Në burg për terrorizëm, kuzhinieri: Rama e Berisha kanë vjedhur popullin, do ta paguajnë po s’u penduan



Teksa po mbushen 4 vite i gjendur pas hekurave të burgut, Fadil Myslimani ende pretendon pafajësinë me shpresë se e vërteta e tij do të dëgjohet një ditë. Zemërata ndaj organeve të drejtësisë, politikës dhe institucioneve islame, sa vjen edhe shtohet më tepër duke kujtuar ndëshkimet që sipas tij i presin njerëzit më me influencë në botë.

Këtu nuk le pa përmendur kryeministrin Edi Rama, kryeopozitarin Lulzim Basha, presidentin e republikës Ilir Meta apo edhe liderë botërorë si Donald Trump, Vladimir Putin dhe Angela Merkel. Myslimani vuan dënimin për terrorizëm në burgun e Fushë-Krujës, pasi referuar vendimit të gjykatës ai përmes propagandës fetare ka frymëzuar disa shqiptarë që të ndjekin rrymën tekfiriste dhe salafiste të islamit për t’u përfshirë në luftimet e xhihadistëve në Siri.

Ish-kuzhinieri i xhamisë pranë Unazës së re, tregon për gazetën “TemA” të gjithë dramën që e ka shoqëruar nga momenti i arrestimit dhe deri më sot. Në intervistën brenda burgut, ai nuk shfaq pendesë për çfarë është akuzuar dhe dënuar, por thjesht kërkon që dikush të dëgjojë fjalën e tij për të cilën thotë se është e pastër dhe e drejtë ashtu siç e ka udhëzuar feja ku beson.

Ndërkohë sa i përket predikimit për xhihad dhe thirrjeve të hapura pro kësaj lufte, i dënuari thotë se fjala e tij s’ka pasur ndikim pasi ka shërbyer thjesht si kuzhinier për 20 fëmijë në xhami por shton se vetë do të shkonte i pari në Siri për të shpëtuar motrat myslimane prej përdhunimeve, lëndimit dhe vdekjes.

Cili është Fadil Myslimani? Çfarë bënit ju para se të prangoseshit nga policia?
Unë jam babai i pesë fëmijëve. Gjatë komunizmit isha një besimtar pa dije dhe pa rrite fetare. Islamin kam filluar ta predikoj gjatë viteve ’90, kohë kur fillova që të njihem gjerësisht me të. Unë studiova ekonomi-agrare dhe kam punuar disa vite si ekonomist në Elbasan.

Me ardhjen e demokracisë nuk mund të ushtroja dot profesionin tim pasi si besimtar nuk më lejohen disa gjëra, si p.sh kamata që është e ndaluar për t’u llogaritur. Më pas kam punuar thjesht si kuzhinier amator në disa shoqata dhe institucione fetare. Deri në momentin e arrestimit kam qenë i punësuar tek xhamia e Unazës së Re duke shërbyer ushqim për 20 nxënës dhe mësues kursesh.

Cilat ishin motivet që ju çuan pas hekurave?
Prej 1400 ditësh qëndroj i robëruar dhe i afrohem varrit. Jam burgosur për politikë dhe reklamë mediatike. Ka qenë 11 mars i vitit 2014 kur forcat e policisë erdhën në xhami dhe më ndaluan me armë tek koka. Njëkohësish është terrorizuar pa arsye edhe familja ime në Elbasan. Ish-ministri Saimir Tahiri tregoi pak ditë më parë merakun për djalin e tij pasi rrezikonte arrestimin për ç’ka bërë. Po për fëmijët e mi kush mendoi kur policët me kallashnikovë mësynë në banesë për t’i burgosur babain?

Unë i kam thënë në sallë gjyqi dhe fjala ime e ka ndjekur këto vite: “Nëse ke problem me myslimanët s’do gjesh vrimë ku të futesh!”Rrjedhimisht sot po kërkon vrimë por nuk mund të fshihet dot bashkë me Edi Ramën, Sali Berishën dhe Ilir Metën. Këta të fundit janë betuar dhe kanë vjedhur popullin për vite me radhë. Ata do ta paguajnë po nuk u penduan, qoftë këtu qoftë në botën tjetër. Amerikës po i del bota prej duarve ndaj edhe kërkoi arrestimin tonë.

