Në 3 muaj, 7 shqiptarë kërkuan vëmendjen e shtetit: Do vras veten

E frikshme! Në Shqipëri kërcënimi me vetëvrasje është kthyer në një fenomen problematik. Duket se zgjidhja e parë e personave që kërkojnë vëmendjen e shtetit për të zgjidhur problemet, është ngjitja në majë të lartësive. Ky hap është i rëndë, pasi jeta është e shenjtë dhe sigurisht i zoti duhet ta dojë më shumë se të tjerët, por për këta njerëz ky kërcënim nuk përbën rrezik. Ata kthehen në personazh të ditës, por ajo që nuk dihet është se kur fiken dritat jeshile të kamrave dhe mediat nuk shkruajnë më për ta, a i kanë zgjidhur problemet? Në vetëm 3 muajt e fundit, 7 shqiptarë kërcënuan me vetëvrasje.

Elona Bregu nga Kuçova është rasti i fundit. 40-vjeçarja kërcënoi duke hipur në një oxhak të lartë TEC-it në Kuçovë. Elona ishte punonjëse e ndërmarrjes së pastrimit në bashkinë e Kuçovës dhe shkak për këtë veprim mësohet të jetë bërë kalimi i saj në turn të tretë, propozim të cilin ajo nuk e ka pranuar. Bregu është nënë e dy fëmijëve dhe rroga e saj ishte i vetmi burim të ardhurash për familjen.

Ferdinand Saraçi dhe Teuta Gjinollari u ngjitën në majë të vinçit. Kur filluan të zbrisnin duke pranuar negociatat e policisë, ata u ngjitën sërish, duke i thënë efektivëve se “ju kështu thoni gjithmonë”. Burrë e grua kërcënuan se do të hidhen nga Pallati i Kulturës në tetor të këtij viti. Çifti kërkonte praninë e Ministres Lindita Nikolla, si i vetmi kusht për të zbritur në tokë.

Sajmir Zalli tentoi të hidhej nga viçi pasditen e datës 16 tetor në mes të Kryeqytetit. Ai kishte probleme me ish-gruan e cila nuk e linte të takonte dy fëmijët e tij. 35-vjeçari ishte divorcuar nga ish-bashkëshortja në vitin 2014, ndërsa ka kërkuar në komisariat që ti çojnë pranë edhe fëmijët. Ish-bashkëshortja tha se me vendim gjykata ja ka lënë asaj kujdestarinë e fëmijëve. Sipas saj ai kishte një sjellje jo të pëlqyeshme pasi konsumonte alkool.

Erion Selimaj, 25-vjeçari nga Vlora kërcënoi për rreth tre orë nga maja e një vinçi. Selimaj e ndërmori veprimin ekstrem duke thënë se është braktisur nga shteti dhe se kishte frikë se mos do futet në burg. “Më akuzojnë se kam rrahur babanë nuk është e vërtetë. Nuk dua të më fusin në burg. Jam penduar për vjedhjet që kam bërë. Nuk më ndihmon bashkia e Vlorës. Unë babanë s’e kam rrahur fare”, pati deklaruar ai.

Vëllezërit Bejko nga qyteti i Durrësit kërcënuan më 8 shtator të këtij viti se do të hidheshin nga tarraca e pallatit, sepse përmbarimi u kërkoi të linin banesën e tyre dhe t’ja kthenin ish-pronarëve. Ata pretendonin që dokumentacioni është fals dhe nxjerrja e tyre është e paligjshme. Ata thanë se nëse do t’i nxirrnin jashtë shtëpisë do të vetëvriteshin duke u hedhur nga pallati.

Mustafa Plaku 53-vjeç, kërcënoi se do të hidhej nga një shtyllë tensioni në Domje. Ngjarja ndodhi më 19 shator të këtij viti edhe pse kjo nuk ishte hera e parë që ai ngjitej në lartësi dhe kërcënonte me vetëflijim, nëse problemet që ai ka me një pronë të tij, nuk do të merrnin zgjidhje nga shteti. 53 vjeçari pretendon se i janë marrë pronat me pa të drejtë.

Klodian Hasa, 28-vjeç nga Luznia e Dibrës kërcënonte në gusht të këtij viti se do të hidhej nga skelat e një fabrike në Maminas të Durrësit. Babai i dy fëmijëve thuhej se kishte probleme me shëndetin mendor, por Klodiani sapo ishte kthyer nga emigracioni në Greqi dhe dyshohet se ishte pikërisht presioni i autoritetit të vëllait të madh në familje dhe menaxhimi i parave të fituara në emigracion prej tij faktorët që kanë ndikuar në çekuilibrimin psikik të 28-vjeçarit.

Shkruar Nga
More from Revista User

Rrëfimi pa doreza, Çiljeta: Vështirësitë për të rritur djalin e vetme

Këtë fundjavë Çiljeta do të prezantojë më “Kënga magjike” projektin e saj...
Read More