Në 3 vite, 107 studentë të UET kanë fituar bursa në Europë


foto coverPër periudhën 2015-2017 janë 107 studentë dhe pedagogë nga UET që kanë shkuar për studime në një shtet të BE-së 

Të rinjtë shqiptarë jetojnë në një epokë pa kufij. Ata mund të studiojnë në Shqipëri dhe të bëjnë një semestër apo dy jashtë vendit në universitetet më të më mira të vendeve europiane. Universiteti Europian i Tiranë përcjell këtë pranverë dhjetëra studentë të tij që kanë fituar bursa nga programi Erasmus+ për të kryer një pjesë të studimeve të tyre në një prej 31 universiteteve me të cilat UET ka marrëveshje bashkëpunimi.

Këto bursa janë të mbuluara financiarisht nga ky program. Të rinjtë kanë mundësi të kenë një diplomë të dyfishtë në fund të studimeve, ku njihet koha e studimeve jashtë. Përveç shkollës ata përfitojnë një eksperiencë të veçantë jete duke jetuar në një nga qytetet europiane dhe duke krijuar shoqëri të reja kudo që shkojnë.

Vetëm për periudhën 2015-2017 janë 107 studentë dhe pedagogë nga UET që kanë shkuar në një shtet të BE-së. Vetëm për aplikimet e shkurtit 2017, UET ka arritur të lidhë Marrëveshje me 31 Universitete Europiane, në shtete si: Finlandë, Gjermani, Spanjë, Portugali, Vende Baltike, Itali, Hungari etj.

Po çfarë do të thotë për një student shqiptar që të ketë mundësinë të studiojë në kuadër të këtij programi në një prej universiteteve europiane?! MAPO pyeti disa prej tyre, të cilët kanë mundur të fitojnë të drejtën e kësaj burse dhe presin të nisen për studime jashtë këtë muaj.

Ata janë Anxhela Brinja, Klaudio Agolli, Amantia Bilbili, Migena Mersini, studentë në Bachelor, si dhe Egi Trokthi, student i Masterit.

anxhelaAnxhela Brinja: Dua të mësoj rreth kulturave në botë

Anxhela Brinja është studente në vitin e dytë, për Marrëdhënie Ndërkombëtare. E angazhuar prej kohësh në organizata joqeveritare, me natyrën e saj të shkathët arriti të fitonte një bursë lidershipi në UET. Pas aplikimit në programin Erasmus + ajo u shpall fituese. Universiteti pritës për Anxhelën quhet Eötvös Loránd University, ose ndryshe ELTE. Universiteti ndodhet në Budapest, Hungari. Mbi të mbizotëron disi frika e përballjes me një kulturë të re, por dhe lumturia njëkohësisht. “Gjithmonë kam dashur të mësoj rreth kulturave në botë. Por edhe të studioj diku në Europë ka qenë gjithnjë një nga ëndrrat dhe synimet e mia dhe fakti që po e realizoj këtë gjë mbizotëron mbi frikën”. Takimi me miq të rinj, normalisht që do të zërë një vend të rëndësishëm në këtë rrugëtim të Anxhelës. “Për sa i përket jetës sociale, plani im i vetëm është që të jem e njëjta që jam me shoqërinë time edhe këtu në Shqipëri. Domethënë do i lë gjërat të rrjedhin vetë”. Ashtu si çdo student dhe Anxhela ka pritshmëritë e saj për sa i përket kësaj eksperience. Ajo beson se do të përfitojë shumë pavarësi, vetëbesim, njohuri dhe mbi të gjitha eksperiencë. Gjithashtu e sheh si një pikë të rëndësishme për të ardhmen e saj. “E them me plot bindje që kjo mundësi që më është ofruar është ajo çfarë më duhej për të pasur një start të fuqishëm të karrierës sime”.

KlaudioKlaudio Agolli: Do të përfitoj një frymë të re mendimi

Klaudio Agolli është student në vitin e tretë për Marrëdhënie Ndërkombëtare. Ideja për një shkëmbim studentor i pëlqeu që në momentin e parë kur mori email-in njoftues nga UET-i. Ai nuk hezitoi aspak për të aplikuar duke u shpallur kështu fitues. Klaudio do të studiojë në ELTE University Budapest. Duke qenë se do të përballet me një kulturë krejt të re, Klaudio tregon se e ka marrë çdo gjë me qetësi. “Më pëlqen që të ndërveproj dhe të përshtatem me kulturat e ndryshme. Gjithashtu më pëlqen që do të përcjell kulturën shqiptare në vendin ku shkoj”, shprehet Klaudio. Mund ta kemi dhe një ambasador shumë të mirë të Shqipërisë në universitetin ELTE. Qëndrimin e tij atje Klaudio e ka lënë disi në dorë të fatit. Nuk ka menduar asgjë dhe si një natyrë çapkëne që është, do t’ia lërë fatit çdo gjë që do të ndodhë. “Mendoj që do jetë një eksperiencë e bukur, ku do të njoh studentë të tjerë me të cilët dëshiroj që të ndaj dhe shkëmbej opinione dhe mendime” tregon më tej ai. Natyrisht që ambiciet për përftime nga ky shkëmbim nuk janë të pakta nga ana e tij. Në tërësinë e gjërave ai veçon një pjesë të atyre që do të marrë nga kjo eksperiencë e re në jetën e tij. “Mendoj se do të përfitoj shumë gjëra nga shkëmbimi studentor, si njohja e bashkëmoshatarëve të rinj, kultura të ndryshme, një fryme të re mendimi, më shumë eksperiencë ndërkombëtare dhe zhvillim të mëtejshëm në kuadrin akademik”. 