A i keni bërë thirrje besimtarëve mysliman që të shkojnë në Siri dhe të luftojnë krah terroristëve të ISIS? Ka pasur dëshmi në gjyq që e kanë pohuar këtë gjë ndaj jush…
Para se të shkonin dhjetëra shqiptarë për të ndihmuar motrat dhe vëllezërit tanë atje, dua t’ju kujtoj se ka qenë vetë ish-kryeministri Sali Berisha që ka bërë thirrje i pari në vitin 2012 për të shkuar dhe për të ndihmuar popullsinë siriane. Le të vijë dëshmitar në gjyq pasi 3 vjet i ka lejuar shqiptarët që të shkojë lirshëm nga Rinasi.

Unë kam qenë kuzhinier dhe nuk kam bërë thirrje. Nëse më pyet mua “a duhet të shkoj?” atëherë mund t’ju them që unë edhe pse jam gjynahqar duhet të shkoja i pari për të ndihmuar popullsinë në Siri. Ky nuk është krim por është mirësi. Nëse unë marr vesh që dikush ju ka marrë peng, a duhet të vij që t’ju shpëtoj? Myslimani nuk gënjen. Atë që bën e bën për hir të zotit dhe nuk i trembet prej kurrkujt veç atij.

Kemi me mijëra motra myslimane atje dhe me to Basharal–Assad josh ushtarët e vet për t’i nxitur në luftime. Përdhunohen, lëndohen dhe dhunohen. OKB hesht kur me qindra bomba hidhen nga lart edhe vrisnin njerëz të pafajshëm. Çfarë duhet të bëjmë, pse myslimanët në Irak dhe në Siri janë pula?

Çfarë qëndrimi keni për të ashtëquajturin “shtet islamik”? Pajtoheni me aktet barbare kur priten koka gazetarësh, shkaktohet kaos dhe vriten njerëz të pafajshëm?
Shteti islamik kërkon që të vendosë drejtësi në tokë dhe të sundojë ligji i zotit. Nuk është terrorizëm. Kjo është kërkesa jonë e vetme. Ai u krijua për të hedhur poshtë diktatorin Basharal–Assad ku edhe prindërit e gjyshërit e tij kanë drejtuar po me të njëjtën mizori. Pse nuk përdoret termi terrorizëm i krishterë, budist por veç islam? Nuk ndjehet SHBA dhe Evropa për këtë.

Sa i përket pyetjes suaj mbi gazetarët dua t’ju them se reporteret e “CharlieHebdo” u tallën me të dërguarin e Allahut. Ata kanë bërë shumë mirë, dhe Allahu i shpërbleftë. Ashtu janë tallur në Shqipëri edhe Ben Blushi apo Kastriot Myftaraj që do t’i vijë dita.

Po në rastet kur sulmet bëhen në vende publike si në Francë, Belgjikë apo Gjermani? Vdesin burra, gra dhe fëmijë të pafajshëm që nuk kanë asnjë lidhje me zhvillimet në Siri…
Nëse unë mësoj se ju do të shkoni të vrisni fëmijët dhe nënën time në Elbasan, s’mund t’ju them faleminderit por do të hakmerrem ndaj jush. Unë nuk them të vrasin njerëz të pafajshëm por kjo është e vetmja zgjidhje. Kur s’kam tanke, avionë dhe helikopterë për luftë të barabartë, atëherë kjo është e vetmja rrugë. Ata kanë kryer sulme terroriste në shtetet që kanë marrë pjesë në luftime. P.sh ju kujtoj se në Brazil apo Kili nuk kanë shkuar ushtarët e ISIS. Ç’punë ka Amerika, Rusia, Franca dhe vende të tjera që ndërhyjnë me avionë bombardues për të shfarosur atë vend? Po u zemërua Allahu e shkatërron Donald Trump-in, Edi Ramën, Angela Merkel-in, Vladimir Putin dhe cilindo që bën si gangster në botë.

Po edhe Shqipëria është aleate e NATO-s. Pra ju në njëfarë mënyre mendoni se nëse ata vijnë dhe kryejnë akte terroriste shqiptarët do ta meritonin?
Vendi ynë është thjesht një koloni dhe jo aleat i NATO-s. Ne jemi të aftë të bëjmë gjithçka që kërkojnë ata, madje edhe duke miratuar martesat midis homoseksualëve. Këta bëjnë gjithçka. ISIS e di shumë mirë që Shqipëria nuk ka rol vendimmarrës dhe komandohet nga SHBA. Ata mund të hakmerren nëse shqiptarët do të shkojnë që të kryejnë sulme. Shteti ynë dërgoi 20 milion fishekë për atë luftë atje në një kohë kur atyre fëmijëve duhet t’i çoheshin karamele dhe jo plumba.

loading...
Shkruar Nga
More from Revista User

Ku dallon një grua e mençur,nga një grua intelegjente!

Një grup psikologësh hasën 8 dallime mes një gruaje të mençur nga...
Read More