Ne…. dhe fotografia e 21-të

 

 Një ekspozitë me fotografi aspak të zakonshme. Me 20 portrete bardhezi, të personazheve realë, të identifikuar (ose jo) me probleme të shëndetit mendor. Që kanë pranuar të shfaqen vullnetarisht, duke sfiduar stigmën dhe frikën e paragjykimit. Po kush është fotografia e 21-të dhe çfarë mesazhi fshihet pas saj? Anxhela Gramo, drejtoresha ekzekutive e Qendrës Shqiptare për Shërbime Psikologjike dhe Psikoterapeutike shpjegon vështirësitë e realizimit të ekspozitës së parë të këtij lloji në Shqipëri si dhe koncpetin e pasqyrës, përpara së cilës nuk ka diagnozë.

 

 

Nga Zefina Hasani

_dsc0658 Nëpër shkallë, në ritme e zhurmë kërcitëse të ndryshme, ndjeheshin hapat e njëpasnjëshme që zbrisnin drejt sallës së vogël të Galerisë “Kalo”.

Pamja që shfaqej aty, ishin një sërë portretesh bardhezi, plot 20-të, të renditura në mur, me rregullin e një ekspozite krejt të zakonshme fotografish.

Ndoshta e tillë do të dukej për çdokënd që do të kalonte aty krejt rastësisht, pa pasur as më të voglin informacion se pse ishte hapur kjo ekspozitë dhe cilët ishin personazhet e fiksuar në kuadratet bardh e zi.

Ndërsa për të pranishmit e mirëinformuar, “Fotografia e 21-të” nuk mund të ishte aspak e zakontë. Jo vetëm pse organizohej në një ditë të veçantë, në 10 tetor, Ditën Botërore të Shëndetit Mendor, as pse mbante firmën e Qendrës Shqiptare për Shërbime Psikologjike dhe Psikoterapeutike, por mbi të gjitha sepse kishte ardhur me një frymë krejt të re, artistike, për të përcjellë mesazhe të forta për ndërgjegjësimin e shoqërisë shqiptare mbi shëndetin mendor.

Elementi artistik nuk ishin vetëm 20 fotografitë e realizuara me portretet e njerëzve realë, por dhe një pasqyrë në fund, e identifikuar si fotografia, apo portreti i 21-të, i çdonjërit vizitor të ekspozitës, që si ndalesë të fundit do të kishte përballjen me veten.

Ishte kjo përqasja e fundit që iu ngjiz idesë fillestare që nisi të gatuhej që në majin e 2014-ës. “Që kur krijuam Qendrën Shqiptare për Shërbime Psikologjike dhe Psikoterapeutike filluam të mendojmë se duhet të gjenim forma të reja për të përcjellë në masë mesazhe mbi rëndësinë e shëndetit mendor. Europa e ka praktikë të vetën që të përdorë artet pamore për të ndërgjegjësuar publikun mbi këto çështje, ndaj të frymëzuar prej eksperiencave të ngjashme, krijuam edhe ne konceptin tonë”- drejtoresha ekzekutive e Qendrës, Anxhela Gramo shpjegon se ky projekt kaq delikat por tejet i guxmishëm, nuk ishte aspak i lehtë për t’u realizuar. “Pa bashkëpunimin e Ministrisë së Shëndetësisë, ky projekt do të kish mbetur ende në letër. Dhënia e besimit prej këtij institucioni, si dhe prej Ministrisë së Kulturës na shtoi peshën e përgjegjësisë për çdo hap të procesit të punës deri në finalizimin e tij. Stafi mjekësor, ai psiko-social si dhe rezidentët e shtëpive të mbështetura, u bënë bashkëpunëtorët tanë më të ngushtë, duke  përkrahur menjëherë që në takimet e para idenë dhe qëllimin e projektit tonë. Jo më pak kontribuan me pjesëmarrjen e tyre vullnetare, individët e komunitetit, të cilët ndryshe nga rezidentët shprehën një rezistencë deri diku të shpjegueshme për t’iu bashkuar idesë sonë të ekspozitës. Përgjatë implementimit të projektit, Bashkia e Tiranës, e të tjerë kolegë ofruan mbështetjen e tyre. Duhej treguar durim e kujdes me të gjithë bashkëpunëtorët e projektit, për të qenë sa më të hapur e korrekt me të gjitha pikat e kodit etik dhe të sjelljes së profesionistëve të shëndetit mendor. Ndaj, në gjithë këtë proçes e kishim të nevojshme të konsultoheshim vazhdimisht dhe me Dr. Ledia Lazëri”.

 

 

