Në cilën dasëm do të na ftojë Ilir Meta këtë verë?

Alfred LelaNga Alfred Lela

Ilir Meta është më jokomodi ndër komodët e politikës shqiptare. Ai, paradoksalisht, ka në dorë edhe gurin edhe arrën, por nuk mund të përdorë asnjërën. Sepse, ai nuk do të jetë vetëm njëra, ndërkohë që e di se nuk mund të jetë të dyja bashkë. Është thuajse një paradoks logjik trajtesa e gjendjes dhe territorit politik në të cilin banon Meta, bashkë me formën dhe përmbajtjen e vet politike, Lëvizjen Socialiste për Integrim.

Ai e di se nuk mund të vazhdojë në pozicionin e kingmaker-it si një entitet politik në pushtet të vazhdueshëm, pavarësisht se kush humbet dhe kush fiton. Apo më saktë: si një trupë politike që as fiton as humbet, por është përherë aty duke konsumuar një pjesë të fitores. Për çdo politikan tjetër kjo do të ishte parajsa, por Ilir Meta ‘del për gjah’ duke patur në sy prenë më të madhe.

Alternativat e tij janë tri.

E para, të vazhdojë në koalicionin aktual dhe të shkojë në zgjedhjet e 2017 në krah të Ramës. Kjo është përzgjedhja më komode ndër të tria alternativat. Të paktën nga jashtë dhe pa njohur asnjë nga sëmbimet që ndjen vetë Meta. Kryetari i Parlamentit është gjendur në disa raste ‘majë më majë’ me kryeministrin Rama dhe katër herët më flagrante kanë qenë ‘afera Tom Doshi’, zgjedhjet lokale të 2015, ‘çështja CEZ’ dhe Reforma në Drejtësi. Shefi i LSI ka dalë prej të gjithave i tronditur, por mbijetues. Tronditja mund të jetë gatuar përbernda tij si hakmarrje e pashmangshme, por mbijetesa nuk është një hábitat për të qenë. Sidomos për Metën. Nëse zgjedh mbijetesën, atij i duhet të bashkëjetojë me Edi Ramën edhe për katër vite të tjera (duke prezumuar se dyshja do të fitojë sërish verën që vjen). Pjesë e kësaj bashkëjetese mund të bëhet një ngjitje në majë (si President), e cila është në fakt një teposhtë duke ditur kompetencat e mpakura të kyetarit te shtetit. Ose një mandat i dytë si kryetar i Parlamentit.

E dyta, e sheh Metën të garojë më vete, jashtë një koalicioni potencial me PS apo PD, duke kaluar kështu përmes një procesi spastrimi i cili LSI jargët e perceptimit publik se është një forcë që merr pushtet si e dytë, por nuk merr përgjegjesi në vetë të parë. Ideja e vjetër: pushteti ndryshon por LSI do të vazhdojë të jetë aty. Një dritare tjetër brenda kësaj alternative sheh nga një Metë që formon të shumëndërruarin Pol të Tretë i cili, idealisht, bëhet forcë e parë. Mesi është i mbushur me lojtarë të vegjël e të mesëm që duan të rriten, mjedis ku Meta mund të heqë mantelin e kingmaker-it për të mbajtur kurorën e Mbretit. Ben Blushi me LIBRA-n, Agron Duka me PAA, Gjergj Bojaxhi me Sfida, Nard Ndoka me PDK, Bamir Topi Me FrD, Vangjel Dule me PBDNJ janë të etur, të zhgënjyer dhe, ç’është më e rendësishmja, hakmarrës. Ndoka e Duka janë pjesë koalicionesh, por e kanë lirinë për aleanca të reja pranverën që vjen.

Ky mund të ishte Blloku Independent, një bashkim të mesmish e të vegjlish të cilët, pa shumë vështirësi, mund të formulonin një platformë dhe slogan që etiketonte dy partitë e mëdha si mishëruese të ngecjes.

E treta mundësi është një formulë që e lejon Metën të jetë kryeministër sipas një formule 2+2. Do të thotë, një pakt me Bashën për një koalicion që e drejton vendin me një qeveri rotacióni ku 2 vjet është kryeministër Meta. Nëse PD ka ligjërim politik kryesor Ramën si ‘të keqen më të madhe’, çdo formulë që çon në largimin e tij duhet të ishte politikisht e marketueshme. Megjithëkëtë, PD nuk e artikulon dot një ‘rimartesë’ me LSI para zgjedhjeve. Kjo do të shihej si dobësi dhe do të shterronte aleatin më të madh që në këtë rast janë demokratët.

Dashuri nuk ka as majtas e as djathats, dhe po aq të shtrenjta janë bërë edhe mblesëritë. Rama duket sikur e ka shtyrë Metën nga hisja e ‘dashurisë’ socialsite duke i kujtuar ‘rimartesën’, ndërkohë që Basha, me anë të Palokës, i ka kujtuar ‘flirtin’ e vjetër me anë të ‘portës që mbetet e hapur’.

Në cilën dasëm do të na ftojë Ilir Meta këtë verë?

Shkruar Nga
More from revista mapo

Diplomacia: 25 vjet “ngjarje shpirtërore” me Selinë e Shenjtë

Ambasada e Shqipërisë në Shtetin e Vatikanit, në përkujtim dhe në nderim...
Read More