amantiaAmantia Bilbili: Një eksperiencë sfiduese

Amantia Bilbili është studente në vitin e tretë për Financë-Bankë. Ajo ka qenë gjithnjë pjesë e rrjetit të studentëve ekselentë, si dhe ka qenë e angazhuar në qeverinë studentore. Për të kjo nuk është eksperienca e parë me shkëmbimet studentore. Duke qenë e kënaqur nga eksperienca e mëparshme ajo vendosi të aplikojë sërish për një program shkëmbimi studentor dhe padyshim që e fitoi menjëherë. Amantia do të studiojë në “Ludwigshafen University of Applied Sciences”, Gjermani. Për të përballja me një kulturë tjetër është një sfidë më vete por jo e frikshme. “Mendoj se një shkëmbim studentor dhe larg vatrës familjare të rrit dhe të bën akoma e më shumë të përgjegjshëm”, shprehet Amantia. Gjatë qëndrimit atje dëshiron që të zërë sa më shumë miq të rinj por ka dhe një plan se si do të afrohet fillimisht me ta. “Pikënisje e afrimit me studentët e kulturave të tjera do jenë prezantimet dhe punët në grup që bëhen në universitet”, -thotë ajo. Edhe për Amantian kjo eksperiencë është shumë e vlefshme pasi do t’i ofrojë asaj diçka më tepër si në aspektin akademik ashtu dhe në aspektin jetësor. “Nga kjo eksperiencë, të cilën do të më pëlqente ta konsideroja si ‘eksperiencë sfiduese’, rritja personale dhe profesionale do jenë dy asetet më të çmuara që do përfitoj gjatë këtij shkëmbimi studentor”.

migena studenteMigena Mersini: Mundësi për të zgjeruar njohuritë

Migena Mersini është studente në Bachelor në degën Marrëdhënie Ndërkombëtare. Si një natyrë eksploruese të cilës i pëlqen të vizitojë vende të reja, ajo nuk hezitoi aspak të aplikonte për një shkëmbim studentor. Salzburg University në Gjermani do ta mirëpresë studenten tonë për të vazhduar semestrin e dytë të studimeve në degën Shkenca Politike. Për Migenën përballja me një kulturë të re nuk është diçka të cilës ajo i trembet, pasi ka jetuar jashtë për disa muaj dhe pikërisht në Gjermani. “Besoj se do e kem disi të lehtë ambientimin duke qenë se e njoh edhe gjuhën edhe mënyrën se si funksionon gjithçka atje”, rrëfen Migena. Siç na tregon dhe vetë ajo, Salzburgu organizon evente dhe aktivitete të ndryshme që studentët të solidarizohen me njëri-tjetrin dhe kjo do të jetë një mundësi e mirë për Migenën, që të krijojë miqësi të reja me studentët atje. Për të ka tepër rëndësi eksperienca akademike që do të marrë atje por jo vetëm. “Besoj dhe shpresoj që kjo eksperiencë do të jetë një ndihmesë e madhe në rrugëtimin tim profesional. Përballja me një kulturë dhe sistem ndryshe do të më japë mundësinë të zgjeroj jo vetëm njohuritë por edhe aftësitë e mia gjithëpërfshirëse”, tregon ajo. Ndërsa për në fund tregon ambicien e fshehur të sajën kur thotë se “Ku i dihet, ndoshta në një të ardhme jo shumë të largët do të mund t’i vendos në zbatim të gjitha përfitimet e mia në vendin tim”.

egi -studentEgi Trokthi: Përfitim për karrierën akademike

Egi Trokthi është student Masteri në UET. Ai studion për Marrëdhënie Ndërkombëtare në profilin Studime Strategjike. Si të gjithë studentët në UET edhe Egi është njoftuar nëpërmjet email-it për të marrë pjesë në shkëmbimet studentore. Ai nuk nguroi aspak të aplikonte pasi e pa si një mundësi tepër të vlefshme dhe një aventurë më vete studimin jashtë Shqipërisë. Universiteti i tij mikpritës është ELTE University, Hungari. Një prej universiteteve më të vjetra të Budapestit siç shprehet dhe vetë Egi. Për të kjo eksperiencë është mjaft emocionuese pasi do të përballet me një mjedis tërësisht të panjohur. Por sheh dhe diçka të mirë tek e gjithë kjo. “Për mua, është një rast i mirë për të mësuar diçka si kultura e tyre dhe jo thjesht nëpërmjet librave por duke jetuar atje”, shprehet ai. Egi nuk lë pa përmendur vështirësitë që mund të hasë në fillim por mendon pozitivisht duke parë dhe sa shumë do të përfitojë nga kjo eksperiencë. Duke parë dhe mundësinë që po i jepet për të takuar studentë nga e gjithë bota, ai thotë se do të jetë shumë bukur pjesa e shkëmbimit të kulturave të ndryshme. “Kjo eksperiencë do të jetë një përfitim shumë i madh për karrierën time akademike”, rrëfen Egi.

Përgatiti: Eva Drita

Shkruar Nga
More from revista mapo

Pse po heziton Rama të pranojë propozimin amerikan

Nga Armand Shkullaku Shumëkush ka mbetur i habitur kur kryeministri Edi Rama...
Read More