Në Dibër kryeson PD, Gjirokastra rrezikon të dalë barazim

Në Dibër rezultati pritet të ndahet në raportet 3 deputetë PD, 2 PS dhe 1 LSI. Në Gjirokastër referuar votave të 2013-s mandatet rrezikojnë të ndahen në raportet 2 PS, 2 PD dhe 1 LSI. Ndërsa në Kukës rezultati është i “fiksuar”, 2 PD dhe 1 PS

Nga Fejzi Braushi

Qarqet Dibër, Gjirokastër dhe Kukës janë tri qarqet që nxjerrin numrin më të vogël të deputetëve, ndaj dhe gara elektorale është shfaqur në këto zgjedhje më e qetë se në shumë zona të tjera. Për shkak se numri i zgjedhësve është i vogël, edhe mundësia për të patur përmbysje rezultatesh në to është e pakët. Në Dibër rezultati pritet të ndahet në raportet 3 deputetë PD, 2 PS dhe 1 LSI. Në Gjirokastër referuar votave të 2013-s mandatet rrezikojnë të ndahen në raportet 2 PS, 2 PD dhe 1 LSI. Ndërsa në Kukës rezultati është i “fiksuar” 2 PD dhe 1 PS.

Dibër

Në bazë të votave të 2013-s mandatet në Qarkun e Dibrës do të ndaheshin: 3 PD, 2 PS dhe 1 LSI. Të tria forcat duket se i kanë të fortifikuara mandatet e tyre. PD në zgjedhjet e shkuara ka marrë 35 mijë vota dhe do ta humbiste mandatin e tretë vetëm nëse do shkojë në nivelin e 25 mijë votave. Nga ana tjetër, PS në zgjedhjet e shkuara ka marrë 25 mijë vota dhe në rast se i merr sërish ato edhe në këto zgjedhje i ka të sigurta dy mandate. LSI do ta humbiste mandatin e saj në këtë qark vetëm nëse do të humbiste afro 1200 vota në krahasim me zgjedhjet e shkuara parlamentare. Dibra rezervon një garë interesante ku një rol thelbësor mund të luajnë si kandidatët ashtu edhe elementët lokalë që kanë një influencë në zonë. Demokratët paraqiten në këto zgjedhje me një listë që kryesohet nga Dhurata Çupi. Çupi, me profesion juriste, është deputete që prej shtatorit të shkuar kur zëvendësoi Sherefedin Shehun. I dyti në listë është një tjetër emër i njohur për publikun, ai është Xhemal Gjunkshi, ish-kreu i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë. I treti ,Edmond Isaku, nënkryetari i PD-së së Bulqizës, zonë e cila i është ngarkuar të mbulojë në fushatë. PS përfaqësohet nga ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj. E dyta në listën e PS-së është Almira Xhembulla, një emër i panjohur për opinion publik. Ajo vjen nga radhët e shoqërisë civile dhe ka qenë një aktiviste për promovimin e barazisë gjinore dhe mjedisin. LSI përfaqësohet në 25 qershor me një listë që kryesohet nga Përparim Spahiu. Ai konkurron për një mandat të dytë në këtë qark. Garës së Dibrës i shtohet në këto zgjedhje PDIU, e cila pavarësisht se në zgjedhjet e shkuara parlamentare ka marrë një grusht votash, kësaj here pretendon një mandat deputeti. Lista e PDIU-së kryesohet nga Reme Lala.

Gjirokastër

Pavarësisht numrit të vogël të deputetëve që nxjerr ngjall interes pasi PS dhe PD janë në garë për një mandat deputeti. Ndërsa LSI e ka të fiksuar mandatin e vet në këtë qark, socialistët dhe demokratët janë futur në garë për mandatin e fundit që ndahet në këtë qark. Duke marrë për bazë rezultatin e 2013-s si dhe mënyrën aktuale të garimit, atëherë rezultati në mandate do të ndryshonte në raport me 4 vite më parë. Nga raporti 3 PS, 1 PD dhe 1 LSI rezultati do të shkonte në 2 PS, 2 PD dhe 1 LSI. Diferencën në këtë rast e bëjnë votat e PBDNJ-së dhe të disa aleatëve të tjerë opozitarë, të cilat në rast se i kalojnë PD-së edhe në këto zgjedhje atëherë kjo e fundit do të arrijë të marrë mandatin e dytë. PD do ta humbasë mandatin e saj të dytë vetëm nëse shkon sërish në nivelin e 13 mijë votave në këtë qark. LSI me 11534 vota e ka të siguruar mandatin e saj. Sa i përket kandidatëve partitë kryesore konkurrojnë me emra të njohur politikë. Kështu PS ka zgjedhur dy emra të njohur të kabinetit qeveritar në 4 vitet e fundit. Listën e kryeson Blendi Çuçi, ish-ministri për Pushtetin Vendor dhe e dyta ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro. Ajo kandidon për herë të parë si deputete dhe mbulon zonën e Përmetit. I treti në listën e PS-së është renditur një nga prurjet e reja të PS-së në këto zgjedhjet. Ai është mjeku ORL, Flamur Golemi. Demokratët përfaqëson me një listë të kryesuar nga Tritan Sheshu. I dyti në listën e PD-së është renditur Roland Bejko, një figurë e njohur e demokratëve të Gjirokastrës që vjen nga Lazarati. LSI edhe në këto zgjedhje konkurron me një listë që kryesohet nga Vangjel Tavo. LSI në Gjirokastër gëzon një mbështetje të madhe dhe pretendon që të marrë edhe mandatin e dytë. Një faktor plus në këto zgjedhje LSI ka edhe faktin që prej dy vitesh drejton Bashkinë e Gjirokastrës.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Ja përse vrasja e një gorille po mban botën pezull

Harrojeni Sirinë, Shtetin Islamik dhe krizën e emigrantëve. Ka një tjetër ngjarje...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *