Ndizet lufta, Xhafaj mbron Tahirin, sulmon ashpër Prokurorinë


Ministri i Brendshë, Fatmir Xhafaj, i ka dalë në mbrojtje ish-ministrit Saimir Tahiri, duke sulmuar ashpër Prokurorinë.

“Ajo çka është çuar nga prokurorët e krimeve të rënda dhe aq sa unë kam lexuar, nuk është një gjë që shpreh vullnetin e ligjit dhe bazueshmërinë në prova. Sipas meje jemi në rastin kur individë të Prokurorisë po vetëpërdoren politikisht në një situatë në nxehtë politike. Flas për sa unë kam parë dhe kam lexuar. Nëse Prokuroria ka prova të tjera, le t’i shohim”, deklaroi ministri i Brendshëm.

Fatmir Xhafaj ka akuzuar gjithashtu se organi i akuzës shiti dhe dekonspiroi operacionin anti-drogë në Babicë të Vlorës dy ditë më parë.

“Precedent të tillë janë të rrezikshëm për drejtësinë dhe marrëdhëniet parlamentare për aq sa unë kam lexuar. Nëse prokuroria ka prova të tjera mbetet për tu parë dhe për tu gjykuar. Unë jam i shqetësuar mos ndodh ajo që ndodhi me operacionin e pak ditëve më parë në Vlorë, kur prokurori u përdor politikisht për një çështje thellësisht hetimore. Kjo është e përsëritur dhe shumë e dëmshme për autoritetin dhe organin e akuzës”, tha Xhafaj.

Këto deklarata ministri i Brendshëm i bëri pas konferencës ndërkombëtare për 25-vjetorin e Gjykatës Kushtetuese.

Ish-ministri Saimir Tahiri akuzohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për trafik droge në bashkëpunim në formën e posaçme të grupit kriminal dhe për korrupsion pasiv të zyrtarëve të lartë shtetëror. Organi i akuzës ka kërkuar heqjen e imunitetit të Tahirit për ta arrestuar.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Tipologjia e personazheve femërore në universin letrar të Ismail Kadaresë

Plakat e jetës te Kronikë në gur, gratë e komunizmit te Dimri...
Read More