut me horizont të gjerë, potencial reformatori, dhe në funksionin e Ministrit të Punëve të jashtme pati ardhur në vitin 1965, pas të famshmit Koca Popoviç. Tito bënte politikë të jashtme me shumë pasion, dhe pikërisht për këtë, për shkak të imazhit në botë, i kishte të nevojshëm njerëzit si puna e Popoviçit dhe Nikeziçit, intelektualë që kishin qenë pjesëtarë të lëvizjes komuniste dhe luftës që në vitin 1941. Titoja e “spastroi” Nikeziçin dhe “liberalët” në mënyrë që të ekuilibronte spastrimin që kreu në radhët e “lëvizjes masive” kroate të vitit 1971 në të cilën dominonin nacionalistët. Bashkëpunëtorja më e afërt e Nikeziçit, Latinka Peroviçi, të cilën sot e quajnë “nëna” ose së paku ideologia kryesore e “Serbisë tjetër”, e cila ka rezultate si historiane në misionin që me kalimin e kohës të ofrojë të ofrojë një konstruksion të besueshëm të evolucionit të fraksioneve komuniste liberale në prirjet liberalizuese, dhe e gjitha kjo parë nëpërmjet ideologjisë së modernizimit. Recidivët radikalistë dhe sheshelianë e pengojnë sot Vuçiçin që të përqafojë këtë koncept të “liberalizmit” dhe t’i japë atij volumin e duhur politik. Kjo mund të ishte një formulë shpëtimtare për Serbinë.

Nikeziçi, gjatë kohës që ishte në pushtet, u pati dërguar një mesazh të qartë njësive të tjera federale- Serbisë i nevojitet Jugosllavia as më pak dhe as më shumë sesa të tjerëve. Provoi që çështjen kombëtare serbe ta shtrojë si çështje demokratike dhe me këtë të amortizonte akuzat dinake dhe kronike për “hegjemonizëm serb”. Dhe ju sugjeronte serbëve jashtë Serbisë që të shohin, para Beogradit, Zagrebin dhe Sarajevën. Nga ana tjetër ishte mjaft i shkathët edhe ndaj shqiptarëve. Për fat të keq, serbët kërkuan një Aleksandër Rankoviç të ri, dhe jo një Nikeziç të ri, dhe për këtë e thirrën në skenë Millosheviçin, i cili komprometoi edhe ato interesa legjitime serbe që nuk ishin “ekspansioniste” dhe “memorandumiste” (Është fjala për memorandumin e Akademisë së Shkencave serbe të viti 1986. Shën. i përkthyesit).

Po të tregoj i dashur Mustafa një anekdotë të kohës kur Nikeziçi ishte njeriu i parë i komunistëve: Me rastin e një vizite në Kosovë, mikpritës i tij ishte Mahmut Bakalli, atëbotë, Kryetar i organizatës krahinore të partisë. Mirëseardhjen Bakalli ia shprehu në shqip, ndërsa Nikeziçi ia ktheu në frëngjisht. Bakalli këtë gjë e përjetoi si provokim dhe tha se i kishte folur në gjuhën e tij të nënës. Nikeziçi ia ktheu se edhe ai i kishte folur në gjuhën e nënës së tij, sepse e ëma e Nikeziçit ishte franceze.

Nga ana tjetër, Bakalli ishte dëshmitari i parë kundër Millosheviçit në Hagë dhe shumë serbë e shihnin transmetimin në televizor të Gjyqit të Hagës kundër Millosheviçit dhe bënin tifozllëk për të. Sikur të ishte koha e zenitit të “revolucionit antiburokratik” dhe jo epilogu i tij i errët.

