Ndeshja mes dy Sulltanëve

Nga Franco Venturini*

Tërmeti financiar turk që po shkund Bursat dhe treguesit e këmbimeve (edhe tanët), po bëhet gjithnjë e më shumë politik që kur në rolet kryesore janë dy “Sulltanë”, të vendosur që t’u dëgjohet fjala: Rexhep Taip Erdogan dhe Donald Trump.

I pari ka fituar fuqi të plota në votimet e qershorit të shquar, i dyti për të diktuar rregullat e tij nuk ka nevojë të ndryshojë Kushtetutën. Të tilla e të shumta janë përgjegjësitë e Erdoganit që bëhet e lehtë përveçse e ligjshme, t’i vishet mendjemadhësisë së tij faji kryesor i asaj që po ndodh. Por do t’ishte dritëshkurtër të mos ndiqej edhe qëndrimi i Trump-it dhe treguesit, jo shumë qetësues, që ai na jep.

Sulltani për antonomazí, ai i Ankarasë, ka kohë që është në marrëdhënie të këqija me Trump-in. E kjo, me gjithë rolin kyç që luan Turqia në mbulimin e krahut juglindor të NATO-s. Që nga përpjekja për grusht shteti në vitin 2016 Erdogani padit për përbetim imamin Fejtullah Gulen dhe i kërkon Uashingtonit dorëzimin e tij, të cilin Amerika nuk e pranon. Në Siri ushtarakët amerikanë janë filokurdë, ndërsa ata turq janë kundër kurdëve e ndeshja e drejtpërdrejtë mes tyre është shmangur për qime. Erdogani ka blerë raketa kundërajrore të prodhimit rus dhe mban marrëdhënie shumë të ngushta me Moskën në fushën bërthamore (civile) dhe atë energjetike. Si qershi përmbi tortë Turqia nuk do të respektojë sanksionet amerikane kundër Iranit. Natyrisht hyjnë në atë llogari arrestimet në masë të pjesëmarrësve të dyshuar për grusht shteti dhe përndjekja e paturpshme e informacionit të lirë. Pastaj është ekonomia: i plotfuqishmi Erdogan e trajton simbas parimit të aktivizmit kombëtarist, sot do të quhej “sovranist”, pa përbuzur një nepotizëm të hapur, kur dhëndrri i tij, Berat Albairak, u emërua superministër i Financave. Lira turke vazhdon të rrëshqasë poshtë, humbet 45% që nga fillimi i vitit? Nuk ka rëndësi, ne do të fitojmë. Dhe aspak ngritje të përqindjes së interesit, asnjë ndihmë nga Fondi monetar. Sulltani Erdogan fajet i ka të shumta. Por edhe përpara një hetimi aq të lehtë dhe fajësues, ai që kërkon gjithë të vërtetën duhet të shquajë çastin në të cilin kriza rëndohet, në të njëjtin hap me një keqësim dramatik të marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara. Ai çast vjen kur autoritetet turke venë po në arrest shtëpie predikuesin ungjillist amerikan Andrew Brunson, i burgosur që nga tetori i shkuar sepse i dyshuar për lidhje me Fejtullah Gulenin, por nuk pranojnë ta lirojnë siç kërkonte me zë të lartë Uashingtoni.

Trump-i kundërvepron me ashpërsi dhe e shtyn kështu “kolegun” Erdogan të pranojë sfidën. Por njeriu i fortë i Ankarasë ka nënvlerësuar një aspekt: ungjillorët janë një pjesë e rëndësishme e pellgut zgjedhor të Trump-it, fushata për rizgjedhjen e tij më 2020 është tashmë plotësisht në ecje e për pasojë, Shtëpia e Bardhë do të përdorë çdo mjet për të “ndëshkuar” Turqinë dhe për të shtrënguar Erdoganin të nënshtrohet (gjë që mund të ndodhë në ditët e ardhshme). Ja sepse Uashingtoni i vë sanksionet Turqisë aleate dhe të premten, më 10 gusht, ndërsa lira turke rrokulliset, Trump-i e shtyn më poshtë duke dyfishuar taksat mbi importet e çelikut dhe të aluminit nga Turqia. Më pas, jo shumë i kënaqur, i përcjell të tijve nëpërmjet tweet-it të zakonshëm një lloj buletini të fitores: “Lira turke bie në përballje me dollarin tonë”.

Loja mes dy Sulltanëve është ende e hapur, shpresojmë për pak kohë, duke mbajtur parasysh vështirësitë që rrjedhin për bankat italiane, spanjolle e franceze dhe marrëdhëniet e fuqishme ekonomike e tregtare që Italia ka me Turqinë. Asnjëri nga këta dy elementë nuk e ka frenuar Trump-in. Por kur kriza të jetë kapërcyer, siç urojmë, përveç fajeve të dukshme të Erdoganit duhet të kujtojmë atë që, nga ana tjetër, është dukur edhe herë të tjera, nga vizita në Bruksel, ajo në Britaninë e Madhe dhe “takimet historike” me Kim Jong-unin e me Putinin: presidenti Trump është i thithur nga vrapi i tij drejt rizgjedhjes, kjo është e vetmja politikë e jashtme e njohur e tij. N’Itali, për shembull sa i përket Libisë, ndonjëri do të bënte mirë të mbante shënime.

“Corriere della Sera”, 14 gusht 2018  

Përktheu nga italishtja: Eugjen Merlika

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Përse i duhet PD-së hija e Byrosë së dikurshme Politike

Nga Ndriçim Kulla Kryetari i PD-së Lulzim Basha ka ndërmarrë ditët e...
Read More