Fillimisht janë bërë vizitat e para prezantuese, diskutimet e gjata e të hapura si mes miqsh, për të testuar kështu si në një seancë terapie se cili apo cila prej tyre do të mund të pranonte. “Edhe kur pranonin, ka pasur raste, (tre të tilla) që janë tërhequr dhe ne padiskutim kemi respektuar të drejtën e çdo vendimi të tyre. Me të tjerët që kanë pranuar, e theksoj vullnetarisht, u nënshkruan kontrata ndryshe të njohura si Miratime të Informuara”- shpjegon Gramo duke shtuar se ndër 20 portretet që u realizuan nga fotografi Tedi Misha, gjysma janë individë që bashkëjetojnë prej vitesh me probleme të shëndetit mendor, ndërsa pjesa tjetër janë individë të identifikuar rastësisht në komunitet, por pa probleme të raportuara të shëndetit mendor. “Në fillim mendonim se do ta kishim më të vështirë të kishim pjesëmarrjen e individëve që vuajnë prej vitesh nga probleme të shëndetit mendor, por në të vërtetë puna na u bë më e vështirë me pjesën tjetër. Pranimi për t’u shfaqur në këtë ekspozitë mund të konsiderohet si një mënyrë që individët zgjodhën për të sfiduar stigmën sociale ndaj këtyre problemeve, e ndoshta për të parë ndryshe brenda vetes. Ky ishte dhe qëllimi ynë, të afronim edhe ata që nuk raportojnë, që rrijnë të fshehur e të izoluar. Për këto arsye, 20 individët e portreteve të ekspozitës janë protagonistët e një prezantimi të parë publik të këtij lloji për të evidentuar sa të ngjashëm jemi me njëri-tjetrin në vulnerabilitetin tonë (ose vuajtjen tone shpirtërore). Jemi përpjekur të ruajmë raportin e moshës dhe gjinisë në paraqitjen e portreteve, për të dhënë mesazhin se asnjë moshë e asnjë gjini nuk është imune ndaj problemeve të shëndetit mendor.” Gramo tregon më tej se përjetimi i proçesit të fotografimit ka qenë veçanërisht mbresëlënës për individët që e kanë kuptuar, pranuar dhe jetojnë me problemet e shëndetit mendor çdo ditë; për ta, kjo ekspozitë ishte diçka e bukur dhe e veçantë që po ju ndodhte në jetë. Kjo eksperiencë i ka bërë të ndihen të vlerësuar, duke e mposhtur qoftë edhe për aq ditë sa ka qëndruar e hapur ajo ekspozitë, izolimin e paragjykimin nga shoqëria, që në Shqipëri, është jo pak e theksuar, siç ndodh në fakt në të gjithë Evropën Lindore.

 

Keqpërdorimi në media i porteteve, ndjehej si rreziku më i madh, ndaj ekspozita ishte sa e hapur për syrin e mendjen aq dhe e mbyllur për çdo blic e objektiv kamere. I vetmi kënd i hapur ishte ai i pikturave, të realizuara nga individë që vuajnë nga problemet e shëndetit mendor, që u ekspozuan po atë ditë, fare pranë protreteve.

Për dhjetë ditë me rradhë, portretet qëndruan të heshtura, të përvijuara me problemet e tyre, karshi pasqyrës që plotësonte kuadrin me çdo portret tjetër që ndalonte aty. E nuk ishin pak, por mbi 150 protagonistë të tjerë që u përplasën me atë pasqyrim dhe lanë më pas shënimet në librin e hapur: “Kur sheh të tjerët ke gjithmonë diçka për të thënë dhe pas gjithë këtyre, tani që po shoh veten, dua të them edhe diçka për veten”, “Eshtë një fotografi e bukur” (përpara pasqyrës), “Si je ti? Si të duket vetja? Ehh si të më duket… (i tha vetes përpara pasqyrës)”, “Nuk e di a do e njoh veten apo jo përpara pasqyrës (dhe refuzoi ta shihte)”, “Askush nuk është normal, të gjithë e kemi diçka”, “Askush nuk është normal, edhe unë ja e shoh veten dhe prap nuk jam në rregull”, “Ehh unë ja kam bërë me kohë diagnozën vetes”, “Nuk dua ta shoh reflektimin tim pasi kam frikë nga e ardhmja”…

Kjo është përballja që të jep mundësinë për të njohur atë që nuk dimë, për të zbuluar veten, stigmën dhe paragjykimet mbi shëndetin mendor.

 

 

Shëndeti mendor në pak shifra sipas OBSH 2012, 2014.

-Çdo vit, në Europë, 1/3 e popullsisë vuan nga probleme të shëndetit mendor, ku mbizotërojnë depresioni dhe ankthi.

-Sot vetëvrasja renditet shkaku i dytë i vdekjeve në botë dhe në Europë, për grupmoshën 15-29 vjeç.

-Në vendet e zhvilluara, 90% e vetëvrasjeve vijnë si rezultat i sëmundjes mendore dhe 22% e tyre janë të lidhura me përdorimin e alkoolit.

-Në Shqipëri, vdekjet e shkaktuara nga vetëvrasja përfaqësojnë 0.79% të vdekjeve në total.

 

 

Dëshmi reale

-“Liria që kam fituar sot është në saje të punës sime dhe ndihmës profesionale.”

-“Pavarësisht se marr mjekim, unë ndihem mirë dhe kam arritur plot gjëra në jetë.”

-“Crregullimi mendor fillon nga sjellja me të tjerët.”

– “Në rast se mjekimi merret dhe përdoret siç duhet që herën e parë, individi shërohet dhe bëhet i aftë të punojë dhe të shijojë jetën.”

– “Të paragjykosh pa e jetuar vuajtjen, ose sipas opinionit të të tjerëve është e padrejtë. Unë nuk kam lejuar njeri të më paragjykojë.”

– “Në të vërtetë, unë nuk kam probleme me të tjerët, por janë paragjykimet e tyre për sëmundjen që unë kam, të cilat bëhen problem.. .”

 

Shkruar Nga
More from Revista Mapo

Dritan Ylli:LSI krijoi një tjetër realitet politik

  Botuar te Revista Mapo Tetor 2016   Ai është nga të...
Read More