Harrova të të them se Mali i Zi ka qenë një vatër serioze e “revolucionit antiburokratik” dhe se sulmi malazez ndaj Dubrovnikut ishte arritja e tij logjike. Por, kur i hedhim një sy pozicionit të sotëm të shtetit “monigerin” (Autori bën aluzion për librin e shkrimtarit të njohur malazez Jevrem Brkoviç, të titulluar “Monigrin”- “monigrin, sipas tij është emri i vjetër mesjetar i Malit të Zi. Shën. i përkthyesit) që është antiteza e “Spartës serbe”, dhe në këtë prizëm edhe relacionet e tij me Kroacinë, ky është një ndryshim sensacional i imazhit.

Më përmendje Mustafa edhe sharjet që të ishin adresuar në Tiranë, duke i cituar ato qartë. Hajde të relaksohemi pak në lidhje me këtë temë: për malazeztë, megjithëse ata mëtojnë një imazh macho, sharja me e shpeshtë ndër ata është “të qifsha babain” (!?), e për këtë edhe sot e kësaj dite thuhet se dallimi kryesor mes Serbisë dhe Malit të Zi, madje edhe kur ky i dyti është anëtar i NATO-s, është se deri në Brodarevo (kufiri mes Malit të Zi dhe Serbisë) të q… nënën, ndërsa nga Brodareva e më tej të q…. babain.

Tashmë është indikative se përse Vuçiçi nuk e ka vizituar ende Malin e Zi. Megjithëse atje, sikurse mendon Patriarku serb Irinej, kërcënimi i serbëve është i njëjtë me atë që është bërë ndaj tyre në Kroacinë e Paveliçit. Vuçiçi në Beograd pret në takim përfaqësuesit e partive serbe dhe ata të institucioneve kulturore nga Mali i Zi të cilët i ankohen. Mirë është që nuk pret “përfaqësuesit e asambleve fisnore” siç bënte Millosheviçi në fazën e tij terminale. Por Vuçiçi merr edhe “letra mbështetje”, në të cilat si anash, kërcënohet edhe opozita, gjë e cila mund të kujtojë në mënyrë të pakëndshme teknologjinë e Millosheviçit. Deri vonë marrëdhëniet mes Serbisë dhe Malit të Zi ishin “të mira si kurrë më parë”, ndërsa stabilokracisë së Gjukanoviçit shumëkush ia ka lakmi, madje edhe në Beograd. Madje dikur flitej mbi raportin “prej mentori” të Gjukanoviçit ndaj Vuçiçit. Gjëja më e çuditshme që kam dëgjuar është ajo sipas së cilës Vuçiçi nuk shkon në Podgoricë sepse “ka ankth”.

Do të ishte shumë interesante sikur nga kjo konferenca në Beograd të të shpinin në Guçë, i dashur Mustafa, dhe ndoshta këtë e ndreqim vitin e ardhshëm. Nga ana tjetër, Daçiçi, ishte në Guçë, dhe këtë e bëri në mënyrë shumë inspirative, duke i shpjeguar Marija Zaharovës, zëdhënëses së Sergej Lavrovit, dallimin mes Guçës- festivalit të njohur botërisht të orkestrave frymore serbe në vendin e quajtur Guçë, dhe të brand-it të modës Gucci. Që ta dish Mustafa, ish-Kryeministri Vojisllav Koshtunica thoshte në kohën e tij se ai që nuk e kupton Guçën, nuk kupton as Serbinë.

Është obsesion serb për të sjellë në Guçë Putinin dhe Trampin. Një herë e një kohë në Guçë organizatorët patën thirrur edhe Xhulja Robertsin, por në vend të saj u erdhi Zaharova.

E di mirë sesi janë marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kroacisë, ndërsa ndërkohë, etnofestivali më i rëndësishëm, ky i Guçës, mban të njëjtin emër si edhe parlamenti kroat-sabor. Absurde apo jo?

Shkruar Nga
More from Redaksia

Si ndikon në shëndet ndarja nga njeriu i zemrës

Ndarja nga partneri është një fenomen që ndikon jo vetëm në gjendjen...
Read More