
Në Mërtiraj të Vlorës banorët thonë se ndotja nga nafta është në nivele alarmante. Sipas tyre tokat bujqësore janë kontaminuar nga helmet e hidrokarbureve, ndërkohë që ngrenë shqetësimin se mbetjet hidrokarbure derdhen në Vjosë. Zonën naftënxjerrëse e vizitoi dhe deputeti i LSI Flamur Çela.
Banorët e zonës naftëmbajtëse të Mërtirajt në njësinë e Gorishtës në Vlorë, ngrenë shqetësimin e nivelit të lartë të ndotjes. Banorët thonë se, zona vetëm 30 km nga qyteti i Vlorës, i ka tokat të kontaminuara nga çlirimi i helmeve në ambient, si pasojë e shfrytëzimit të puseve të naftës.
“Derdhjet e naftës kalojnë nëpërmjet tubave në rezervuarin e hapur përpara nesh dhe në det përfundojnë”, u shpreh një banor.
” Problematikë me frymëmarrjen për shkak të aromës të rëndë të hidrokarbureve dhe të tymit të asaj gjëje që nuk duhet të funksiononte fare. Kemi një dëm shumë të madh ekologjik, kemi probleme me rjedhjen e naftës, me kontaminimin e tokës dhe ujërave”, tha deputeti Çela.