Ndryshimi i detyruar dhe pozitiv i axhendës opozitare

Nga Ervis Iljazaj

Lulzim Basha ka deklaruar se është tërhequr nga reforma zgjedhore duke akuzuar qeverinë si të lidhur me krimin, dhe në këtë mënyrë është e pamundur të bashkëpunojë me të. Me këtë deklaratë duket se axhenda opozitare ka ndryshuar tërësisht.

Në fillim të sesionit parlamentar opozita e filloi aksionin e saj politik duke futur në axhendën politike reformën zgjedhore si një nga ligjet e para të Parlamentit të ri. Ky ishte një fakt pozitiv dhe një nisje e duhur e aksionit opozitar, pasi ligji zgjedhor, shpeshherë lihet në fund të mandatit, ndërkohë që duhet të jetë ligji i tij i parë.

Në këtë kuptim, opozita dhe Lulzim Basha kishte marrë përsipër të ishte iniciator i një sërë ligjesh që kishin për qëllim reformimin e sistemit politik, që do të përbënin një zhvillim politik pozitiv për të zgjidhur një nga problematikat më të mëdha që kanë shoqëruar politikën shqiptare gjatë tranzicionit.

Me ngjarjet e fundit që lidhen me çështjen Tahiri, ka ndryshuar tërësisht axhendën e saj opozitare, duke lënë mënjanë të gjitha reformat për sistemin politik dhe zgjedhor, dhe duke u fokusuar tek aksioni politik denoncues ndaj gjendjes aktuale. Jo vetëm kaq, por opozita shqiptare ka paralajmëruar protesta kundër mazhorancës me qëllim sensibilizimin e opinionit publik mbi gjendjen e rënduar politike që është krijuar.

Megjithëse reformat e sistemit politik janë thelbësore për vendin, opozita ka qenë e detyruar të ndryshojë axhendën politike dhe t’i braktisë ato. Deri më tani opozita është në detyrë, duke denoncuar dhe ngritur zërin kundër lidhjeve të krimit me politikën. Ky është roli i saj, të cilin deri më tani po e zhvillon më së miri, dhe kaq ka për detyrë të bëjë.

Një nga aktet e saj të fundit ishte krijimi i një fronti opozitar të bashkuar për t’i bërë ballë politikisht mazhorancës aktuale. Një veprim pothuajse i pashmangshëm për të forcuar zërin dhe aksionin e saj politik.

Bashkimi me LSI, mund të duket si një bashkim i sforcuar, por është i vetmi akt politik që Lulzim Basha mund të ndërmerrte për të bërë sa më efikas aksionin e tij politik.

Kushdo që mendon që në fushatën zgjedhore, këto dy parti ishin kundërshtare dhe sulmonin njëra-tjetrën me tone të ashpra, dhe në këtë kuptim bashkimi i tanishëm i duket i pamoralshëm, atëherë, nuk e njeh logjikën politike.

Politika ka kohë dhe momente të caktuara, që i përputhen veprime politike të caktuara. Prandaj, bashkimi i opozitës është në të mirë të vetë asaj, por dhe në të mirë të Shqipërisë, sepse një opozitë e fortë, mban nën kontroll mazhorancën politike dhe abuzimet e saj me pushtetin.

Kështu që, aksioni opozitar i momentit është në drejtimin e duhur, dhe duhet përshëndetur për këtë arsye. Tani është në dorë të saj se sa e aftë do të jetë për të krijuar besimin te qytetarët shqiptarë, me qëllim që të krijojë një alternativë politike të besueshme për qeverisjen e nesërme. Është në interesin publik, që të kemi një opozitë të fortë politikisht, në të mirë të demokracisë dhe qeverisjes së vendit. Andaj, i gjithë aksioni i saj duket i orientuar më së miri dhe me një qëllim të qartë. Qëllimin e denoncimit konstant ndaj pushtetit dhe krijimin e një force politike të besueshme për qeverisjen e nesërme.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Çfarë di dhe çfarë dihet për Saimir Tahirin

Orë pas ore si ndryshuan qëndrimet për Saimir Tahirin, nga i refuzuar...
Read More